Krye

Dekania Budini i dorëzon Presidentit Meta librin e Zhuliana Jorganxhi

               Publikuar në : 09:11 - 21/10/20 liberale

Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, i dorëzoi sot Presidentit të Republikës librin “Zëri i shpirtit tim” të poetes së festivaleve të këngës – Zhuliana Jorganxhi, me rastin e dekorimit të saj me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Ky botim luksoz i UETPress, i cili përmbledh të gjithë korpusin letrar të znj.Jorganxhi,  vjen si mirënjohje për kontributin e spikatur të tekstshkrueses së qindra këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, të cilat mbeten refren brezash. Të pranishëm në këtë event ishin miq artistë të  poetes dhe kolegët e muzikës e të artit pranë Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET.

Dekania Budini theksoi se mbështetja e këtij botimi vjen si ndjeshmëri intelektuale ndaj veprës së poetes, e cila përbën një pasuri publike për të cilën UET kontribuon në vijimësi prej 15 vjetësh tanimë. Për nder të autores, në mjediset e universitetit do të mbahet edhe një koncert krahas ceremonisë së promovimit të librit. Studentët e Arteve do të mund të performojnë dhe risjellin poezitë e muzikuara në forma kreative.

Presidenti Meta dekoron poeten Zhuliana Jorganxhi

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi sot poeten e shquar Zhuliana Jorganxhi me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare”.

Në fjalën e Tij drejtuar artistëve, personaliteve të artit dhe kulturës dhe familjarëve të poetes Jorganxhi, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Të nderuar personalitete të artit e kulturës, të nderuar familjarë, të nderuar pjesëmarrës.

Jam i lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet të shquar të letërsisë dhe artit shqiptar, poeten e mirënjohur Zhuliana Jorganxhi.

Ky aktivitet në kuadër të nismës “Artistët Shqiptarë në Presidencë”, është një nismë që shërben për të vlerësuar dhe lartësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të artistëve tanë në fushën e artit dhe të kulturës.

Thuhet që arti i kapërcen kohërat dhe kjo shprehje gjen kuptim të plotë në veprimtarinë e poetes Zhuliana Jorganxhi, që vazhdon të mbetet edhe pas më shumë se 50 vitesh, një nga emrat më të rëndësishëm të shkollës shqiptare të këngës dhe të poezisë.

E lindur në qytetin e Korçës, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe muzikore, Zhuliana Jorganxhi u rrit mes muzikës dhe poetikës së këngëve korçare, duke ndjekur natyrshëm rrugën e artit.

Aktiviteti i saj letrar fillon që në moshë të hershme dhe poezitë e saj shohin dritën e botimit kur ajo ishte vetëm 17 vjeç.

Por, ajo çka e bëri Zhuliana Jorganxhi të quhet “Mbretëreshë e këngës shqiptare” është kontributi i jashtëzakonshëm në fushën e teksteve të këngës shqipe.

Me thjeshtësinë, ëmbëlsinë dhe ndenjën e thellë, vargjet e krijuara nga Zhuliana kanë marrë madhështi dhe përjetësi.

Të gjithë ne jemi rritur duke dëgjuar emrin e saj si autore e teksteve të këngëve të festivaleve tona kombëtare, e lidhur kjo ngushtësisht me emrat e kompozitorëve dhe këngëtarëve më të shquar shqiptar.

Fjala e shkruar prej saj i ka dhënë vlerë muzikës dhe forcë tingullit, duke hyrë thellë në shpirtin e dëgjuesve.  Zhuliana është një poete me ndjeshmëri të lartë jo vetëm shpirtërore, por edhe shoqërore.

Në vargjet e Zhulianës kanë zënë vend ngjarje të rëndësishme historike, momente të vështira të kaluara nga populli ynë, por edhe dashuria dhe miqësia.

Zhuliana Jorganxhi është jo vetëm poete e mirënjohur, mjeshtre e vargut poetik, por edhe një intelekuale e angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të kauzave të fëmijëve pa familje dhe pa kujdes prindëror.

Personaliteti njerëzor, thjeshtësia, ngrohtësia shpirtërore dhe humanizmi i saj transmetohen si në krijimtarinë poetike dhe në veprimtarinë e saj si aktiviste e shoqërisë civile, duke na dhënë figurën jo vetëm të një artisti të jashtëzakonshëm, por edhe të një gruaje të jashtëzakonshme.

Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, është kënaqësi të nderojmë sot zonjën Zhuliana Jorganxhi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Faleminderit!” /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back