Editorial

Deklaratat e ndërkombëtarëve dhe realiteti i shqiptarëve

Shkruar nga Liberale
Deklaratat e ndërkombëtarëve dhe realiteti i shqiptarëve

Bjorn Kamberi

Paradigmat që i shpjegojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, pikë prerjet e tyre me shkencat politike dhe ndërveprimet mes kombeve të vegjël e të mëdhenj gjithnjë e më shumë na sugjerojnë për nevojën e braktisjes së pikëpamjes mbi shtetit si njësi e mbyllur dhe kuti e zezë ë padepërtueshme. Sidoqoftë, të tilla paradigma janë të vlefshme në skenarë të caktuar, sidomos në ato studimorë, dhe përkthimi i tyre nga teoria në praktikë dhe nga hipotetizmi shkencor tek empirizmi kontekstual jo gjithmonë na ndihmon ta kuptojmë realitetin e ca më pak ta ndërtojmë atë bazuar në hipoteza të supozuara. Ndikimi i kombeve të mëdha dhe fuqive botërore në rajonet dhe sferat e tyre të interesit ka filluar qysh hershëm, dhe diktati i dikurshëm i ka lënë vendin një ndërveprimi më paritar.

Rrethanat historike dhe pozicionimi gjeografik na e ka kondicionuar qysh në fillim statusin e një vendi të vogël por interesant për të mëdhenjtë, e ku fuqitë botërore tërheqin fijet e pushtetit në këtë nyje gordiane ballkanike. Duke patur parasysh rëndësinë që marrëdhëniet e politikës shqiptare me faktorët ndërkombëtarë kanë sa i takon agjendës tonë shtetërore, por edhe politike, me interes do qe të shqyrtonim efektin e këtyre faktorëve në ngjarje të rëndësishme, sikur zgjedhjet. E meqë 25 Prilli është një jave larg, do mundnim të ravijëzonim thellësinë e këtij ndikimi, si edhe qasjen e forcave politike sa i takon modifikimit e portretizimit të ndikimit ndërkombëtar në dobi të strategjive elektorale dhe PR-it mediatik. E meqë maksima e vjetër sygjeron se ndërkombëtarët bashkëpunojnë me fituesit ashtu siç stabiliteti ruhet nga i forti, me vlerë do qe të analizohej qasja opozitare veçanërisht, dhe gradienti deri ku Basha po fasiliton retorikën e interesin ndërkombëtar si mjet i rotacionit.

Së pari, nuk duhet harruar se opozitat e mundësojnë rotacionin kryesisht duke kapitalizuar vullnetin qytetar për ndryshim dhe duke e bashkuar këtë frymë opozitare në një hulli të vetëm. Në këtë prizëm mbështetja retorike e diskurit ndërkombëtar, që zakonisht artikulohet prej diplomatëve të akredituar në vend, mund të shërbejë potencialisht si fluks i shtuar në lumin e vullnetit për rotacion, por jo si pus prej të cilit opozita të nxjerrë ujë për të shuar etjen e mbështetësve dhe skeptikëve. Edhe pse deklaratat e përfaqësuesve specifikë, e sidomos atyre amerikanë, si edhe mbështetja e tyre institucionale janë parakushte për orientimin e duhur të zhvillimit në Shqipëri, loja e kungulleshkës me synim monopolizimin e deklaratave të ambasadorëve vështirë se përkthehet në vota e asesi që nuk ndikon në vendimet e të pavendosurve.

Kjo përpjekje për ti polarizuar ndërkombëtarët dhe qëndrimet e tyre, dhe për ti etiketuar ata në pro dhe kundra krahëve politikë, është një strategji e dalë boje, jo koherente, dhe anormale. Për të mos thënë që qëndrimet e faktorëve ndërkombëtare dhe aleatëve strategjikë si SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë koherente mes veti dhe në unison historikisht. Thuajse të gjithë diplomatët perëndimorë në Tiranë që prej fillimit të tranzicionit e kanë vënë theksin tek vlerat demokratike, liritë themelore, paprekshmëria e zgjedhjeve dhe balanca institucionale e pushteteve. Kjo retorikë ndonjëherë është e drejtpërdrejtë dhe me raste më evazive, sidoqoftë këto nuanca diplomatike nuk e kanë sfumuar thuajse asnjëherë kthjelltësinë e mesazhit të pandryshueshëm perëndimor. Andaj edhe deklarata e ambasadores së SHBA-ve nuk ka pse të habisë askënd, sa kohë që ajo i drejtohet popullit me kërkesën për mos-shitje të votës tek “kriminelët” dhe investim të zgjuar të sajin si pushtet demokratik, për ato forca që e sjellin ndryshimin e kërkuar prej qytetarëve. Kjo deklaratë, përveçse një përsëritje e këngës së kahershme të amerikanëve, përbën në vetvete një diskur të drejtpeshuar. Tentativa për analizë semiotike të deklaratave, lexim nën rreshta dhe deklamim me anë të tellallëve të këtyre mesazheve të nënkuptuara përbën një qasje arkaike, të stërpërdorur deri në lodhje nga të gjithë e gjithmonë, e për pasojë pa ndikimim elektoral.

Së dyti, duhet theksuar nevoja që politika jonë të heqë dorë nga kompleksi i inferioritetit dhe tentativa për ti dhënë anë të huajve si mjete për luftën e brendshme politike. Ky përdorim, përveçse dëfton mbi komplekse të thella politike, dëmton edhe kredibilitetin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, që në sytë e publikut portretizohen si marioneta të teatrit politik shqiptar, e bashkë me ndërrimin e kahjeve që politika u vesh të huajve, në retorikën politike ndryshojnë edhe cilësitë e tyre. Kjo tendencë, që për hir të së vërtetës i ka rrënjët e thella në mentalitetin politik shqiptar, e mban gjithnjë në kufijtë e sipërfaqësores marrëdhënien konstruktive që politika do duhej të kishte me aleatët tanë, bazuar tek vlerat e përbashkëta. Tentativa për ti përdorur deklaratat e diplomatëve si zgjatim i sloganeve të partive e dëmton kësisoj edhe seriozitetin e klasës politike, edhe qëndrueshmërinë e marrëdhënies së saj me aleatët, po aq sa interesin afatgjatë të Shqipërisë për reformim të brendshëm të mbështetur nga këta partnerë, edhe suport të jashtëm të tyre. Me gjasë incentivuesja kryesore e një qasje të tillë është paaftësia e forcave politike për të krijuar momentum real dhe tentativa e tyre për ta improvizuar këtë momentum, si kinse sensibilitet ndërkombëtar. E pikërisht këtu bie në përgjegjësinë e Bashës që ta orientojë makinën propagandistike të PD-së larg këtij qerthulli, duke e vënë theksin tek oferta programatike, rëndësia e ndryshimit dhe vlerat perëndimore që do duhej ta brendonin këtë ofertë rotacioni, e që do shërbenin si baza e bashkëpunimit të nesërm të qeverisë potenciale Basha me faktorët ndërkombëtarë.

Së treti, është e rëndësishme që opozita ta potencojë synimin dhe seriozitetin e saj programatik si mjeti më efikas për ta rritur peshën elektorale mes të pavendosurve. Një qasje normale dhe institucionale asesi nuk e parasheh përdorimin, deformimin, sygjestionin, dekontekstualizimin dhe interpretimin e deklaratave të ndërkombëtarëve si gurë për të thyer xhamat e pushtetit. Në të kundërt, Basha do duhet të kapitalizohet fuqishëm tek fryma opozitare dhe bindja popullore se ndryshimi do të vijë, do jetë projekt i të gjithëve dhe i udhëhequr nga Basha. Synimi për ti paraqitur deklaratat e ambasadores, e për pasojë të Amerikës si koracë të nevojës për fitore dhe karrocë të rotacionit, do reflektonte pasiguri dhe dyshim tek aftësia e opozitës për ta mundësuar natyralisht e pa “fermane sulltani” rotacionin, sa edhe tek kredibiliteti i programit opozitar mes njerëzisë. Përveçse pasiguri karshi fitores, kjo qasje do të vinte në dyshim edhe qëndrueshmërinë e aksionit opozitar tetë vjeçar si prelud i programit të propozuar dhe inercisë së “pandalshme” të rotacionit. Dhe kjo taktikë do shmangur edhe për shkaqe pragmatike. Mbështetësit tradicionale do e votonin Bashën edhe sikur ambasada amerikane ta merrte pushim për zgjedhje me rastin e Spring Break-ut, ndërsa të pavendosurit do votojnë për Bashën vetëm nëse ai premton si duhet dhe ofron garanci për realizim të këtyre premtimeve sipas pritshmërisë së tyre. Ideja se të pavendosurit do anojnë nga opozita së kështu e interpreton Basha se anon edhe Amerika, është naive, simpliste dhe jo më pak absurde se hipoteza që dialektika dhe karma janë të mjaftueshme për rotacion.

Thënë këto, duhet kuptuar se faktorët ndërkombëtarë, luajnë një rol të rëndësishëm në procesin shtet-formues të vendit, veçanërisht sa i takon mbështetjes së ofruar në kuadrin institucional dhe demokratik. Kësisoj thirrjet dhe sugjerimet karshi përmirësimit të performancës demokratike në zgjedhje dhe jo vetëm, janë një fanar për bashkues i orientimit të popullit tona, po aq sa edhe një kambanë alarmi që u kumton elitave përgjegjësitë e tyre. Sidoqoftë, qasja e kahershme për ti përdorur deklaratat e ndërkombëtarëve si mjete me të cilat forcat politike të arrijnë më lehtë qëllimet e tyre është e pandershme karshi votuesve, e pahijshme karshi ndërkombëtarëve, e rrejshme për pritshmëritë elektorale dhe e dëmshme për nevojën e thellimit të bashkëpunimit serioz mes nesh dhe aleatëve tanë strategjikë.

Në këtë prizëm është e domosdoshme që një orë e më parë Basha ta braktisë këtë qasje, dhe ta orientojë diskurin kah premtimet, dhe energjitë kah zotimet që do bindin shqiptarët se opozita përfaqëson ndryshimin e pritur e jo se kështu na thonë ndërkombëtarët. Kjo qasje i ka kuturitur liderët politikë ti hyjnë telasheve të mëdha përtej oqeanit për foto propagandistike dhe takime simbolike që më pas janë paraqitur si dëshmi e çarçafit të fitores elektorale ngjyer me bojën e kuqë të ndërkombëtarëve. E ikja prej këtij kurthi është një proces i brendshëm, i reflektimit dhe orientimit kah një diskur vlerash dhe parimesh që doemos mbështeten nga ndërkombëtarët. Në të kundërt diskuri i sotëm ndër të tjera do shërbente si demonstrimi i dështimit të tentativës për ti lexuar kumtet diplomatike sipas dëshirës, ashtu siç një fallxhore i sheh rrugë udhëtarit dhe dasmë beqarit. E atëherë gjithë ç ‘mbetet për Bashën do të qe të justifikohej se rotacioni ishte i pamundur, edhe ngaqë në moment të fundit atë se deshën ndërkombëtarët./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH