Editorial

Dilema e krizës energjitike për Europën

Shkruar nga Liberale
Dilema e krizës energjitike për Europën

Nga Mikel Qafa*

Europa ka pothuajse një vit që jeton nën kërcënimin e ndërprerjes së furnizimit me gaz rus, kërcënim tashmë i bërë realitet pas ndërprerjes së furnizimit nëpërmjet rrjetit NordStream 1. Shqipëria nuk ndihet e kërcënuar sepse infrastruktura energjetike e Shqipërisë nuk mbështetet tek gazi, por në mënyrë indirekte do ndikohet ndjeshëm në ekonominë dhe jetën e të gjithë Shqiptarëve, sepse jo vetëm energjia por gjithçka e përftuar prej saj do pësojë një rritje të konsiderueshme  të çmimit.

Kjo krizë energjetike pritet të shkaktojë një krizë politike dhe ekonomike sepse qartazi Bashkimi Europian nuk ishte i përgatitur për një sfidë të tillë, dhe Rusia e ka bllokuar furnizimin me gaz deri ne heqjen e sanksioneve nga perëndimi duke e kthyer në një teatër politik.  Shpenzimet e energjisë dhe gazit për BE këtë dimër pritet të kalojnë shifrën e 1.4 trilion euro nga shume e 200 miliardë euro mesatarisht në vitet e fundit (sipas Bankës Morgan Stanley).

Problemet kanë filluar të shfaqen akoma pa u afruar stina e dimrit sepse kompanitë e shërbimeve të gazit dhe energjisë elektrike në Düsseldorf të Gjermanisë dhe Vjenë të Austrisë ndihen të kërcënuara që nuk do mund ti bëjnë ballë krizës pa ia kaluar rritjen e kostos se prodhimit konsumatorëve. Kompani të mëdha industriale, siç është gjigandi i prodhimit të metalit ArcelorMittal, gjithashtu kanë deklaruar që do mbyllin disa nga punishtet e tyre më të mëdha në Europë pasi nuk përballojnë dot rritjen e çmimit të energjisë.

Situata kaotike e krijuar po trajtohet nga qeveritë europiane njësoj si ajo e pandemisë gjatë së cilës qeveritë ndërmorën disa reforma; kryesisht duke i vendosur çmim tavan energjisë që paguan konsumatori dhe duke u shpërndarë para qytetarëve. Në të dyja rastet kostoja shtesë bie direkt mbi qeverinë -dhe indirekt mbi konsumatorin sepse borxhet e akumuluara të qeverisë paguhen nga taksat e mbledhura- të cilës i duhet të shtyjë projekte të rëndësishme ose të futet në borxhe të thella për ti financuar masat e ndërmarra.

Gjermania ka propozuar planin për vendosjen e çmimit tavan energjisë elektrike që i faturohet qytetarit dhe koston e mbetur prej saj e paguan qeveria. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca synojnë të ngrijnë çmimet e energjisë për dy vitet e ardhshme, një mënyre e kontrollit  të çmimit që bie ndesh me parimet e tregut të lirë. Një tjetër mënyrë e propozuar nga BE për ti bërë ballë krizës në ndihmë të konsumatorit është krijimi i një shume tavan që mund të fitojnë kompanitë që prodhojnë energji për të shmangur abuzimet me çmimin e energjisë nga firmat prodhuese.

Sado lehtësuese mund të duken këto masa te propozuara, ato mund të kenë pasoja të rënda për ekonominë e të gjithë bllokut europian. Nëse vendosen çmime tavan mbi energjinë, konsumi nga qytetaret do vazhdojë të ngelet i lartë sepse qytetari nuk e ndien çmimin e rritur, dhe kjo vetëm sa e vonon sensibilizimin qe duhet të ndodhe në shoqëri për tu përballur me realitetin e krizës energjetike. Politikisht gjithashtu do ishte shumë sfiduese për cilindo politikan të heqë këto lehtësime financiare nga qytetarët pasi të jetë gjetur një zgjidhje për krizën.

Ekonomia e tregut ofron mënyra të tjera për të ndihmuar qytetarët më mirë sesa duke ngrirë çmimet apo duke vendosur një limit mbi çmimin maksimal të energjisë. Qeveritë mund tu ofrojnë familjeve ndihmë ekonomike në para për të paguar dhe menaxhuar më mirë konsumin e energjisë. Kjo do lejonte që të jenë forcat e tregut ato që vendosin çmimin e energjisë dhe stimujt për të ulur konsumin. Jo vetëm familjet, por edhe firmat do kenë nevoje për ndihmë. Për të shmangur kolapsin e firmave të shërbimit të energjisë sikurse të bankave gjatë krizës financiare të 2008, qeveria duhet të jetë e gatshme të ofrojë kredi kompanive, të cilat mund ti paguajnë më vonë. Por edhe kreditë e dhëna nga qeveria janë vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe financimi i këtyre paketave ndihmëse sjell një shqetësim akoma më të madh sepse marrja hua gjatë periudhës së inflacionit do shkaktojë akoma më tepër inflacion.

Për Shqipërinë do ishte një krizë thuajse kalimtare ajo e energjisë sepse Shqipëria nuk ka një infrastrukturë industrie të bazuar në gaz për furnizim me energji, por për BE problemi është i thelle sepse një pjesë e madhe e bizneseve dhe linjave të shërbimit janë ndërtuar për të operuar me gazin e bollshëm rus. Tani kjo infrastrukturë duhet rimenduar që nga origjina dhe kjo nuk realizohet dot në një sezon.

Vendimet për të rimenduar sistemet e energjisë në kohë krize nuk  rekomandohen sepse do ishin vendime të nxituara. Mbajtja në vend e mekanizmave të tregut të lirë është thelbësore në mënyrë që të nxisë rritjen e investimeve dhe inovacionit në teknologji të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe baterive më të mira për të ruajtur energjinë e prodhuar. Në mes të kësaj krizë nuk dalin të gjithë të humbur sepse firmat që prodhojnë energji të rinovueshme dhe ato me centrale bërthamore pritet të fitojnë miliarda euro gjatë këtij dimri. Për këto prodhues energjie kostoja e prodhimit të energjisë ngelet e njëjtë edhe pse çmimi është rritur në treg.

Gjetja e burimeve të reja të gazit është gjithashtu një mundësi, edhe pse në afat kohor të shkurtër është e vështirë të ndërtohet sepse kërkon investim financiar dhe kohor tepër të gjatë. Me masat e duhura qeveritë europiane do arrijnë të mbrojnë qytetaret e tyre dhe do nxisin ambiciet për prodhim të energjisë së pastër dhe të rinovueshme. Masat e gabuara do falimentojnë kompani dhe qeveri të tëra duke sjellë kolapsin e industrisë energjetike dhe duke lënë hapësirë për krizë ekonomike dhe politike.

Në skenarin më të mirë Shqipëria dhe Europa do kalojnë një krizë energjetike të gjatë po aq sa stina e dimrit që po vjen ku mbulimi i kostos shtesë i prodhimit të energjisë mbulohet nga qeveria duke mos rritur çmimin që paguan konsumatori. Situata aktuale në Shqipëri ka ndryshuar akoma pa u afruar dimri sepse çmimi i vendosur nga shteti Shqiptar për konsum mbi 800 kWh është tepër i lartë dhe mund të ketë pasoja pozitive që ti sensibilizojë qytetarët të kursejnë energji, por ngelet për tu parë nëse qeveria do arrijë të përballojë koston e rritur të hidrokarbureve që pritet të shtohet dhe në bursë në mungesë të gazit. Skenari me i keq do ishte që kriza energjetike të përshkallëzojë në krizë ekonomike dhe politike ku shtetet e ndryshme do detyrohen të mos lejojnë shitjen e rezervave të tyre në vendet fqinje në nevojë.

*Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH