Kryesore

Demokratët, jo mish për top

               Publikuar në : 09:42 - 26/10/21 liberale

Ndërsa zërat kundërshtues të kryetarit brenda PD-së rriten e bashkë me to edhe kërkesat për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, Basha ngulmon se nuk do ta lejojë mbajtjen e tij, duke mohuar se ka krizë të brendshme. Ai përpiqet të theksojë se kundërshtari i vetëm është kryeministri Rama dhe se nën drejtimin e tij, partia po adreson problemet e qytetarëve që shkojnë përtej betejave personale mes tij dhe Berishës

Ndonëse demokratët kanë nisur të artikulojnë zëshëm krizën brenda Partisë Demokratike, që nisi me Grupimin kritik ndaj kryetarit për humbjen e zgjedhjeve e që kulmoi me përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, Lulzim Basha e mohon kategorikisht.

Pasi deputeti Flamur Noka doli hapur kundër kryetarit aktual të partisë dhe tha se ky i fundit po sulmon të tijtë, në mbledhjen e djeshme të Grupit ishte Tomor Alizoti ai që vuri alarmin se po rrezikohet ekzistenca e partisë.

“Ne rrezikojmë ekzistencën si parti nëse nuk e adresojmë në institucione këtë problem. Mos bëjmë sikur nuk ekziston problemi. Nuk mund të shmangemi të bëjmë sikur nuk ka krizë. Kriza është aq e madhe sa rrezikohet ekzistenca e kësaj partie”, ka thënë Alizoti gjatë mbledhjes, duke parashtruar edhe dilemën përballë së cilës gjenden sot demokratët.

“Është bërë hall të shkosh në Foltore e hall të mos shkosh. Nuk është normale kjo ndarje mes demokratëve”, ka vijuar ai. Brenda PD-së janë disa nga zërat të rreshtuar pranë ish-kryeministrit Berisha si deputeti Tritan Shehu, Flamur Noka, Luan Baçi, Luçiano Boçi e Oerd Bylykbashi, ndërsa Basha ka deklaruar se nga sondazhet e tij rezulton se është i pëlqyer nga 95 përqind e demokratëve, që edhe e duan atë në krye të partisë dhe betejës për demokraci.

“Ti nuk duhet të pengosh deputetet të shkojnë në Foltore. Nëse nuk shkon në Foltore të kryqëzojnë demokratët, nëse shkon të kryqëzoni ju. Askush s’ka pse futet në këtë përplasje”, ka theksuar Alizoti. Sipas Flamur Nokës, Basha e anashkalon krizën përmes diskutimeve rutinore.

“Iu bë me dije edhe Bashës që Kuvendi do të mblidhet për të diskutuar për statutin dhe për t’i dhënë një zgjidhje PD”, ka thënë Noka pas mbledhjes, i cili më herët ka deklaruar se zgjidhja është Foltorja e Berishës.

Sali Berisha ndërkohë ka zbuluar se firmat e nevojshme për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar tashmë janë gati, ndërsa Basha ka theksuar e riktheksuar se nuk do të lejojë mbajtjen e asnjë Kuvendi anti-amerikan. Kryedemokrati ka thënë se pa ShBA, PD mund të mos ekzistonte.

Megjithë qëndrimin e tij të ngulmët, kryetari po has presion nga brenda për mbajtjen e tij.

Deputeti Tritan Shehu e sheh si një eveniment demokratik në një parti demokratike.

Basha gjithashtu po has rezistencë dhe kundërshti nga anëtarët e partisë edhe për ndryshimet kushtetuese. Deputetë si Spaho, Vokshi, Bylykbashi e Shehu nuk shohin urgjencë për adresimin e ndryshimeve kushtetuese.

Deputeti Luan Baçi e sheh propozimin për Vetingun e Politikanëve si mjet për të intimiduar disa. Vetë Basha ka pranuar se brenda PD-së ka ende bishta të korruptuar të qeverisjes së mëparshme, ndërsa vetingu është i menduar të mos kursejë askënd. Baçi madje është treguar kritik se propozimet janë dërguar në Kuvend pa dijeninë e anëtarësisë.

Sipas Baçit, draft-propozimet i kanë kushtuar pak vëmendje Reformës Territoriale- sipas tij të rëndësishme për demokratët e po ashtu edhe Reformës Zgjedhore.

“I kushtohet rëndësi e veçantë vetingut të politikaneve, që absolutisht është shumë e rëndësishme, por duket se kjo bëhet si për të trembur, nuk e di se kë nga politikanet! E di që trajtimi i kësaj çështje është shumë delikate, shpesh herë bëhet në mënyrë djallëzore, propozohen gjëra që nuk realizohen dhe që, nuk dëshirohen edhe nga vetë ata qe i propozojnë dhe duhet t’i votojnë, gjithmonë për të bërë shoë!”, ka akuzuar Baçi.

Ndërsa Sali Berisha e ka mbështetur idenë e VEtingut të politikanëve si një hallkë e rëndësishme, ai nuk është dakord që kjo t’i lihet në dorë SPAK, por të kryhet nga struktura brenda Kuvendit.

Për deputetin Baçi, kushdo që e kundërshton propozimin për vetingun e politikanëve, anatemohet si i përlyer me krimin. “Kështu që na duhet të heshtim!”, ka thënë ai.

Ndërsa Flamur Noka thotë se nuk ka forcë që e ndal Kuvendin Kombëtar të PD-së, Basha thotë se demokratët nuk i përdor askush si “mish për top”. Mbi të gjitha, thekson kryedemokrati, janë interesat e shqiptarëve. Pak ditë më parë ai deklaroi se Sali Berishës nuk i ka “hyrë në hak” . Ai ka thënë se i qëndron vendimit për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar dhe se ish-kryeministri po përpiqet të marrë peng partinë për interesa personale.

Por megjithëse Basha dhe të tjerë demokratë në krah të tij përpiqen të davaritin zërat e krizës brenda partisë duke theksuar se kundërshtari i vetëm është kryeministri Rama, tashmë plasaritja në PD ka nisur të kristalizohet e madje të krijojë ndarje të qarta.

Për disa Kuvendi do t’i jepte fund përçarjes mes Bashës dhe Berishës, por kryetari i vendos epitete si anti-amerikane dhe ka ashpërsuar retorikën me terma si “llumi i qeverisjes” apo bishtat e korruptuar.

Ndërsa demokratët depozituan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për të rrëzuar komisionin hetimor Beçhetti, kanë bërë me dije se sot do të depozitojnë një tjetër projektligj në Kuvend për uljen e TVSH-së nga 20 në 6 përqind, pjesë kjo e paketës me shtatë pika për përballimin e krizës energjetike.

Në argumentet e tij, kryedemokrati vë pikërisht hallet e qytetarëve në qendër. Sipas tij, këta të fundit nuk duan t’ia dinë për Bashën apo Berishën.

Ndërsa përpiqet t’i mbajë nën fre demokratët kritikë, duke refuzuar kategorikisht Kuvendin e etiketuar si “anti-amerikan”, Basha po artikulon gjithnjë e më fort akuzat ndaj qeverisë për korrupsionin, ndërsa e vë theksin tek emergjenca e ndryshimeve kushtetuese.

Luan Baçi: Vettingu i politikanëve po kërkohet për të trembur ndonjë!

Në fjalën e tij, Baçi tha se në mbledhjen e kaluar të grupit iu është dhënë një letër e bardhë për të firmosur për propozimet si grup parlamentar, por sipas tij, pasi ata u njohën me draftin paraprak, nuk ndodhi më asgjë. Baçi theksoi se drafti u depozitua në Kuvend dhe deputetët nuk dinë asgjë, nëse janë marrë parasysh propozimet dhe mendimet e deputetëve.

“Ne mbledhjen e kaluar, na u dha një letër e bardhe, për te firmosur, për propozimet tona si grup parlamentar, për tre çështje të rëndësishme, që duhet bashkëpunimi me maxhorancen, për t’i miratuar! Kërkuam te njiheshim me draftin paraprak, te hartuar nga ekspertet tane te pa krahasueshëm dhe na i dërguat. Por pas kësaj asgjë më tepër, u depozituan në Kuvend draft propozimet dhe nuk dimë gjë, se a u mor parasysh ndonjë gjë nga propozimet dhe mendimet qe u dhanë me pas?

Mire do ishte qe ne te kishim draftin përfundimtar te depozituar, atë qe u dorëzua pas plotësimeve dhe normale do te ishte qe te diskutohej përsëri mbi të pas propozimit përfundimtar! Në drafti kushtohej shumë pak rëndësi, Reformës territoriale, qe është shume e rëndësishme për ne, dhe shume e kontestueshme kjo qe kemi, pasi te gjithë e kemi pranuar se është bere vetëm për te shërbyer interesa politike te PS dhe vetëm nga ata! Po keshtu reforma zgjedhore, e bere përsëri vetëm nga Edi Rama, për interesa te tij dhe Partisë se tij! Ne draft kishte shume pak trajtim për këto dy çështje shume te rëndësishme, qe janë jetike për opozitën!

Ndërsa i kushtohet rëndësi e veçante vetingut te politikaneve, qe absolutisht është shume e rëndësishme, por duket se kjo behet si për te trembur, nuk e di se ke nga politikanet! E di qe trajtimi i kësaj çështje është shume delikate, shpesh here behet ne mënyrë djallëzore, propozohen gjera qe nuk realizohen, dhe qe nuk dëshirohen edhe nga vet ata qe i propozojnë dhe duhet t’i votojnë, gjithmonë për te bere shoë!

E di qe kushdo qe konteston sado pak mënyrën se si trajtohet ky problem, menjëherë anatemohet se ka frike, dhe konsiderohet i përlyer, kështu qe na duhet te heshtim!

Sa për dijeni se kam fare problem vetingun personalisht, dhe këtë besoj tani e dimë. Prandaj do tju lutesha mos ta interpretonit se kam interesa personale, ne kontestimin tim, por është dukshëm jo e duhura qe propozohet! ”, ka thënë Baçi.

Basha komenton raportin e KE për zgjedhjet: U tha qartë që votat u vodhën,

Duke folur për raportin e Komisionit Evropian, kreu i PD Lulzim Basha, preku dhe parregullsitë e ndodhura në zgjedhjet e 25 prillit.

Ai tha se në raport ishte ilustruar fakti se zgjedhjet u manipuluan dhe u publikuan të dhënat personale të qytetarëve.

Ndër të tjera, Basha theksoi se: “sado që qeveria mbron patronazhistët, nuk ka askush që i mbron, në ligj, në rrugë, apo kudo”.

“Në qoftë se korrupsioni që gërryen xhepat e shqiptarëve dhe shkatërron jetët e tyre, që i bën ti largojnë fëmijët në emigracion nuk qenka halli i shqiptarëve, por halli i parafolëses qenkan proceset në Partinë Demokratike atëhere nuk ka njeri në botë që se kupton se cfarë rrote i ka zënë prej bishti këta . A ka hall më të madh se rritja e çmimeve? A ka hall më të madh se rënia e fuqisë blerëse? A ka hall më të madh sesa prindërit, pensionistët, gjyshet, gjyshërit tanë pasi paguajnë faturën e energjisë, ilaçet, ujin su ngelet më shumë se për bukën e pak djathë? Kush ka 8 vite në pushtet dhe s’ka arritur dot ti rrisë pensionet as sa inflacioni?

Kush ka 8 vite në pushtet dhe ka rritur vetëm taksat, faturat e energjisë dhe ka ulur apo ka hequr aksizat për jahtet e oligarkëve? Kush mburret tavolinave se vetëm drejtoreshë doganash nxorri 5 milion euro. Dhe mesa duket është vrima fundit e kavallit se të tjerët i kanë me dy e me tre shifra nga mbrapa, të paktën sipas raportimeve të OSBE-së. Për njërin thotë ka 200 milion euro, OSBE-ja. Tani që të rrimë drejtë e të flasim drejtë, raporti i BE për zgjedhjet ju ka thënë atë që ju ka thënë ODHIR, që keqpërdorët shtetin dhe e shkritë në një me partinë, që bletë vota, vodhët të dhëna personale të shtetasve dhe krijuat një ushtri të sigurimit të shtetit patronazhstëve të cilët sado që mundoheni ti mbroni do ti gjejë belaja me ligj, në rrugë dhe kudo ku ndodhen. Sa për rajonin nuk jemi ne që e futëm Shqipërinë në këtë rajon jeni ju.

Ja rajoni ku e ka futur Shqipërinë shefi yt. Nuk shoh as Maqedoninë e Veriut, as Greqi, as Mal të zi as Kosovë por shoh Benin, Egjipt, Zambia, Mozambik. Banka Botërore dhe Berzhi, Za,ia dhe Marok. Kështu që meqë ju e konsideroni këtë rajonin e ri, ju bëftë mirë hallva në Egjipt”, tha Basha. /Gazeta Liberale

 

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back