Aktualitet

Do të përdorej për trafik droge, jahti braktiset në Shëngjin

               Publikuar në : 16:27 - 19/10/20 liberale

Një jaht i llojit velier është gjetur në det të hapur mbrëmjen e së shtunës në afërsi të zonës së Patokut në Kurbin.

Mjeti lundrues me flamur slloven është konstatuar nga Policia Kufitare dy ditë më parë, të cilët i janë afruar dhe nuk kanë parë persona në bord.

Ata janë larguar dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim edhe 24 orë të tjera, por nuk kanë konstatuar asnjë lëvizje në mjet.

Mbrëmjen e së shtunës jahti është marrë nga Policia dhe ankoruar në portin e Shëngjinit, ndërsa në lidhje me rastin kanë nisur menjëherë hetimet.

Brenda mjetit lundrues turistik me emrin “Tai-Pan” nuk është gjetur asnjë dokument, por dyshohet të jetë nisur nga Greqia me destinacion Malin e Zi, shkruan Panorama.

Dyshimet janë se kanë qenë dy persona në bordin e jahtit, të cilët janë larguar, ndërsa dyshohet se pronari mund të jetë shtetas italian.

Referuar dinamikës së ngjarjes ka dyshime të forta se jahti mund të jetë përdorur për trafikim të lëndëve narkotike. Policia dhe prokuroria e Kurbinit po vijojnë hetimet për të zbuluar se kujt i përkiste jahti dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila deri më tani mbetet e mistershme.

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back