Kryesore

Ditari i Zhitit, oruellian dhe kafkian

               Publikuar në : 09:37 - 28/10/19 liberale

Nga Dr.Milutin Gjuriçkoviç

“Forcë e madhe është te njeriu, që di të hesht edhe kur ka të drejtë” Lev Tolstoj

Si rrallëkush nga poetët bashkëkohorë shqiptar me arsye, natyrisht ka përjetuar reputacion të tillë ndërkombëtar, siç është rasti me Visar Zhitin, poetin , prozatorin e njohur, shkrimtarin, eseistin, përkthyesin, dhe me disidentin politik, i cili krejtësisht i pafajshëm është dënuar dhe është burgosur nëpër kazamatët dhjetë vite të plota. Pas daljes nga burgu, ai ka pasur përkrahjen e shumë intelektualëve, të shkrimtarëve e të personaliteteve publike nga e gjithë bota, filluar që nga Umberto Eco, Sebastiano Grasso, Kevin Higins, Robert Elsie, madje edhe nga Filip Davidi ynë.
Opusi i tij letrar është shumështresor dhe në aspektin zhanror i shumëllojshëm. Pothuaj me sukses të njëjtë, shprehet dhe dëshmohet në poezi, tregim, roman, ese, publicistikë dhe në përkthim. Është përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe është fitues i një sërë çmimesh në vendin e vet dhe botën e jashtme.

Para nesh është përzgjedhja komplekse e poezisë se Visar Zhitit, që nga përmbledhja e parë deri tek libri i fundit poetik, që dëshmon në masë të mjaftueshme harkun zhvillimor poetik. Metamorfozat krijimtare, ndikimet, gërshetimet lirike dhe mëvetësinë, autenticitetin e shprehjes.
Këto poezi, në fakt në mënyrën më të mirë tregojnë sesi jeta dhe poezia gërshetohen reciprokisht dhe identifikohen, pa kurrfarë mistifikimesh apo mbindërtimi artistik.
Ç‘është e vërteta, poeti shkruan ashtu siç jeton dhe si ndjen, respektivisht ashtu siç e përjeton botën e brendshme (psikologjike, etike) dhe të jashtme (fizike, historike), me të cilën ka shumë mosmarrëveshje, paqartësi dhe sfida.

Që në shikimin të parë mund të hetohet se poezitë kanë varg të lirë, metrikë të thyer dhe dozë të caktuar narracioni, e cila e ndërlidhur me liriken, epiken dhe dramatiken të gjithë përmbledhjes i jep vulë të veçantë dhe rëndësi e kuptim artistik. Duke udhëtuar nëpër botë dhe duke takuar e njohur njerëz të rinj, vise dhe vende, Zhiti e shkruan një ditar të një lloji të veçantë të kujtimeve dhe të shtegtimeve, në të cilin ka edhe “llum të hidhur të përvojës”, siç do të thoshte Danilo Kishi, e që në radhë të parë ka të bëjë me burgosjen dhe izolimin krijues të tij. Disa poezi madje kanë atmosferë orveliane dhe kafkiane në sensin e simbolizimit të çuditshme dhe të shprehjes se absurdit të kësaj bote.
Poezitë e tij nuk janë vetëm kryengritëse e plot revoltë dhe pezm të pakënaqësisë aq sa janë plotë dashuri, njerëzillëk dhe falje («Aq afër e të ndarë”). Ai, para se gjithash është njeri, e tek pas kësaj poet. Krijues me shpirt etik dhe me motiv mëmëdhetar , i cili di të falë dhe i cili nuk urren askënd. Këtë e dëshmon edhe titulli i poezisë “Ju dua Ju të gjithëve”. Ai është kozmopolit , njeridashës i theksuar dhe vrojtues , analist dhe komentues, i cili urtësisht e stoikisht i përballon të gjitha padrejtësitë dhe krajatat të cilat e kanë goditur në jetë.

Duke e përjetuar tërë helmin e jetës, padrejtësitë e ndryshme, ndërskambëcat, shantazhimet e të këqijat, poeti nuk ua kthen njësoj, veçse me gjerësinë , me spontanitetin e natyrshëm dhe me urtësi dëshiron që të gjitha këto t i tejkalojë dhe mos tua lë harresës. Në këtë sens poezitë e tij janë gjurma të papërsëritshme dhe dëshmi m, gjegjësisht vragë shpirtërore dhe kujtime të dhimbshme të cilat edhe nuk harrohen aq shpejt.
Nuk është e tepërt të thuhet se disa poezi kanë në një- farë dore, kuptim testamentar, respektivisht amaneti se të gjitha mund të falen por jo edhe të harrohen.
Më bëhet se poetika e Zhitit, filozofia jetësore dhe fenomenologjia e krijimtarisë është në përputhje adekuate me qëndrimin e njohur të Rajner Marije Rilkes, i cili atëbotë kishte thënë:

«Кush flet për fitoren?
Të rezistosh është e tëra”

Pra nuk është e vështirirë ta zbulosh dhe ta njohësh jetën e poetit dhe punën e tij,raportin e tij njerëzor dhe kozmopolit ndaj të gjithë njerëzve dhe vendeve të cilat i përmend dhe të cilat e preokupojnë fantazinë, kërshërinë dhe vëmendjen e tij. Në këtë kontekst kanë lindur poezitë antologjike, të cilat ia ka kushtuar djalit të tij, me rastin e qëndrimit në Beogradit, në Rrugën “Shkodra”.
Në saje të përkthimit të frymëzuar e të suksesshëm të Smajl Smakajt, kemi rastin që më plotësisht ta kundrojmë, në mënyrë kritike ta vlerësojmë dhe estetikisht ta njohim poezinë e poetiken e Visar Zhitit, e cila për shumëçka është e jashtëzakonshme, e veçantë, e vetëvetishme, dhe jetësisht e fuqishme. Përktheu nga origjinali Smajl Smaka/Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back