Aktualitet

"Dosja e pronave", arrestohet drejtori i Kadastrës në Durrës

Shkruar nga Liberale
"Dosja e pronave", arrestohet drejtori i Kadastrës

Policia ka vënë në pranga drejtorin e Kadastrës në Durrës, Liridon Pula. Arrestimi i tij është bërë mesditën e sotme në zyrën e tij, pasi gjykata ka caktuar masë sigurimi “arrest me burg”. Ai dyshohet për abuzime me regjistrimin e pronave.

Sipas të dhënave të deritanishme nga Krimi Ekonomik, dyshohet se Liridon Pula, së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, kanë tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.

Sipas burime konfidenciale, hetimet e drejtuara nga Prokurori Arjan Ndoja, janë në kuadër të hetimit që pak ditë më parë vunë në pranga dhe nëndrejtoreshën e këtij institucioni, Lusiana Kola, e cila u la nga gjykata me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë që në kërkim është shpallur ish-drejtori i ALUIZNI-t për Durrësin, Flamur Gjuzi.

Këta zyrtarë të lartë, si edhe disa vartës të tyre, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën nëpërmjet legalizimit dhe regjistrimit të një numri të konsiderueshëm pronash në mënyrë të paligjshme.

Njoftimi i policisë për arrestimin e Pulës:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë ekzekutuar masën e sigurisë "Arrest me burg " për veprën penale

"Shpërdorimi i detyrës" dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës në ngarkim të shtetasit L.P., 36 vjeç, banues në Tiranë, Drejtor i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Durrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH