Kryesore

“Diktatura e Parasë”; Pëllumb Kulla në fronin e tij të satirës

               Publikuar në : 10:02 - 29/06/20 liberale

“Diktatura e Parasë”, libri më i ri i autorit Pëllumb Kulla, nga botimet UET Press

Suela Mino

Paraja i prish njerëzit. Janë të mirë, i bën të këqinj. Është për këtë arsye që shumicën e shqiptarëve, sot, i mbajnë si njerëzit më të mirë në botë – kush tjetër, përveçse Pëllumb Kulla, mund të ngjizë kësisoj, të vërteta të dhimbshme me humor?

I sapodalë nga shtypi, botim i UET Press, “Diktatura e Parasë” është libri më i ri i autorit të mirënjohur Pëllumb Kulla, i cili sjëll një përmbledhje publistike të përzgjedhur nga shkrime të tij, botuar në mediat tradiconale dhe ato online, vitet e fundit.

Me fantazinë time, le të ulem edhe unë një herë mbi fronin e vendit – nis Kulla komunikimin me lexuesin e këtij libri, duke paralajmëruar një rrugëtim sa zbavitës aq edhe sfidues nën qiellin që na rëndon mbi krye ne shqiptarëve, tash sa vite. Shtegëtim në qiellin politik, e quan autori përsiatjen e tij, e cila vjen përmes satirës, humorit, shqisës së mprehtë të vëzhgimit dhe analizës së thukët të asaj që përballim çdo ditë në jetën tonë, që nga ekrani i Tv, e deri te tryeza e bukës së çdo shqiptari.

“A vallë, gjen njeri sot që nuk e ka kuptuar se paraja përkthehet në sundim? Dhe ky është më i padukshmi nga sundimet, pa ngritur tela me gjemba anembanë kufirit, pa nxjerrë tanke, pa apele darke të internuarish nëpër kampe dhe fshatra të Tepelenës dhe të Myzeqesë. Është më i pazhurmshmi nga sundimet: nga xhepi në xhep, nga çanta në çantë e nga banka në bankë, paraja lëviz pa as më të voglën frushullimë. Ja, kështu! E kisha me Zykon që arriti deri te blerja e kadinjve! Ehe, kohëra të tjera, sot!…”- është një fragment nga shkrimi Diktatura e Parasë, i cili ngre siparin e kësaj përmbledhjeje, të organizuar në 8 fragmente përfaqësuese.

Histori nga historia, është segmenti i parë, që prezanton Kullën, në përmasën e tij si publicist i frazës së sofistikuar, mbrujtur në mendim dhe ironinë e mprehtë – “Të këput shpirtin kur tregon, që dyzet e pesë vitet e diktaturës së egër, vitet më të mirë të jetës së tij, ai i kaloi në burg! Por nuk thotë asnjëherë që ka qenë komandant i atij burgu!

Paqësore… një mozaik shkrimesh plot humor, të çliruara nga ngarkesa e sarkazmës e që sjellin Kullën me ndalesa njerëzore të imëta… “Kur kërkoj një gjë nëpër xhepa, gjithnjë në xhepin e fundit e gjej! Kaq herë jam betuar ta filloj kërkimin nga xhepi i fundit!..”

Përshkënditje nëpër fushata është fragmenti i tretë i shkrimeve në këtë libër, ku spikat satira e thukët e Kullës dhe zëri i fortë denoncues i fenomeneve të shëmtuara që kanë bashkëshoqëruar tranzicionin e gjatë shqiptar, nën tituj si: Ah, të isha vetë kundërshtari im! Sa lazaratë lejohen me kushtetutë, apo Poshtë votimet. “Në këta 30 vjet, në vend që të shihnim parlamentarë të zbrisnin në thellësitë e burgjeve, shohim të burgosur që ngjiten nga lagështira e qelive, drejt e në kolltukët e parlamentit!” – denoncon në gjuhën e tij artisti.

Spërkatje të politikës në letërsi, sjell një buqetë shkrimesh me satirë të fortë; “Në tërë ato vite, të them të drejtën, nuk shkrova dot kundër komunistëve. E kisha shtëpinë përballë burgut dhe nuk desha kurrsesi të banoja përballë shtëpisë”.Kulla abstragon, vë në lojë me elegancë dhe stil, duke mbetur idhtar i një komunikimi të qytetëruar edhe në rastet flagrante të konfliktit. Kjo qasje shënon edhe një kontribut të rëndësishëm të publicistikës së tij, për emancipimin e diskurit politik dhe njerëzor të publikut shqiptar në tërësi.

Letra ka titulluar fragmentin tjetër të shkrimeve, duke e paralajmëruar që në krye përmbajtjen thelbësore të materialit që ka shestuar në laboratorin e tij të krijimit – “Pritjet për lirinë paskëshin qenë më të bukura nga vetë liria”.

Libri vijon me Intervista – prononcime të tij në organe të ndryshme të shtypit, ku mësojmë se “Një dritë, nuk e le të flerë”, ndërsa në terrenin që e zotëron mjeshtërisht thotë – “Shqipëria është një nga vendet më të vështirë të botë. Këtu virtytet janë rralluar dhe dobësuar shumë. Intrigantët këtu, janë më të shumtë se intrigat”.

Unë, grindaveci, është fragmenti tjetër, me një humor të begatë që fillon nga vetja – “Me time shoqe, vetëm si burrë e grua mund të bashkëjetojmë. Të ishim kunata? Do t’ishim therrur!, për të vijuar me shkrime të mprehta si ai me titull Heronj plot, jemi ngushtë me piedestalë! Shqipërisë më mirë t’i kishte mbetur komunizmi, se sa i mbetën komunistët – ngacmon “grindaveci” i të vërtetave që s’thuhen, harrohen, humbasin, treten në vorbullën e së përditshmes sonë që gjakon mbijetesën, por kemi nevojë t’i kujtojë, për të mësuar nga e shkuara.

Zikja më shkruan është fragmenti pikant që mbyll këtë libër, si qershia mbi tortë. “Zike Pallaska, që më shkruan është vëllai im binjak, në Shqipëri. Ai ka ndryshuar edhe mbiemrin se druhet mos më dëmtojë mua. I them ta lerë këtë mbiemër të shpifur, se tani ne rrojmë në një botë demokratike, por ai vazhdon me të tijën…” – paralajmëron Kulla, letrat e Zikes, që sjellin realitetin e hidhur, parë nga sytë e një shqiptari të thjeshtë, diku në cepin e tij të egzistencës, por që është i mençur dhe i pranishëm në jetën e vendit të tij, edhe kur duket se i ka vdekur indi i angazhimit qytetar. Pëllumb Kulla është mjeshtër për ta rrekur këtë ind, për ta zgjuar atë përmes një humori elegant, të zhdërvjellët, dhe një gjuhe gjithmonë të kujdesur me stil dhe dije.

“Diktatura e parasë”, është libri i dytë i Kullës, botuar nga UET Press, pjesë e kolanës “SCRIPTA MANENT”, me parathënie nga Henri Çili, i cili qëmton disa rrafshe të kontributit të kësaj figure të rëndësishme, krijimtaria e të cilit po hyn në dekadën e shtatë. Pas botimit voluminoz “Luftë pa fund”, Kulla vjen i freskët në këtë libër, për ta lënë në pritje të botimit të radhës, lexuesin e tij. /Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back