Aktualitet

Dorëheqjet tek pronat dhe rrugët, virozat e reja të stinës

Shkruar nga Liberale
Dorëheqjet tek pronat dhe rrugët, virozat e reja të stinës

“Prona është e shenjtë” është ky postulati që dëgjohet më së shpeshti, por në vendin tonë prona dhe titujt e pronësisë kanë hapur probleme të shumta. Dhe më mirë se kushdo, këtë çështje e kuptojnë, drejtuesit e atyre institucioneve që lidhen drejtpërdrejtë me administrimin e pronave në Shqipëri. Fakt është se disave prej tyre pronat u kanë “ngrenë kokat” nga posti i drejtorit të Kadastrës, Hipotekës e deri tek ARRSH-ja. Shembulli tipik i problemeve dhe misterit që fshehin vendimmarrja mbi administrimin e pronës vjen nga Kadastra e Vlorës e cila vijon të prodhojë lajm. Nga ky qytet brenda më pak se një muaj tre drejtorë kanë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Kadastrës së Vlorës. Që të tre drejtorët kanë dhënë dorëheqjet me motivacion “arsye personale” apo “për çështje shëndetësore”, por në fakt shkak është mësohet se është bërë ngërçi me një pronë në bregdet, për të cilën ka edhe një vendim të Gjykatës së Lartë.

Pronat

Dorëheqjet e para nga Hipoteka dhe Kadastra në Vlorë nisën që në muajin shtator, ku Florian Almadhi u dorëhoq në 9 shtator dhe u zëvendësua nga Alteo Nazeraj. Ky i fundit nuk qëndroi as 10 ditë në detyrë dhe deklaroi gjithashtu dorëheqjen. Në vend të tij u emërua Elona Hodaj, e cila bëri të njëjtin akt dje. Të gjithë largohen nga drejtimi i Kadastrës me pretekstin e problemeve personale apo  shëndetësore, por ngërçi qëndron në zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë. Këtë “akt sakrifice” të drejtorëve e ndihmon edhe një vendim qeverie, ku bregdetin shqiptar e kalon në inventarizim, nga ku automatikisht bllokohet dhe pezullohet dhënia e pronësisë; duke bërë të pamundur shitjen ose blerjen e një prone ne bregdet. Për opozitën vendimi i qeverisë është cilësuar grabitje e pronave. Por kjo në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe institucioneve në varësi ka prodhuar probleme të shumta, deri në dorëheqjen e drejtorëve. Këto vetëlargimet kanë krijuar kolaps në Kadastrën e Vlorës, ku brenda 1 muaji janë ndryshuar disa drejtorë, nëndrejtorë dhe juristë fakt që tregon se ky institucion vazhdon të mos funksionojë. Dorëheqjet në seri në Vlorën, lidhen me një vendim të Gjykatës së Lartë, kjo pronë duhet të bllokohet e të mos vijojnë procedurat e shitjes apo blerjes, ndërsa më herët Gjykata e Apelit kishte vendosur vijimin e këtyre procedurave. Për rastin e fundit të dorëheqjes, burime për Neës24 bëjnë të ditur se drejtoresha tashmë e dorëhequr Elona Hodaj dhe nëndrejtori Taulant Canameti kanë pasur përplasje mes tyre pasi kanë dhënë 2 vendime të kundërta mbi pronën. Canameti sipas burimeve firmosi bllokimin për pronën në bregdet duke zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë, ndërsa Elona Hodaj, e anuloi firmën e Canametit me argumentin se nuk e kishte autorizuar. Paralel me zhvillimet në Kadastrën e Vlorës, tejet problematike janë edhe zhvillimet në Kadastrën e Durrësit, ku vetëm një javë më parë, drejtori i këtij institucioni me vendim Gjykate i është dhënë masa “arrest me burg”, për akuzën e “tjetërsimit të pronës”. Për të kuptuar absurdin e situatës dhe “lojës së madhe” që fshihet me pronat në vend, mjafton reagimi i qeverisë dhe shqetësimi direkt i Kryeministrit dhe zv.kryeministrit në mbrojtje të drejtorit Liridon Pula.

Tenderat   

Situata vijon të jetë shqetësuese edhe në Drejtorinë e Autoritetit Rrugor  Shqiptar. Ky institucion vijon të jetë pa drejtor edhe një javë pas dorëheqjes së ish -drejtoreshës Vasilika Vjero. Kjo e fundit dha dorëheqjen dy javë pas emërimit me motivacionin “se do të kujdesej për vajzën”. Por në fakt Vjero vinte në këtë institucion si emërim direkt i Qeverisë, pas drejtimit të disa prej drejtorive më të rëndësishme në vend që nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve si dhe atë të zëvendësministres së Ekonomisë dhe Financave. Vasilika Vjero është dorëheqja e dytë në këtë institucion, pasi më herët dha dorëheqjen Sonila Qato, besnike e Ramës dhe bashkëpunëtore e tij që në kohën kur ai drejtonte Bashkinë. Edhe Qato deklaronte se “dorëhiqem për arsye personale”, në të vërtetë pa specifikuar shumë se çfarë konkretisht e bënte të largohej nga administrata shtetërore pas më shumë se 18 vite punë në shtet dhe nën “bekimin” e Ramës. Por sikurse denoncoi Partia Demokratike, Autoriteti Rrugor Shqiptar është kthyer në një arenë ku po përplasen interesa të forta tenderash duke u bërë shkak për largimin e drejtoreshës së re vetëm dy javë pas emërimit. Vasilika Vjero është dorëhequr pak ditë pasi mori drejtimin e institucionit, ndërsa edhe titullarja e mëparshme Sonila Qato u largua pas presioneve nga kompanitë që kanë fituar tenderat e rrugëve. Përplasjet për tenderat e rrugëve duket se kanë sjellë një situatë të rëndë në ARRSH duke bërë që asnjë drejtor i ri të mos marrë përsipër procedurat e institucionit në varësi të ministres, Belinda Balluku. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH