Editorial

Dragi dhe marrëdhëniet me SHBA- Italia ka më shumë rëndësi në'Evropë

Shkruar nga Liberale
Dragi dhe marrëdhëniet me SHBA- Italia ka më shumë

Federico Fubini

Ishim lënë në prag të krizës së qeverisë me një përfytyresë simbolike të rolit evropian të Italisë e të politikës së saj të jashtme. Vlen të  rikthehemi tek një çast, tani që u krye riti i kalimit ndërmjet Giuseppe Conte-s e Mario Dragi-t. Ishte 30 dhjetor 2020.

Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Xi Jinping lajmërojnë një marrëveshje historike mbi investimet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. Kancelarja merr pjesë si kryetarja e rradhës e BE. Francezi nuk kishte arsye institucionale për t’u dukur – ishte njëri nga 26 drejtuesit e tjerë të Bashkimit – por ishte i vendosur të mbante përshtypjen se pesha e tij politike n’Evropë është e barabartë me atë të Merkel-it. Sa i përket Italisë, ajo as që e kishte parë arritjen e marrëveshjes: pak ditë më parë e gjithë struktura e ministrisë së Jashtme punonte qetësisht me bindjen se do të ishin dashur ende disa vite.

Por ajo e Merkel-it, Macron-it dhe Xi-ut së bashku nuk është vetëm përfytyresa e parëndësisë, hija e së cilës po zgjatet gjithmonë mbi Italinë kur ai që e drejton nuk i luan më së miri letrat e tij. Ai çast do të mbetet edhe për një tjetër arsye që tani ka të bëjë me Mario Dragin. Ajo fotografi grupi me autokratin kinez zbulonte tërthorazi se Donald Trump-i nuk është e vetmja pengesë në marrëdhëniet ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Joe Biden e priti shumë keq zgjedhjen e evropianëve për të përmbyllur marrëveshje me Kinën më parë se sa ai, atëherë në pritje për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, të kishte kohë për t’u shprehur.

Këtu hyn në lojë qeveria Dragi, sepse kryeministri i ri njihet nga të tjerët drejtues evropianë, jo vetëm si njëri nga të pakëtit që është i sërës më të parë në fushën ndërkombëtare. Dragi ka edhe marrëdhënie më të ngushta se cilido në BE me shumë përfaqësues së majës në administratën Biden, tani që Trump-i ka shkuar por arsyet e tensionit mbeten. Nëse Shtëpia e Bardhë nuk vlerëson marrëveshjen e Brukselit me Kinën, n ‘Evropë shihet në strategjinë e “Buy American” të administratës së re një lëvizje mbrojtëse në dëm të furnizuesve gjermanë, franceza ose italianë. Nëse në Washington nuk pëlqehen kufizimet në eksportin e vaksinave nga Evropa, në Bruksel vihet re se tani për tani nuk është hequr asnjëra nga taksat e Trump-it kundër qindra prodhimesh evropiane për grindjen mbi Airbusin. E ndërsa Italia, Franca e Spanja vazhdojnë të detyrojnë taksa të jashtëzakonshme mbi gjigandët e Big Tech, Biden-i nuk jep asnjë shenjë të pranimit të kompromiseve që lënë të pakënaqur financuesit e mëdhenj të Silicon Valley-t. Lista e mosmarrëveshjeve është e gjatë e sigurisht më e dukshmja ka të bëjë me marrëdhëniet me Kinën. Macron-i dhe Merkel-i kanë rezerva të dukshme mbi idenë e një “koalicioni të demokracive”, të propozuar nga Biden-i për të përmbajtur ngjitjen e Pekinit.

Cili mund të jetë vendi i Dragit, që për qeverinë e tij synon në një strategji europeiste e filoatllantike? Jo ai i një ure ndërmjet dy brigjeve, edhe sepse askush nuk ka nevojë për ndërmjetës: gjithmonë një rol i dyshimtë ose, në rastin më të mirë, jo i frytshëm. Në të kundërt hapet një rast i rrallë për Italinë, të ketë rëndësi më shumë se sa lë të mendohet pesha specifike e Vendit në kuadrin ndërkombëtar. Merkel është në muajt e fundit si kancelare, ndërsa kujt do t’a pasojë në Berlin do t’i duhet kohë për të përcaktuar bindjet e tij. Macron-i pothuajse po hyn në fushatën presidenciale, të caktuar pak më shumë se pas një viti dhe është në një formë jo të shkëlqyer: në muajt e fundit Marinë Le Pen, udhëheqësja e së djathtës skajore, për të parën herë që nga 2017 e ka kaluar në sondazhet mbi turnin e parë.

As Dragi nuk ka një horizont qeverie të pakufizuar. Por ka prestigjin e tij, përvojën dhe marrëdhëniet globale, ka një vështrim të interesit evropian e të aleancës euro-amerikane që përfshin e siguron Italinë në shumë mënyra. Dragi do të ketë edhe kryesinë e G20 për gjithë vitin e do të ecë i rrethuar nga perceptimi që koha e tij në institucionet italiane nuk do të mbarojë me jetën e kësaj qeverie. Për të parën herë prej kohësh zëri i një italiani mund të vlejë njësoj – ndoshta më shumë – se ai i udhëheqësve të Vendeve të tjera më të qëndrueshëm e të sigurt për vendin e tyre në botë. Një rast për të ndërtuar pak qëndrueshmëri e siguri në vete edhe këtu.

“Corriere della Sera

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH