Art & Kulturë

Dine Dine: Kronika e një romance në komunizëm

               Publikuar në : 09:52 - 07/06/19 Liberale

Historia e një ish-të dënuari që e ktheu burgun në letërsi.

Dine Dine e kish nisur qysh gjashtë vjeç jetën e kampeve: prej Porto Palermos në Tepelenë, prej Savrës në Gjazë; e më pas jetën e burgjeve prej atij të Spaçit tek ai i Qafë-Barit, prej atij të Zejmenit te kompleksi sportiv “Dinamo”. Mosha 50-vjeçare do ta gjente ende në një kamp internimi, humbur mes Myzeqesë, së bashku me familjen dhe dy fëmijët e tij të mitur, lindur njëri para dhe tjetri mbas burgut.

Një vit më parë, UET PRESS do të botonte librin “Varka e Karontit”, një roman gati autobiografik me autor Dine Dinen. Libri erdhi në kuadër të kontributit që UET PRESS dhe Instituti Europian “Pashko” kanë ndaj kujtesës, duke sjellë këto vite një kolanë librash që janë një pasuri për memuaristikën shqiptare, dhe një bibliotekë e madhe për të gjithë ata që do të merren me studimin e së shkuarës. Cikli i kujtimeve mbi kalvarin e elitës shqiptare në burgjet e komunizmit bëhet më i plotë me rrëfimin e një autori që fare natyrshëm e ka kthyer tragjedinë personale në letërsi. Libri nis me ankthin e arrestimit, pas një ëndrre që kishte feksur si për të paralajmëruar diçka, për të vijuar me një rrugëtim tronditës mbi fatin e një djaloshi të ri, që të ardhmen e projektonin gjithmonë përmes librave. “Më dërguan në qelinë nr. 4. Përgjegjësi i burgut po na priste te dera. Me një lëvizje të natyrshme futi çelësin, hapi kyçin e derës dhe tërhoqi një lloz, i cili krijoi një zhurmë të atillë, sa m’u duk se e tërë dera u plandos mbi dysheme! Me të njëjtën zhurmë dera u mbyll dhe unë u ndjeva i vetëm brenda mureve të qelisë! Në të djathtë të hyrjes, sipër kokës, qe një dritare e vogël ndoshta me përmasat 40×40 cm. Dukej si dritare kështjelle. Ndoshta si ato të kështjellës së Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo, ku në moshën pesëvjeçare e kisha nisur për së pari internimin!”, shkruan Dine. Burgu i Dines nuk ndryshon shumë nga historitë e dhjetërave të dënuarve politikë në Shqipërinë komuniste. Por ajo çfarë ndryshon është rrëfimi. Me një aftësi që e bën të zotërojë situatat, ai kthen në tablo çdo ngjarje e çdo gardian që e ka lënduar në një personazh. Dine nuk gjykon, thjesht tregon i bindur se kjo histori, si dhjetëra të tjera, duhet të jetë e shkruar diku për t’u lexuar.

Pas burgut zbuloi se shkrimi kishte qenë gjithnjë me të dhe se vetëm kur kishte mundur të hidhte në letër të gjithë brengat ishte ndier më i lehtë. Për muaj të tërë kishte mundur të jetonte i lirë deri sa makthet e së shkuarës iu rikthyen sërish, si vegime për të mos e lënë të qetë. Një siluetë, një kujtim i mbetur diku në honet e harresës papritur bëhet i plotë nga zëri i një telefonate, e cila i sjell ëmbëlsinë e një mendimi. Dikush që nuk të ka harruar të fton sërish pa dashje të udhëtosh në kohë, të cilat mendoje se ishe ndarë përgjithmonë nga një libër. Por një libër nuk mjafton për të mbyllur portën e së shkuarës.

“Alida” quhet novela gati autobiografike që Dine e ka gati për botim, kronika e një dashurie të mbetur thjesht vegim, pas burgut. Një dashuri e mbetur në gjysmë, e cila si të gjitha dashuritë e tilla të torturon deri në fund me pyetje.

Një dashuri që fekset si një dritëz për t’i treguar se kohët me shkrimin nuk kanë përfunduar, e për sa kohë të jetë kujtesa do të jetë edhe shkrimi.

Me një jetë të ndarë tashmë mes Nju Jorkut dhe Tiranës prej më shumë se dy dekadash, Dine Dine vazhdon të tregojë ngadalë të shkuarën. Takimet e shumta me miqtë në Tiranë e çojnë më shpesh larg në kohë. Në morinë e dëshmive të dhëna mbi burgjet komuniste, dëshmitë që vijnë prej tij, vijojnë të zbardhin atë pjesë të historisë, për të cilën duket se kujtimet nuk kanë fund. “Si pinjoll i denjë i një familjeje me emër, e cila në disa breza ka bërë nyje në histori, ai gjithnjë e ka ndrydhur në vetvete lehtësinë e të shfaqurit si letrar! Është pikërisht ky shpirt përgjegjësie, që e ka bërë ta ndiejë si peshë të shumëfishtë artin e të shkruarit, e aq më shumë atë të botuarit. Ajo çka deri në vitet ‘90 ishte në kufijtë e absurdit për të dhe shumë si ai që ta mendonin këtë gjë, po që mbas viteve ‘90, ky shpirt përgjegjësie erdhi duke u bërë gjithnjë e më bindës… Vërtet vonoi ca, por mendoj se sot ai shfaqet më i plotë në paraqitjen e vet”, shkruan Jozef Radi për të. Dine Dine i përket brezit të të lindurve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë nga këta djem të familjeve në zë të elitës, politikës, asaj intelektuale, hierarkisë ushtarake, tregtarëve të mesëm, po edhe familjeve me interesa të gjera kulturore, mbas ngjitjes së komunizmit në pushtet do të etiketoheshin me shprehjen tashmë shabllone, e cila do të funksiononte për më shumë se 46 vite: “Familjet e reaksionit”. “Dine Dine e kish nisur qysh gjashtë vjeç jetën e kampeve: prej Porto Palermos në Tepelenë, prej Savrës në Gjazë; e më pas jetën e burgjeve prej atij të Spaçit tek ai i Qafë-Barit, prej atij të Zejmenit te kompleksi sportiv “Dinamo”. Mosha 50-vjeçare do ta gjente ende në një kamp internimi, humbur mes Myzeqesë, së bashku me familjen dhe dy fëmijët e tij të mitur lindur njëri para dhe tjetri mbas burgut”, thotë Radi.

Por sot, teksa mban në duar novelën “Alida”, duket sikur njeriu që ka kaluar këtë kalvar është një tjetër personazh, i cili shpesh kërkon të shpëtojë nga kujtimet e të shkuarës, në hapësirat që kërkon në libra, ndërsa vetë Dino, me heshtjen e tij, tashmë është shndërruar në një tjetër./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *