Kryesore

Dejavu e shkarkimit

               Publikuar në : 10:04 - 04/05/21 liberale

Edhe njëherë për shkarkimin e presidentit Meta. Dy vjet pas kërkesës së parë, maxhoranca u kthehet edhe njëherë argumenteve se kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën. Shkas për këtë, janë bërë deklaratat e Metës që kanë nxitur ndasi dhe dhunë mes militantëve, deri në vetëgjyqësi

Pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Rama parashikoi dy mundësi për presidentin Meta. Një prej tyre ishte që kreu i shtetit të jepte dorëheqjen, siç e paratha nëse Partia Socialiste fitonte 71 mandate dhe tjetra ishte lajmërimi se maxhoranca do të niste edhe njëherë procedurat për shkarkimin e tij.

Kreu i qeverisë tha se procesi do të niste nga ky parlament, pa pritur formimin e të riut në shtator. Parlament, që Meta e ka cilësuar disa herë jo legjitim.

Partia Socialiste ka mbledhur 50 firma deputetësh për shkarkimin e presidentit, me pretendimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën. Kërkesa e depozituar pranë kreut të Kuvendit, mban datën 30 prill dhe sjell argumentet e deputetëve të maxhorancës se presidenti i Republikës

gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021 ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante  Kushtetutën, ka cenuar ndjeshëm besueshmërinë e qytetarëve në rolin e kreut të shtetit dhe nuk ka ushtuar detyrën e tij kushtetuese.

Ashtu si herën e parë, më 2019-n, kërkesa ka në qendër nenin 90/2 të Kushtetutës që parashikon se Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe

për kryerjen e një krimi të rëndë.

Dy vjet më parë ishte shfuqizimi i datës së zgjedhjeve lokale nga presidenti Meta, që çoi Parlamentin së pari të miratonte një Rezolutë për ta kthyer presidentin brenda kufijve kushtetues të rolit të tij dhe më pas ngritjen e një komisioni hetimor dhe thirrjen e ekspertëve të Komisionit të Venecias. Raporti përfundimtar i Venecias nuk gjykoi shkelje të rëndë të Kushtetutës për të argumentuar shkarkimin e presidentit, ndërsa theksoi balancën e pushteteve ku pas 30 qershorit PS kishte jo vetëm shumicën qeverisëse,  por edhe të gjitha bashkitë e vendit.

Lajmërimi i kreut të qeverisë për nisjen e procedurave të shkarkimit të presidentit, ndërsa Gjykata Kushtetuese është rikthyer në funksionalitet, ndodhi pasi disa deklaratave të zotit Meta kundrejt ambasadores amerikane Yuri Kim.

Ambasadorja do të postonte një mesazh në Twitter duke kritikuar deklaratat e kreut të shtetit për mbrojtjen e votës me çdo lloj forme e mjeti.

“Është e papranueshme për këdo që kërcënon se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal!”, shkruante zonja Kim. Presidenti Meta i drejtohej ambasadores të mos ndërhynte në punët e brendshme të vendit, në mënyrë të njëanshme e të mos merrte në mbrojtje kryeministrin Rama.

Kjo kërkesë e dytë për shkarkimin  e presidentit, ka në thelb pikërisht mesazhet e zotit Meta para dhe gjatë fushatës zgjedhore, përmes mediave. Sipas kësaj kërkese, e cila vjen nga një e katërta e anetarëve të Kuvendit, mesazhet e presidentit kanë nxitur dhunë dhe vetëgjyqësi të militantëve.

“Besoj që jeni vënë në dijeni që prej ditës së premte është institucionalizuar kërkesa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, depozituan kërkesën për fillimin e procedurës së shkarkimit Presidenti i Republikës përpara dhe gjatë fushatës ka kryer veprime që shkelin Kushtetutën e Shqipërisë”, do të shprehej Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili e lajmëroi edhe më herët nisjen e procedurave për shkarkimin e zotit Meta, mandati presidencial i të cilit përfundon në korrik të 2022-shit.

Balla ka kujtuar rezolutën e qershorit të 2019-s , ku i kërkohej presidentit  të rikthehej në binarët e Kushtetutës. “Presidenti nuk e ka respektuar këtë rezolutë të vitit 2019 dhe ka vijuar me shkeljen e Kushtetutës. Ndaj Kuvendi do të shprehet me vendim për këtë. Unë besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin për ta shqyrtuar këtë proces”, tha Balla.

Jo vetëm rezoluta që u miratua me dy të tretat në Kuvend, por po aq u votua edhe ngritja e procesit hetimor që i hapte rrugë procedurave për shkarkimin e kreut të shtetit, megjithëse parlamenti ka ende vetëm 122 deputetë nga 140, pas dorëzimit të mandateve nga opozita e bashkuar.

Sipas Ballës, nisma e parë nuk shkoi në fund, në shenjë të respektimit të Opinionit të Venecias, që gjykoi vetëm tejkalim të kompetencave të presidentit, por jo shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Ne ruajmë respekt maksimal sepse ka një vlerë të pakundërshtueshme për ne si institucion”, është shprehur Balla, por kjo nuk e ka penguar maxhorancën t’i kthehet edhe njëherë procedurës së shkarkimit. Ndonëse kësaj here në qendër janë deklaratat e presidentit gjatë fushatës zgjedhore , të mbledhura në një dokument prej 41 faqesh.

Në këtë dokument nuk lihen pa përmendur ato që maxhoranca i konsideron shkelje të presidentit, që nga dekreti i qershorit të 2019, deri tek kthimi i disa ligjeve sërish në Kuvend dhe te ngërçi me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku presidenti zgjodhi anëtaren e dytë pas Kuvendit dhe refuzoi betimin e gjyqtares që u zgjodh përmes mekanizmit të zhbllokimit.

“Zoti Ilir Meta në detyrën e presidentit të republikës së Shqipërisë ka humbur rolin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar dhe moderatorin e konfliktit politik, përkundrazi me mesazhet e tij drejtuar publikut në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka treguar se linja e tij politike është e qartë, kundër maxhorancës në pushtet dhe popullit që e mbështet”, arsyetohet në këtë kërkesë.

“Kjo sjellje abuzive ka krijuar një klimë të vështirë t funksionimit të institucioneve dhe dëme të konsiderueshme si në ekonominë e vendit, ashtu edhe në besueshmërinë e qytetarëve dh  partnerëve ndërkombëtarë tek institucioni i presidentit në veçanti dhe në demokracinë shqiptare në përgjithësi”, shkruhet më tej.

Presidenti Meta, ashtu si edhe pak ditë më parë, e ka cilësuar “shashkë” të maxhorancës.

“Të përqendrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Asgjë nuk ka përfunduar! Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit. Detyrë e të gjithë subjekteve të ndjekin procesin deri në fund. Mos u merrni me “shashka”, por me hetimin e krimeve zgjedhore”, shkruan Meta, ndërsa më herët ka bërë thirrje për hetim të fletëve të pavlefshme të votimit, pas procesit zgjedhor.

Me këtë kërkesë të re nga maxhoranca, presidenti Meta bëhet i pari president në historinë e pluralizmit shqiptar, ndaj të cilit janë nisur dy herë procedurat për shkarkim. Nëse herën e parë u ndal me Opinionin e Venecias, kësaj here verdikti final i takon Gjykatës Kushtetuese. Të dyja këto procedura nisen nga të njëjtët deputetë dhe pritet që sërish të jenë votat e opozitës së re, që do të miratojnë siç bënë herën e kaluar, ose do të votojnë kundër…

Mesazhet e presidentit: “Mprihni sfurqet”, “Gjejini”, “Izolojini”, “Lidhini”!

Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, 50 firmëtarë të Partisë Socialiste rendisin provat, që sipas tyre, faktojnë që Kreu i Shtetit ka shkelur Kushtetutën.

Deputetët e PS, që kanë firmosur kërkesën, nga Taulant Balla, te Pandeli Majko e Spartak Braho, risjellin në vëmendje disa deklarata të forta të Presidentit Meta, të bëra para, gjatë dhe pas fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.

Sipas ligjvënësve të majtë, këto deklarata të Kreut të Shtetit çuan deri në një humbje jete, duke iu referuar kështu vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, katër ditë para zgjedhjeve.

“Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, forcave të policisë, përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike, çuan në cënimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe cenimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në kërkesën e PS.

Më poshtë, po ju sjellim disa nga deklaratat e Presidentit Ilir Meta, që citohen në kërkesën e PS me 41 faqe:

“Kërcënimi i fundit që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, ka vetëm një përgjigje: Presidenti gati për të firmosur dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!”

“Të dashur prokurorë dhe gjyqtarë! Dëgjojeni mirë Presidentin e Republikës! Boll dëgjuat përfaqësuesin e Ndrangheta-s, Don Agaçion. Nëse jo, një pikë gjaku të derdhet nesër, por edhe një pikë loti, mjerë ju! Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë!”

“Sfurqet do jenë të dielën, nëse preket vota. Zgjedhje si të Shijakut dhe të Dibrës, nuk do të ketë më. Kjo histori ka marrë fund…”.

“Lidheni të marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat… Unë do shkoj në shtëpi, kur ti të shkosh në psikiatri”.

“Bravo qytetarëve të Beratit! Gjejini! Izolojini! Mos i toleroni! Nuk ka patronazhist, fuks dhe bandit, që mund të ndalë ndryshimin e madh më 25 prill! ‘Ngrehuni dhe bjeruni, korini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë’! Me qetësi dhe vendosmëri drejt 25 prillit!

“Janë të shqetësuar nga mesazhet e Presidentit! Le të shqetësohen dhe le të tmerrohen të gjithë ata, të cilët mendojnë se do bëjnë “tërmet” në zgjedhje, si në Dibër, apo si në Shijak, qofshin këta qeveritarë, punonjës policie; qofshin banditë, gjithçka qofshin”.

Rama: Populli e dënoi në mënyrë spektakolare, Parlamenti do ta formalizojë

 I ftuar në “Opinion” Rama tha se Parlamenti aktual do të bëjë të mundur shkarkimin e tij, pasi është funksional, ndërsa shtoi se PD ka bërë maksimumin e saj në këtë fushatë.

Rama: Meta është jashtë çdo lloj konfiguracioni dhe me Metën do merret Parlamenti. Metën populli e dënoi dhe parlamenti do ta formalizojë. Ky parlament aktual do ta bëjë. Ky parlament duhet ta formalizojë. Meta është dënuar nga populli në mënyrën më spektakorale të mundshme. Votën për PD e lexoj si një votë që është dhënë se ka bërë një sforco. Unë e di që për mua nuk është e lehtë që të kafshoj gjuhën kur më vijnë batuat, por se kam thënë me cinizëm kur kam thënë që ka arritur maksimumin.

Disa ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla njoftoi se Parlamenti do të nisë procedurën për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Kjo deklaratë e Ballës, pasoi një reagim të Presidentit Meta, i cili tha se Presidenti është i gatshëm të firmosë dekretin për të rëndësishëm për të mbrojtur Republikën e Shqipërisë, duke lënë në të nënkuptohet se është ai për shpërndarjen e Parlamentit./Gazeta Liberale

 

 

 

 

 

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back