Aktualitet

Dënohet me 22 vite burg gruaja që i dërgoi Trumpit një zarf me ricin

Shkruar nga Liberale

Një dënim me 22 vjet burg u shqiptua për francezo-kanadezen Pascale Ferrier, e cila u dënua për dërgimin e një zarfi me ricin tek presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, në vitin 2020, siç njoftoi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

56-vjeçarja ka rrëfyer se helmin e kishte përgatitur në shtëpinë e saj në Quebec të Kanadasë dhe se kishte dërguar zarfe me ricin në Shtëpinë e Bardhë dhe tek zyrtarët në shtetin e Teksasit.

Në një njoftim për shtyp nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, theksohet se Ferrier po akuzonte autoritetet e Teksasit për ndalimin e saj për 10 javë në vitin 2019 me akuzën e posedimit të paligjshëm të armëve.

Ajo kishte dalë kundër Trump përmes postimeve në platformat e mediave sociale. Në letrën e saj drejtuar presidentit republikan të SHBA-së, Ferrier i kërkoi Trump që të mos kërkonte rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Zarfi me ricin u gjet nga agjentë të shërbimit sekret.

Letrat që përmbanin helmin e fuqishëm iu dërguan në vitin 2013 presidentit të atëhershëm të SHBA-së Barack Obama dhe më pas kryebashkiakut të Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

Ricina është vdekjeprurëse edhe në sasi shumë të vogla./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH