Aktualitet

Dhunimi i zyrtarit të Partisë së Lirisë nga policia malazeze, reagon Abazoviç: Ka dy anë të medaljes

Shkruar nga Liberale
Dhunimi i zyrtarit të Partisë së Lirisë nga policia

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka reaguar sot për dhunimin e zyrtarit të Partisë së Lirisë dhe familjarëve të tij, nga efektivët e policisë në doganën e Murriqanit.

Një ditë më parë, mediatmalazeze kanë publikuar videon në të cilët shihet sesi një prej efektivëve godet me shpullë në fytyrë Petraq Milon, sekretar për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë.

Kryeministri tha se për videon e dhunimit më 15 janar të zyrtarit shqiptar, “janë ndërmarrë masa”. Ai tha se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate. Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.

“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, citohet të ketë thënë Abazoviç.

Pas publikimit të videos, reagoi një ditë më parë edhe Policia malazeze, duke informuar se ka nisur hetimi për rastin. Mediat raportojnë se ndaj efektivit që ka dhunuar Petraq Milon kanë nisur procedurat hetimore dhe mund të merren masa si pezullim nga puna, apo edhe masa më të ashpra deri në largim nga puna.

Kryetari i bashkisë së Ulqinit, Omer Bajraktari ka kërkuar që sa më shpejt të dënohet sjellja çnjerëzore e zyrtarëve duke shkruar se pret një reagim të shpejtë nga organet kompetente.

'Në emër të Komunës së Ulqinit, dënojmë ashpër sjelljen çnjerëzore të pjesëtarëve të Policisë Kufitare në vendkalimin e përbashkët me Republikën e Shqipërisë. Prandaj presim reagim të shpejtë dhe adekuat nga organet kompetente. Kërkojmë që, policia të bëjë një hetim urgjent dhe profesional dhe të ndëshkojë të gjithë ata që me sjellje të pahijshme dëmtojnë imazhin e shtetit. Aq më tepër që është shtetas i huaj dhe i moshuar! Njerëz të tillë thjesht nuk kanë vend në shërbimin civil!'- shkruan ai./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH