Krye

Department’s Book Review/ Peza sjell librin e radhës “Eneveriada”

               Publikuar në : 10:11 - 16/01/21 liberale

“Enveriada”, optika e re që zbërthen kolonat e pushtetit që mbajtën shtetin komunist

Në takimin e radhës të Department’s Book Review i zhvilluar nga Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET ishte i ftuar Alfred Peza për një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogë mbi librin e tij më të ri ”Enveriada”.

Promovimi i librit u zhvillua të premten në vazhdën e  takimeve të “Department’s Book Review”,  cikli i bisedimeve që tashmë po vjen prej javësh në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, nën respektimin rigoroz të masave anti-Covid. Nën moderimin e pedagoges, Dr. së Shkencave të Komunikimit, Irena Myzeqari dhe nën praninë fizike e virtuale të studentëve dhe pedagogëve, Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit zhvilloi një bisedë me autorin, rreth simbolikës që mbart ky libër dhe elementëve që e diferencojnë nga autorët e tjerë, që kanë trajtuar në veprat e tyre ngjarje dhe simbolika të periudhës së komunizmit.

Nga Shqipëria e Ahmet Zogut në librin e tij të parë “Sarah”, Peza shpërfaq në “Enveriada” realitetin e Shqipërisë komuniste, nëpërmjet një rrëfimi, që vështirë se mund të karakterizohet, por që të pranishmit ranë dakord që në këtë libër i gjen nga pak të gjitha kategoritë, pak letërsi, pak antropologji, sociologji, memoristikë, kumtime, pra një zhanër jo aq i lëvruar, por jo tërësisht i panjohur.

Profesorja dhe studiuesja e letërsisë, Greciana Abazi i bëri një lexim analitik librit, duke e futur brenda zhanrit të fictionit, teksa u shpreh se autori ka një mendim të sofistikuar për ngjarjet dhe zbërthimin e tyre përmbajtësor. Sipas saj, baza e romanit është një histori rozë, por protagonisti kryesor është Sigurimi i Shtetit, ndaj të cilit autori bën një qasje të re dhe të panjohur më parë.

“Libri i Pezës mund të them që futet brenda zhanrit të fictionit, pavarësisht se brenda ka të gjithë elementët, qoftë të antropolgjisë apo të tjerave, por që është mirëfilli një letërsi. Pas viteve ’90, kemi pasur një interes të shtuar për histori. Në periudha trazairash ne vazhdimisht duhet të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, për të kuptuar se kush jemi dhe e shoh që Peza është drejtuar drejt historisë. Edhe romani i tij i parë “Sarah” kishte një dimension të fuqishëm historik për Shqipërinë e Zogut, edhe ky roman ka një dimension të fortë historik, për Shqipërinë komuniste. Karakteristikë e të dyve është që të dy sjellin një histori rozë, që ka lënë gjurmë në jetën publike. Kjo i ka dhënë mundësi shkrimtarit që të depërtojë gjatë periudhës, pra të japë mendimin e vet dhe duhet të them që ka një mendim shumë të sofistikuar, qoftë për shqiptarët, qoftë për atë se si janë zhvilluar ngjarjet dhe çfarë kuptimi kanë pasur ato. Vërtet bazën e nis nga një histori rozë, por protagonistët nuk janë të dashuruarit, as Enver Hoxha apo Mehmet Shehu. Protagonisti kryesor është Sigurimi i Shtetit dhe ka një qasje ndaj tij, ndryshe nga ajo se çfarë jemi mësuar ne ta shohim sot, në marrëdhënien e sigurimit me individin. Ndërsa te ky roman trajtohet marrëdhënia e Sigurimit me pushtetin, pra shihet një dimension tjetër, përtej kontrollit. Autori është përpjekur të kuptojë se si ka funksionuar sigurimi në këtë marrëdhënie kontrolli të pushtetit. Që të kuptosh mënyrat e operimit të shërbimeve inteligjente, është pak a shumë e pamundur, dhe për të shpjeguar këtë pamundësi ”, tha Abazi.

Drejtuesi i Departamentit të Arteve në UET, Ermir Nika u shpreh se libri “Enveriada” thyhen shumë skema dhe steriotipe, por nuk është një zhanër i panjohur, pasi në botë i kanë bërë këto lloj thyerjesh shumë kohë më parë. “Mund ta lexosh si roman dhe nuk është roman, mund ta lexosh si kronikë dhe nuk mbetet te kronika, sepse i ka të gjithë dhe në fund të leximit ti shikon se i ke prekur të gjitha”, tha Nika, duke e quajtur Pezën një autor që guxon dhe sfidon. Nika u shpreh më tej, se pavarësisht se ne mund t’i njohim ngjarjet e asaj kohe, ato mbeten mjaft tërheqëse nën penën e Pezës, pasi kanë një vijueshmëri dhe kthjelltësi nga fillimi deri në fund.

“Historia kryesore në këtë roman është historia e dashurisë të djalit të kryeministrit. Është romani i tretë që e trajton të njëjtën temë: kemi “Vjeshta e ankthit” e Bashkim Shehut, kemi “Pasardhësit” i Kadaresë, kemi edhe “Enveriadën”. Ajo çka unë vë re, është që të tre autorët e kanë pasur shumë të vështirë të shkëputen nga realiteti, pra trilleri aty e ka shumë të vështirë të zhvillohet. Te Kadare është më e theksuar, fryma, kreativiteti, ndërsa te kjo vepër më duket se autori, njëlloj si ai piloti, e ka tejet të ngarkuar helikopterin dhe shkëputjen e ka tejet të zorshme, është mjaft i mbarsur. Pajtohem me faktin se nuk ka asgjë më fantastike se realiteti.  E veçanta e veprës për mua është se, e kalon vitet para ’90 dhe krijon konturin e tranzicionit, një tranzicion shumkë i vrarë, por që këtu i ke formulat, brenda. Në atë sistem diktatorial, të jepet formula e vazhdimësisë, të jepet konturi i tranzicionit. Në një farë mënyrë përgatit se çfarë tranzicioni do të vijë. Skemat ishin shumë të konsoliduara, letrat për të shkruar e interperetuar.

Është një vepër që i takon kritikës letrare, i takon mendimit sociologjik dhe psikologjik shqiptar, pra duhet parë në shumë këndvështrime. Sigurisht ka një strukturë rrethanore, por nuk mbetet aty. Krijimtaria aty është një kontur që sa të josh të futesh dhe pastaj të jep një realitet që e njeh dhe nuk e njeh, sepse është bërë një punë hulumtuese mesa shikoj. Autori është në dy dimensione, është shkrimtari dhe përkthyesi njëkohësisht, sepse fillon edhe ta përkthejë atë realitet, pasi ka parasysh një gjeneratë që po vjen dhe do të ushqehet me atë të kaluarën, që e ka të dëmtuar nëpërmjet skemave shabllone”, u shpreh Nika.

Drejtuesja botimeve UET Press, Suela Mino theksoi, se autori ka guxuar që në kopertinë, të ketë një emër që identifikon dhe jep një gjeografi, pavarësisht se Enver Hoxha nuk është personazhi. Sipas saj, elementi që dallon këtë prurje të re letrare është simbolika që përmban për dekodifikimin  e pushtetit.

“Përtej gjeografisë, bulevardit të Tiranës, apo disa emrave që ne njohim, dhe që autori nuk ka pasur drojë t’i shpallë që në kopertinë, dekodifikimi i pushtetit është përtej të gjitha këtyre dhe tejkalon regjimin e Enver Hoxhës, për të mbrojtur të gjithë atë që i komunikohet një publiku të caktuar për të komunikuar një vetëdije. Pastaj, metafora, enumeracioni që ka në tekst, janë elementë që autori i përdor për të shpallur veten e vet si shkrimtar apo për të apsur prurjen e vet letrare në komunikimin me lexuesin. Lexuesi në këtë libër ka rast të ndalet dhe të mendojë dhe për sa kohë që kjo është e mundshme të ndodhë, unë besoj se është një vlerë e shtuar më tej”, nënvizoi Mino.

Vetë autori e quajti një roman simbolik, sepse merret me simbolikën e pushtetit. Peza tha se nuk është historian për të bërë një interpretim të fakteve, por përmes metaforës, përmes simbolikës ka krijuar strukturën e atij shteti dhe ka zbërthyer elementët që atë pushtet e mbajtën në këmbë për një periudhë të gjatë kohore.

 Intervista/ Alfred Peza: 1967, viti zero ku fillon epoka e kësaj maratone që quhet Enveriadë

Titulli është në fakt goxha interesant dhe që godet që në fillim. Doja ta pyesja z.Peza, nëse Enveriada është një planet, apo një rrugëtim, sepse herë- herë duket sikur është një maratonë e gjatë në të cilën dikush duhet të vrapojë dhe herë -herë e shohim si planet.

Për mua është një maratonë, është planet, është epokë. Është epoka, kur në vitin 1967, që për mua është viti 0, pasi ky është viti kyç i regjimit, jo vetëm se ishte viti që përkoi në mes, 23 vite pas luftës dhe 23 vite para se të binte komunizmi, pra hallka lidhëze e dy periudhave të epokës, por në vitin 1967, Enver Hoxha pasi e forcoi totalisht kontrollin mbi pushtetin, mbi shokët, mbi shqiptarët dhe kur perëndimi dështoi për ta rrëzuar si gurin e parë të dominosë të Evropës Lindore, përmes operacionit “Liqeni i Vajaklit”, atëherë ai e kuptoi që pushteti të mbahej i përjetshëm nuk duhej improvizuar por duhej shndërruar në sistem. Ky ishte momenti kur fillon ndalimi i fesë, që përkon edhe me Revolucionin kulturor kinez, fillon zyra e letrave të popullit, ngrihet syri i shqiponjës dhe fillon botimi i veprave të diktatorit. Viti 1967 ka qenë viti kyç sipas meje, por po t’i hysh edhe historisë, por unë e kam parë si shkrimtar. Për të arritur deri atje, unë e kam edhe se nga e mori modelin. E mori modelin nga njeriu i sekreteve të Hitlerit, për të cilin ka dokumente që ka qenë në Shqipëri dhe që sipas meje ka ndihmuar në ngritjen e këtij sistemi. Ka edhe përgënjeshtrim të Agjencisë telegrafike Shqiptare dhe të gazetës “Zëri i Popullit” të asaj periudhe që e përgënjeshtrojnë, që do të thotë se ai ka qenë, sepse një regjim nuk ka pse të përgënjeshtrojë diçka që nuk ekziston. Më shumë sesa kaq, duhet kuptuar se që nga ky moment e tutje, filloi të krijohej shteti i parë ateist në historinë e njerëzimit dhe ndalimi i fesë, ndalimi i Zotit, krijoi planetin e ri me zotin ateist. “Zoti vdiq, rroftë zoti ateist”, thoshin shqiptarët. Kjo është ajo që e krijon si planet dhe këtu fillon maratona dhe epoka e kësaj maratone për mua quhet Enveriadë.

Ju përpiqeni të jeni në libër të jeni shkrimtar, përpiqeni them, sepse është një përpjekje që dikush zgjedh ta bëjë, e bën deri në fund të jetës, por mënyra se si ju zgjidhni ta bëni është si mbrojtja e një gazetari që ka gjurmuar detajet. Ndaj guxoj të them, që “Enveriada”, më duket më tepër një analizë e një gazetari ekselent, i cili ka ditur të kapë detajet dhe për ta bërë leximin e shkrimit të tij interesant ka futur elementë të letërsisë. Ndaj duke u nisur nga ideja që ju jeni një gazetar ekselent, “Enveriada”, çfarë tributi i bën Enver Hoxhës në këtë 30 vjetor të tranzicionit dhe çfarë tributi i bën komunizmit?

E para, duhet të kuptojmë një gjë. Nëse shihni Netflix dhe nëse lexoni romanet moderne, kanë rënë kornizat e steriotipeve të romanit me heronj dhe anti-heronj të socializmit, ashtu si edhe në pikturë, ku nuk ka më piktura me gra me muskuj dhe burra më çekiç dhe kazmë. Ne quajmë pikturë, çdo lloj gjëje që një autor na fton në ekspozitë dhe thotë që kjo është pikturë, pavarësisht se ne nuk shohim as pikturë e asnjë gjë. Kur bënim kritikën e artit dekadent, ne tregonim një histori. Një kritik arti shkoi në ekspozitë dhe pa një beze të bardhë, ndërkohë që titullohej ‘Lopa dhe fshatari’. Kur pyet për to kritiku, autori i thotë se lopa erdhi hëngri barin e iku e unë kam pikturën. Kur isha gazetar, më thoshin që nuk je gazetar i mirë. Kur hyra në politikë më thanë që je gazetar ekselent. Kur të dalë nga politika do thonë që kam qenë një politikan shumë i mirë dhe kur të dal nga letërsia do të thonë që ishte shkrimtar i shkëlqyer.

Dhe përgjigjen e dhatë tamam si politikan.

Shiko, duhet të kemi parasysh që jam një personazh atipik dhe nuk mund të më përkufizosh dot as si gazetar, as si analist, as si biznesmen, as si shkrimtar. Unë thjesht eksploroj limitet e mia dhe ofroj gjërat e mia për ata që dëshirojnë të lexojnë, për ata që dëshirojnë t’i ndjekin dhe ata që dëshirojnë t’i kuptojnë. E fundit gjë që unë në roman, është që t’i bëj ndonjë tribut apo ndonjë homazh për atë periudhë. Përkundrazi, kam bërë një autopsi të atij sistemi dhe guxoj të them që është romani i dytë në letërsinë shqipe për Enver Hoxhën, pas “Dimri i vetmisë së madhe”, që më pas u bë “Dimri i madh”, i ismail Kadaresë, i shkruar në vitin 1971. Pas 50 vjetësh kemi në letërsi, personazh jo kryesor, por që rreket të bëjë këtë gjë për Enver Hoxhën dhe për atë sistem. Ajo çka unë kam bërë është një letërsi moderne, që thyen steriotipet e ngushta letrare të asaj çka ne kemi mësuar në mënyrë skematike të përkufizojmë se çfarë është një roman apo vepër letrare, sepse duhet të kuptojmë se skena si këto tek libri, përtej modestisë sime, mund t’i shohësh sot në disa nga zhanret dhe filmat që po thyejnë rekord në Netflix, duke nisur që nga historia e Çurçillit, historia e mbretëreshës së Britanisë, etj.

Ju sapo thatë që keni bërë edhe një profil të paraardhësit, libri i dytë që e bën këtë gjë, sipas jush. Unë si lexuese, do të thosha se më tepër se një profil për paraardhësit dhe pasardhësit, ky është një profil për herë të parë për udhëheqësin e ri, i cili përmes bisedës me z. Besim K., juve nxirrni figurën e një politikani që për shumë vite nuk kishte kuptuar asgjë nga puna që kishte bërë. A keni pasur si qëllim kur keni shkruar këtë libër, që të ofronit edhe një profil të udhëheqësit, i cili vazhdon të mbetet në hije?

Ajo që jam munduar të jap është një strukturë për mënyrën sesi ka funksionuar regjimi totalitar në Shqipëri përmes trinisë së pushtetit, që sipas meje bazohet ashtu si “Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë”, ashtu siç jemi mësuar ehe në fizikë, që trupat për të ndenjur në ekuilibër do të duhet të mbështeten të paktën në tre pika, për mua ai pushtet mbetej në këmbë, sepse mbështetje mbi tre pika, kolona, që janë: ateizmi, ku duke iu ndaluar fenë shqiptarët do t’i faleshin vetëm atij lart, që ishte paraardhësi;

E dyta ishin letrat e popullit. Një udhëheqës pas ’90 tha: “të gjithë bashkëvuajtës dhe të gjithë bashkëfajtorë”. Ky është elementi i bashkëfajësisë, sepse të gjithë u gënjyen siç gënjehen nga regjimet totalitare. Edhe prindërit tanë janë gënjyer, sepse duke i shkruar letra atij mendonin se po zgjidhnin halle, por nuk e dinin që ai po i kontrollonte nëpërmjet tyre, një sistem shumë i sofistikuar.

Sigurisht që algoritmi është një element i përdorur dhe nuk është shpikur as një ’67, s në vitet ’80, por është një element matematikor dhe i shkencave të natyrës, i cili ka një histori shumë të lashtë, pro duhet të them vetëm një gjë. Aq shumë investonte regjimi për teknologjinë e përparuar në funksionin e vet, saqë Shqipëria në vitin 1989 ka pasur lidhje me internetin. Universiteti i Shkencave të Natyrës ishte i lidhur me Universitetin e Pizës me internet. Unë kam qenë student dhe kam shkuar në vitin 1985 dhe kam parë kompjutera shumë të zhvilluar në këtë universitet.

Regjimet totalitare nuk i kanë asnjëherë paratë, kur vjen puna për mbajtjen e pushtetit. Dhe një element ishte bashkëpunimi me mafien ndërkombëtare. Në Shqipëri ka ekzistuar linja e trafikut të cigareve, në bashkëpunim me mafien italiane nga Enver Hoxha. Dhe këto para, shkonin për Syrin e Shqiponjës, për teknologjinë e përparuar, për big data. Ajo çka unë kam thënë është një strukturë letrare, por të mbështetur në realitet.

Rreth fundit të librit, në faqen 286, ju botoni 10 urdhëresat, simbolikë shumë interesante, që edhe romani i mbart. Por në pikën 4, mua më goditi shumë fjalia: “Tranzicionin drejt së ardhmes, e udhëheqin shërbëtorët besnikë të së shkuarës”. Më duket si një finale shumë e bukur e këtij romani, por edhe e intervistës.

Shumë faleminderit për pyetjen në lidhje me urdhëresat. Pardje isha në vendin e asaj skene, tek Bunk’Art, tek parlamenti nëntokësor i kohës së luftës, ku zhvendoset skena e fundit, ku Enver Hoxha, në 8 nëntor 1991, sipas romanit, zhvillon Kongresin e  shpërndarjes së Partisë Komuniste shqiptare, pikërisht në atë parlament të tunelizuar, si një nga tre dimensionet e pushtetit të tij dhe ku takohen për herë të fundit të gjallë dhe të vdekur, që e kishin udhëhequr këtë parti nga 8 nëntori i ’41-it e deri në atë kohë, përfshirë të gjithë ata që ishin shpallur armiq, kundërshtarë, ishin pushkatuar, internuar ose që vazhdonin të ishin bashkë me të dhe ku u bë ndërrimi i stafetit. Nga udhëheqësi i ri, stafeta i kalon Besim K. Në kushtet e pluralizmit. Skena është surreale në një konceptim, të cilën e shoh edhe si skenë filmi, ku Enver Hoxha mban fjalimin e fundit, 6 vjet pasi kishte vdekur, ku u mbajt edhe fjalimi i parë për mënyrën sesi do të mbahej vazhdimësia e pushtetit. Vazhdimësia e pushtetit nga ideologjia, do të kalonte tek ekonomia. Ne të gjithë e kemi dëgjuar, që para ’90, para rrëzimit të  Murit të Berlinit, kampi komunist u takuan në Poloni dhe ka pasur një traktat, një dokument i fshehtë, sekret etj. sesi do të bëhej kjo gjë dhe unë besoj se ajo ka ekzistuar. Dhe ky është versioni shqiptar i kalimit të pushtetit përmes privatizimit dhe përmes komandimit të ekonomisë. Sesi do të shkojë dhe a u arrit, kjo do të shihet në romanin e tretë.

Dhjetë urdhëresat janë një simbolikë, por edhe një realitet edhe i kishës, edhe i xhamisë, por edhe i mafies. Gjykoj se këto 10 urdhëresa, sipas meje, si shkrimtar, ekzistojnë, nuk ka rëndësi nëse s’janë të shkruara diku. Sigurisht që pushteti i së ardhmes bëhet përmes shërbëtorëve të së shkuarës, dhe këtë e ka dëshmuar vetë historia e tranzicionit. /Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back