Kryesore

Dëmi i qeverisë së madhe nëpërmjet lejedhënies ndërtimore

               Publikuar në : 09:32 - 14/05/19 Gentian Kaprata

(qeveri e madhe vs qeveri e limituar)

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Debati më bazik midis së majtës dhe së djathtës, nga ku origjinalizon gjithçka politike, është debati mbi madhësinë dhe rolin e qeverisë. Të majtët i frigohen sipërmarrjes private dhe duan ta fusin atë në kontrollin e qeverisë, kurse të djathtët i frigohen qeverisë së madhe dhe synojnë minimizimin e fushëveprimtarisë së saj. Nuk do të thosha ndonjë gjë të re, nëse do të pranoja që unë i frigohem qeverisë së madhe. Sepse, unë mendoj se sa më e madhe të jetë qeveria, aq më pak bëjnë njerëzit për të afërmit dhe bashkëqytetarët e tyre. Pse të ndihmosh dikë në nevojë, kur qeveria paguhet për ta bërë në vendin tënd! Dhe kjo shkatërron karakterin moral të shoqërisë, sepse kujdesi për të tjerët është një nga vlerat më bazike të moralit individual në shoqëri. Një gjë tjetër që zvanitet nën një qeveri të madhe, akoma më e rëndësishme për mua, është liria. Është e kuptueshme: sa më e madhe qeveria aq më shumë legjislacion, dhe sa më shumë legjislacion aq më pak liri individuale. Për të mos u zgjatur, nën një qeveri të madhe çdo gjë e mirë zvogëlohet.

Në fakt, ka diçka që rritet me zmadhimin e qeverisë, dhe ai është korrupsioni! Sa më e madhe të jetë qeveria, aq më shumë pushtet dhe para publike kanë qeveritarët. Dhe sa më shumë pushtet për vendimmarrje e para publike kanë në duar qeveritarët, aq më e madhe është mundësia ta shpërdorojnë atë pushtet dhe ato para, edhe nëse ata do të ishin engjëj të zbritur nga qielli! Në mbrojtje të tezës se “ishte shteti i madh, burokracia shtrënguese dhe e korruptuar, që sollën këtë realitet të papranueshëm në qytetet tona, në këtë shkrim të shkurtër të opinionit do të sjell një argument të ri, që ka lidhje me procesin e marrjes së një leje ndërtimi në bashkitë e vendit.

Të gjithë kemi dëgjuar për raportin e përvitshëm “Doing Bisness” të Bankës Botërore, i cili vlerëson 10 aspekte të të bërit biznes (një nga të cilat janë lejet e ndërtimit) në 189 vende të botës. Për ata pak që nuk kanë dëgjuar për të, ky është një dokument shumë i rëndësishëm për ekonomitë e vendeve në zhvillim, që kanë domosdoshmëri investimet e huaja, sikurse është Shqipëria. Sipërmarrësit seriozë nuk krijojnë interes për të investuar paratë dhe njohuritë e tyre në një vend të caktuar pa e studiuar këtë raport. Nëse konsultohemi me të, Shqipëria gjendet përherë në vendet e fundit dhe përgjithësisht për shkak të vështirësive dhe kostove të larta që i duhet të përballojë një individ apo një sipërmarrës për t’u pajisur nga autoritetet që ngarkon ligji me një leje ndërtimi. Diku kam lexuar se në fillim të viteve 2000 duheshin 380 ditë për t’u pajisur me një leje të tillë në Bashkinë Tiranë, ndërsa sot lejet e ndërtimit i jep kryeministri i vendit!

Përveç dëmeve ekonomike që do të ishte më mirë t’i dëshmonte një ekonomist, ky standard tregon edhe se nuk ishte mungesa e rregullave apo lehtësia e pajisjes me një leje ndërtimi që solli bumin shkatërrimtar të ndërtimit që dëmtoi qytetet tona. Është shumë e qartë për këdo që u beson shifrave dhe pranon arsyetimin mbi logjikën e thjeshtë, se nuk ka qenë mungesa e qeverisë. Plotësisht në të kundërt ishte dhe mbetet burokracia sfilitëse dhe kostot e mëdha financiare në procesin e pajisjes me një leje ndërtimi, që prodhuan vendimmarrje korruptive. Dhe ishte vendimmarrja korruptive, si karakteristikë e qeverisë së madhe e të centralizuar socialiste, që e prodhuan këtë realitet të papranueshëm dhe plotësisht të pajetueshëm në qytetet tona.

Një qeveri e limituar libertariane nuk do t’i kishte njohur vetes kaq shumë shpërdorime të parave publike në rroga e shpenzime të tjera burokratësh, me këtë kosto të madhe në dimensionin territorial dhe urban të vendit. Ajo do e kthente lejen e ndërtimit në një procedurë të thjeshtë administrative, ku autoriteti i ngarkuar nga ligji me këtë detyrë, brenda një kohe minimale, t’ju kthente përgjigje kërkuesve nëse kërkesa e tyre për zhvillimin e pronësisë miratohej, miratohej me kushte apo nuk miratohej fare. Një veprim shumë i thjeshtë, ky, nëse kërkesa qytetare vlerësohej vetëm në raport me projektet urbane dhe planifikimet territoriale të miratuara më parë.

Mirëpo që kjo të funksiononte, për së pari do të na duheshin Planet, për të cilat kemi folur herë të tjera, dhe nuk i kemi megjithëse i kemi paguar nga dy a tri herë. Dhe për të ardhur në thelb, qeveria e madhe nuk ka interes t’i bëjë këto plane, sepse atëherë do të ishte shumë e qartë për çdo qytetar, pronar, apo sipërmarrës se çfarë ndërtohet në pronën e tyre. Nëse kjo do të ishte e qartë për këdo, atëherë ku do të qëndronte forca e zyrtarit të qeverisë? Çfarë ndihme, në shkëmbim të zarfit me para, do të ofronin zyrtarët e qeverisë? E njëjta situatë edhe me lejet e ndërtimit, nëse atyre u bie vlera sa një procedurë e thjeshtë administrative, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë bie edhe fuqia e zyrtarit apo politikanit, i cili ka pushtetin e mbinatyrshëm të të japë një leje ndërtimi./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *