Aktualitet

Dëborë në disa qytete të Shqipërisë, probleme me energjinë elektrike

Shkruar nga Liberale

Moti i keq ka përfshirë gjithë territorin e Shqipërisë. Një pjesë e madhe e qyteteve janë mbuluar nga reshjet e dëborës.

Prej orës 4 të mëngjesit dëbora ka mbuluar qarkun e Korçës. Reshjet me intensitet më të lartë dhe të shoqëruara me erë të fortë janë në zonat malore si Qafa e Qarrit që lidh Korçën me Ersekën, fshati turistik i Dardhës dhe ai i Voskopojës. Në Dardhë trashësia e borës varion nga 10- 15 cm, ndërsa në Qafën e Qarrit dhe Voskopojë nga 2-10 cm.

Qarkullimi i mjeteve është pa probleme në të gjitha akset, lëvizja bëhet pa zinxhirë, por përjashtim bën vetëm km 5 deri në km 13, në fshatin Dardhë ku për mjetet e vogla rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Moti i keq ka sjellë probleme me energjinë elektrike. Konkretisht pa energji elektrike kanë mbetur disa fshatra në Njësinë Administrative Ceraves në Pogradec, fshatra në Vithkuq, disa fshatra në Fushën e Korçës si dhe një lagje e tërë në Maliq.

Reshjet e borës kanë përfshirë pjesën më të madhe të qarkut të Dibrës, ku në zonat e thella trashësia ka arritur deri në 40 cm. Disa fshatra për momentin janë të bllokuar për shkak se rrugët rurale janë të amortizuar dhe reshjet e dëborës e bëjnë të pamundur qarkullimin e mjeteve.

Në disa zona ka edhe mungesë të linjës elektrike, ndërsa rruga nacionale Burrel-Peshkopi është pa probleme.

Njësitë problematike janë Lura, Kalaja e Dodës, Arras, Trebisht, disa fshatra të njësisë Zerqan janë të bllokuara. Po ashtu edhe Ternova e Madhe dhe Ternova e Vogël kanë probleme, lartësia e borës vijon nga 30-40 cm.

Edhe qyteti i Pukës është përfshirë gjatë orëve të fundit nga reshje të dendura dëbore. Trashësia e dëborës ka arritur në 12 cm, por aktualish nuk ka probleme me qarkullimin.

Aktualisht në bashkinë e Pukës si pasojë e reshjeve të Borës nuk ka asnjë problem, ndërkohë që të gjithë institucionet arsimore u hapen dhe po funksionojnë normalisht dhe me ngrohje.

Bashkia Pukë po vijon monitorimin e situatë teksa pritet që qyteti të përballet me uljen e ndjeshme të temperaturave që pritet të sjellin ngrica.

Edhe Tepelene është përfshirë nga moti i keq gjatë natës. Fshatrat si Danaj, Canaj, Izvor, Martalloz, Buz, Rabie, Anë Vjose, Mamaj kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e erës së fortë që kanë shkaktuar bashkimin e përcjellësve të rrymës./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH