Tenisti i njohur serb Novak Djokoviç fiton betejën gjyqësore për të qëndruar në Australi. Gjykata australiane ka vendosur që urdhri për anulimin e vizës për sportistin nga zyrtari i emigracionit të zhbëhet menjëherë.
Lojtari 34-vjeçar serb fluturoi në Melburn javën e kaluar, me shpresën për të mbrojtur titullin e tij Australian Open.
Por Ministri i Emigracionit Alex Hawke ende mund të anulojë vizën e tij për arsye të reja. Qeveria pranoi në gjykatë se Gjokoviçit nuk iu dha koha e mjaftueshme për t’u përgjigjur pas njoftimit për anulimin e vizës.
Lojtarit iu tha se do të kishte kohë deri në orën 08:30 me orën lokale të enjten e kaluar për të bërë komente në lidhje me anulimin e vizave sipas nenit 116 të Aktit Australian të Migracionit, por Forca Kufitare mori vendimin përfundimtar pak pas orës 07:40.
Gjykatësi tha se Gjokoviç mund të kishte pasur më shumë kohë për të bërë një parashtrim se pse viza e tij nuk duhej të tërhiqej nëse autoritetet do t’i kishin qëndruar kohës fillestare.
“Ne të gjithë luajmë sipas të njëjtave rregulla,” tha gjyqtari Kelly. “E thënë me terma të tjerë: ato rregulla nuk u respektuan”.
Gjyqi filloi të hënën në mëngjes pas vonesave të shkaktuara nga probleme teknike me një transmetim të drejtpërdrejtë të procedurave.
Avokatët e Gjokoviçit argumentuan se fituesi i 20 herë Grand Slam hyri në vend duke kuptuar se përjashtimi i tij nga kufizimet që kërkonin që udhëtarët të vaksinohen plotësisht kundër Covid-19 ishte i vlefshëm.
Nick Wood i tha gjykatës se përjashtimi i ishte dhënë lojtarit nga dy borde të veçanta mjekësore pas një infeksioni të fundit me koronavirus dhe se ai kishte paraqitur të gjitha provat e nevojshme mjekësore tek zyrtarët.
“Ai kishte bërë absolutisht gjithçka. Ai ishte angazhuar me gjithçka që kërkohej prej tij nga Tenis Australia,” tha zoti Wood.