Për të ruajtur integritetin, qytetarët duhet të përfshihen në proceset demokratike, të kërkojnë llogaridhënie dhe të qëndrojnë vigjilent ndaj kërcënimeve që rrënojnë vlerat demokratike siç janë korrupsioni, klientelizmi apo populizmi. Kështu shprehet Prof. Assoc. Dr. Juelda Lamçe, Dekane e Fakultetit të Shkencave Juridike në UET.
Në editorialin e saj në numrin e ri të revistës shkencore “Jus&Justicia” (17/2) kushtuar “Demokracisë dhe zgjedhjeve të lira” Lamçe thotë se “vetëm një sistem transparent dhe i përgjegjshëm mundet të garantojë që interesat e qytetarëve janë të përfaqësuara dhe të ruajtura në mënyrën më të mirë”. Në këtë kuptim ajo thotë se është e domosdoshme, që të punohet me pjesëmarrje nga të gjithë aktorët e shoqërisë për ta përmirësuar në vazhdimësi sistemin zgjedhor.
Punimet shkencore në këtë numër cekin si tematikë ndikimin e korrupsionit, apo dhe klientelizmit në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri. Po ashtu sillen si shembuj sistemet zgjedhore të vendeve të tjera si dhe ndikimi i përgjithshëm i sistemeve të ndryshme në rezultatet apo dhe nivelin e perceptimit të demokracisë.
E pranishme në promovimin e numrit të radhës së revistës shkencore, Ilirjana Nano, Kryetare e Komisionit Rregullator në KQZ, kujtoi faktin se në Shqipëri kontestimet e zgjedhjeve datojnë që prej vitit 1923 dhe se nëse e konsiderojmë demokracinë një proces, e rëndësishme është që të punohet për të nxitur gjithmonë pjesëmarrjen qytetare.
Ajo vlerësoi punën e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET për përkushtimin e vazhdueshëm me publikimet shkencore. Në këtë pikë ajo tha se kontributi i akademikëve me propozime për reformimin e sistemit zgjedhor do të ishte domethënës duke pasur parasysh se “universitarët nuk marrin pjesë në zgjedhje dhe për këtë propozimet e tyre mund të jenë më shumë objektive”.
“Rekomandoj që me nisjen e punimeve për reformën e ardhshme zgjedhore të ketë një përfaqësi nga universitetet, një grup nga komuniteti shkencor. Ky do të ishte një presion i duhur përballë propozimeve të partive politike,” – tha Nano duke kujtuar se reformës së vitit 2020 i mungoi një kontribut i tillë.
Në numrin e fundit të revistës kanë kontribuuar me punime shkencore Prof.Dr. Ervis Iljazaj, Adela Danaj PhD; Vanni Nicoli PhD(c); Stela Karaj PhD(c); Renata Kau PhD; Dr. Sofjana Veliu; Dr.Alba Xhaferi; Msc. Peme Marku; Msc. Vasilika Laska.
Revista shkencore “Jus&Justicia” numëron më shumë se 20 botime periodike. Prej vitit 2020 ajo vjen vetëm në formatin anglisht duke sjellë kështu një standard më të lartë në fushën e publikemve shkencore në Shqipëri.