Kryesore

Dorëheqje paradhënie

               Publikuar në : 09:41 - 12/09/20 liberale

Deklarimet e ministrave, Lleshaj dhe Shahini  se nuk do të jenë më pjesë e ekzekutivit pas zgjedhjeve nëse PS fiton lë disa pikëpyetje. Më e madhja ndër to ka të bëjë me eficensën e tyre dhe institucioneve deri në zgjedhje

Pas Besa Shahinit një tjetër ministër deklaron se nuk do të jetë më në postin që mban, nëse Partia Socialiste merr një tjetër mandat. Është Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili e deklaroi këtë nga Vlora, ku mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të forcave “Shqiponja”. “Nuk do jem i përhershëm në këtë post është e sigurt. Askush nuk është i përhershëm në një post”.

Nuk dihet nëse ky është një vendim personal i Sandër Lleshajt, apo një strategji elektorale e Partisë Socialiste për fushatën zgjedhore. Por ndryshe nga Besa Shahini, një ministre politikisht në hije, Sandër Lleshaj erdhi në krye të Ministrisë së Brendshme dhe u katapultua si drejtues politik i PS në Lezhë, duke dalë nga zyrat e kabinetit të Kryeministrit Rama, si këshilltar i tij për Çështjet e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Mgjithatë edhe Lleshaj nuk ka qenë asnjëherë një politikan në profesion, çka kryeministri e vlerësoi si një vlerë në momentet e emërimit.

Lleshaj mendohej se do të kryesonte edhe listën e deputetëve socialistë për Lezhën në zgjedhjet e ardhshme, por socialistët pak ditë më parë morën vendimin për ta larguar si drejtues të qarkut dhe tani nuk dihet as nëse do të jetë pjesë e listës së deputetëve.

Deri tani, Partia Socialiste ka qëndruar larg komenteve të deklaratave të dy ministrave për të mos qenë pjesë e kabinetit të ardhshëm, nëse socialistët i fitojnë zgjedhjet.

Deklarimet e dy ministrave të kabinetit Rama se nuk do të jenë më pjesë e ekzekutivit pas zgjedhjeve nëse PS fiton lë disa pikëpyetje. Më e madhja ndër to ka të bëjë me eficensën e tyre në postet që do të mbajnë deri në zgjedhje. Sigurisht është në të drejtën e tyre që ta vendosin së pari vetë karrierën e tyre, por përgjegjësia e postit të lartë, mund të kishte detyruar qëndrim tjetër. Mesazhi për dy ministritë në këtë rast nuk mund të jetë veçse demotivues.

Nga ana tjetër largimi i dy ministrave nga jeta politike (e sigurt për Besa Shahinin) konfirmon edhe njëherë tjetër se eksperimentet me ministra jashtë karrierës politike përbëjnë përjashtim nga rregulli bazë i politikës që pushtetit e ushtrojnë ata që votohen dhe që kanë marrë përgjegjësi politike në fushatat elektorale.

Si Lleshaj dhe Shahini me këto lëvizje krijojnë idenë se qeveria ka marrë krisje të fortë dhe mezi po pret që të afrohen zgjedhjet për të shpëtuar nga funksionet e larta.

Pak ditë më parë qarkulluan lajme se kryeministri ishte në prag të ndryshimit të disa ministrave, të gjithë të profilit teknik, por me deklarimet e Lleshajt dhe Shahinit, duket se kryeministri është kapur në befasi pa pasur mundësi të lëvizë më tej.

Mospërfshirja e pjesës më të madhe të ministrave të kabinetit aktual në listën e drejtuesve të 12 qarqeve të vendit para disa ditësh në mbledhjen e grupit të PS, në Elbasan ishte një sinjal i fortë se në Asamblenë e ardhshme priteshin lëvizje në qeveri. Riformatimi i fundit i qeverisë në fundin e dhjetorit të 2018 po në një mbledhje Asambleje, ku askush veç kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, nuk dinin gjë, po përsëritet edhe këtë radhë. Spekulimet brenda mazhorancës kanë marrë më shumë hov, pasi shumica e ministrave nuk u zgjodhën si herët e tjera për të drejtuar fushatën në 12 zonat elektorale të vendit. Në vend të tyre si kryesues të listave për deputetë, -pasi drejtuesit politikë janë përgjithësisht numrat 1 të listave për deputetë,- u preferuan ish ministra të periudhës 2013-2018 dhe figura politike. Duket se kryeministri Rama me afrimin e zgjedhjeve  po i kthehet përfaqësimit të mazhorancës nëpërmjet figurave me karrierë në PS, duke spostuar teknicientët. E realizuar kjo për garën elektorale duket logjike që edhe në 8 muajt e fundit të mandatit në qeveri të rikthehen emrat politikë, të cilët si ministra do të kenë edhe më shumë fuqi dhe mjete për të thithur vota.

Ndryshimet  

Kështu ministri i brendshëm Sandër Lleshaj u zëvendësua nga drejtimi punëve të partisë në qarkun e Lezhës. Rama riktheu në Lezhë ish ministren Lindita Nikolli, një emër me karrierë të gjatë në PS.

Mbetet e paqartë nëse ministri turizmit Blendi Klosi do të vijojë të drejtojë të majtën e Beratit, pasi në mbledhjen e së martës emri I tij nuk ishte mes drejtuesve të tjerë poltikë.  Gent Cakaj dhe Besa Shahini që të dy anëtarë të kryesisë së PS, nuk i është besuar asnjë post drejtues në ekipin e fushatës elektorale.

Nga vija e  parë të betejës elektorale 2021,  janë përjashtuar edhe ministrat Ogerta Manastrirliu, Anila Denaj, Elva Margariti, Pandeli Majko, Eduart Shalsi, Etilda Gjonaj përfshi zëvendës kryeministrin Erion Brace drejtues i disa betejave elektorale në Berat dhe së fundmi si zonën e Divjakës në qarkun e Fierit.

Elisa Spiropali ministre për marrëdhënie me parlamentit do të drejtojë fushatën në Kavajë, Vorë, Kamzë dhe Rrogozhine bashki që janë pjesë e qarkut te Tiranës. Mbulimi edhe i Vorës nga Elisa Spiropali, vjen pas heqjes të kujdestarisë nga kjo bashki e Ministres Belinda Balluku.

Edhe ministri Arben Ahmetaj i cili është lënë jashtë listës së ekipit drejtues të fushatës socialiste.

Nga 14 ministra të kabinetit qeverisës, kryeministri Edi Rama u besoj drejtimin politik të fushatës elektorale në qarqe vetëm 3 ministrave

Ditmir Bushati në Shkodër darkon me Yuri Kim

Tre ditë pasi i dërguari i Edi Ramës në Shkodër Ilir Beqaj ironizoi kolegun e tij kritik Ditmir Bushatin se nuk kishte adresë se ku ndodhej, ish-ministri i Jashtëm shfaqet pikërisht në kryeqendren e veriut.

Por jo vetëm dhe as në shoqërinë e socialistëve, por me Ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Ora News ka siguruar ekskluzivisht foton e darkës mes Kim dhe Bushatit, në një nga restorantet e njohura në qendër të qytetit.

Ne foto: Ditmir Bushati duke darkuar me Ambasadoren Kim

Takimi mes diplomates amerikane dhe deputetit socialist  mund të ishte zhvilluar edhe në Tiranë, por është zgjedhur Shkodra për të dhënë mesazhe kryetarit të PS për mbështetjen ndërkombëtare që ai gëzon.

Ky takim kokë më kokës vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së fortë të Ambasadores amerikane për liderët politike në prag të zgjedhjeve, duke u kujtuar atyre se do të mbajnë përgjegjësi për ata që do garojnë nën flamujt e tyre, deklaratë të cilën e përsëriti edhe ditën e enjte në Shkodër.

Një vit më parë Bushati u shkarkua prej kryeministrit Rama nga drejtimi i politik i qarkut dhe u zëvendësua me Valdrin Pjetrin, i cili nuk e mori dot detyrën për shkak se u prek nga ligji për dekriminalizimin.

Ndërsa me 1 shtator Rama i besoj kryeqendren e Veriut Ilir Beqajt, një figurë e akuzuar nga politika për korrupsion.

Para Athinës Rama shkon në Vjenë

Shqipëria, si kryesuese e OSBE për vitin 2020, në bashkëpunim me Sekretariatin e OSBE-së për Veprim kundër Terrorizmit, Departamentin e Kërcënimeve Ndërkombëtare, do të zhvillojë një konferencë të gjerë me temë “Partneritet efektiv kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që të çojë në terrorizëm”, në datat 14 dhe 15 shtator 2020 në Vjenë dhe virtualisht.

Kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalim në seancën hapëse, të hënën në ora 14:30, ndërsa diskutimi do të përqendrohet në:

Nxitja e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe rajonal për çështjet kundër terrorizmit;

Mbështetja e koordinimit midis angjensive në nivelin kombëtar për të adresuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe për të inkurajuar të gjithë Shtetet pjesëmarrëse dhe partnerët e OSBE-së për bashkëpunim dhe për të përfshirë partneritetet në strategjitë dhe planet e tyre të veprimeve kombëtare;

Rëndësia dhe vlera e shtuar e partneriteteve efektive me një spektër të gjerë të shoqërisë civile dhe sektorit privat në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Përveç Ramës, në këtë konferencë virtuale marrin pjesë edhe  Nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Zyrën kundër Terrorizmit, Vladimir Voronkov; Ministri i Shtetit për Sigurinë, Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Rt Hon James Brokenshire dhe Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë Marina Sereni.

Konferenca do të ofrojë pesë sesione mbi qasje të ndryshme për forcimin e bashkëpunimit midis agjencive qeveritare, me partnerë ndërkombëtarë, si dhe angazhimin e komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile.

Pas kësaj konference, kryeministri Edi Rama do të udhëtojë për një vizitë pune drejt Athinës.

Në një kohë që në kryeqytetin shqiptar po zien debati me akzat për faljen e detit Greqisë, kryeminsitri shqiptar ka konfirmuar pjesëmarrjen në konferencën e organizuar nga “The Economist” në kryeqytetin helen me temë “Forcimi kohezionit në kohë turbulence në Europë” në datat 15 dhe 16 shtator. /Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back