Aktualitet

Dialogu Kosovë-Serbi/ Deklarata për 1.600 të zhdukurit e luftës, çfarë u arrit (dhe ku u ndanë Vuçiç e Kurti)

Shkruar nga Liberale
Dialogu Kosovë-Serbi/ Deklarata për 1.600 të zhdukurit e

Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç ku u dakordësua Deklarata për të 1600 të Zhdukur gjatë luftës zgjati mbi 3 orë. Nuk u arrit asnjë dakordësi mbi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi.

Borrell komentoi takimin e sotëm dhe tha se ishte prezantuar drafti i parë i krijimit të Asociacionit, një pikë që sipas tij do jetë fillestare për diskutimet mes Kosovës dhe Serbisë për të shkuar më pas drejt draftit final të një marrëveshje të tillë.

“Sot ekipi menaxhues prezantoi draftin e parë para palëve. S’është drafti final. Është një pikë fillimi. Këtu është. Ky draft për Asociacionin përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes. Ky draft tashmë është vënë në tryezë. Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mborjtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, dhe siç pritet, këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket këtij Asociacioni. S’kam pritur ndonjë gjë tjetër. Isha i bindur se palët do të kenë vështrime të ndryshme për natyrën e Asociacionit të komunave” – u shpreh Borrell.

Pas një deklarate të dhënë për mediat, Aleksandër Vuçiç sa i takon marrëveshjes së firmosur për të Zhdukurit, tha se ishte hequr termi ‘i zhdukur me forcë’, ndërsa sa i takon Asociacionit, tha se krijimi i një formacioni të tillë nuk u pranua nga Kurti. Presidenti serb bëri të qartë se nëse nuk do ketë zbatim të marrëveshjes së firmosur në 2013 dhe 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë “do të mbarojë gjithçka” duke nënkuptuar se nuk do të ketë më as dialog dhe përpjekje negocimi me Kosovën.

“Reagimet e tyre ishin se nuk është e pranueshme sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre edhe pse gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2015 dhe 2013. S’ka nevojë, dhe s’ka kuptim që të pranojmë argumentimin, është qasje pa kuptim, ose do të pranohet ajo që është marrë vesh në 2013 e 2015, ose fundi i gjithçka”- deklaroi Vuçiç.

Nga ana tjetër, Kurti është shprehur edhe më parë se një Asociacion si i ai i marrëveshjes së firmosur në 2015-ën nuk është i mundur pasi vetë gjykata Kushtetuese e rrëzoi duke e cilësuar si marrëveshje anti-kushtetuese.

Marrëveshja e vitit 2015 do të thotë praktikisht formimi i një shteti brenda shteti në Kosovë, ku komunat me shumicë serbe në veri të vendit do të kenë kompetenca ekzekutive madje edhe polici të vetën gjë që Kurti e ka hedhur kategorikisht poshtë edhe gjatë takimit me Vuçiçin.

Nga ana tjetër Borrell e konsideroi si shumë të rëndësishme për dialogun marrëveshjen për çështjen e personave të zhdukur.

Në deklaratën për të Zhdukurit thuhet se “palët bien dakord që ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen”, në lidhje me të zhdukurit. Rreth 25 vjet më parë, lufta Kosovë- Serbi përfundoi me mbi 13.000 njerëz të vrarë dhe me mbi 6.000 të zhdukur. Mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi, por nuk dihet ende për fatin e rreth 1.600 personave të zhdukur nga ajo kohë.

Pas kësaj dakordësie të rëndësishme është kaluar në pikën e dytë të takimit, në atë të prezantimit të draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH