Kryesore

Dita e parë pas tranzicionit

               Publikuar në : 10:20 - 11/09/21 liberale

I kritikuar shpesh si një politikan pa staturë lideri dhe si një lider ende në hijen e të vjetrit, Basha hyri dje në Parlament duke shënjuar një epokë të re të PD-së, me Berishën të përjashtuar nga grupi. Ndonëse Berisha hyri në parlament dhe lajmëroi hapa të mëtejshëm, kreu i PD-së përmbushi porositë e ShBA-së ndërsa premtoi se beteja vijon kundër regjimit të Ramës

Suadela Balliu

Dy vjet pas djegieve të mandateve, situata  për PD-në nuk ishte më e njëjta me atë që kishte lënë pas, ndërsa akuzonte Parlamentin “e krimit”.

Ish-lideri i saj, ish-kryeministri dhe ish-presidenti i vendit, njeriu pjesë e themelimit të partisë u përjashtua një ditë më herët nga  grupi Parlamentar demokrat prej  kryetarit  Basha.

Një vendim që kreu i PD-së e cilësoi si më të vështirin e jetës, ndërsa Berisha si nul.

Jam anëtar i Grupit Demokrat, do të deklaronte Berisha, ndërsa pas betimit si deputet u largua nga Parlamenti duke mos votuar kryetaren e re të tij.

Por ndërsa largohej, është kujdesur të theksojë edhe njëherë hapat e tij të radhës, që kanë një kundërshtar të ri: zotin Basha.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është grupi im. Në asnjë mënyrë nuk do të krijoj tjetër”, deklaroi ish-kryeministri, i  shoqëruar nga deputetët Tritan Shehu, Edi Paloka dhe Flamur Noka, të cilët e kundërshtuan vendimin e Bashës gjatë mbledhjes së Kryesisë me fjalët se po e vriste Partinë Demokratike.

Zoti Basha, do të hynte në parlament së bashku me deputetët demokratë, si një akt përmbushjeje ndaj premtimeve dhe retorikës së tij për një betejë të PD-së. Në këtë legjislaturë të re, kreu i selisë blu do të hynte me një numër më të madh deputetësh, sesa më 2017-n, 59 të tillë bashkë me Berishën, por sërish jo mjaftueshëm për të këmbyer rolin e opozitës.

Ndryshe nga sa doli bashkë me LSI-në, dy aleatët që nënshkruan edhe një marrëveshje pas zgjedhore mes tyre, hynë të ndarë me këtë të fundit shumë të reduktuar në numër deputetësh.

Edhe njëherë Basha u kthye në Parlament – pa arritur kurrfarë nga ambiciet politike të Opozitës së Bashkuar në dy vjet bojkot dhe protesta – por, me sigurinë se i ka përçuar ShBA-së mesazhin e qartë se ai dhe Partia Demokratike janë aleate të padiskutueshme të saj.

Ambasadorja Kim i drejtohej liderit se demokratët nuk duhet të hanin bar për hir të interesave personale të një personi dhe se ai do të duhej të rishikonte listat.

Megjithatë, për të ndërmarrë një hap të tillë, zoti Basha do të priste gjatë. Atëherë kur dukej se nga fronti i PD-së nuk do të kishte kurrfarë vendimi dhe se zoti Berisha- i shpallur “non grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë nga Sekretari i Shtetit – do të hynte në Parlament si pasqyrim i vullnetit të votuesve, ashtu si të ishte skenaristi i një seriali televiziv kryedemokrati mori një kthesë jo pak të rrezikshme e të thepët nga të dy anët.

Beteja e parë e Bashës në Parlament – në atë që sërish nuk i ka kursyer akuzat se listat e PS kishin ende figura të lidhura me krimin –  u duk të ishte ajo për të mos e votuar kryetaren e re të Kuvendit, zonjën Nikolla që gjithsesi arriti të merrte 79 vota pro.

Deputetët e PD-së të këshilluar nga kryetari i tyre të mos e votonin Nikollën, i grisën fletët e votimit sëbashku me Bashën, ndërsa në një gjest po teatral kryeministri i vendit u ul t’i mblidhte duke e cilësuar gjestin si emocional.

Ndryshe do të zgjidhte të vepronte LSI, me katër deputetët e saj që votuan kundër.

Ndryshe nga kryetarja Kryemadhi, e cila bëri një “mea culpa” për djegien e mandateve dy vjet më parë, kryetari Basha hyri në të pa ndonjë deklaratë të ngjashme e duke u mjaftuar vetëm me aktin.

Hyrja e PD-së në Parlament u lajmërua muaj më parë nga ambasadorja amerikane, e  cila në një intervistë televizive u shpreh se i kishte lexuar deklaratat e Bashës si pohim për të qenë aty brenda.

Ish-kreu i PD-së i cili e akuzoi Bashën se kishte shitur sovranitetin e partisë për hir të interesave personale dhe ishte dorëzuar para presioneve, ka folur për një pakt të mundshëm mes kryedemokratit dhe kryeministrit. Vetë Rama konfirmoi se dora e tij dhe e maxhorancës është e shtrirë për bashkëpunim në të mirë të vendit.

Basha, i cili denoncoi sërish brenda Kuvendit për pakicë që duhet të ishte në burg, duke iu referuar Kryeministrit Rama dhe maxhorancës, dje u shpreh se PD nuk i njeh zgjedhjet – ndonëse deputetët u betuan dhe morën mandatin. Kryedemokrati foli për regjim të dalë nga zgjedhjet e vjedhura dhe targetoi si armikun e vetëm të demokracisë kryeministrin Rama.

Në këtë legjislaturë zoti Basha hyri si një lider, i cili doli nga hija e rëndë e ish-kryetarit  dhe ish-kryeministrit të PD-së. I kritikuar se nuk kishte mundur të ndërtonte staturën e tij dhe i

ironizuar nga Rama si buratin në duart e ish-kryeministrit, zoti Basha e çoi PD-në dje në Parlament si nisja e një epoke post -Berisha. Ndonëse ky i fundit, një prej themeluesve të partisë së parë pluraliste në vend, është sërish në Kuvend me një luftë frontale tashmë ndaj kryetarit. Me një vendim të kundërshtuar edhe nga demokratët brenda, të cilët pretendojnë se është jo statutor përjashtimi i Berishës, ai kërkon të imponojë ndikimin e tij tek demokratët- ndikim që nuk e ka mohuar se e ka të konsiderueshëm brenda partisë.

Por megjithëse vendimi i Bashës për të përjashtuar Berishën nuk prodhoi atë për të cilën lëshojnë mesazhe ndërkombëtarët – me zërin e ambasadores Kim – që të shpallurit “non grata” nga ShBA të mos jenë në Kuvend, tashmë kreu i PD-së e ka një alibi politike për çdo veprim që mund të ndërmarrë në të ardhmen deputeti Sali Berisha, i cili pretendon se është ende pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së, por edhe një ndryshim të figurës së tij, ku dy vjet më parë me thirrjet për të penguar zgjedhjet lokale rrezikoi që të mbahej përgjegjës dhe që partia e drejtuar prej tij të listohej si organizatë e dhunshme.

Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, një natë para nisjes së Parlamentit, burimet nga brenda thanë se Basha kishte deklaruar që DASH e kishte të panegociueshëm përjashtimin e Berishës. Ai kishte kujtuar takimin me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Reeker dhe mësohet të ketë thënë se të tjera detaje i janë paraqitur atij për zotin Berisha dhe familjen e tij – tashmë të gjithë “non grata” për Amerikën – por që zoti Basha kishte preferuar të mos i bënte publike.

Pas caktimit publik të Sekretarit Blinken për zotin Berisha, kryedemokrati kërkoi transparencë të plotë për çështjen dhe theksoi pro-amerikanizmin e Partisë Demokratike. Zoti Berisha megjithëse e cilësoi betejë personale për të vënë në vend dinjitetin – përmes një padie në gjykatën e Parisit – e bëri të qartë se nuk do të tërhiqej nga Parlamenti.

I njohur me vendimin e Berishës dhe ultimatumin e ShBA-së, Basha e mori vendimin në ditën e fundit. Por edhe zoti Berisha i ka kujtuar Bashës dosjet me akuzat për financim rus, të trumbetuara fort nga opozita dhe vizitat e diplomatëve amerikanë në zyrën e tij.

Basha do të shprehte dhimbje para gazetarëve për  gjuhën e zotit Berisha, i cili e akuzoi për heqje të sovranitetit të Partisë Demokratike dhe bashkëpunim me kryeministrin Rama.

“Dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin është dyfishuar sot nga gjuha e zotit Berisha. Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi tek armiku i vetëm,  që është regjimi i Edi Ramës”, deklaroi Basha, i cili theksoi se maxhoranca e sotme – e etiketuar prej tij si pakicë – ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve.

“Detyra jonë që shumicën e shqiptarëve ta mobilizojmë në një betejë pa kthim”. Deklarata të tilla Basha i ka lëshuar qysh prej shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit, ndërsa është shprehur edhe se demokratët e shqiptarët nuk do të mund të presin zgjedhjet e 2025-s.

Basha hyri dje në parlament edhe si kryetar i konfirmuar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e brendshme, duke lexuar si një vullnet të demokratëve dhe mbështetje të ideve të tij për të ashtuquajturën betejë.

Presidenti Meta, ndërsa uronte kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla dhe e mbështeti zgjedhje ne saj, iu drejtuar opozitës me fjalët “Tani asnjë sekondë bojkot, nuk ka vlerë dhe kuptim! Mbështetje për Kryetaren e zgjedhur, Sh.S.Znj Lindita Nikolla dhe bashkëpunim për interesin e përbashkët të forcimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, rivendosjes së llogaridhënies në Kuvend dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, shkruante presidenti Meta, ndërsa dy vjet më parë nxori dekretin për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve lokale në mes të protestave opozitare që ndoqën djegien e mandateve parlamentare.

Megjithatë, kreu i shtetit është shprehur gjithnjë se ka qenë kundër vendimit të opozitës për të djegur mandatet dhe shpesh ka lëshuar kritika të forta mbi  dy liderët e PD dhe LSI, se po i kthenin partitë në OJQ pa fuqi vendimmarrje dhe zë institucional. Kryeministri Rama, ndërsa Kuvendi dorëzoi kërkesën për shkarkim të Metës në Kushtetuese tha se qeveria e re do të betohet tek presidenti.

Edhe pse Berisha hyri në Parlament, si demokrat dhe tha se në selinë e PD-së mund të hyjë kur të dojë, kjo ishte dita e Bashës – i cili fitoi publikisht një kundërshtar të fortë si ish-lideri dhe një nga politikanët më jetëgjatë  -por shënoi një epokë të re, ndonëse tanimë me zëra kritikë nga të dy anët brenda partisë.

Basha: Koha, ilaçi më i mirë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se gjuha e ish-kryeministrit Sali Berisha i ka dyfishuar dhimbjen për vendimin e marrë ndaj tij, që solli përjashtimin nga grupi i PD.

Duke folur pas daljes nga seanca, Basha tha se shpreson që koha të jetë ilaçi më mirë dhe se duhet të fokusohemi tek armiku i vetëm që sipas tij është regjimi i Edi Ramës.

“Sot mund të duket si një ditë e vështirë për të folur për këtë betejë sepse në fakt është dhe dita e parë e kësaj beteje brenda kësaj salle. Pakica që ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve dhe zotëron të gjitha mjetet e pushtetit është dhe mbetet pakicë. Detyra jonë që shumicën e shqiptarëve ta mobilizojmë në një betejë pa kthim.

Detyra ime detyra e çdo shqiptari është të bëjmë çdo gjë kundër të keqes. Kjo është një betejë që i takon çdo shqiptari dhe çdokush duhet të bëjë pjesën e vet.

Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e dr.Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur, dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin është dyfishuar sot nga gjuha e zotit Berisha. Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi tek armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës.

Shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm timin, e PD të Edi Ramës sot i kam të dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu vlerësimin për kontributin e të cilit e kam thënë dje dhe e them edhe sot. Partia Demokratike nuk ka rrugë tjetër veçse e bashkuar për të prirur përpara për shqiptarët dhe Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Rama: Dora vijon të jetë e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit

Me lojëra fjalësh duket se i është përgjigjur kryeministri Edi Rama interesit të gazetarëve lidhur me vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën.

“PS sot është në një moment tjetër të rrugëtimit të saj duhet të ndjejë në gjithë qelizat e saj sa shumë punë e energji përfshin kjo” u shpreh Rama ndërsa theksoi edhe një herë dorën e shtrirë për opozitën në këtë mandat qeverisës.

“Ne vijmë në këtë Kuvend për mandatin tonë të tretë me dorën e shtrirë, pa marrë parasysh si do shkonin zhvillimet brenda PD, dhe dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të njerëzve e të vendit” -tha Rama, ndërsa iu përgjigj akuzave për pazare politike.

“Jam shumë i përgatitur të jem në lartësinë e fjalëve duke dhënë shembullin i pari dhe duke u përmirësuar edhe në raport me ju. Jam shumë i vetëdijshëm që pa dashje pa menduar se mund të kem tejkaluar kufirin, kam krijuar shqetësime për ju. Ju jap fjalën që do bëj cmos për të qenë në dispozicionin tuaj i urtë i dashur. E kuptoni se sa e madhe është sfida jonë. Trishtimet dhe gëzimet janë shumë të brendshme për t’i shpërdoruar për diçka që i përket një tjetër kampi politik” u shpreh Rama. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back