Aktualitet

Ditmir Bushati në UET: Nuk jemi në hapin e fundit të integrimit në BE, procesi po bëhet hipokrit

Shkruar nga Liberale
Ditmir Bushati në UET: Nuk jemi në hapin e fundit të integrimit

Në konferencën shkencore ndërkombëtare, që u zhvillua në UET, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati foli me nota realiste rreth procesit të integrimit të vendit në BE. Ai tha se jemi larg hapit të fundit, lëshoi disa kritika për klasën politike e cila e ka vonuar ecurinë, rikujtoi idenë e tij të hershme  për një pakt për Europën, mes maxhorancës dhe opozitës, si edhe nuk i kurseu tonet e ashpra edhe për vetë unionin, që sipas tij po e kthen zgjerimin në një proces hipokrit.

Ai tha gjatë seancës plenare në Ditët e Studimeve Shqiptare se emigrimi masiv i profesionistëve, paratë e krimit të organizuar, si edhe mospërfshirja reale e diasporës shqiptare rrezikojnë vonesa të mëtejshme dhe ta lënë rajonin pas, krahasuar edhe me fqinjët lindorë, anëtarë të BE

 Kur po vija këtu, mu kujtua një aktivitet i ngjashëm, që kemi bërë më 1 Maj të 2004-s, te salla e Akademisë së Arteve. Ishte koha kur besimi ynë në vlerat e demokracisë liberale ishte i patundur, ishte koha kur kishte një solidaritet shumë më të madh brenda rrathëve të Europës, në kuptimin gjeografik dhe politik të fjalës, ku mezi pritej zgjerimi i madh i dhjetëshes së vendeve që dolën nga perandoria komuniste dhe që iu bashkuan Bashkimit Europian.

Ishte një aktivitet i kompozuar me pedagog, profesorë, nëpunës civilë dhe ambasadorë të vendeve, nga Lindja komuniste dhe po anëtarësoheshin në BE.

E thënë shkurt, thjesht, shpresat tona ishin shumë të mëdha; secili nga panelistët aty, pavarësisht bindjeve politik apo botëkuptimeve që kishte për shumëçka po ndodhte në rajon dhe Europë, të gjithë ishin në një mendje se brenda 10 viteve, edhe rajoni ynë do të ishte në Bashkimin Europian.

Flasim për Komisionin e drejtuar asokohe nga Romano Prodi dhe për një periudhë, ku vetëm pak muaj para, në vigjilje të zgjerimit të madh të BE-së, vetë Prodi do të vinte me një tezë shumë novatore, për krijimin e rrathëve të miqve të BE. Në vizionin e Prodit, Ballkani Perëndimor apo Europa Juglindore do të shërbente si një urë lidhëse mes një BE-je të zgjeruar -me ne brenda sigurisht- dhe miqve, që do të shtriheshin nga Rusia, në Algjeri apo endet e Magrebit.

Nuk kishte asnjë dilemë asokohe, as për fatin e ardhshëm të Ukrainës, Gjeorgjisë apo Moldavisë, sepse edhe Rusia në atë periudhë ishte në një gjendje të ndryshme nga ajo që do të shihnim në vitet që do të pasonin.

Thënë këtë, kam frikë se titull i konferencës së sotshme ka nevojë për një reflektim. Personalisht, nuk besoj se jemi në fazën e fundit të anëtarësimit në BE dhe dua të jem realist me njerëzit që janë këtu, në audiencë, pse e them këtë.

Mbaj mend- edhe zoti Mustafaj iu referua periudhë së rotacionit paqësor - në vitin 2005, unë isha drejtor në Ministrinë e Integrimit Europian; drejtor për përafrimin e legjislacionit dhe isha pjesë e ekipit negociator për të gjithë paketën që iu referua, edhe paketës së “açugeve” të famshme, ku BE na kishte dhënë një afat tranzitor për të përmbushur atë kuotë për të cilën kishim negociuar, kuotën prej 2 mijë tonësh. Pas tetë a nëntë muajsh nga koha kur kishim plotësuar atë paketë , zero ton açuge ishin eksportuar nga Shqipëria. Edhe është krejt normale që Javier Solana do të reagonte për atë punë dhe për ta thënë në mënyrë të sinqertë - dhe njerëzit kur ikin nga detyra janë më të sinqertë- jo se i ‘prehej barku’ për parimet e BE-së, po ne shqiptarët duhet ta ndajmë mendjen e të mos e shohim botën perëndimore në mënyrë romantike. Dhe BE, tek e fundit, përveçse është bashkim vlerash, është edhe bashkim interesash  dhe,  siç e tha me të drejtë zoti Mustafaj, duke qenë se ai (Solana) vinte nga Spanja - Spanja dhe Franca ishin dy prej vendeve m të prokura nga kjo- dhe për shkak të merakut dhe frikës që kishin për kontrabandën që zhvillohej në BE nga açuget, që vinin kryesisht nga Algjeria dhe Tunizia. Në këtë pikëpamje, kam frikë se ende jemi te diskutimi romantik, në disa raste edhe i kombinuar me një lloj inercie të frikshme, për atë që ju zoti Xhep, me të drejtë iu referuat si projekti apo objektivi më i madh që shfaqet para nesh në shekullin 21, sidomos pas krijimit shtetit të dytë shqiptar në rajon siç është Kosova, pas anëtarësimit në NATO, ky është projekti më i madh i yni në funksion të demokratizimit, të transformimit dhe zhvillimit të mëtejshëm. Por sot, nëse do të pyesnit drejtuesit kryesorë të klasës politike në pushtet, kryeministrin e vendit, liderin e opozitës - pavarësisht se ka diskutime se cila është opozita dhe ka disa opozita- cili është interesi ekonomik i Shqipërisë, cili është avantazhi i krahasuar që do të duhet të mbrojë ekonominë shqiptare, në një situatë hipotetike në anëtarësimin në BE, cilat janë fashat kryesore të shoqërisë shqiptare që do të duhet të mbrohen nga ky proces, kam frikë se ende e nuk e kemi këtë përgjigje dhe kam frikë se, dominohemi nga mungesa e pronësisë mbi reformat.

Çfarë nënkuptoj me mungesën e pronësisë mbi reformat?! Më kujtohet në vitet e para të tranzicionit në Shqipëri, se cila ishte parulla kryesore: “Ne qeverisim, bota na ndihmon.” A nuk jemi ne, pak a shumë në të njëjtën situatë, kur themi se, Reformën në Drejtësi e kemi bërë me partnerët ndërkombëtarë dhe partnerët ndërkombëtarë na e kanë shkruar dhe ne jemi të gatshëm...

Të dy ne, e kemi paka luksin të jemi kritikë edhe me forcat politike që përfaqësojmë. Forca politike, nga e cila unë vij, thotë se jemi të gatshëm për Reformën në Drejtësi, mjafton ta shkruajnë ndërkombëtarët dhe ne automatikisht do ta zbatojmë.

Pyetja është: cila është pronësia shqiptare në këtë proces? Çfarë duam të bëjmë me këtë proces, cilat janë aspiratat tonë në procesin e reformës në drejtësi. A nuk vazhdojnë të na e matin, deri diku, në mënyrë jakobine, sa gjyqtarë e prokurorë ikën nga puna dhe nuk kemi ende një analizë apo guximin për të thënë se, sa kompani të huaja apo investitorë të huaj kanë hyrë në Shqipëri si pasojë e rritjes së besimit të shqiptarëve tek institucionet e drejtësisë.

A nuk vajtojmë të gjithë së bashku nëpër media, portale e TV, kur vriten gratë në mënyrë shtazarake dhe vazhdojmë në mënyrë hipokrite të flasim barazia gjinore është nivelet më të larta në qeveri etj., etj,. Por askush nuk flet për reformën në institucionet që kanë të bëjnë me zbatimin dhe shtrëngimin e ligjit dhe askush nuk flet për ndryshimin strukturor që duhet të ketë shoqëria shqiptare , që të përballet me këto fenomene. Janë disa tema vërtet të parehatshme për politikën dhe shoqërinë shqiptare, që ne nuk jemi në gjendje ende t’ia çjerrim maskën siç duhet dhe vazhdojmë e analizojmë procesin në mënyrën më burokratike, me shpresën se kjo nuk do t’iu thotë asgjë njerëzve që e dëgjojnë.

Çështja e tretë, po në këtë kontekst. E përmendi zoti Mustafaj dhe i ndaj plotësisht pikëpamjet që u ndanë këtu. Para disa vitesh isha i ftuar nga UET. Atëkohë isha në detyrë si ministër i Jashtëm dhe në një diskutim që u moderua nga Belina (Budini) ,që është këtu. Mbaj mend se pata folur për nevojën mbi një pakt për Europën, si i domosdoshëm për sa i përket këtij procesi.

Të nesërmen gazeta “Panorama”– nuk e di nëse isha unë aq i mirë apo ishte influenca e Belinës këtu, familja- u hap me titullin kryesor “Ministri i Ramës kërkon pakt me opozitën”, në atë kohë ishte Basha.

Nisem nga të gjithë elementët përshkrues të këtij procesi, nga ‘90 e sot. Dikush thotë me  të drejtë, se pika e nisjes së Shqipërisë në krahasim me vendet e ish-Jugosllavisë apo të Europës Lindore e Qendrore ishte më e ulët, sepse ishim i vetmi vend , që nuk e njihnim komunitetin ekonomik europian në atë kohë, ndërkohë që vende si Hungaria kishin marrëveshje ekonomike. Ne ishim vendi i fundit që e njohu, nga pikëpamja diplomatike edhe i fundit,  që lidhi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit eunomik e tregtar më 1992, që përcaktoi bazat kryesore të bashkëpunimit të Shqipërisë dhe BE-në.

Nëse shohim të gjitha mundësitë e humbura; nga mundësia e artë e vitit 1995-1996, zoti Mustafaj nuk preku, ndoshta me elegancë , periudhën e qeverisjes së PS-së, ‘97-2005, me ‘Dushkun’ e famshëm, me zgjedhjet e 2001, me ofertën bujare që iu bë asokohe nga BE për të mbyllur Marrëveshjen e Stabilizm-Asociimit, me presidentin konsensual të 2002-shit dhe me një lloj marrëveshje Nano-Berisha të 2002-shit dhe po ta analizojmë, fatkeqësisht jemi vendi që kemi vuajtur më shumë në tryezën e bisedimeve me BE-në. Jo se kemi negociuar ndonjë gjë të madhe, por për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike. Nuk kemi probleme në kuptimin etnik e fetar, nuk jemi shtet i papërfunduar , siç ka shtete të tjerë në rajonin tonë, por problemin kryesor kemi problemin politik. Duhet ta pranojmë polarizimin e tejskajshëm dhe mosmarrëveshjet e mëdha, që na pengojnë për të ecur përpara. Flas për ato fusha kryesore, ku duhet ndarë mendja se, pavarësisht kush e ka pushtetin, vendi duhet të ecë përpara. Spanjollët kanë bërë një pakt për Europën, sllovenët kanë bërë një pakt për Europën, kroatët kanë bërë një pakt për Europën. Ky ka qenë një propozim që jam përpjekur të bëj edhe kur isha në opozitë, edhe kur isha në pushtet. Nuk ka funksionuar, ndoshta nuk ka qenë propozimi i duhur, por e sigurt është që pa një lloj marrëveshjeje politike, vendi nuk e çliron dot atë energjinë pozitive që duhet ta çlirojë. Po të ndjekësh sot debatin politik në Shqipëri dhe të ballafaqosh me këtë lloj propozimi, nuk diskutohet që unë dukem naivi më i madh.

Por kjo është domosdoshmëri. E kemi parë këtë në vigjilje të marrëveshjes së NATO-s, e kemi parë këtë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e kemi parë në ato momente kur vendi ka qenë i qetë e a pasur bashkëpunim nuk diskutohet që frytet i ka dhënë edhe në këtë proces.

Por sot, duhet të jemi gjithashtu koshientë që Europa ka ndryshuar. Duke qenë një vend me 27 anëtarë, nuk e ka më atë homogjenitetin me të cilin e kemi parë gjatë viteve 2000.

E para, kriza ekonomike dhe financiare e 2008-s , krijoi një hendek të madh mes veriut dhe jugut të Europës në planin ekonomik. E dyta, kriza e refugjatëve në 2014-‘15 solli një çarje më të madhe në kuptimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të botëkuptimit për të ardhmen e BE-së, mes lindjes dhe perëndimit. Më i famshmi në Lindje nuk diskutohet është zoti Orban, por jo më mbrapa mbetet Polonia apo vende të tjera, që nisën të përpunonin teori për demokraci iliberale.

Pse e them këtë?! Kjo përplasje brenda BE-së, nga njëra anë europiano-perëndimorët e veriut, ata që quhen lista e vendeve Frugal, e shohin BE vetëm me sytë ekonomikë. Ne jemi kontribuuesit kryesorë, thonë holandezët e danezët, e përse do të duhet të kontribuojmë për grekët, portugezët e lërë më për shqiptarët, maqedonasit, malazezët apo serbet nesër a pasnesër, në BE.

Nga ana tjetër, kemi vetë një reflektim brenda vendeve të rajonit tonë, ku shohim mënyrën si operon Polonia e më kryesisht Hungaria, e nuk është rastësi që në dekadën e fundit çfarë po ndodh? Pavarësisht se vende si Mali i Zi dhe Serbia,  që kanë vite në tryezën e bisedimeve, pavarësisht se vende si Shqipëria e kanë marrë statusin e kandidatit më 2014, janë tashmë në nivelin e bisedimeve për anëtarësim, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor - me përjashtim të Kosovës dy vitet e fundit-, raportet me kredencialet demokratike, me të gjitha vlerësimet e organizmave ndërkombëtarë si “Freedom House”, “Economist Intelligence Unit”, raporti i Departamentit të shtetit, raporti i Komisionit Europian e kështu me radhë, kredencialet demokratike të rajonit janë në raport të zhdrejtë me afërsinë formale të vendeve të rajonit me vendet e BE-së. i ashtuquajturi procesi i europianizimit nuk është baras me procesin e demokratizimit. Nuk është rastësi që kemi ndonjëherë zhvendosje prioritetesh. Nëse deri para shumë kohësh ishim më të orientuar midis Greqisë e Italisë, sot duket se jemi më shumë të orientuar diçka midis Turqisë, Serbisë dhe Hungarisë, sepse realitetet e reja, subrajonale, fillojnë e krijohen në kushtet kur ky proces gjithnjë e më tepër për fatin tonë të keq- sepse nuk e kemi luksin e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës e Norvegjisë- po kthehet në proces hipokrit.

Ku shihet hipokrizia? Në mënyrën sesi vetë BE po e trajton këtë proces. Nga njerëz si Solana, Verheugen, komisioner i Zgjerimit - një nga luanët e social-demokracisë gjermane- ishte vendosur në krye të procesit të zgjerimit. Pse? Sepse gjermanët kishin një interes të madh për Gjermaninë. Zgjerimi i Europës pak a shumë mbyllet në interesin e saj me vendet e Lindjes, aty ku është edhe aksesi i kompanive gjermane në një treg më të madh.

Për fat të keq, Komisioneri i sotëm i Zgjerimit vjen nga Hungaria. Dhe në këtë sallë të gjithë i kanë ndjekur debatet, mënyrën sesi u shpërndanë portofolet në Komisionin Europian dhe siç shpesh kthehet portofoli i Integrimit në Shqipëri- në një portofol të dorës së dytë apo të dorës së tretë- e njëjta gjë po ndodh edhe me Komisionin Europian, edhe me BE-në. Dhe nuk është rastësi që disa parlamente siç është Bundestagu gjerman, ka filluar të marrë kompetenca të Komisionit Europian. Pavarësisht se çfarë rekomandon Komisioni Europian për një vend apo tjetrin, jo automatikisht ai mbështetet nga vendet anëtare, për shkak të ekzigjencave që kanë vendet anëtare me mënyrën si vlerëson Komisioni Europian, në të tillë kushte, vendet kandidate apo aspirante.

Pika e fundit, me hipokrizinë e këtij procesi, ka të bëjë edhe me mungesën e një agjende pozitive konkrete. Jam përpjekur ta them shpesh, sa herë kam pasur mundësi.

Njerëzit nuk ushqehen me kapituj. Ne mund të flasim për 33 apo 35 kapituj, hapëm këtë kapitull, bëmë screening... janë tema që mund t’i shqyrtojmë ne këtu, por që nuk rezonojnë me opinionin publik. Më kujtohet se Frank-Walter Steinmeier, me të cilin kam punuar, sot presidenti i Gjermanisë, thoshte se “politika është buka dhe djathi për qytetarët”. Pra, kur politika është buka dhe djathi për gjermanët, e tillë duhet të jetë edhe për shqiptarët.

Sado të flasim ne, “hapëm kapitullin 23, 30 e ca, etj., etj., njerëzit duan të dinë çfarë fitojnë konkretisht apo çfarë duhet të bëjnë që të përfitojnë nga ky proces.

I gjithë rajoni është në pozicion të vështirë. Deri dje, ne diskutonim për hendekun zhvillimor me nesh dhe pjesës tjetër të BE-së, sot për shkak të politikës ekonomike të BE, që reflekton te aksesi te fondet e kohezionit, fondet strukturore, edhe vendet që na rrethojnë, vende anëtare të BE, marrin dhjetëfishin për capita, në krahasim me fondet që marrin vendet e rajonit të Ballkanit. Nuk flasim për një hendek të shqiptarëve e serbëve nga njëra anë e gjermanëve apo danezëve nga ana tjetër. hendek do të jetë përgjithmonë. E keqja është se po thellohet hendeku mes shqiptarëve e serbëve nga njëra anë e bullgarëve e kroatëve, nga ana tjetër.

Nëse je kryeministër i Shqipërisë të duhet të bësh aventurë në mënyrë që të financosh një projekt infrastrukturor. Nëse je kryeministër Greqisë apo Bullgarisë, nuk ke nevojë për këto aventura,  edhe nëse hapësirën fiskale e ke të kufizuar, sepse janë fondet strukturore të BE-së, q të vijnë në ndihmë. Kjo po vendos vendet e rajonit tonë, me fqinjët, që janë anëtarë të BE, pa dashur të krahasohem me vendet e Europës Perëndimore.

Kjo po i vendos politikisht vendet tona, në një situatë tjetër. Para pak javësh zhvillova një podcast timin me ish ministren e Jashtme kroate dhe tregonte për historinë e Kroacisë dhe kryeministrin Sanader. Ai, tha, është njeriu që e futi Kroacinë në BE, por Sanader më të shumtën e kohës e ka kaluar në burg, për shkak të të gjithë këtj procesi transformues që ka kaluar Kroacia. Pyetja është, a është në interesin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që të promovojnë këtë model? Ata do të bëjnë gjithnjë pyetjen, a është në interesin tim e jo në interes të vendit tim. Mendoj se kem arritur një pikë mjaft kritike dhe gjithmonë e kam parë këtë proces, jo si thjesht kapitujsh apo datash apo procedurash, por si testin e modernitetit dhe përgjigja ime është natyrisht subjektive dhe nuk e kalojmë dot testin e subjektivitetit, me kushtet e shoqërisë ekzistuese dhe pa përfshirë tërësisht diasporën shqiptare, një të tretën e popullit tonë që nuk jeton në Shqipëri. Pa e bërë realisht, jo vetëm pjesë e procesit politik të vvotimit, por për ta  bërë aksionere të zhvillimit ekonomik të vendit.

Çështja e fundit dhe te sfidat apo kërcënimet kryesore, që e mbisundojnë këtë proces.

Kriza e parë për mua, është kriza demografike. Po të flasësh me rektorin e Universitetit të mjekësisë në shoqëri, do të kuptoni të gjithë që bëhet fjalë -për profesione të caktuara- për një gjakderdhje njerëzore dhe për fat të keq ,vendi lokomotivë i BE, Gjermania bën programe në mes të Rognerit, si t’i marrë mjekët dhe infermierët e t’i çojë për tregun gjerman. Kjo është kundërshtim të plotë me logjikën e etërve themelues të BE-së - të Monnet që do jenë duke iu rrotulluar eshtrat në varr apo Schuman... Me logjikën se Europën duhet ndërtosh në shtëpinë tënde, jo ta ndërtosh për tregun gjerman. Jo të kesh këtë lloj kërcënimi kaq të madh, e këtë nuk e zgjidh dot as Procesi i Berlinit, as “Open Balkan”, asnjë lloj nisme rajonale. Nuk ka sot asnjë mjek që do të shkojë të punojë në Serbi apo infermiere serbe që do të shkojë të punoj në Maqedoninë e Veriut apo ndonjë inxhinier nga Maqedonia, të shkojë të punojë në Kosovë. Të gjithë duan të shkojnë të punojnë në Gjermani.  Sepse aty është mundësia, mirëqenia, aveniri dhe në fund të ditës, secili interesohet për veten e vet, kjo është gjëja e parë që duhet adresuar në këtë proces. Ka shumë njerëz që po thonë me forcë këtë, shumë mirë që po e thonë, është më e lehtë ta thuash se ta adresosh.

Shumë e vështirë për çdo lloj qeverie të adresojë këtë lloj situate, por ka një zgjidhje për ta kufizuar këtë kërcënim kaq të madh. Për mua ky është kërcënim kryesor.

Kërcënimi i dytë, vjen nga ata elementë që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sundimin e së drejtës dhe kam frikë se më të prirë jemi për të parë elementet që  kanë të bëjnë me përjashtimet që ofron demokracia si sistem, edhe ne në Shqipëri - duke nisur nga politika e pushteti, që natyrisht kanë qenë përgjegjës kryesor sesa me përpjekjet për ta reformuar çdo dit këtë sistem dhe për ta çimentuar besimin që është prapëseprapë ajo që thotë Churchill, sistemi më i mirë, në mes të të gjithë sistemeve të këqij.

Dhe elementi i tretë, i lidhur me të dytin dhe të parin, lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Ka shumë ndërkombëtarë që vijnë e ikin e flasin –disa në mënyrë thelbësore, të tjerë në mënyrë sipërfaqësore, jo po ndikimi rus, kinez, arab, turk e kështu me radhë...

E tha, zoti Xhepa, për ne shqiptarët është çështje identiteti. Nuk jemi si Serbia, me identitet të papërcaktuar apo të dyfishtë apo të trefishtë; e kemi të ndarë mendjen që nga rilindësit tanë, ka një alternativë për ne përkundrejt BE-së. Por thënë këtë, mendoj se kemi kërcënim serioz, për sa i përket parasë dhe influencës që vjen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. BE nuk ka rivalë as Kinën, as Rusinë, për mua nuk ka rival as në Serbi, pasi dy të tretat e kapitalit, e bankave e tregtisë, çdo gjë, është e dominuar nga BE. Edhe serbët kur pyeten, nuk kanë model as Kinën as Rusinë ,është gjithmonë drejt Perëndimit. Por kur vjen puna në Shqipëri, mendoj se kërcënimin kryesor dhe rivalin kryesor ka veten dhe së dyti, paranë e influencën që vjen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe kam frikë se, nëse nuk i adresojmë këta tre elementë së bashku, për të përfshirë në ciklin buxhetor  7  vjeçar vendet e rajonit, (GDP-ja e të gjithë vendeve  të  rajonit, është pak a shumë sa e Sllovakisë), nëse nuk priten vendet e rajonit për të qenë pjesë e fondeve strukturore, zhvillimin e infrastrukturës, zhvillimin e sektorëve strategjikë, tranzicionin energjetik, zhvillimin e burimeve njerëzore, për të motivuar që shumica e njerëzve të shohin të ardhmen e tyre me vendin, do diskutojmë e ndoshta do të themi se është hapi i fundit i anëtarësimit në BE.

Fjala e mbajtur gjatë seancës plenare të Konferencës Shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare” UET 2023

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH