Editorial

"Dinjiteti" i Shqipërisë socialiste

Shkruar nga Liberale
"Dinjiteti" i Shqipërisë socialiste

Eugjen Merlika

“Identikiti i zotërinjve të së keqes” titullohet një artikull i shkurtër i së përjavëshmes italiane “Panorama”, të datës 24 korrik 2003. Eshtë një koment shumë i shkurtër i librit “Fjala e djallit” të gazetarit italian Rikardo Oricio, një paraqitje me pakë penelata prej tij e asaj gjëje që është e përbashkët te të gjithë diktatorët, të vjetër e të rij, identikiti i tyre, që në Nurenberg u pagëzua me shprehjen “banaliteti i së keqes”.

Krahas diktatorësh gjakatarë si Idi Amin apo Zhan Bedel Bokasa, si Dyvalje apo Negusi i kuq, Mengistu, gjeneralësh puçistë si Noriega  ose Jaruzhelski, në analizën e shkrimtarit hyjnë dy zonja, përfaqësuese të komunizmit ballkanik si “vejusha e zezë e Shqipërisë, Hoxha” dhe e “pabesa Mira Millosheviç”. Është interesant fakti se autori i trajton me mjaft mirëkuptim “përbindshat” e librit të tij. Ai mundohet të hyjë në thellësi të “arsyeve” të tyre, që kanë mbetur  të gjithë besnikë të së shkuarës së tyre, ideve e bëmave të saj. “Kanë të gjithë një zakon shumë të keq -ankohet gazetari- i përgjigjen pyetjeve duke bërë të tjera pyetje që të venë në vësht irësi.”

“Çfarë t’i thuash stalinistes Hoxha, që ironizon: oh, po, bash një demokraci e bukur është Shqipëria e sotme. E ndyrë, e papunë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë. Së paku Shqipëria socialiste kishte dinjitet.” shprehet autori i librit dhe i artikullit të revistës. Në veshët e gazetarit Oricio, që ka njohur pak  ose aspak Shqipërinë socialiste të zonjës Hoxha e që sheh sot atë të dishepullit të saj, zotit Nano, këto fjalë tingëllojnë deri diku bindëse e jo fyese. Sigurisht nuk mund të kenë të njëjtin tingëllim në veshët e atyre shqiptarëve që kanë jetuar deri diku normalisht në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, madje janë një fyerje e madhe për atë masë njerëzish që nga “armiqtë e klasës”, skllevërit e padeklaruar të socializmit, e deri tek fshatarët e drobitur nga skamja e padija. Shumë nga epitetet, që zonja Hoxha ja vesh Vendit të saj sot, i shkojnë për shtat më së miri Shqipërisë së konceptuar pranë zjarreve partizane nga Miladin Popoviçi dhe bashkëshorti i saj “legjendar”

E ndyrë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë ishte në tërë kuptimin e  fjalës Shqipëria socialiste. Një Vend, në të cilin një apartament strehonte dy familje, ku gatuhej në banjo, ku grumbulloheshin pesëqind veta në një kazermë ushtarake internimi  e pesëdhjetë në një dhomë burgu, ku nuk përdoreshin deri së voni pluhurat larëse, ku sapuni ishte i racionuar, ku kanalizimet e ujrave të zeza diku nuk ekzistonin e diku nuk funksiononin, ku kazanet e plehrave nuk njiheshin fare, ku nuk respektoheshin as normat më parake të higjenës industriale apo të mbrojtjes së ambientit, ku mizat e mishkonjat shëtisnin të patrazuara në pjesën më të madhe të lokaleve publike, ku pluhuri dhe balta ishin shoqëruesit e përditshëm të çdo hapi që hidhte qytetari e më shumë fshatari, nuk mund të quhet një Vend i pastër. Nëse një pjesë e këtyre dukurive është e pranishme dhe sot   askush nuk mund të provojë se ato janë gjëra të reja.

Shqipëria paskomuniste paraqet, në një masë jo të papërfillëshme, dukuri dhune në shumë pamje e nivele të saj. Është e drejtë të pranohet se në kapërcyellin 1990-1991 u shmang një përleshje, në përmasa të mëdha, mes popullit e rinisë studentore e të qyteteve nga një anë, që kërkonin lirinë e ndrrimin e sistemit dhe forcave konservatore të “vullnetarëve të Enverit”, nga ana tjetër, që ishin të vendosura të ruanin me çmimin e gjakut “pushtetin e popullit”. Mendoj se, pavarësisht nga motivet përcaktuese, zonja Hoxha ka meritën e saj në shmangien e një gjakderdhjeje të tipit rumun. Ndofta llogaritë e bëra në ata çaste historike, vendimtare për Vendin, më vonë nuk kanë dalë të sakta, ndofta diçka nuk ka shkuar siç duhej. Prandaj zonja Hoxha ndoshta është penduar për qëndrimin e atëhershëm, deri aty sa të shprehet në një intervistë të kohëve të fundit: “ Po, mua personalisht, si dhe shokëve të mi, na bren shumë ndërgjegja, që s’ditëm të bëjmë atë që duhej bërë për mbrojtjen e fitoreve të pushtetit popullor dhe për këtë mendim pendesë mund të japim llogari para popullit...”

Sa keq që ndofta të vetmen gjë të mirë që mund t’i ketë bërë popullit të saj tani, në muzgun e jetës, ajo don t’a mohojë, t’a hedhë poshtë, t’a quajë një krim, për të cilin duhet të japë llogari. Është diçka e natyrshme për të që mos përdorimin e dhunës t’a quajë tradhëti ndaj “idealeve” , me të cilat u brumos që në të ritë e saj. Dhuna kishte qënë mjeti i vetëm me të cilin ishte ndërtuar sistemi komunist në Shqipëri e gjetkë. Ata që, në forma të ndryshme, kishin dashur t’a pakësojnë apo t’a shmangin, ata që kishin dashur t’i jepnin një “fytyrë njerëzore” përbindëshit komunizëm, zonja Nexhmije i kishte vulosur, gjatë gjithë jetës së saj prej “first lady”, me nofkën e tradhëtarit, të revizionistit, të oportunistit. Dhuna e pushtetit të saj u bë proverbiale për Evropën, duke e kthyer vendin e saj në “tokën e fshikulluar nga persekutimet” siç e ka përkufizuar Papa gjon Pali II.

Nëse bota e lirë do të kishte qënë më shumë koherente ndaj parimeve të drejtësisë historike e më pak dashamirëse ndaj real politikës, do të kishte shpallur Shqipërinë e zotërinjve Hoxha Vendin klasik të martirizimit në Evropë, mbasi shifrat e krimeve të çdo forme, marrë në raport me numurin e popullsisë, nuk kanë të krahasuar as me “epopenë staliniane të gulagëve”. Zonjës Hoxha pamja e Shqipërisë së sotme i fut trishtim, jo për demokracinë e parealizuar mirë, por sepse do të kishte dashur t’a shihte të rrjeshtuar përkrah Kubës së Fidelit apo Koresë së Kim Jong Ilit.

Edhe sot ka dhunë në Shqipëri, dhunë banditësh e dhunë Shteti. Kjo e dyta i ka rrënjët thellë, në mendësinë e trashëguar nga Instituti i saj  i studimeve marksiste leniniste, që e konceptonte shoqërinë njerëzore një arenë lufte të përjetëshme e të papajtueshme mes klasave e në gjirin e tyre. “Qytetërimi i një epoke është plehu  i pasardhëses” shprehet dijetari e kritiku anglez Siril Konoli. Shqipëria e dhunëshme, që denoncon zonja Hoxha, është vazhdimi logjik dhe real i gjysëm shekulli Shteti të dhunës, bijt e të cilit, të konvertuar në demokraci, nuk qenë të aftë t’a ndërtojnë atë larg kontureve të saj. Sikur dikush, në epokën e mbretërimit pa kurorë të zonjës Hoxha, të kishte guxuar t’i thonte një gazetari të huaj fjalët që ajo qëllimisht i ka thënë Oricios, nuk e marr me mënd se ku do të mbaronin pasojat e dënimit të tij. Besoj se i mjafton vetëm ky fakt asaj për të kuptuar ndryshimin ndërmjet “ligjeve të forta” të “diktaturës së proletariatit” të regjimit të saj e tolerancës së një demokracie që, megjithë malet e mangësive, ruan përsëri fytyrën e saj.

Tregon kujtesë të shkurtër zonja kur e quan zhelane Shqipërinë e sotme. Ndofta atë të djeshmen ajo e njëjtësonte me të famshmin “bllok të udhëheqjes”. Ndofta e ndryrë në kullën e saj të fildishtë nuk e dinte se nënështetasit e saj, në pjesën e tyre më të madhe, mburreshin se ishin rritur me bukë misri, se për të blerë një litër qumësht duhet të zinin rradhën në ora një të natës, se një kostum me stofin e kombinatit mund t’ja lejonin vetes vetëm ditën e martesës, për t’a mbajtur deri në ditën e qivurit, se për të patur një televizor nuk mjaftonte paga e një viti pune, se as që mund të ëndërronin për të patur një automobil të tyrin, se ishte një ëndërr të jetonin në Tiranë apo në Durrës. Se sa zhelanë kishin qënë shqiptarët e  kuptuan mirë kur zonja Hoxha dhe regjimi i saj kriminal nuk ishin më në gjëndje të vendosnin për fatin e tyre. Vërshuan me qindra mijëra në botën, deri atëhere të panjohur, e ballafaqimi me të i bëri të kuptojnë më mirë mjerimin, të cilin kishin  lënë mbrapa në  Vendin e tyre.

Ka ende mjerim në Shqipëri, ka edhe pabarazi. Do të kishte patur më pak, sikur “bijtë e Nexhmijes” që morën në dorë drejtimin e Vendit, mbas shëmbjes së komunizmit, të kishin patur ide më të qarta e ideale më të forta. Kanë  ende shumë probleme shqiptarët, disa shumë të mprehta, disa të reja e të panjohura, por në tërësi, kanë më pak se nën “gubernën” e zotit Hoxha dhe të bashkëshortes së tij. Besoj se janë shumë të paktë ata që venë në dyshim vërtetësinë e këtyre fakteve, siç bën “vejusha e zezë e Shqipërisë”.

Qënkërka e etur për dollarë Shqipëria e sotme, një zbulim i padëgjuar! Zonja Hoxha ndoshta kujton ende me mall parullat: “kundër lavdisë personale”, “kundër interesit personal”, “kundër pronës private”, “lufta për bukën është luftë për socializmin” e të tjera pallavra të këtij lloji, me të cilat ishin mbushur fasadat e mureve të godinave. Kujton kohën kur të gjithë shqiptarët ishin të inkuadruar në kooperativat bujqësore apo ndërmarrjet  shtetërore e punonin vetëm për socializmin, mbasi për ta mendonte “pushteti i popullit” që i kishte katandisur në argatë me mëditje, sa për të mbajtur frymën gjallë. Atëhere shqiptarët nuk ishin të etur për dollarë, por Shteti i tyre po, deri në atë pikë sa t’ja u grabiste me forcë qytetarëve të tij këtu brënda e me dredhi emigrantëve që i dërgonin familjeve, duke ja këmbyer me një të gjashtën e vlerës, simbas përkatësisë klasore.

Në vend që të qesëndisë shqiptarët që rendin të fitojnë dollarët me të gjitha mjetet, zonja Hoxha do të bënte mirë të vlerësonte energjitë dhe aftësitë e tyre që, në kushtet e lirisë, megjithë keqdrejtimin e Shtetit, shpërthyen e po japin rezultatet e tyre. Sikur liria e nismës të mos ju kishte munguar për gjysëm qindvjeti, e sikur të kishin patur qeveritarë në lartësinë e detyrës në këto vite, Vendi i tyre sot nuk do t’ja kishte zili askujt. Mjerisht këtë të vërtetë nuk don t’a shohë e t’a njohë zonja. Për të Shqipëria socialiste, ndryshe nga kjo e sotmja, “kishte dinjitet”.

Ajo vazhdon t’i besojë miteve të dinjitetit: “kështjellës së pamposhtur të socializmit në Evropë”, “ qëndresës ndaj rrethimit imperialisto-revizionist”, “ luftës titanike të PPSH-së në mbrojtje të marksizëm-leninizmit”, atij të një populli të lirë, grusht bashkuar rreth partisë e udhëheqësit të saj që gjen lumturinë në punën për ndërtimin e socializmit. Ajo e ka të pamundur të besojë se të gjitha ato parulla, për stërhollimin e të cilave rrogëtoheshin një mori shkrimtarësh, historianësh, artistësh e funksionarësh të të gjitha niveleve, s’ishin tjetër veçse një ortek gënjeshtrash që, i nisur nga maja e piramidës, zbriste me vërtik poshtë, duke trumhasur mëndjet e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Në të gjitha këto gënjeshtra ajo shihte “dinjitetin” e Shqipërisë socialiste, pa çka se ajo ishte e mbushur me njerëz të burgosur për idetë e tyre, të internuar për prejardhjen e tyre, të urët, të skamur, të drobitur, të kthyer në kope të mbyllur në një vathë hermetike...

Ai “dinjitet” mbështetej mbi terrorin, mbi faktin se askush nuk guxonte të thonte hapur të vërtetën se lufta për marksizmin ishte luftë për kolltukun, se qëndresa ndaj rrethimit ishte alibia e të ashtuquajturës udhëheqje, që drejtonte Shtetin, për të mbuluar paaftësinë e saj dhe dështimin e gjithë politikës ekonomike, nëse mund të quhej e tillë. Në këtë mënyrë merrnin një kuptim thirrjet e vazhdueshme për “sakrifica” që shkaktonin simfonitë e pambaruara të zorrëve të shqiptarëve. Ai rrethim që, në të vërtetë, ishte një vetëndarje nga bota, idetë e ndryshimet e saj, kishte vetëm një qëllim të caktuar: të ruante skeptrin e zotërinjve Hoxha.

Ndryshimet e erës pas staliniste u mirëpritën në fillim nga “oborri” i kuq i Tiranës, u arrit madje të bëhej pajtimi edhe me “kryerevizionistin” Tito, simbas dëshirës së shkopit drejtues të Moskës. Por, kur erdhi kërkesa prej andej për ripërtëritjen e udhëheqjes, për zëvëndësimin e “mbretit” dhe të “kançelarit” të tij, fantazma e Marksit, si në një “ëndërr të një nate vere”, filloi të shëtiste në Bllok duke kërkuar mbrojtjen e parimeve. Atëhere u pi gjak  me një tjetër “mbrojtës parimesh” që mbretëronte në Shtetin më të populluar të botës e Shqipëria “dinjitoze” u bë thjesht “zëdhënësja e Kinës në Evropë”.

Kaluan disa vite në të cilat, me paratë e kinezëve e me punën e papaguar të të burgosurve, që shtoheshin tashmë jo vetëm nga rradhët e “armiqvet”, por dhe nga “lufta  në gjirin e klasës puntore”, u ndërtuan fabrika e kombinate që, për një kohë të gjatë, u trumbetuan si krenaria e Shtetit të industrializuar shqiptar, që “hidhte valle në gojë të ujkut”. Kur Shqipëria, me ndrrimin e sistemit, u ballafaqua me botën e industrializuar dhe kërkesat e saj, u kuptua se ato “vepra” kishin qënë relike të antikuariatit të teknikës, që kishin peshuar si kulari mbi qafën e ekonomisë, duke thithur si shushunja djersën e shqiptarëve. Edhe ky ishte një nga aspektet e dinjtetit, për të cilin, ende sot, ndjehet krenare zonja Hoxha.

Ndërkaq dhe Mao Ce Duni u “matufeps” e tradhëtoi vijën marksiste-leninistee cila, në versionin e saj origjinal të një shekulli më parë, i mbeti në dorë si pishtar zotërinjve Hoxha, të cilët e çuan përpara si marathonomaku. “Feneri ndriçues i socializmit në Evropë” rifilloi ecjen në “dimrin e vetmisë së madhe” me parullën, atëhere lapidare,” Bar do të hamë e nuk gjunjëzohemi!”. Këto vite, në të cilat deliri donkishotesk i udhëheqësvet u gërshetua me satërin mbi kokat e tyre, në kujtesën e zonjës Hoxha ndoshta mbeten si kampionë të “dinjitetit të Shqipërisë socialiste”. Ishin vitet kur lëmoshat e të mëdhenjve të Lindjes nuk vinin më e ato të Perëndimit, të kushtëzuara me reformat e demokratizimin, nuk pranoheshin, vite të gjata të një vdekjeje të ngadaltë të ekonomisë e të varfërimit skajor të banorëve të Shqipërisë, veçanërisht të atyre të fshatrave që ishin dy të tretat e vendit. Parimi “me forcat tona” , i shpalosur fuqishëm në tribunat e kongreseve të Partisë, ishte kthyer në një nxitës për të marrë secili “pjesën e vet” nga pasuria e përbashkët. Një popull i tërë u brumos me idenë se Shteti, sado pak, duhet xhvatur, ide që gjeti pastaj zbatimin e plotë në vitet 1991-92 , apo më 1997, kur bastisja i kaloi të gjithë kufijtë.

Çfarë dinjiteti mund të kishte një Vend i tillë, i ndarë nga pjesa tjetër e njerëzimit, në emër të një kompleksi megallomanie e narçizizmi të drejtuesve të tij, të denja për Neronin? Dinjiteti i një Vendi qëndron në aftësitë e tij për të shkuar përpara, për t’u matur me të tjerët në fushat e ndryshme të zhvillimit njerëzor, në art, shkencë, kulturë, ekonomi, standart jetese, respektim vlerash e parimesh të njohura e të sanksionuara në dokumenta e karta të bashkësisë së popujve. Dinjiteti i një Vendi matet me dinjitetin e qytetarëve të tij e ky i fundit nuk mund të ekzistojë nëse mungon liria e mendimit, e shprehjes dhe e komunikimit të ideve, nëse individi asgjësohet në emër të bashkësisë. Diktaturat, edhe më të ndriturat si e Aleksandrit, Qezarit apo Napoleonit, pavarësisht nga pamja e jashtëme, asnjherë nuk kanë rrezatuar dinjitet. Mendimi i vetëm zotërues, aq më tepër i një mediokri, zhduk që në të parë çdo nismë që del nga rrethi i gjykimit të vet e aty ku nuk ka rrahje idesh, nuk ka zhvillim, nuk  ka ecje përpara, nuk ka as dinjitet.

Një popull nën diktaturë është i prirur të nxjerrë në pah anët më të dobëta të karakterit të tij: puthadorjen, lajkat, bindjen e verbër ndaj autoritetit, të kënaqurit me pak, spiunllëkun, nënështrimin ndaj çdo lloj padrejtësie e arbitrariteti, adhurimin e diktatorit, urrejtjen e verbër e përçmimin për kundërshtarët e regjimit. Të gjitha këto dukuri kanë qënë të pranishme në Shqipërinë e zotërinjve Hoxha, të cilët, me anën e forcës së regjimit, të dhunës e të frikës arritën të thyenin virtutet që shqiptarët i kishin trashëguar me shekuj.

Një Vend që i kthen qytetarët e tij në kavje depersonalizimi, nuk  mund të ketë dinjitet. Një Vend që nuk di të vlerësojë pasurinë njerëzore të tij, që arrin të mohojë dhe një personalitet botëror si Nënë Tereza, që i nxjerr eshtrat nga varri një gjeniu si Fishta, që e privon veten nga një shtresë intelektualësh që do  t’ja kishte zili çdo Vend i Evropës, nuk mund të ketë dinjitet e do të thosha, as të ardhme. Ai dinjitet ekziston vetëm në fantazinë e drejtuesve të tij, që shkëmbejnë shfaqjet e servilizmit me respektin e vërtetë. “Asgjë nuk është më i përçmueshëm se respekti i bazuar mbi frikën.” shprehet shkrimtari i njohur francez Albert Kamy.

Zonja Hoxha do të bënte mirë të thellohej në analizën e së shkuarës e të përgjegjësisë së saj vetiake në ngjarjet e saj, në vend që t’a mbrojë atë me pallë zhveshur. Lufta e saj i përngjet asaj të Don Kishotit me mullinjtë e erës, mbasi duhen kërkuar me qiri ata që ende vazhdojnë t’i besojnë “katekizmit” të saj,

Të qesëndisësh, të kritikosh apo të shash Shqipërinë e sotme nuk është një ndërmarrje e vështirë. Por ajo, që mban mbi ndërgjegje gjysëm qindvjeti të degradimit të saj, më duket se nuk ka të drejtë morale t’a bëjë. Do t’i kujtonja një thënie të Dionizit plak që, në lashtësinë e qytetërimit predikonte:”Bëj në mënyrë që fjala jote të jetë më e mirë se sa heshtja jote ose hesht!”

Gusht 2003 

Marrë nga vëllimi “PËRSIATJE….njerëzore, letrare, shoqërore, historike”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH