Letërsi

"Dëshmia e Puçit"/ Rrëfime nga Balla, një nga ‘puçistët’ e 21 janarit

Shkruar nga Liberale

Dëshmi dhe rrëfime të atyre që u bënë protagonistë të ngjarjes që la pas 4 viktima dhe shumë pikëpyetje

Nga Luiza Pinderi

Një dekadë pas 21 janarit 2011, gazetari Sokol Balla sjell në dritë librin e tij më të fundit “Dëshmia e Puçit’’, botim i UET Press, me rrëfime dhe dëshmi të disa prej atyre që u bënë ‘protagonistë’ të ngjarjes së përjetësuar në historinë politike shqiptare, përmes vdekjes së 4 protestuesve. Libri u prezantua për herë të parë këtë të enjte në Department’s Book Review, ciklin e bisedimeve që tashmë zhvillohet prej javësh në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, nën respektimin e masave anti-Covid.

Në një bashkëbisedim me pedagogët dhe studentët e Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit dhe Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtarë, autori rrëfeu arsyen pse ky libër vjen në këtë moment, në këtë 10 vjetor, në këtë vit elektoral në Shqipëri, ku para kemi një betejë zgjedhore. Balla tha se ka disa arsye përse ka zgjedhur pikërisht 21 janarin e 2021 për të sjellë rrëfimet e të akuzuarve për grusht shteti, mes të cilëve gjendej vetë, por edhe dëshminë e ish-gardistit që qëlloi, si dhe reflektimin e një ish-ambasadori amerikan, atë të Alexandër Arvziu.

“Fakti që libri del në 10 vjetor, përkon me një datë të rëndësishme, pasi 1 dekadë është një periudhë e rëndësishme në jetën tonë biologjike. Nuk është ndonjë epokë e madhe në pikëpamjen kohore për historinë. Kjo përforcohet edhe me faktin, që 21 janari është një ngjarje e pambyllur. Është një ngjarje e pa hetuar dhe sigurisht është një ngjarje e pandëshkuar. Ajo që dimë ne është se më 21 janar kanë vdekur 4 veta, por vetëm dy prej atyre ka autorë, të cilët në një shkallë të gjykimit morën dënim, por në shkallën tjetër u nxorën nga burgu dhe njëri prej tyre është shpërblyer me shtëpi. Kjo ngjarje ka disa karaktere që duhet të zbulohen, pa dyshim çfarë ndodhi, kush e shkaktoi dhunën, pse u shkaktuar kjo dhunë dhe më pas pse u vranë 4 vetë. Libri kujton në mënyrë lakonike dhe si një kronikë  të vërtetë gjithë ngjarjen dhe dëshmitë e të gjithë palëve, pra edhe nga dëshmitë tona si dëshmitar, si gazetar, dëshmitë e diplomatëve të huaj, edhe dëshmitë e ish-gardistëve. Unë mendoj se kisha një detyrim ndaj vetes në radhë të parë, sepse ka qenë një moment i rëndësishëm për jetën time personale dhe profesionale padyshim, që mund të jepja atë dëshminë time që komisioni i famshëm hetimore nuk ma kërkoi kurrë”, u shpreh Balla.  

Ai shtoi, se libri është dëshmi e një ngjarje të caktuar dhe e analizon atë si një proces që nuk ka filluar më 21 janar, por ka filluar më herët dhe i shërben vetëm të vërtetës, askujt tjetër e aq më pak 25 prillit. Autori rrëfeu më tej, se shkoi në protestën e 21 janarit si gazetar për të ndjekur ngjarjen dhe nuk priste askush prej tyre, që gjërat të shkonin në atë formë e aq më pak të bëhej protagonist.

“Ne na zgjodhi dikush tjetër, pra dikush vuri gishtin dhe tha: “ky është protagonist”. Unë kam shkuar aty si thjesht gazetar për të ndjekur ngjarjen, me pritshmëri të caktuara për shkak të situatës së ngarkuar dy javë rresht, pas publikimit të vide-përgjimit dhe deklarimeve të vetë Ramës se nuk do të  bëhej më fjalë për protestë, por për demonstratë. Në një moment të tillë ku përplasja paralajmërohet, ti shkon për të parë se çfarë do të ndodhë. Nuk na shkoi kurrë mendja, së paku një pjesë të madhe prej nesh që do të kishte viktima dhe humbje jete njerëzish”, tha Balla.

“Dëshmia e Puçit” është libri i pestë i gazetarit Sokol Balla, botuar nga UET Press. Librat e  tjerë të autorit të sjellë nga kjo shtëpi botuese janë: “Loja që ndryshoi Shqipërinë”, “33”, “Fjala e lirë, sfidë europiane” dhe “Viti i mbarë”.  

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH