Aktualitet

Ditë Informimi në UET/ Mjekët i përgjigjen skepticizmit të studentëve për vaksinën anti- COVID

Shkruar nga Liberale
Ditë Informimi në UET/ Mjekët i përgjigjen skepticizmit

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, në bashkëpunim me ekspertë të OBSH, organizuan një takim informues për vaksinat anti-COVID me studentët e UET

Ndërkohë që shumë prej nesh harrojnë pandeminë, me dëshirën për t’iu kthyer normalitetit, variante të reja të COVID-19 shfaqen në horizont, duke qenë një rrezik potencial për jetën e gjithsecilit. Varianti më i fundit, i identifikuar si B.1.1.529, është zbuluar në Afrikën e Jugut dhe vendet e Bashkimit Evropain kanë pezulluar të enjten udhëtimet me këtë rajon.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore vijojnë përpjekjet për të ndërgjegjësuar qytetarët për efektshëmrinë e vaksinimit, si e vetmja mundësi për të shkëputur zinxhirin e infektimeve. Në këtë kuadër, OBSH në Shqipëri dhe Universiteti Europian i Tiranës organizuan një takim informues me studentët, duke u njohur me eksperiencën dhe ekspertizën e tre specialistëve të shëndetësisë: Prof. Dr. Arjan Harxhit, Dr. Ilir Alimehmetit dhe Dr. Gjergji Kojës.

Rektori i UET-së, Tonin Gjuraj tha se ecuria e vaksinimit të stafit akademik e administrativ është shumë e kënaqshme, ndërsa shtoi se dialogohet me studentët për të rritur ndërgjegjësimin. “Si institucion i arsimit të lartë jo publik dhe si institucion liberal, në ide dhe në avancimin e reformave, ne dialogojmë me studentët. Qasja jonë ka qenë ajo e bindjes dhe e ndërgjegjësimit, pra që vaksinimi të shpëton jetën. Në mjediset e brendshme studentët respektojnë rregullat, mbajnë maska. Auditoret fatmirësisht janë të mëdha dhe ruhet distanca”, u shpeh Gjuraj.

Vaksinimi në Shqipëri ka nisur në fillim të vitit 2021 dhe aplikohen 4 lloje vaksinash: Pfizer, AstraZeneca, CoronaVaku dhe Sputnik V. Dr. Gjergji Koja bëri një panoramim, sa i përket shifrave të të vaksinuarave me një apo dy doza, ndërkohë që ka filluar edhe aplikimi i dozës së tretë te personat mbi moshat 60 vjeç.

“Nga 19 janari deri më 24 nëntor në Shqipëri janë aplikuar diku te 2 074 000 vaksina. Doza të para janë marrë 1 065 960, ndërsa doza të dyta 952 mijë. Brenda 20 ditëve kemi pasur një rritje drastike të dozave të treta, me afro 58 mijë, ku më 4 nëntor ishin diku te 3700 doza. Afro 44% e popullsisë janë vaksinuar me dy dozat. Afro 49% janë vaksinuar me 1 dozë. Nëse do të arrijmë deri në fund të vitit të shkojmë 50% me të dyja dozat, është një mundësi që na lejon të realizojmë tagrin e OBSH-së për Shqipërinë, që deri në mesin e vitit tjetër të kemi një mbulesë vaksinale prej afro 70%”, theksoi Koja.

Ministria e Shëndetësisë raporton çdo ditë raste të reja ditore dhe humbje jete, në shifra të konsiderueshme. Sipas Dr. Kojës, janë afro 160 të shtruar në të gjitha spitalet dhe mbi 95% e tyre janë ta pavaksinuar. “Ato që janë në spital të vaksinuar, janë përgjysmë të vaksinuar me Pfizer dhe vaksinën kineze, më pak me Astra Zeneca”, shtoi ai.

Pavarësisht ekzistencës së një arme kundër virusit, përballë sistemit shëndetësor qëndron një sfidë e madhe, ajo e skepticizmit ndaj vaksinimit. Pse njerëzit hezitojnë të vaksinohen? Prof. Dr. Arjan Harxhi shpjegoi se ky skepticizëm vjen edhe për shkak të skemës së vaksinimit.

“Të gjithë jemi dëshmitare, se skema vaksinale përkonte kryesisht me dy doza, por kishte edhe vaksinë me një dozë, Johnson & Johnson. Me njohuritë që kemi, skema me dy doza konsiderohet si vaksinim bazal dhe pastaj u pa nevoja edhe për dozë të tretë. Kjo ngriti pikëpyetje, të tipit: “Nuk i kanë të qarta gjërat dhe po eksperimentohet me dozë të tretë”. Në mjekësi është e nevojshme koha. Koha tregoi se imuniteti i induktuar nga vaksina me skemat bazale binte pas 5-6 muajsh. Kjo edhe me studimet klinike, duke monitoruar nivelin e antitrupave që quhen neutralizues. Shembulli klasik ishte i Izraelit, që arriti një mbulesë të mirë vaksinale dhe u pa shfaqja e sëmundjes te personat e imunizuar. Kjo bëri të nevojshme që të shikohej skema e vaksinimit”, theksoi Harxhi.

Efekti i vaksinimit

Koja: Duhet të jemi të qartë për një gjë, vaksina, kjo armë që ka mjekësia, nuk të mbron nga riinfektimi, por të mbron nga hospitalizomi, nga tubimi dhe padyshim nga vdekja. Përfitimet në shëndetin publik, në raport me efektet anësore që kanë vaksinat janë si nata me ditën. Vaksina është i vetmi mjet për të shkëputur zinxhirin e infektimit dhe për këtë arsye ne jemi të qartë se FDA dhe EMA kanë dhënë konfirmimin për vaksinimin e moshës mbi 5 vjeç.

Riinfektimi

Alimehmeti: Tek të vaksinuarit riinfektimet janë të mundshme. Nga ana klinike ka më pak pasoja. A ka risk, që këta persona që e kanë kaluar të vaksinohen? Jo nuk ka risk.

Dozë e tretë për universitetet?

Koja: Ka filluar vaksinimi me dozën e tretë te moshat mbi 60 vjeç. Ka filluar vaksinimi me dozë të tretë të stafeve mjekësore dhe është në diskutim doza e tretë e vaksinimit për stafet akademike. Po i përmbahemi një grafiku dhe një strategjie të vaksinimit, të grup-moshave dhe grup-profesioneve si edhe me dy dozat e para.

Vaksina e gripit

Harxhi: Për ata që nuk e dinë, vaksina e gripit prodhohet çdo vit në bazë të viruseve që qarkullojnë, të izoluara 2- 3 vite  fundit. Shikohet se çfarë ka qarkulluar në hemisferën e jugut, sepse sezonin e dimrit e ka më përpara dhe pastaj izolohen dhe industria prodhon vaksinën e re me shtamën e re. Ne kemi qenë promotorë të kësaj vaksine, sidomos te grupet vurnerabël, të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike. Në kontekstin e pandemisë, risku që ka përzierja e këtyre dy sëmundjeve, rekomandohet më shumë përdorimi i vaksinës së gripit.

Fundi i pandemisë

Harxhi: Është një virus që ka një sëmund-shmëri, një transmetueshmëri dhe vdekshmëri shumë të lartë. Sa kohë do të ketë kushte për t’u transmetuar, nuk do të respektohet koha 2 vjeçare për fundin e pandemisë. Nëse nuk ndërhyjmë në mënyrë aktive, do të shohim sërish variante.

Origjina e virusit

Koja: Akoma presidenti amerikan nuk ka marrë përgjigje nga shërbimet inteligjente. OBSH është në një debat me autoritetet kineze, lidhur me mundësitë që iu krijuan për të bërë investigime në laboratorin e  Wuhan. Ky lloj virusi përmban shumë pikëpyetje, por një gjë është e sigurt: me valën e re të përhapjeve në Evropë, ky virus nuk mbyllet me dy vjet.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH