Të hënën, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se nuk do mbështesë hyrjen e Suedisë në NATO, pas disa protestave kundër qeverisë turke që ishin mbajtur në Suedi. Anëtarë të partisë suedeze të ekstremit të djathtë Stram Kurs, dogjën disa kopje të Kuranit përgjatë një proteste që u zhvillua të shtunën para ambasadës turke në Stokholm.
Disa ditë më parë, protestuesit kurdë, të cilët janë shtypur sistematikisht nga qeveria e Erdoganit brenda dhe jashtë Turqisë, dogjën një manekinë në ngjashmëri me presidentin turk, i cili ishte varur me kokë poshtë në një shtyllë ndriçimi.
Si përgjigje ndaj këtyre ngjarjeve, Erdogan deklaroi se Suedia nuk duhet të presë asnjë mbështetje nga Turqia për hyrjen e saj në NATO.
“Është shumë e qartë se ata që kanë shkaktuar një turp të tillë para ambasadës së vendit tonë nuk mund të presin asnjë të mirë nga ne”, tha ai.
Suedia, së bashku me Finlanden, aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO vitin e kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Por, Turqia si një vend anëtar, ka të drejtën e vetos për pranimin e tyre në organizatë.
Protesta para ambasadës turke në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, u konsiderua veçanërisht serioze nga Turqia, e cila është një vend me shumicë myslimane. Erdogan është një lider mysliman dhe gjithmonë e ka përcaktuar veten si mbrojtës i vlerave islame në botë. Qeveria turke ka protestuar zyrtarisht kundër qeverisë suedeze dhe ka anuluar gjithashtu një vizitë të ministrit suedez të mbrojtjes në Ankara. Në Turqi, si kundërpërgjigje, një grup protestuesish ishin mbledhur jashtë ambasadës suedeze ditët e fundit dhe dogjën një flamur suedez.
Mosmarrëveshja midis Suedisë dhe Turqisë për anëtarësimin në NATO vazhdon prej muajsh. Që në fillim, qeveria turke u kishte vendosur kushte të rëndësishme të dy vendeve dhe mbi të gjitha Suedisë, për të dhënë pëlqimin e saj për t’u bashkuar me aleancën ushtarake. Në veçanti, debati midis Suedisë dhe Turqisë ka të bëjë me disa dhjetëra disidentë kurdë, të cilët qeveria suedeze i ka pritur vitet e fundit si refugjatë politikë dhe, të cilët Turqia kërkon që ata të ekstradoheshin si terroristë.
Suedia ka mbështetur prej kohësh kurdët e PKK-së, një organizatë që Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë terroriste dhe kundër të cilës qeveria turke ka qenë në luftë prej vitesh. Por shënjimi i terrorizmit kundër PKK-së është shumë i diskutueshëm dhe i debatuar, edhe për shkak se popullsia kurde në Turqi është shpesh objekt i persekutimit. Si rezultat, Suedia në disa raste i ka trajtuar anëtarët e PKK-së si refugjatë politikë, duke u siguruar atyre mbrojtje dhe duke refuzuar t’i ekstradojë në Turqi.
Të gjitha vendet e NATO-s kanë miratuar tashmë hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO, përveç Hungarisë dhe Turqisë. Megjithatë, qeveria hungareze, duhet të fillojë punën për miratimin e saj, duke lënë vetëm Turqinë të ruajë veton e saj./Përgatiti Liberale.al/