Kryesore

Dekreti sui generis

               Publikuar në : 10:40 - 11/06/19 Liberale

Preç Zogaj

Çfarë është nga pikëpamja ligjore zhdekretimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti Ilir Meta? Tagrin dhe kompetencën për të dhënë përgjigje e kanë profesionistët e fushës, juristët. Gjykata Kushtetuese është institucioni që do të vendoste e ndoshta do të vendosë kur të plotësohet. Mund të kërkohet edhe opinioni i Komisionit të Venecias.

Si për çdo çështje tjetër, e ca më shumë për një të tillë sërish të panjohur në tokën e Europës, opinionet e qytetarëve shqiptarë janë një potpuri. Për mungesë kompetence, unë vetëpërjashtohem menjëherë nga debati strikt ligjor “është apo nuk është kushtetues zhdekretimi i datës së zgjedhjeve”.

Do të dëgjoj dhe do të respektoj konstitucionalistët për këtë.

Kjo nuk me pengon ta mendoj si një dekret sui generis, tek i cili mund të shohësh anë pozitive dhe negative.

Si anë pozitive, gjithnjë jashtë shqyrtimit strikt ligjor, por duke e parë në lidhje me burimet e krizës politike në vend, shtyrja e zgjedhjeve vendore rivendos në afat regjistrimin e partive të opozitës PD, LSI, PDIU e të tjerë për të marrë pjesë në to. Një pikëpamje të tillë e kam shprehur në faqet e gazetës “Liberale” dhe në emisionin “Opinion” pas sondazhit të parë të kompanisë italiane “IPR marketing” të datës 3 prill, ku partitë e opozitës së bashkuar rezultonin shumicë dhe pas mesazheve që dha në Tiranë zëvendëssekretari i shtetit Mathew Palmer. Do të thotë se përderisa djegia e mandateve e ka rritur e kompaktësuar opozitën pse të çohet dëm ky shans? Politika është një profesion, mjetet politike të një partie që synon të vijë në pushtet ndjekin qëllimin dhe vlerësohen nga efektet dhe rezultatet në dinamikë. Në një konsultim eventual të Bashës me strukturat e partisë, besoj se pjesëmarrja në zgjedhjet vendore në kushtet e të qenët shumicë dhe me garanci ndërkombëtare do të kishte mbështetje. Shto këtu vëzhgimin pëllëmbë për pëllëmbë të zgjedhjeve gjatë fushatës dhe ditën e zhvillimit të tyre, denoncimin e tyre po atë ditë dhe të nesërmen nëse konstatohen vjedhje dhe parregullsi që i bëjnë të papranueshme. Edhe nëse nuk e mendon vetë, Basha e ka detyrim para anëtarëve një konsultim të tillë. Data e re ia mundëson këto.

Shtyrja e zgjedhjeve jep kohë për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e heq ketë temë nga fusha e lojës si ushqyes të krizës. Ndërkohë zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm sipas Kushtetutës, përfundon ngritja e SPAK-ut e BKH-së, nisin punën konkrete institucionet e reja të drejtësisë që fillojnë të flasin me produktin e tyre dhe jo me paralajmërime politikanësh.

Shtyrja e zgjedhjeve mund të japë kohë për zbardhjen dhe dërgimin në gjykatë të dosjes së famshme “339” gjithashtu, sidomos të pjesës që lidhet me shitblerjen e votave. E vërteta në aulën e drejtësisë do t’u jepte drejtimin dhe përfundimin e duhur konflikteve politike dhe debateve mediatike për këtë dosje.

Shtyrja e zgjedhjeve do t’u jepte mundësi për t’u organizuar më mirë partive të tjera të kapura në mungesë kohe për zgjedhjet e 30 qershorit, siç është Bindja Demokratike, për shembull.

Në tërësi, nëse e shohim në optikën e një vullneti të mirë me garancitë përkatëse, ikja nga 30 qershori e relakson krizën, ul tensionet, jep mundësi për pak frymëmarrje dhe pak pushim në amokun politik të periudhës, premton një ristartim me të kthjellët. Besoj se edhe sezoni turistik ka përfitime, sado që turizmi në vetvete nuk dikton agjenda politike.

Si anë negative e dekretit është ajo që nuk ka një datë të re zgjedhjesh. Mungesa e një date të re i lë zgjedhjet pezull. Argumenti që kishte përdorur Meta për moskufizimin e mandateve për të zgjedhurit vendorë e bën dekretin e tij më shumë pezullues sesa shtyrës të zgjedhjeve; e bën çështjen e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur një çështje të partive, të drejtuesve të tyre, të marrëveshjeve, të ujdive, pse jo të pazareve dhe jo të kuadrit ligjor. Pra përforcon sundimin e voluntarizmit politik mbi sundimin e ligjit, që është sëmundja më e rëndë e shtetformimit në Shqipëri. Shumë shtetas, për arsye të ndryshme, nuk e ushtrojnë me dëshirë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur. Disa abstenojnë politikisht, disa janë të painteresuar, bota njeh nga të gjitha kategoritë. Me përjashtim të referendumeve të caktuara që kërkojnë një pjesëmarrje mbi pesëdhjetë për qind për t’u quajtur të vlefshëm dhe të ndonjë vendi që e ka të detyrueshme shkuarjen e qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhje, përndryshe paguajnë gjobë, bota demokratike nuk e njeh pavlefshmërinë e zgjedhjeve, për shkak të pjesëmarrjes. Kush nuk shkon në zgjedhje vetëpërjashtohet nga vendimmarrja ose njeh vendimin e atyre që shkojnë. Ndaj zgjedhjet janë të qytetarëve, është hera e vetme kur vendosin ata. Vendimi i tyre nuk mund të presupozohet e paragjykohet në asnjë lloj vendimi a dekreti. Përndryshe nuk do të quheshin zgjedhje të lira dhe nuk do të kishte zgjedhje një herë në katër vjet. Shtetasve nuk mund t’u lihet pezull e drejta për të ripërtërirë me votë pushtetet dhe përfaqësuesit e tyre në afatet ligjore të përcaktuara në ligjin themelor të shtetit dhe në Kodin Zgjedhor. Kjo gjë mund të zgjasë jashtë çdo afati ligjor vetëm në kushtet e suprimimit dhe uzurpimit të kësaj të drejte. Kjo është elementare, siç është elementare edhe tjetra që pluripartitizmi nuk zhduket ngaqë një grup partish nuk marrin pjesë në zgjedhje. Është e rëndë pa dyshim, kërkon gjithë seriozitetin dhe përkushtimin për t’u zgjidhur si problem. Por arsyetimi se po nuk shkoi partia iks në zgjedhje vendoset tirania, është akuza më e madhe që i bëhet partisë që nuk shkon.

Caktimi i datës së re nga Meta do të eliminonte dyshimet e shqetësimet dhe do të mbante në lojë vetëm anët pozitive të dekretit të tij. Presidenti nuk ka nevojë të konsultohet për datën e re, siç nuk u konsultua për anulimin e datës tridhjetë qershor. Konsultimi për datën është një praktikë e mirë, jo një dispozitë kushtetuese./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *