Dossier

Dëshmija e eprorit të Mujo Ulqinakut: I dhashë 12 napolona flori…

               Publikuar në : 18:07 - 07/04/20 liberale

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të kapiten Nuredin Pustinës me origjinë nga Dibra e Madhe dhe një prej familjeve më të njohura të asaj krahinë në luftrat kundra forcave të ushtrisë turke të komanduar nga Shefqet Dërgut Pasha dhe më pas atyre serbo-malazeze, ku disa nga djemtë e saj, tre vëllezërit: Bajram, Edip dhe Nuredin Pustina, në periudhën e Monarkisë së Zogut, pasi u diplomuan në shkollat dhe akademitë ushtarake, brenda dhe jashtë vëndit, shërbyen në detyra dhe funksione të ndryshme në Ushtrinë Kombëtare.

Kujtimet e panjohura të Nuredin Pustinës që ruhen ende nga familja e tij, lidhur me ngjarjet e prillit të vitit 1939-të, ku ai ishte caktuar dhe morri pjesë në rezistencën e armatosur kundra pushtuesëve italianë në rrethin e Durrësit, duke qenë komandant i kapterrit Mujo Ulqinaku, të cilin italianët e vranë pasi ai i denoncoi ata për heqjen e gjilpërave të topave të artilerisë.

Takimi i Nuredinit më datën 12 prill me familjen e Mujo Ulqinakut me ndërmjetësinë e Sul Kapidanit dhe shuma prej 12 napolonash flori që ai ua dha pasi ata i kërkuan ndihmë se ishin në një gjëndje të vështirë ekonomike. Dëshmia e të birit të Nuredinit, Luan Pustinës, lidhur me persekutimin e egër që pësoi familja e tyre gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, ku tre vëllezërit: Bajrami, Edipi dhe Nuredini, vuajtën gjatë në burgje dhe internime.

“Të parët e familjes sonë, duke filluar që nga stërgjyshi ynë Nurçe Pustina, ashtu dhe gjyshi Aliu, kanë qenë tepër të njohur në të gjithë krahinën e Dibrës, si prijsa e udhëheqës të kryengritjeve antiosmane dhe atyre kundër forcave pushtuese serbo-malazeze. Po kështu në vitet që pasuan, traditën e familjes sonë Pustina, e ndoqën tre djemtë e Aliut: Bajrami, Edipi dhe Nuredini, të cilët shërbyen si ushtarakë të Ushtrisë Mbretërore në periudhën e Monarkisë së Zogut.

Më i vogli i tre vëllezërve, Nuredini, më 7 prill të vitit 1939-të kur u krye agresioni fashist ndaj vëndit tonë, u ndodh në vend-komandën e Përgjithshme të Ushtrisë në Durrës, ku luftoi së bashku në një pozicion me Mujo Ulqinakun, të cilin e kishte vartësin e tij. Po kështu gjatë periudhës së pushtimit kur ai shërbente pranë Zyrës së Rekrutimit në Shkodër, ndihmoi Lëvizjen Antifashiste, duke liruar shumë të arrestuar nga burgjet, midis të cilëve dhe vëllain e Jordan Misjes.

Por i gjithë ai kontribut, që familja jonë kishte dhënë në dobi të çështjes shqiptare prej dy tre shekujsh, u harrua fare nga regjimi komunist që erdhi në pushtet në fundin e vitit 1944-ës, e ndaj familjes sonë filloi një kalvar i gjatë vuajtjesh me arrestime, burgosje e internime”. Kështu na dëshmonte për Memorie.al, Luan Pustina, pinjoll i një prej familjeve më të dëgjuara të parisë së Dibrës Madhe, e njohur për kontributin e saj, në luftrat kundër turqve dhe serbo-malazezëve, cili na rrëfente gjithë historinë tragjike që pësoi ajo familje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Po cila është historia e familjes Pustina, kush kanë qenë burrat më në zë të trungut të saj dhe si u persekutuan ata nga regjimi komunist?

Burgosja e Aliut prej Durgut Pashës

Lidhur me historinë e familjes së njohur Pustina të parisë së Dibrës së Madhe, është folur dhe shkruar shumë, kryesisht në kohën e Monarkisë së Zogut. Një nga ata që kanë shkruar për historitë e kësaj familje ka qenë dhe Terenc Toçi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë në periudhën e qeverisjes së Zogut, i cili ka përshkruar një ndodhi që ka të bëjë me Ali Pustinën, kur ai ishte arrestuar nga ushtarët e Durgut Pashës. Lidhur me këtë ngjarje të cilën Terenc Toçi e ka botuar në revistën “Shqiponja Arbnore”, midis të tjerash thuhet: “Në vjetin 1908, gjenerali otoman Durgut Pasha, kje dërgue prej xhonturkëve në Shqipni për çarmatim, e me të mbërritun në Dibër, urdhnoj menjëherë burgimin e paris.

Një nga të ndaluemit kje Ali Pustina, por tuej kenë se ky paditej se bante propagandë kombëtare tue përhap libra shqip e tuj gjetë tinzisht armë për popullin, u dënue me vdekje. Durguti para se të vërtetonte dënimin e të urdhënonte vdekjen e Pustinës, e thirri të dënuarin i cili ishte mveshun me teshat kombëtare dhe mbante mbi kokë fesin e bardhë shtrembtas, gati tuj mbulue njërin sy. Ay e kqyri pak gati me nënqeshje, por mandej ia plasi: E qysh guxon ti or dreq, me u paraqit para mejet me ksulën mbi sy’?! Pustina me një gjak të ftohtë të çuditshëm u gjegj: ‘A keni punë me mue, a me ksulën time’?. E tuj kenë se Pasha i idhnuem i urdhnoj rreptësisht me e hjek kësulën, i dënuari ja priti: ‘Asht zakon i shqiptarëve, me e mbajt në këtë mënyrë kësulën, e prandaj kjo kësulë ka me ndërrue vënd kur ka me u rrzue koka ime’.

Durguti ishte një oficer i pashpirt dhe prova të mjafta të kësaj ullije kishte dhënë sidomos në Prefekturën e Shkodrës në 1910 dhe 1911, por si ushtar trim, nuk e kqyrte me sy të keq edhe trimërinë e armikut. Prandaj i bani përshtypje tërheqëse guximi, përbuzës i një njeriu që ishte mbi prakun e vdekjes, dijti pastaj me e mbajtë hidhërimin, i ra me dorën e djathtë mbi shpatulla Pustinës dhe i tha: ‘Mbaje si të duash, or arnaut, kësulën tënde. Sjellja jote është e një njeriu të egër, por tregon trimni, prandaj un po të fal jetën e të çoj në Anadoll, n’internim të përjetshëm’. Të dytën ditë Ali Pustina asht nisun për në internim nën një roje të fortë, por në rrugën ndërmjet Strugës e Dibrës së Madhe, me një dhelpëni malsorësh ai u iku ushtarëve dhe duel në mal. Pas kësaj Durgut Pasha ia dogji shtëpinë dhe ia internoi familjen në Manastir”, përfundon shkrimi i Terenc Toçit për Ali Pustinën, dibranin trim që nuk u friksua aspak nga kërcënimi i Pashait të tmerrshëm turk.

Vrasja e Ali Pustinës

Pasi kishte kaluar një jetë të tërë në luftrat dhe kryengritjet kundër forcave osmane dhe atyre serbo-malazeze, Ali Pustina u vra në vitin 1915-të. Lidhur me vrasjen e tij dhe nderimin që iu bë atij nga popullsia e asaj treve, nipi i tij, Luan Pustina na tregonte: “Ali Pustinën e vranë në pabesi ushtarët serb të cilët hapën fjalë se do ta çonin për ta gjykuar për kryengritjet që kishte bërë kundër Qeverisë serbe. Rrugës në të dalë të fshatit, ata e vranë dhe e lanë ashtu të shtrirë të pakallur në dhe.

Pasi lajmi i vrasjes së tij mori dhenë, erdhën fshatarët e Okshtunit të cilët e morën kufomën e tij dhe e varrosën aty ku u vra, pak hapa më poshtë rrugës këmbësore që të shpie në Okshtunin e Madh. Lajmi i vdekjes së Aliut u çua që atë ditë në qytetin e Dibrës së Madhe, por autoritetet serbe nuk e lejuan familjen e tij që t’i hapte mortin në atë qytet. Pas këtij urdhëri familja e tij dhe të afërmit u mblodhën fshehurazi dhe e qanë atë në fshatin Kllopçisht, por dhe aty gratë nuk mundën ta qanin dot sipas zakonit, se ishin nën survejimin e autoriteteve serbe. Pasi u krye ceremonia e varrimit të Aliut, okshtunasi Ram Hoxha, i rregulloi varrin dhe mbi të shkroi një epitaf në të cilin thuhet: “Jam Ali Pustina / nga Dibra e Madhe / Vëllezër o trima / kam një lutje të madhe / këtej kur të kaloni / ju lutem udhëtar / vëllezër o shqiptar / shpirtin të ma gëzoni / fatiha këndoni / Barbarit të Serbisë / Mallkime t’i thoni”. Gjatë viteve që pasuan, fshati Okshtun e quante varrin e Aliut “varr të mirë” dhe fshatarët shkonin shepsh aty. Ndërsa për ta përjetësuar atë në kujtesën e banorëve të asaj treve, Hysen Kodra (babai i dëshmorit Siri Kodra), emrin e tij ia vuri një shkolle fshati në krahinën e Gollobordës”, kujtonte Luan Pustina, lidhur me vrasjen e gjyshit të tij, Ali Pustinës dhe vlersimin që i bënë atij fshatarët e Okshtunit.

Tre vëllezërit Pustina, oficerë të Monarkisë

Pas vrasjes së Ali Pustinës, për t’i shpëtuar përndjekjeve të ushtrisë serbe, familja e tij u shpërngul nga Dibra e Madhe dhe u vendos në Tiranë. Familja e Ali Pustinës kishte një miqësi të ngushtë me familjen Zogolli në Burgajet të Matit, miqësi e cila ishte lidhur që në fillimin e viteve 1900, kur të parët e asaj shtëpie gjatë rrugës për në Stamboll, pushonin tek Pustinat në Dibër të Madhe. Pas largimit nga Dibra e Madhe, aty nga viti 1916-1917-të, familja e Ali Pustinës, bashkëshortja me tre djemtë: Bajramin, Edipin, Nuredinin dhe vajzën Menduhien, erdhën dhe u vëndosën në Tiranë. Lidhur me këtë, nipi i Aliut dhe djali i Nuredinit, Luan Pustina, tregone: “Kur erdhën në Tiranë ata blenë një tokë tek familja tiranase Reçi dhe ndërtuan tre shtëpi aty ku sot ndodhet Rruga “Qemal Stafa”. Të tre djemtë u shkolluan në Shkollën Ushtarake të Perfeksionimit të Oficerëve në Tiranë, për të përmbushur një dëshirë që ju kishte lënë i jati Aliu, që kur ishte gjallë. Pas mbarimit të shkollave ushtarake, Bajrami u caktua në armën e Xhandarmërisë, Edipi i cili arriti deri në gradën e kapitenit, shërbeu si financier në prapavijat e Ushtrisë Shqiptare, ndërsa Nuredini, shërbeu në Autorepartet e Ushtrisë. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, tre vëllezërit Pustina shërbyen me besnikëri në të gjitha detyrat që iu ngarkuan. Bajrami shërbeu kryesisht në Tiranë, Edipi në Tiranë dhe në Burrel, ndërsa Nuredini në Durrës dhe në Shkodër. Të tre vëllezërit Pustina e ruajtën miqësinë me familjen e Mbretit Zog, i cili i ftonte ata sa here që Oborri Mbretëror jepte pritje të ndryshme në raste festash apo ceremonish”, kujtonte Luan Pustina për babain e tij Nuredinin dhe dy xhaxhallarët, Edipin e Bajramin, të cilët gjatë periudhës së Monarkisë shërbyen si ushtarakë të Mbretit Zog.

<
>
4-1-Photos-1 7-prill-39a-1 7-Prill-1939-4-1 20200406_225542 9240926404_5e47ed3d52_b BAJRAM_PUSTINA_1 BAJRAM_PUSTINA_ME_FAMILJEN (1) GAFURR_2-Jegeni IMG-20200407-WA0000 Italian_soldiers_passing_Albanians_7_April_1939 Mujo-Ulqinaku pushtim2-2 pushtimi-lufta-4-1 20200406_225452 - Copy 20200406_222032 - Copy 20200406_225135 - Copy 20200406_225211 - Copy 20200406_225257 - Copy

Nuredin Pustina, komandant i Mujo Ulqinakut

Në ditët e para të prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, i treti i vëllezërve Pustina, Nuredini, u ndodh në kursin e Perfeksionimit të Oficerëve në Tiranë. Më gjashtë prill, ai u dërgua në frontin e luftës në qytetin e Durrësit dhe u caktua në Shtabin e Komandës Operative e cila drejtoi rezistencën nën komandën e major Abaz Kupit. Në kujtimet e Nuredin Pustinës që ruhen edhe sot nga familja e tij, lidhur me atë ngjarje ai ka shkruar: “Më 5 prill 1939, nga shkolla u muarën shumë oficerë të gradave të ndryshme të cilët pasi i caktuan në reparte, i nisën me destinacion për në front. Unë shkova në Durrës dhe menjëherë nisa familjen për në Korçë, për të qenë më i lirë. Ato dy ditë e dy net, bëra pjesë në Shtabin e Komandës Operative në Durrës. Më gjashtë prill dhe natën e shtatë prillit, bënim dislokimin e forcave që vinin në Durrës, si artilerinë e rëndë që e çuam te Kisha nga rruga e Vilës, të komanduara këto nga togeri i artilerisë, Nazmi Baraka e Gaqo Mosko. Më datën shtatë prill, këta ishin të parët që shtinë kundër flotës armike që kishte përqëndruar pjesën më të madhe të anijeve të luftës karshi molit të Durrësit. Nga predhat e këtyre topave, ranë dhe në vaporrin që ishte koloneli italian Petinasi, i cili, më parë kishte qenë komandant i Artilerisë së Ushtrisë Shqiptare dhe kur ky erdhi më pas në Tiranë, tha: ‘Unë ju kam mësuar të qëlloni mirë me topa, por jo kundër meje’. Natën më gjashtë prill në mbrëmje, dërguam dinamit në Shijak dhe prishëm urën e Shijakut, ku vendosëm repartet e Këmbsorisë që vinin nga Elbasani, Tirana, e rrethe të tjera. Mbas orës dy të natës, u nda nga mua kapterri Mujo Ulqinaku dhe nga mëngjezi ai shkoi në Marinë, te Kalaja, afër Portit. Kur u ndamë më tha se do të shkonte të linte unazën që kishte në dorë dhe nuk u pamë më. Para nisjes unë i dhashë armatim nga depoja. Disa ditë më parë kur unë vija nga Tirana pranë familjes në Durrës, Mujo më raportoi se italianët që shërbenin në Marinën tone, u hiqnin gjilpërat topave të mëdhenj që ndodheshin në fortifikatat afër Vilës dhe gjatë rrugës për te Kisha. Këtë gjë unë ja raportova shefit të Transportit në Komandën e Mbrojtjes, kapiten, Ibrahim Ishmit, ky njoftoi gjeneralin, Komandantin e Mbrojtjes, dhe prej tij, njoftimi iu dha Komandantit të Marinës në Durrës, duke i tërhequr vrejtjen italianëve të Komandës së Mbrojtjes. Italianët morën vesh informatat e Mujos dhe këtë duket se nuk ia harruan deri sa e vranë. Unë, me oficerët e depos, nuk kishim asnjë ushtar nën komandë, por ne vajtëm vetë në vijën e parë. Unë u bashkova me Rojet e Kufirit, nën komandën e Komandantit të Kufirit, Kapiten Kadri Rustemit (nga Dibra). Ky mori në telefon kapiten Akil Sakiqin, i cili ishte komandant Batalioni dhe i thotë: Italianët zbritën në tokë (në mol) dhe filluan të ecin drejt nesh. Kompania kishte zënë pozicion karshi Bankës, afër molos. Lidhja me Tiranën ishte prerë, atëhere Kadriu nxorri revolen dhe shtiu i pari. Kjo ishte shenja, urdhëri i zjarrit. Atëhere filloi zjarri i gjithë kompanisë. Gjithë repartet ngado që ishin filluan zajarrin. Italianët u kapën në befasi, mbasi ata nuk e pritnin që do të bëhej rezistencë. Atëhere italianët u tërhoqën, u futën në vaporë, por u goditën shumë prej tyre. Pati të vrarë dhe të plagosur rëndë. Këta u dërguan menjëherë për në Itali, por pas disa ditësh pamë ish-komandantin e Marinës, majorin Tedei dhe marshallë të tjerë, me krah të lidhur e të plagosur. Italianët pasi u futën në vaporët që qëndronin në mol, nxorrën armatimet e tjera dhe tanket, e filluan ofensivën me armë të rënda në të gjithë drejtimet, pra, drejt nesh që ishim pranë Bankës, nga Hoteli te kalaja, në Currilat, te AGIPI, në Plazh, karshi Urës së Dajlanit etj. Marina armike filloi të qëllonte nga deti dhe disa predha i ranë edhe Fabrikës së Miellit. Mbas pak erdhën në vijën e frontit edhe të burgosurit, të cilët mbasi u armatosën u rrjeshtuan për luftim. Disa prej tyre i takuam më vonë në Shijak, i mora në makinë për në Tiranë, ishin të plagosur. Me urdhër nga Tirana u dërgova menjëherë në Autorepartin e kamjonëve në Xhafzotaj-Durrës (ku unë shërbeja si oficer) për të përgatitë automjete të tjera nga të mobilizimit. Nën rrebeshin e plumbave shkova në Durrës me një kamjon dhe aty përgatita pesëmbëdhjetë kamjonë dhe u nisa për në Durrës. Kur mbërrita në Rrashbull sapo kishte qëlluar armiku me artileri të rëndë, kështu që ishte i pamundur kalimi dhe u strehuam në një hendek. Aeroplanët armiq na fluturonin mbi kokë. Mbas pak filluan të vijnë shokët që kishim lënë në Durrës, të cilët po tërhiqeshin me urdhër. Atëhere u bashkuam dhe u drejtuam për në Tiranë. Kur mbërritëm te Hani i Hamit Beut, para Vorës, gjetëm një batalion që kishte zënë pozicione lufte. Na ftuan edhe neve që të zinim pozicionet. Ne pranuam dhe u ndalëm. Mbas pak edhe këtë repart e nisin për në Tiranë. Më tetë prill Tirana ishte pushtuar nga ushtritë armike dhe Mbreti e qeveria ishin larguar për në Greqi. Më datën 12 prill, kthehem në Durrës. Të parën punë që bëra kërkova familjen e Mujos, sepse e dija që ishte keq ekonomikisht. U lidha me ta nëpërmjet Sul Kapedanit e më kërkuan ndihmë financjare. Atëhere mblodha 12 napolona flori dhe ja dhashë. Ata shkuan në Seman, tek dajat e tyre”, përfundon rrëfimi i Nuredin Pustinës, lidhur me ngjarjen e 7 prillit të vitit 1939, ku ai furnizoi me armatim Mujo Ulqinakun. Gjatë viteve të pushtimit fashist të Shqipërisë, ashtu si shumë ushtarakë shqiptarë, edhe Nuredin Pustina i’u përgjigj thirrjes për të shërbyer në Ushtrinë Kombëtare. Gjatë viteve 1940-‘42 ai shërbeu në Zyrën e Rekrutimit në qytetin e Shkodrës ku dha një ndihmesë të madhe për Lëvizjen Antifashiste, duke liruar nga burgu i shumë komunistëve shkodranë, midis të cilëve dhe vëllanë e Jordan Misjes. Në vitin 1943 Nuredini u caktua si komandant i Garnizonit të Lezhës, ku së bashku me Siri e Shaban Strazimirin, organizoi arratisjen e forcave të atij garnizoni, i cili u shpërnda i gjithi. Pas kësaj Nuredini shkoi në krahinën e Dibrës ku u takua me shokun e tij të vjetër Dali Ndreun. Ndonëse Nuredini dha një ndihmë të madhe për Lëvizjen Antifashiste, ai nuk pranoi të bashkohej me forcat partizane.

Kapiten Mefail Pustina, luftoi në Afrikë

Përveç tre vëllezërve Pustina, në ushtrinë e Mbretit Zog shërbeu edhe kushëriri i tyre i parë, Mefail Pustina (i lindur më 1914-ën) i cili u diplomua në Akademinë Ushtarake të Torinos. Pas mbarimit të Akademisë në fundin e viteve ‘30-të dhe fillimin e viteve ‘40-të, duke qenë se ishte oficer i ushtrisë italiane, kapiten Mefail Pustina u dërgua në frontin e luftës në Afrikën e Veriut. Lidhur me këtë, Luan Pustina dëshmon: “Një nga ish-kolegët e shokët më të ngushtë të Mefailit, gjeneral Cotta, më ka treguar se aty nga viti 1943, kur ushtria italiane po tërhiqej nga Tunizia, anija me të cilën ata po lundronin u godit nga një predhë avioni. Në ato çaste të gjithë ushtarët u hodhën në det dhe ndërkohë që ata ishin pa asnjë shpresë shpëtimi, Mefaili mundi që të shkëpuste një varkë nga anija që po mbytej, ku hipën të gjithë ushtarët. Atë guxim që tregoi Mefaili për të shpëtuar të gjithë shokët e tij nga vdekja e sigurtë në fundin e detit, ata nuk ia harruan kurrë. Kështu pas viteve 1945-së, kur Mefaili ishte kthyer në Shqipëri, ata sa herë mblidheshin në ceremoni të ndryshme në Itali, linin një karrike bosh me emrin e ish-kolegut të tyre shqiptar, Mefail Pustina dhe dollinë e parë e ngrinin për të”, tregon Luan Pustina, dëshminë e gjeneralit italian Cotta, për kushëririn e tij Mefailin, i cili pasi u kthye në Shqipëri u bashkua dhe luftoi me partizanët. Pas mbarimit të Luftës, Mefaili shërbeu në armën e Xhenjos të Ushtrisë Shqiptare dhe drejtoi punimet për hapjen e Rrugës Kukës-Peshkopi, Gramsh-Lozhan etj. Ndonëse ai dha një kontribut të madh në ndërtimin e veprave xhenjere, nuk mundi që t’i shpëtonte dot valës së goditjes që ishte destinuar nga regjimi komunist për të gjithë ushtarakët që ishin diplomuar në Perëndim.

Vëllezërit Pustina, burg e internim

Menjëherë pas mbarimit të Luftës kur komunistët erdhën në pushtet, familja Pustina ishte një nga ato familje e cila u gjend e para nën goditjen e tyre. Pasi iu konfiskuan shtëpitë që kishin në Tiranë, komunistët më pas filluan dhe arrestimet ndaj tyre. Lidhur me këtë, Luan Pustina tregonte: “Që në fillimin e vitit 1945-së, u arrestua xhaxhai, Bajram Pustina, i akuzuar se kishte marrë pjesë me grupin e oficerëve që kishin ruajtur Kurorën e Skënderbeut që u çua në Romë. Po kështu një nga akuzat e tjera që iu bë atij, ishte pjesmarrja në Gjykatën Ushtarake në Tiranë në kohën e gjermanëve. Bajrami u nxuarr në Gjyqin Special dhe në fillim u dënua me vdekje e më pas me burgim të përjetshëm. Pasi vuajti për 15-vjet në burgun e Burrelit, ai vdiq nga një sëmundje e rëndë në vitin 1962. Po kështu në vitin 1947, u arrestua dhe babai im Nuredini, i cili në ato kohë qëndronte i fshehur në Tiranë, për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve. Pasi u mbajt për gjashtë muaj në hetuesi, Nuredini u dënua me tre vjet burg, të cilat i vuajti në Kampin e Maliqit duke punuar për tharjen e kënetës. Pas daljes nga burgu, Nuredini punoi si puntor në komunale dhe në ndërrmarjen e ndërtimit të rrugëve. Po kështu pas arrestimit të Bajramit dhe Nuredinit, hakmarrja e komunistëve ra edhe mbi familjen e xhaxhait tjetër, Edipit, i cili u internua familjarisht në Elbasan, ku jetoi deri në vitin 1970-të. Kur u kthyen në Tiranë ata jetuan në një barakë të keqe sepse shtëpia e tyre ishte shtetëzuar. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të tre familjet e vëllezërve Pustina u shpallën familje reaksionare dhe fëmijët e tyre punuan në punët më të rënda. Nga i gjithë fisi vetëm unë munda ta mbaroja shkollën e lartë natën”, e përfundonte rrëfimin e tij Luan Pustina, një nga pinjollët e asaj familje ndër më të njohurat e parisë së Dibrës së Madhe.

Mustafa Qemal Ataturku shpërbleu Hajredin Pustinën

Përveē familjes së Ali Nuredin Pustinës, prijësit të vullnetarëve dibranë që luftoi për vite me rradhë kundër forcave osmane dhe serbo-malazeze, nga ai trung i fisit të njohur të Parisë së Dibrës së Madhe, kanë dalë edhe shumë burra të tjerë që kanë bërë emër të madh. Siç ishte Sefedin Pustina, i cili në vitin 1912-të, ishte Kryetar i Qeverisjes së Dibrës së Madhe. Një tjetër burrë me emër të madh i kësaj familje, ka qenë dhe Hajredin Pustina, i cili në vitet e para të shekullit të kaluar, ka shërbyer si kajmekam në vilajetet turke që ndodheshin në pjesën europiane të Perandorisë Turke. Në vitet e fundit të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ai shërbeu si Kajmekam në qytetin e Selanikut. Në vitin 1916-të, ai u shpëtoi jetën disa oficerëve turq, ku midis të tjerëve ishte dhe Mustafa Qemali (Ataturku). Pas ardhjes së Qemal Ataturkut në pushtet, në shenjë mirënjohje ai i dhuroi Hajredin Pustinës një pallat në qëndër të Stambollit, të cilin edhe sot e kanë në pronësi pasardhësit e familjes Pustina. Po kështu një nga pinjollët e tjerë të fisit Pustina, ka qenë dhe Doktor Masar Pustina, i cili pas mbarimit të Luftës, u arratis nga Shqipëria për në SHBA, ku u zgjodh Kryetar i Këshillit Kombëtar të Lëvizjes së Legalitetit. Nga trungu i familjes së njohur Pustina, kanë qenë dhe katër vëllezërit intelektualë: Nazim, Irfan, Sefedin dhe Skënder Pustina. Irfani ka qenë Doktori i Shkencave Mjeksore dhe Drejtor i Spitalit Civil të Tiranës. Edhe Sefedini kishte mbaruar për Mjeksi, ndërsa Nazimi ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake në Modena të Italisë. Në vitin 1944, Irfani u arrestua nga gjermanët se mjekonte partizanët e Pezës. Goditja ndaj katër vëllezërve Pustina, filloi që në vitin 1946 kur u arrestuan Irfani dhe Nazimi, që kishte qenë Komandant i Qarkut të Dibrës, këshilltar ushtarak në Kryeministri dhe Pedagog në Shkollën e Oficerëve në Tiranë. Nazimi u dënua me 20-vjet burg, ndërsa Irfani në fillim u dënua me vdekje, por më pas iu fal jeta duke i vënë kusht që të punonte si mjek pa pagesë në qytetin e Vlorës. Pas dënimit të Nazimit e Irfanit, familjet i’u internuan në Krujë dhe persekucioni ndaj tyre vazhdoi deri në rrëzimin e regjimit komunist./Memorie.al

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back