Aktualitet

Dekania e Studentëve në UET: Si mund ta menaxhojnë studentët stresin

Shkruar nga Liberale
Dekania e Studentëve në UET: Si mund ta menaxhojnë studentët

Të punosh gjatë kohës së studimeve në universitet shpesh herë duket si një detyrë e vështirë, megjithatë nuk është e pamundur nëse studentët mësojnë të menaxhojnë kohën, stresin dhe qëllimet e tyre.

Të punosh gjatë kohës së studimeve në universitet shpesh herë duket si një detyrë e vështirë, përshkak të impenjimit që kërkon ruajtja e rezultateve në mësime por edhe produktiviteti në punë. Megjithatë të punosh me kohë të pjesshme ndërsa shkon në shkollë, nuk është aq e vështirë sa tingëllon, mjafton që studentët të mësojnë të menaxhojnë kohën, stresin dhe qëllimet e tyre.

Të menaxhosh studimet dhe punën

Njohuritë teorike që një student përfiton në auditor janë shumë të rëndësishme për formimin profesional individual, por një aspekt që nuk duhet neglizhuar, është vendosja në praktikë e kësaj teorie. Kombinimi i punës me studimet, është një mundësi shumë e mirë për studentët që të formohen në mënyrë cilësore.

Puna ndikon në edukim përshkak se i mëson qytetarëve etikën, rregullsinë, respektimin e afateve të dorëzimit të punës, të jep kulturë, pavarësi si dhe të zhvillon komunikimin për t’u përshtatur në mënyrë të suksesshme me sfidat që sjell e ardhmja. Edhe përse kërkon mjaft vullnet dhe angazhim nga studenti për të ruajtuar perfomancën cilësore në akademi, kjo eksperiencë mund të përkthehet në një avantazh për të ardhmen profesionale.

Pavarësisht se cila do të jetë industria ku studenti synon të bëhet pjesë pas marrjes së diplomës, duke punuar gjatë kohës së studimeve, ai ose ajo mund të përforcojë tek vetja një aftësi të domosdoshme: menaxhimin e kohës.

"Duke punuar ndërkohë që studiojnë në universitet, studentët mësojnë si t’i japin përparësi kohës së tyre,” thotë Dekania e Studentëve në UET, Elsida Sinaj. "Nëse studentët duhet të punojnë me kohë të pjesshme ndërkohë që njëkohësisht u duhet të menaxhojnë ngarkesën që paraqet një kurs mësimor në një semestër, është domosdoshmëri absolute që ata të mësojnë ta menaxhojnë kohën e tyre në mënyrë efektive.”

Padyshim që një tjetër avantazh i të punuarit gjatë periudhës së studimeve është fitimi i ekspriencës profesionale.

“Studentët përfitojnë edhe në një aspekt tjetër, atë të zgjerimit të përvojës profesionale, si dhe krijimit të një rrjeti të gjerë kontaktesh”, shprehet Dekania e Studentëve në UET, ndërkohë që shton se pavarësisht se puna është e karakterit në të cilin studenti po diplomohet, ose jo, kjo eksperiencë është sidoqoftë e vlefshme përshkak se studentët në këtë mënyrë mund të aftësohen në një shumësi aspektesh të tjera si komunikimi me punëdhënësin, etika në punë, respektimi i rregullave si afatet kohore etj.

Ajo këshillon që studentët duhet të jenë përgatitur që në fillim të semestrit dhe të planifikojnë ngarkesën e pritshme.

“Studentët duhet të jenë të organizuar dhe të planifikojnë axhendën e tyre herët”, thotë Sinaj. "Në fillim të secilit kurs, ata mund të shfrytëzojnë silabuset që pedagogu përkatës u vendos në dispozicion si dhe të interesohen mirë për afatet kohore të dorëzimit të detyrave, në mënyrë që të përllogarisin kohën e nevojshme për të lexuar dhe për t’i realizuar ato. Ky planifikim duhet të jetë i përditshëm në mënyrë që studenti të mos mbetet prapa.”

Kombinimi i studimeve dhe punës krijon shumë avantazhe por jo pak herë studentët mund të përjetojnë edhe periudha stresi. Elsida Sinaj, e cila njëkohësisht është edhe lektore në lëndët e psikologjisë, sjell në vëmendje faktin që menaxhimi i stresit është i lidhur me vëmendjen ndaj shëndetit dhe zhvillimit personal të studentit. Sipas saj, studentët duhet jo vetëm t’i përkushtohen studimeve dhe produktivitetit në punë por duhet gjithashtu të krijojnë kohë kualitative për veten e tyre sociale.

“Një nga aspektet më të rëndësishme të përballimit të stresit dhe ngarkesës është pikërisht menaxhimi i kohës dhe zhvillimit personal. Stresi mund të përballohet në mënyra të ndryshme që nga sporti tek krijimi i kohës për jetën sociale dhe personale. Studentët duhet të përcaktojnë objektivat e tyre dhe të krijojnë një axhendë që u mundëson atyre t’i arrijnë ato. Është shumë e rëndësishme, që pavarësisht ngarkesës, studentët të krijojnë kohë për veten si dhe t’i kushtojnë vemendje shëndetit të tyre si dhe të punojnë për të rritur vetëbesimin dhe vetëvlerësimin. Një kohë e shpenzuar me miqtë apo familjen, larg shqetësimeve të shkollës apo punës është shumë e rëndësishme. Ndonëse koha mund të jetë e kufizuar, socializimi nuk duhet të mungojë. ” /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH