Kryesore

Dialog në distancë

               Publikuar në : 10:08 - 09/12/19 liberale

Kreu i PD-së jep sugjerime nga larg , kryeministri i përgjigjet nga mbledhjet e qeverisë, ndërsa vijon me ftesat për bashkëpunim. Por ndonëse tonet mes kundërshtarëve duken më të moderuara dhe kriza politike duket si e ngrirë pas tërmetit, i vetmi rezultat 13 ditë pas tërmetit shkatërrimtar është një dialog i vakët në distancë, ndërsa Rama nuk kursen ironinë ndaj kundërshtarit dhe Basha nuk i ka kursyer akuzat për qeverinë

Kriza politike që kishte mbërritur në ngërçin e ri me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, presidentin Meta që kërkonte referendum përballë opinionit të Venecias dhe opozitës jashtëparlamentare që fliste për përpjekje të kapjes së Reformës në Drejtësi, u duk se ngriu pas tërmetit të 26 nëntorit, ku palët u gjendën të gjithë në terren dhe heshtën përballë kundërshtive duke vënë në përparësi interesin e njerëzve përballë katastrofës natyrore.
Ndërsa kreu i PD-së i porositi të tijtë të gjendeshin pranë njerëzve e të kursenin politikën në këto ditë, kryeministri Rama nuk do të vononte me ftesat ndaj Bashës, por kësaj here duke pasur motiv njerëzit.
Lulzim Basha është koha e bashkimit konkret sepse vetëpërmbajtja në fjalor, sado e mirëseardhur është krejt e pamjaftueshme! Të ulemi për shqiptarët dhe t’u japim mesazhin e qetësisë, durimit, sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë. Unë jam gati!”, shkruante Rama, në ftesën e tij të parë duke u bërë thirrje forcave opozitare për ide konkrete.
Një e tillë do të vinte nga kreu Basha, i cili qysh të martën pas tërmetit të mëngjesit me magnitudë 6.4 Rihter – kur ende nuk ishin nxjerrë të gjithë trupat nga rrënoja-, i bëri thirrje qeverisë të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Një ditë më pas, kur qeveria mori vendimin për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës, kryedemokrati bëri apel që ajo të shpallej edhe në Laç. Kërkesë që u dëgjua nga kryeministri Rama.

Megjithë komunikimin në distancë mes kreut të qeverisë dhe atij të opozitës, Basha do t’i përgjigjej ftesës së Ramës duke thënë se nuk ishte kjo koha as për politikë e as për propagandë.
“A mund të bëhet politikë me këta njerëz?! Këta janë pa strehë sonte, janë pa ushqim, fëmijët i kanë rrugëve, vetë janë rrugëve. Prandaj, prioriteti im, prioriteti i gjithë opozitës është të bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar. Ky duhet të jetë prioriteti i çdokujt. Jo protagonizmi, jo propaganda dhe as manovrat politike”, do të shprehej Basha në media, ndërsa ka qenë i pranishëm në terren, në zonat e prekura pothuaj me të njëjtin instensitet me kryeministrin Rama.
Edhe pse opozita nuk dërgoi përfaqësues në Komitetin e Rindërtimit, pavarësisht ftesës së kryeministrit, Basha do të jepte një tjetër sugjerim konkret për qeverinë. Banorëve në fshatra, që u ishin dëmtuar shtëpitë nga tërmeti, të kompensoheshin në para dhe ta ndërtonin apo riparonin vetë banesën e tyre.

Kryeministri Edi Rama, në një nga mbledhjet e jashtëzakonshme të qeverisë, kërkoi hartimin e një plani të shpejtë që banorëve në zonat rurale t’u jepej në dorë një shumë prej 20 mln lekë të vjetra, që të fillojnë të rindërtojnë vetë banesat e tyre.
Basha do ta komentonte edhe këtë vendim të qeverisë duke e parë të pamjaftueshme shumën e dëmshpërblimit dhe pa nevojën e një vlerësimi dhe buxheti të qartë, ku ende nuk është bërë publike kostoja reale e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti, ku përllogariten më shumë se 1 mijë pallate të dëmtuar dhe mbi pesë mijë shtëpi të shpallura të pabanueshme.
Ashtu siç ka bërë edhe gjatë muajve të krizës politike, qysh me djegien e mandateve parlamentare nga opozita, kryeministri Rama nuk i ka kursyer mesazhet në adresë të kreut të PD-së.
“I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pasistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë…”, bënte thirrje kryeminsitri nga Londra, ndërsa mori pjesë në samitin e NATO-s.
Ndërsa refuzimet e PD-së kanë ardhur në formën e mesazheve nga nënkryetari Paloka apo deklaratat zyrtare nga Sekretari i Përgjithshëm Bardhi që i ka kërkuar qeverisë informacione rreth gjendjes së pallateve të shembura nga tërmeti në Thumanë ku humbën jetën 24 njerëz dhe kushteve në një prej godinave të Konvaleshencës në Durrës, ku humbi jetën kryekomisari Hajdarmataj, kryeministri nuk ka hequr dorë nga ftesat duke përdorur platformat e rrjeteve sociale si Twitter apo Facebook.

Një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe Ministrja e Financave. Por vazhdoj të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, shkruante Rama ditën e djeshme.
Kryeministrit i është përgjigjur nënkryetari i PD-së, Edi Paloka  duke e qujtuar ftesën e Ramës si propagandistike. “Në ditën e 13-të pas tërmetit, ajo që ju duhet shqiptarëve nuk është pasurimi i albumit fotografik propagandistik i Edi Ramës me Lulzim Bashën në një tryezë”,
Kryeminsitri, do të vijonte Paloka, po shfrytëzon fatkeqësinë për të nxjerrë nga sirtari projektet me PPP korruptive për të pasuruar klientët e tij mbi gërmadhat e vdekjes, ndërsa veç akuzave për aktorë të PS, të përfshirë në dosjet “339” e “184” apo kryebashkiakë me të shkuar kriminale, do të theksonte kushtet e emergjencave civile sipas tij të papërgatitur për të përballuar fatkeqësinë natyrore.

“Shqiptarët tani ka nevojë për vepra dhe jo për llogje. Në vend të lotëve të krokodilit, shqiptarët kërkojnë siguri nga një qeveri që di dhe ka vullnet t’i zgjidhë problemet e tyre”, ka vijuar Paloka, ndërsa e sheh kreun Basha si të vetmin në lartësinë e kërkesave të shqiptarëve , duke ofruar dy plane në vetëm dhjetë ditë për kapërcimin e shpejtë të fatkeqësisë si, Planin e Emergjencës për banesat e dëmtuara dhe Planin për Rimëkëmbjen e Biznesit të prekur nga tërmeti.

“Zgjidhjet e propozuara Edi Rama i ka mbi tryezë. Por si përherë atij nuk i intereson zgjidhja por shfaqja, nuk i interesojnë njerëzit por pushteti dhe paraja”, do të shtonte Paloka, ndërsa kreu Basha dje e kujtoi Ditën e Rinisë, që këtë vit shkoi pa ndonjë organizim apo tubim në Qytetin Studenti, mes banorëve të prekur nga tërmeti.
“Dhimbja e këtyre banorëve të cilët shteti i ka harruar dhe braktisur, është zbutur nga të rinjtë që u vijnë në ndihmë duke vendosur gjithcka në dispozicion të të dëmtuarve. Kjo tragjedi zhveshi nga propaganda gjendjen e vërtetë të vendit, të Shqipërisë së varfër, të vjedhur dhe abuzuar”, do të shprehej Basha, i cili e kishte nisur një tur takimesh me qytetarë në rrethe, shumë përpara 26 nëntorit, të cilin e kishte pagëzuar si “Turi Kombëtar i Shpresës”, ndërsa presidenti kishte njoftuar më herët një tubim më 8 dhjetor, që i paraprinte një turi për Referendum, por që e anuloi duke u shprehur se kjo ishte kohë për të qenë pranë njerëzve.

“Por sot ky angazhim dhe solidaritet i të rinjve është drita e shpresës që po ndriçon Shqipërinë, është frymëzimi ynë që ta kalojmë si një familje e madhe këtë situatë të rëndë sot e ta nxjerrim së shpejti Shqipërinë nga mjerimi, ta çlirojmë nga kthetrat e korrupsionit që nuk kursen as jetën e qytetarëve e ta bëjmë realitet thirrjen dhe destinin që të rinjtë nisën 29 vjet më parë, Shqipërinë si gjithë Europa”, do të vijonte Basha, duke përkujtuar emrat e heronjve të demokracisë.
I shoqëruar nga të rinjtë e FRPD-së, në takimet me banorët e Mamurrasit  Basha do të kalonte në akuza politike, duke thënë se shteti ishte shembur si pasojë e korrupsionit. “

“Pavarësisht se shtetin prej kartoni e shembi tërmeti i korrupsiont, pasojat e tërmetit të vërtetë i përballuam me solidaritet  dhe me bashkim të njerëzve më të pastër të këtij vendi që shpeshherë janë njerëzit që kanë vuajtur më shumë”, do të thoshte Basha, që më herët në emër të PD-së i ka përcjellë qeverisë një plan konkret, pas takimeve me ekspertë të fushave të ndryshme, socio-ekonomik me pesë pika.
“Kjo paketë e thjeshtë dhe realiste është ndihma më e mirë që mund t’i jepet sipërmarrjes për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në zonat e goditura. Nga kjo varen mijëra vende pune dhe të ardhurat e dhjetëra mijëra familjeve”, do të thoshte Basha, ndërsa kryeministri Rama megjithë ftesat për bashkëpunim do të përgjigjej se platforma me pesë pika e PD-së, përkon me atë të qeverisë.
Fesën e kreut të qeverisë Rama ndaj kryeopozitarit Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi do ta komentonte ksi të shëmtuar dhe përpjekje për të larguar problematikën e mosveprimit.

“Sepse zoti Rama kërkonte të ndante hallin me ne mbasi përdori viktimat për fasadë dhe për propagandë për veten e tij, mbasi përdori dhe fëmijët jetim për propagandë, për imazhin e tij. Tashmë kërkon që ndarjen e problematikës të mos funksionimin e të gjithë gjërave të tjera kërkon ta ndajë me opozitën”, do të thoshte Kryemadhi, duke shtuar se prokuroria duhet te kishte nisur hetim të menjëhershëm ndaj mosveprimit me banorët e pallateve në Thumanë, që prej dëmtimeve të tërmetit të 21shtatorit.

Megjithë kritikat dhe akuzat, që gjithsesi vijnë më të matura në fjalor për shkak të specifikës së gjendjes pas tërmetit të 26 nëntorit që shënoi 51viktima, 900 të plagosur dhe mijëra të pastrehë, mes palëve vihen re sinjale dialogu, edhe pse në distancë. Por një dialog që nuk duket se do të prodhojë një rezultat konkret, veç përgjigjeve të Ramës ndaj disa prej kërkesave të Bashës dhe kriza politike premton të jetë po aq e gjatë sa edhe rimëkëmbja pas tërmetit, që pritet t’ë kushtojë qeverisë qindra miliona euro, ndërsa kjo e fundit pa mundur ta përballojë e vetme i ka hedhur sytë kah solidariteti dhe ndihmat e huaja.

Tërmeti, 5 masat me efekt të shpejtë të Bass

Sot inspektova disa prej sipërmarrjeve në Durrës, ndërsa pasditen e djeshme u takova me përfaqësues të Asamblesë së Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Durrësit.

Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Ndërprerja dhe reduktimi i aktivitetit ekonomik, dëmet në struktura, makineri dhe inventar, fatura financiare, pezullimi i punës nga një numër jo i vogël të punësuarish banesat e të cilëve janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë; këto janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet sipërmarrja.

Ndërkohë duhen paguar taksa, tarifa dhe fatura, kontratat me palët e treta, jashtë dhe brenda vendit mbartin detyrime kohore dhe financiare, sikundër bizneset përballen me pagesat e kësteve të kredive bankare. Sipërmarrësit nuk kanë ndërprerë pagat për të goditurit nga tërmeti edhe kur këta të fundit nuk kanë mundur të vijnë në punë prej 10 ditësh, shumë prej sipërmarrësve po kontribuojnë për riparimin e dëmeve në banesat e punëtorëve të tyre si dhe po ndihmojnë me sa munden në forma dhe mënyra të tjera.

Njësitë e hoteleri-turizmit po përballen me rënie dramatike konsumi dhe i tremben rënies apo anulimit të prenotimeve.

Pas një konsulte me përfaqësuesit e Asamblesë së Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Durrësit, me ekipin ekonomik të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar dhe ekspertë të fushës, si dhe bazuar mbi përvojat e ngjashme në vende fqinje, me qëllim për të shmangur futjen e Durrësit në një “dimër” ekonomik dhe social me pasoja të rënda për të gjithë vendin, në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar propozoj këto masa me efekt të menjëhershëm:

1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Gjithashtu i bëj thirrje sistemit bankar të riskedulojnë këstet e kredive në periudhën e rindërtimit për operatorët ekonomikë në zonat e prekura.

Kjo paketë e thjeshtë dhe realiste është ndihma më e mirë që mund ti jepet sipërmarrjes për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në zonat e goditura. Nga kjo varen mijëra vende pune dhe të ardhurat e dhjetëra mijëra familjeve.

PD: Rama-Basha, jo pasurimi i albumit fotografik

Në ditën e 13-të pas tërmetit, ajo që ju duhet shqiptarëve nuk është pasurimi i albumit fotografik propagandistik i Edi Ramës me Lulzim Bashën në një tryezë.

Ajo që kanë nevojë shqiptarët është një qeveri e përgjegjshme, një kryeministër që nuk e mbush ditën me shfaqje te shëmtuara me fatkeqët. Shqiptarëve nuk i duhet një kryeministër që shfrytëzon fatkeqësinë për të nxjerrë nga sirtari projektet me PPP korruptive për të pasuruar klientët e tij mbi gërmadhat e vdekjes.

Shqiptarët duan ndihmë për njerëzit në nevojë. Shqiptarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi para ligjit për fajtorët.

Po të triumfojë ligji mbi partinë, të parët që shkojnë në burg janë ata që lejuan banorët të futen në pallatet e Thumanës të çertifikuara të pabanueshme pas tërmetit të 21 shtatorit, nga Artur Bushi te qeveritarët e Tiranës.

Po të triumfojë ligji mbi partinë, Gjush Dako në vend që të ri-emërohet dhe të ngarkohet për zhdukjen e letrave live në ERTV, e të shoqërojë Ramën në Turqi, duhet të ishte në burg për masakrën urbane në Durrës, që është bërë me firmën e tij dhe me betonin e tij.

Edi Rama nuk mund ta mbulojë dështimin e tij me thirrje hipokrite. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme që çuan në viktima dhe vuajtje pa fund.

Pse emergjencat civile nuk kishin mjetet e duhura për të përballuar fatkeqësinë natyrore?
Pse i bëri lekët për paisje emergjencash, gaz helmues për popullin, dhe milionat për qen kërkimi, ushqim për babëzinë e qenveritarëve të korruptuar.
Pse nuk i heq 10 oligarkëve të tij 150 milionë dollarë të taksave të shqiptarëve që t’ua kalojë ato njerëzve në nevojë.

Shqiptarët tani ka nevojë për vepra dhe jo për llogje. Në vend të lotëve të krokodilit, shqiptarët kërkojnë siguri nga një qeveri që di dhe ka vullnet t’i zgjidhë problemet e tyre.

Deri tani në lartësinë e kërkesave të shqiptarëve është vetëm Lulzim Basha. Në këto 10 ditë, ai ka ofruar 2 plane për kapërcimin e shpejtë të fatkeqësisë: Planin e Emergjencës për banesat e dëmtuara dhe Planin për Rimëkëmbjen e Biznesit të prekur nga tërmeti.

Zgjidhjet e propozuara Edi Rama i ka mbi tryezë. Por si përherë atij nuk i intereson zgjidhja por shfaqja, nuk i interesojnë njerëzit por pushteti dhe paraja./Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back