Aktualitet

Denoncime pa zgjedhje

               Publikuar në : 08:47 - 10/08/19  Suadela Balliu

Ndërsa i ka ndërprerë protestat në rrugë, kreu i opozitës është i fokusuar tek denoncimet e aferave korruptive të qeverisë. Basha flet për projektligje që do të luftojnë krimin dhe paratë e pista, por konfirmon se nuk do të hyjë në zgjedhjet  vendore të 13 tetorit.

Qëndrimi opozitar  mbetet i njëjti për zgjedhje të parakohshme dhe largimin e Ramës, që pritet të përshkallëzohet me protesta në shtator. Por deri atëherë Basha ka zgjedhur akuzat si mjeti për të bindur shqiptarët për pretendimet e opozitës

Suadela Balliu

Ky mund të quhej edhe gushti i denoncimeve të Bashës. Thuajse çdo ditë, me përpikëri kreu i Partisë Demokratike del në konferencë për shtyp me akuza ndaj qeverisë Rama, nga kapje e  shtetit, vjedhje milionash përmes koncesioneve, pastrim parash të pista, tek kanabizimi i vendit.

Ashtu si një ditë pas transmetimit të investigimit italian, ku u shpreh i tronditur nga gjetjet se një e treta e territorit të vendit është e mbjellë me kanabis, nga selia blu kreu Basha tha se në dy muajt e nxehtë të verës janë zbuluar disa nga çështjet më të mprehta.

“Pavarësisht se shumë prej aktivitetit njerëzor është ngadalësuar dhe ndokush ka shkuar edhe me pushime, hajduti nuk ka shkuar me pushime, hajdutëria vazhdon”, deklaroi Basha, i cili gjithashtu i ka tkurrur aktivitetet e opozitës nga  rruga brenda selisë së Partisë Demokratike.

Dje Basha iu kthye denoncimit të vjedhjes së miliona eurove para publike, sipas metodës korruptive të fryrjes së kostove me disafish.

“Kam qenë këtu para një muaji, kur kam denoncuar qasjen e fundit të grabitjes së pasurive dhe parave publike të shqiptarëve nga Edi Rama”, u shpreh ai për mediat, duke shtuar se ky është një model tipik i regjimeve të korruptuara.

Një ditë pasi presidenti nuk e dekretoi ligjin për koncesionin  e rrugës “Milot-Balldren”, për t’ia kthyer  Kuvendit për rishikim edhe me thirrjen që ky i fundit të mos mbulojë paligjshmërinë e kryeministrit, edhe Basha do të ndalej tek kostoja e rrugës në fjalë, ku sipas tij ryshfeti ishte 220 milionë euro. Po dje, presidenti Meta rrëzoi edhe ligjin për rrugën “Orikum-Dukat”, duke e cilësuar koncesionin si minë për financat e shtetit.

Kreu i PD-së tha dje se metoda korruptive e përdorur nga qeveria Rama shpreson pse koncesionet dhe tenderat për rrugët kushtojnë më shumë sesa në Europë dhe janë me cilësi të dobët.

Basha hodhi akuza edhe për një  tjetër tender, atë të faturimit elektronik të bizneseve, ku sipas tij pritet të grabiten 170 milionë euro. Kreu i opozitës foli për aferë korrupsioni që niste me ish-ministrin Arben Ahmetaj,  përfshinte mafien kroate e gjithashtu familjarë të kryeministrit Rama, si edhe vetë atë.

Basha zbuloi se PD dhe opozita e bashkuar do të nisin një hetim penal dhe  një

auditim financiar të të gjitha kontratave, koncesioneve, të të gjitha lejeve të dhëna nga kjo bandë. Edhe në daljen e një dite më herët kreu i PD-së foli për hartimin e disa projektligjeve  kundër krimit dhe parave të pista , që do të zbatohen porsa opozita të vijë në pushtet.  Një tjetër aferë e denoncuar prej mëse një viti nga Partia Demokratike, ajo e Teatrit Kombëtar, sipas Bashës do të depozitohet brenda javës së shtatorit jo vetëm në prokurorinë shqiptare por edhe atë daneze ku do të ketë një kallëzim penal për arkitektin, Bjerke Ingels.

Kreu i opozitës i cili ka folur dhe akuzuar për sistem të kapur të drejtësisë, ndoshta priste formimin e SPAK me shpresën se do të nisnin lëvizjet për ndëshkimin e politikanëve të korruptuar. Mungesën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, që sipas kreut të KLP mund të marrë formë këtë vjeshtë, Basha e cilësoi si një nga  veprat më të mëdha tinzare të Edi Ramës. Por në mungesë të saj, duket se kryedemokrati po tregon zell në profesionin e tij të parë, atë të juristit, ku jo vetëm denoncon publikisht, por flet edhe për hartime ligjesh.

“Kur them se kjo krizë do të mbarojë me standarde dhe parime europiane, e përsëris, do të mbarojë me politikanë me pranga në duar”, do të shprehej Basha, duke tingëlluar ngjashëm me shefen e ONM-së, e cila një muaj më parë do të shprehej se shpreson që përmes gjyqësorit të pavarur e të pastruar nga reforma, do të shohim edhe njerëz në burg.  Dje, në një intervistë Calavera do të thoshte se procesi i vetingut ka tronditur themelet e korrupsionit në Shqipëri dhe se i ka çuar mesazhe të qarta e të forta politikanëve shqiptarë.

Basha do të thoshte se PD e votoi ligjin për  SPAK –un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit,

pikërisht sepse amendamentet e saj u morën parasysh, por në gjashtë ligjet e tjerë ku u shpërfillën, kanë çuar në atë që pretendon opozita, si kapje totale të drejtësisë.

Kreu i PD-së foli edhe për kallëzime të tjera ndaj  mafiozëve kroatë dhe aferës së

Ramës me kasat fiskale dhe arkitektit të dënuar në Itali, Casamonti, për skemën korruptive tek Universiteti i Arteve.

Për shkak të denoncimeve të tij publike, Bashës do t’i vinte një kërkesë për marrje në pyetje nga prokurorët belgë për çështjen “Toyota Yaris”, brenda së cilës kaluan nga Belgjika në Shqipëri 3.4 milionë euro të fshehura. Vitin e kaluar kreu opozitar e zbuloi informacionin që kishte nga foltorja e Kuvendit, ku edhe akuzoi si të implikuar deputetin socialist Taulant Balla.

Megjithëse opozita mendoi t’i ndërpriste gjatë verës protestat masive në rrugë, si një kohë e papërshtatshme, Basha nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i artikuluar që me djegien e mandateve parlamentare, për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm me një qeveri tranzitore, pa Ramën kryeministër.

Nisur nga lëvizjet e ditëve të fundit, ku disa parti opozitare depozituan pranë KQZ-së  kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 13 tetorit e ku kreu i PR-së do të shprehej se partia e tij do të ishte gati të ulej në një tryezë dialogu me Ramën, edhe si kryeministër, Basha u kujdes të shuante zërat e një përçarje të opozitës e cila në këtë kauzë ka qenë e bashkuar.  Kreu i PD-së u kujtoi gazetarëve se një natë përpara se  LSI, PR dhe PAA t’i kërkonin KQZ-së hapjen e procedurave për zgjedhjet vendore, ata kishin pasur takim në selinë blu dhe se veprimet kishin qenë të koordinuara dhe në dakordësi.

Duke e njohur 13 tetorin si të vetmen datë kushtetuese, Basha theksoi detyrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për nisjen e procedurave që në të kundërt do të vihej përpara përgjegjësisë penale. Kështu, më shumë sesa zgjedhje të njëmenda siç po i promovon fuqishëm presidenti Meta, si e vetmja zgjidhje e krizës, Basha zbuloi se ky ishte një akt formal  i partive opozitare, me bekimin e tij për të  detyruar KQZ-në të mos shkojë në paligjshmëri.

“Nëse partitë nuk hyjnë në zgjedhje, nuk kanë shkelur as kushtetutën e as ligjin, pavarësisht prej

ndikimit politik që ky vendim ka. Ndërsa kur institucionet kushtetuese shkelin kushtetutën dhe shkelin ligjin, ato duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale”, do të shprehej Basha duke e pohuar tërthorazi se nëse zgjedhjet do të mbaheshin më 13 tetor, Partia Demokratike nuk do të merrte pjesë. Nëse ai do të lëshonte pe qoftë edhe në njërën prej kërkesave të artikuluara deri më tani e do të pranonte të hynte në zgjedhje vendore, me Ramën kryeministër, do të regjistronte një humbje të madhe jo vetëm për opozitën, por në radhë të parë për të si lider dhe për Partinë Demokratike.

Megjithë kritikat e presidentit, që ditëve të fundit do t’i drejtohej opozitës shqiptare me shembullin e asaj serbe, e cila nëse do të priste që Millosheviç të largohej vetë ai do të ishte ende në pushtet, Basha do të ishte më i përmbajtur duke e cilësuar rolin e Metës konstruktiv dhe ndihmues për zgjidhjen e krizës.

“Edhe ne jemi në të njëjtin qëndrim  kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhjet”, u shpreh Basha duke zbuluar bindjen se zgjedhjet vendore do të jenë në një ditë me ato parlamentare. Pa sqaruar nëse i referohej 13 tetorit, ashtu siç do të deklaronte presidenti se kriza mund të zgjidhej sikur në të njëjtën ditë të kishte zgjedhje të trefishta, vendore, parlamentare të parakohshme dhe madje presidenciale, edhe pse për këto të fundit do të duheshin ndryshime në Kushtetutë, duket se kreu i PD-së shpreson që dy muajt që ndajnë nga data e dekretuar prej presidentit të shënojë lëvizje të mëdha politike që do të kulmonin me largimin e Ramës si kryeministër. I vetmi lëshim që ndoshta do të ishte gati të bënte Basha nga kërkesat e panegociueshme të opozitës, mund të ishte kohëzgjatja e qeverisë tranzitore që sipas tij shkonte në një periudhë nga katër deri në gjashtë muaj për të përgatitur terrenin për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky është edhe stimuli për të mbajtur të karikuar mbështetësit e opozitës për lëvizjet e reja të vjeshtës, ndërsa dje zbuloi se protestat do të kthehen në shtator e po ashtu edhe kryebashkiakët e djathtë që megjithë zotimin se nuk do t’i lëshojnë zyrat, po i dorëzojnë  bashkitë për fituesit e dalë nga 30 qershori. Duket se qëndresa e parathënë edhe nga vetë kreu i PD-së, për të mos i dorëzuar bashkitë e djathta, është shtyrë për shtator. “Precedenti i kapjes me dhunë të bashkive po e fut vendin në një situatë të rrezikshme”, u shpreh Basha, duke paralajmëruar dhe mësymje në institucionet qeveritare nëse situata nuk merr zgjidhje. “Kush do ta pengojë popullin nesër të futet me dhunë në kryeministri dhe në çdo ministri?!”, do të shprehej kryeopozitari.

Ndryshe nga presidenti Meta, i cili e ka qortuar vendimin e opozitës për djegien e mandateve parlamentare në bllok, Basha do të shprehej se sakrifikimi i pushtetit nga PD dhe aleatët nuk ishte shenjë dobësie.

Por, a po e dëmton Partinë Demokratike kjo verë e thatë dhe e zvargur?

“Kur rrezikohet vendi, rrezikohen të gjithë”, do të thoshte Basha, qe e sheh PD-në në ballë si e vetmja shpresë e interesit publik. Derisa opozita të rikthehet me protestat në rrugë, Basha duket se nuk do të marrë pushime e do të vijojë me denoncimet nga selia blu për aferat korruptive të qeverisë Rama, edhe pse ky i fundit nuk tregon shenja dorëzimi e tërheqjeje ku të vetmet zgjedhje që sheh janë ato të 2021-shit dhe një ftesë për PD-në në komisionin e reformës zgjedhore./Gazeta Liberale

(Visited 33 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *