Letërsi

Dimensionet e artit poetik të Frederik Rreshpjes

Shkruar nga Liberale

Bujar Meholli

Poeti shkodran Frederik Rreshpja, kontaktet e para me lexuesit i pati me përmbledhjen poetike “Rapsodi shqiptare” në vitin 1967 e më pas me përmbledhjen tjetër të vitit 1972 me titull “Në këtë qytet”, ku spikat lirizmi dhe figuracioni i pasur rreshpjan. Qysh herët Rreshpja u përfaqësua nëpër antologji të ndryshme, por e denoncoi regjimi i kohës dhe e hoqi nga programi. Rreshpja, ishte cak i regjimit të asaj kohe, i cili ia largoi tekstet e tij nga shkollat. Megjithëkëtë, poezia e Rreshpjes është mjaft e pasur, me imagjinatë të fuqishme e koncept të pjekur artistik; Rreshpja ishte tërësisht i lirë për të bërë art të vërtetë, ndaj vepra e tij fiton dimensione lirike, intime, refleksive, estetike e metafizike.

Sa i përket gjuhës, Rreshpja, në vëllimin e parë përdor atë gegërishte, ndërsa më pas shkruan në gjuhën standarde. Duke qenë se vepra e tij, shtrihet në dy periudha kohore me sisteme të ndryshme politike e sociale, dimensioni i lirisë së krijimit është faktor mjaft i rëndësishëm në ligjërimin e tij poetik. Rreshpja në mënyrë të shkathët e zhvendos fokusin duke i dhënë nerv e spontanitet poezisë; lëviz e përshpejtohet ritmi dhe nga një artikulim me ton të shtrirë kalon në tonalitet të lartë që shfaqet nëpërmjet një sintetizmi artistik.

Për ta parë këtë do t’i shohim disa nga poezitë e tij. Poezia “Jemi ne”, e cila u fut nëpër tekste shkollore, fillon me pyetje retorike “Kush jemi ne?”, këtu poeti përgjigjet me metafora entuziaste:

 

Jemi buzëqeshje e lirshme që u mungonte kohnave;

Jemi filizat e pranverës së ardhme.

Mbimë pas krismave partizane, mbas gjëmimesh

udhëve të jetës

udhëve të atdheut.

 

Poezia është e populluar me metafora e simbole, me ngarkesë emocionale e estesike dhe me mbartje kuptimore direkte për brezin e ri. Pyetja retorike “Kush jemi ne?”, e përcjellë nga metafora foljore jemi, ka një forcë e cila shkakton efekt ngulmues, e përveç kësaj kjo metaforë përcjell artistikisht idenë e lindjes së një shoqërie të re e të njeriut të ri.

Në vijim të kësaj gjendjeje ideologjike është edhe poezia “Udha”, e cila ngrihet mbi simbolin e udhës që shenjon një vijë nga e cila ecin njerëzit, mjetet, kulturat e idetë. Në kuptimin e dytë, pasqyrohet një idealitet e përfytyrim i një të ardhmeje.

Një tjetër poezi e Rreshpjes, me titull “Mëngjezi”,  shfaqet semantikisht si arketip i shpresës, i një fillimi të ri që ka brenda dritë e dëlirësi:

Partizan i vjetër që kthehesha nga zbori thotë ai; dhe,

sot unë hapa mëngjesin, …

Diellin e madh e solla unë.

 

Mesazhi është retorik. Partizani, i identifikuar me Unin e poetit është heroi lirik, si misionar i idesë së përparimit dhe ky lloj entuziazmi çon drejt afirmimit të këtij realiteti. Simbolika, i jep një lloj konotacioni drejt një teksti plot entuziazëm poetik. Në këtë strofë, vërejmë ndërtimin sipas konceptit të përjetimit:

Perdet e errta të reve lëkundeshin në lindje,

Dhe dielli i madh – ja ndjeva hapat,

Afrohej t’u vinte flakën reve.

 

Nëpër vargjet e Rreshpjes hasim në një lloj vetmie që bart elementet e saj të njohura; malli, pritja, trishtimi, mbyllja në vete; kur gjithçka i nënshtrohet ideologjitetit dhe vëzhgimi estetik për jetën e të bukurën i trajtojnë parimet e realizmit socialist.

Te poezia “Te liqejtë malorë”, hasim në një substancë me dramaticitet lëvizjesh, ngjyrash e tingujsh. Rreshpja shkruan:

U ngrit agimi që nga honi i ujnave,

mbi retë e rënda,

që enden në hapsinën e heshtur të liqenit.

Shenjohet agimi nga dita e re, lindja e saj, me lëvizje kontrastuese vertikale. Ndodh diçka e pazakontë; një përplasje si apokalips, siç është lindja e ditës së re, e cila përcillet me vuajtje e dhimbje. Heshtja e liqenit ndjehet sikur heshtja e vetmisë së tij që ka ndalur në përgjimin e tingujve, zhurmave, gjëmimeve e përplasjeve.

Si përfundim, tipologjia tematike e Rreshpjes ishte në logjikë tematike përgjatë realizmit socialist; motive të kufizuara që çonin drejt artit të porositur, por që në thelb kishte një censurë të pushtetit. Në thelb të strukturimit të poezive, Rreshpja, përdor me efikasitet imazhin si element surrealist. Bota poetike e Rreshpjes është shumë e madhe, e trallisur mes imazheve, perceptimeve, heroizmit e vetmisë, krizave ekzistenciale, dashurisë si melhem për çdo vuajtje e vështirësi.

Pas viteve ’90, lexuesit e poezisë së Rreshpjes u shumuan, po kështu ai i mbeti besnik veprës së tij. Rreshpja në poezi kërkonte realizimin estetiko-poetik: befasia e vargut, lirizmi i brishtë, ndjeshmëria e figurativiteti i thellë e spontan. Qasja ndaj ideologjisë, e ideve të reja kishin në qendër barazinë sociale.

Në një realitet të ri, pas viteve ‘90, poeti ka një prekje më të gjerë tematike. Liria dhe mungesa e kufizimeve të regjimit, i dhanë hapësirë dhe dimensione të reja artit të tij poetik, i cili u përvijua me tipare e elemente bashkëkohore, me sistem konceptual që i përafrohet atij modernist dhe post-modernist. Kjo poezi, cilësisht e evoluar në format e shprehjes, mëton drejt të panjohurave të qenies – me mjetet e gjuhës poetike, e plotëson dhe realizon arealin tipologjik të poezisë së tij, por gjithashtu profilizon dhe spikat individualitetin poetik. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH