Aktualitet

Dashuria që përfundoi në tragjedi

Shkruar nga Liberale
Dashuria që përfundoi në tragjedi

Një histori dashurie mes dy adoleshentëve u bë shkak i tragjedisë së ndodhur në Klos.

17-vjeçari Kenad Shira që mbeti i vdekur, ishte i dashuruar me vajzën 16-vjeçare të autorit të ngjarjes, Fiqiri Mjeshtri.

Mësohet se ishte familja Mjeshtri që kundërshtonte këtë lidhje mes të rinjve. Dy familjet kishin lënë takim në një lokal në qendër të Klosit për t’u sqaruar.

Fiqiriu kishte marrë me vete dhe dy vëllezërit, Besnik Mjeshtrin, i cili ishte polic bashkiak dhe Fatmir Mjeshtrin.

Ndërsa 17-vjeçari kishte marrë të atin dhe dy të afërmit e tyre për t’u sqaruar me familjen e vajzës.

Por biseda degradoi në sherr dhe më pas në përdorimin e armëve.

I vetëvrari Fiqiri Mjeshtri dyshohet të ketë qëlluar për vdekje babë e bir. Fillimisht policia arrestoi dy vëllezërit e tij dhe më pas ngushtoi rrezen për të prangosur autorin i cili në një prej rrugëve periferike të qytetit u gjet i vetëvrarë.

17-vjeçari Kenad Shira doli para të atit, për të mbrojtur nga plumbat dhe ishte i pari që ndërroi jetë.

Adoleshenti humbi jetën në vendin e ngjarjes. Pak minuta më vonë në spital ndërroi jetë dhe babai i tij Ilir Shira, ndërsa të plagosur rëndë në Spitalin e Traumës janë Renato Hasula dhe Eglant Hasula të cilët kanë lidhje shoqërore me autorin dhe dyshohet se janë plagosur pasi ai ka humbur kontrollin e armës.

Nga dëshmitarët okularë, policia mësoi se ngjarja u krye nga Fiqiri Mjeshtri dhe menjëherë ushtroi kontroll në qytet për kapjen e tyre.

Babai i vajzës, Fiqiri Mjeshtri, kreu vetëvrasje pak momente pas krimit, ndërsa policia prangosi dy vëllezërit e tij. Ata janë lënë të lirë sot, pasi nga provat e grumbulluara nuk rezultojnë të kenë qëlluar me armë.

Është kjo historia e një dashurie që përfundoi në një tragjedi me tre të vdekur. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH