Letërsi

Dashuria për leximin mund të mbillet

Shkruar nga Liberale

Minella Aleksi

Aristoteli: "Më jep një fëmijë deri në moshën 7 vjeç dhe unë do të të tregoj ty njeriun.”

Letërsia e autorëve të mirë u jep mundësinë lexuesve që ta shikojnë historinë e shoqërisë njerëzore nga brenda mendjes së atyre njerëzve, të cilët influencojnë më shumë mbi të. Të lexuarit është një aktivitet i imagjinatës, dhe imagjinata në fjalë nuk është vetëm e shkrimtarit. Në orën kur imagjinata dhe aftësia jonë për t'u shoqëruar brenda saj janë në kulmin e tyre, ne nuk lexojmë më atë që është shtypur në letër, por notojmë në një lumë impulsesh dhe frymëzimesh që na arrijnë nga ato që po lexojmë.

Të lexuarit është një përpjekje prej vetmitari. Interesante është se njerëzit që nuk lexojnë dhe që janë përreth këtyre lexuesve vetmitarë, mendojnë se janë në konkurrencë me librin, me këtë objekt të pajetë, që “arbitrarisht”  ndërhyn në raportet afektive të tyre, me këta njerëz të dashur për ta. Njeriu jolexues përjeton xhelozi për shkak se ai që lexon mund të qëndrojë për orë të tëra në heshtje dhe të mos ofrojë bashkëbisedim të kënaqshëm me atë që nuk lexon. E kundërta nuk ndodh. Jolexuesi kërkon prej jush që t'i kushtoni vëmendje, ndërkohë që vetë lexuesi shqetësim ka pamundësinë që i krijohet për të mos lexuar. Por si vijmë në kontakt me leximin?

Përgjatë skanimeve të trurit te fëmijët në muajt e parë pas lindjes, studiuesit e Universitetit të Ohio-s në SHBA, kanë zbuluar se truri i njeriut lind në një zonë të tij me një terren të paraformuar për të qenë i pranueshëm, receptiv ndaj fjalëve dhe shkronjave. Kjo pjesë - e quajtur "zona e formës vizuale të fjalës" - është e lidhur si funksion me rrjetin gjuhësor të trurit.

"Kjo e bën atë zonë të paraformuar, një tokë pjellore për të zhvilluar një ndjeshmëri ndaj fjalëve vizuale – madje përpara se çdo forme ekspozimi ndaj gjuhës". Kur them gjenetikisht të programuar, kam parasysh që njeriu lind me një “kod të paraformuar biologjik”, kod që përmban mundësitë e prirjeve të mundshme për të ardhmen dhe që gjatë jetës, në varësi të influencave familjare dhe sociale, ose do i zhvillojë programet e mbartura në të ose do i “vdesë” ato. Një lloj si raporti tokë-farë. Më mirë se në çdo fushë tjetër të jetës, të parët që e kanë kuptuar dhe që e kanë zbatuar vlerën e padiskutueshme të mbjelljes së edukimit që në moshë të hershme, kanë qenë institucionet fetare. Çdo të diele, familjarisht prindërit me fëmijët në krahë e përdore, kanë frekuentuar dhe i kanë ushqyer fëmijët me edukatën kishtare. Me rritjen në moshë, gjurmët e kësaj edukate janë bërë pjesë themelore e personalitetit të njeriut. Që leximi i letërsisë të arrijë të bëhet një tipar dallues i shoqërisë, mendoj se edukata e leximit duhet të “mbillet” sipas një programi edukativ që është i ngjashëm me modelin e rregullsisë ditore me të cilin injektohet edukata fetare. Ngjashëm si një praktikë religjioze që zhvillohet rigorozisht e progresivisht në vitet e para të jetës së fëmijës, në “shkollën” e familjes.

Njeriu nuk lind me dëshirën për fenë. Që në fillimet e jetës, edukohet me të dhe bëhet pjesë e karakterit të tij. Mendoj se metodika e edukatës fetare si praktikë edukuese, përbën modelin më të adaptueshëm dhe më rezultativ për mbjelljen te njeriu të dashurisë për librin. Gjatë fëmijërisë së hershme nga 1-7 vjeç, ne fillojmë të bëhemi qenie shoqërore, ndërsa detyrohemi nga më të rriturit të mësojmë se si t'i menaxhojmë instinktet tona dhe sesi t'i transformojmë ato në sjellje të pranueshme shoqërore. Mendoj se shoqëria konsiderohet e maturuar vetëm atëherë kur kupton dhe motivohet nga ideja që prindërit duhet të pranohen si edukatorët e parë dhe më kryesorët e fëmijëve të tyre. Nuk kam asnjë dyshim se roli i prindërve si edukatorë është aq vendimtar saqë, vështirë se çdo gjë tjetër mund të kompensojë dështimin e tyre në rolin e edukatorit. Në formësimin e arkitekturës së trurit të fëmijës piketat më të rëndësishme  ndodhin deri në moshën 7 vjeç. Janë vitet më kritikë. Ato vite kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën sesi fëmijët zhvillojnë aftësitë e të mësuarit, si dhe aftësitë shoqërore dhe emocionale, në fazat në vazhdim të jetës. Në fakt, filozofi i madh grek Aristoteli njëherë tha: "Më jep një fëmijë deri në moshën 7 vjeç dhe unë do të tregoj ty njeriun”. Qëllimi i edukimit me leximin e librave letrarë, përbën procesin e zëvendësimit të një mendjeje të zbrazët me një mendje të hapur.

Bazuar në fondamentin biologjik, cilësitë karakteriale e psikologjike të individit, njeriu ka sjellje totalisht vetjake për çdo aspekt të jetës, e jashtë kësaj sjelljeje nuk mbetet marrëdhënia që ai ka me librin. Në vendet më të zhvilluara në Perëndim, në familjet me standard mesatar jetese, çdo mbrëmje, fëmijëve u lexohet nga prindërit një libër përpara gjumit. Me rritjen në moshë leximi bëhet i imponuar sipas një kalendari fillimisht e shoqërohet me bisedë komentuese gjithashtu.

Jo vetëm kaq, por për të aktivizuar dhe diktuar çdo prirje natyrale të fëmijës, nga mosha 2 vjeç nisin të aplikojnë frekuentimin me tremujore të disa lloje kursesh, disa herë në javë. Kështu fëmijët 2 vjeçarë e më shumë, vihen në kontakt me instrumente të ndryshëm muzikorë, provojnë të mësojnë notin, të zhvillojnë lojëra ushtrimore të logjikës, të frekuentojnë kurse baleti, lloje të ndryshme sporti, e kështu me radhë deri kur shkojnë në klasën e parë. Prandaj për shkak të kësaj eksperience, për prindërit periudha më e ngarkuar me fëmijët, është nga mosha 1-7 vjeç. Mbas fillimit të shkollës, fëmijët vazhdojnë atë preferencë aktiviteti jashtëshkollor në të cilin kanë dëshmuar pasion. Nga dita që i porsalinduri vjen në shtëpi, mund të filloni të rrisni një lexues. Bebet, duke qenë në një prehër të ngrohtë, i përgjigjen ritmit qetësues të një zëri që lexon me zë të lartë. Studiuesit pohojnë se nëse e bëni leximin pjesë të rutinës suaj ditore, fëmija juaj ka të ngjarë të rritet duke e pritur me padurim që të lexojë. Duke lexuar para fëmijës dhe e duke lejuar atë që t’ju shohë të ngazëllyer, ka të ngjarë të pushtohet nga entuziazmi juaj.

Leximi me zë të lartë është një mënyrë me presion të butë dhe e pa kundërshtueshme për përfshirjen e imagjinatës nëpërmes fjalës së shkruar. Fëmijët mësojnë nga ato që vëzhgojnë. Prandaj, konstatohet që fëmijët shpesh nuk zhvillojnë aftësi të forta leximi, nëse prindërit e tyre nuk i njohin me librat në shtëpi. Ja sesi e kujton një lexues i rritur pasionin për lexim në ambientin e familjes: "E dija se nëse do të lexoje, nuk kishte asnjë vend ku nuk mund të shkoje dhe asgjë të mirë që nuk mund të bëje. Unë e dija që ishte një rrugë drejt lirisë dhe e dëshiroja atë liri për ty", më tha nëna vite më vonë.

Mendoj se janë me vlerë iniciativat e institucioneve shtetërore për të rritur interesin e njerëzve të rritur me librin, por themeli mbetet “shkolla” e familjes.

Të kesh pasion të lexosh letërsi do të thotë të “vuash”. Nuk mendoj se mund të jesh i apasionuar pas diçkaje, nëse nuk je i gatshëm që të vuash për të. Njerëzit pasionantë shihen se përjetojnë një lloj vuajtjeje, sikur të jenë skllevër të pasionit të tyre, sepse bëhet fjalë për t'a kontrolluar atë. Pasioni është i nevojshëm për të arritur në nivelet më të larta të kuptimit.

Po si arrihet te kuptimi i tekstit?

Kuptimi është një proces i qëllimshëm, aktiv dhe ndërveprues që ndodh para, gjatë dhe pasi një person lexon një shkrim të veçantë. Leximi është jo vetëm një proces që “negocion” kuptimin midis tekstit dhe lexuesit të tij, por në këndvështrimin ndërveprues, akti i leximit shihet si një “transaksion” midis lexuesit dhe tekstit, me historinë e lexuesit dhe kontekstin e leximit. Të tre këta faktorë - lexuesi, teksti, konteksti - janë të bashkuara në ndërtimin e kuptimit gjatë një transaksioni letrar. Vlerësimi që gjatë leximit i bëhet përmbajtjes së tekstit, kalon disa faza: leximi, deshifrimi i gjuhës, shtrirja e tekstit e forma tërësore, tonaliteti emocional, tërheqja komunikuese, pikësynimi i autorit, përdorimi intuitiv i nuancave nënkuptuese dhe më pas interpretimi, duke lejuar kështu proceset e interpretimit, shprehjes dhe komunikimit. Kur bëhet fjalë për meritat estetike të një objekti (romani), preferoj që të përdor fjalën “shije”, si gjykim intelektual. Kjo sepse që në antikitet, “shija” është konsideruar si shqisa - ndjesia e parë që realizohej nëpërmjet prekjes të ushqimit me anë të gjuhës.  Kjo bën që në këtë kontekst të shprehem se “shumë romane do të provohen, siç provohet ushqimi, disa më të paktë në numër do të gëlltiten dhe pjesa më e vogël, klasikët, do të përtypen dhe treten”. Shpesh, nga një libër i mirë dalim me një sy të tretë. Merita e këtij syri intuitiv, i takon shkrimtarit. Nëpërmjet syrit të mendjes, arrihet një tjetër nivel vetëdijeje që depërton përtej ndjesive të tjera të prekshme. Potencialisht, një libër i shkruar mirë ka forcën që të të lëvizë, por që diçka të të lëvizë duhet të jesh gati që të prekesh. Prandaj themi që shkrimtari nuk duhet të shkruajë për të impresionuar lexuesin; qëllimi është që të krijojë lidhje të fortë imagjinative që rezonon ose që akopjohet, me atë lexues që është në pritje të udhëtimit për në botën imagjinative të trilluar nga shkrimtari. Të lexuarit dhe të kuptuarit letërsi, të shijuarit e saj nuk është argëtim për orët e kohës së lirë. Është mirë t'i kujtojmë vetes se letërsia është së pari një dimension të jetuari të jetës dhe se ndërmarrja e formimit të shijes letrare është një ndërmarrje e të mësuarit sesi të përdorim më së miri këtë mjet jetese. Është të zgjosh veten, të jesh gjallë emocionalisht, jo thjesht të marrësh frymë e të ndjesh që zemra rreh; të intensifikosh dhe të njohësh aftësinë e dikujt për të shijuar dhe vlerësuar kënaqësi, për të ndjerë keqardhje, mallëngjim, mëshirë, ngushëllim dhe vetëpërmbajtje dhe për të kuptuar. Këto cilësi nuk do të ndikojnë një orë, por njëzet e katër orë, në shtatë ditët e javës. Është të ndryshosh plotësisht marrëdhëniet e dikujt me botën. Një vlerësim i kuptueshëm i letërsisë, do të thotë një vlerësim i të kuptuarit të botës. Jo pjesë të izoluara dhe të palidhura të jetës, por të të gjithë jetës, të bashkuara dhe të ndërlidhura në një hartë sintetike! Në këtë kontekst, nuk do të çuditesha nëse do të dëgjoja një lexues të mirë të më bënte pyetjen: Pse disa shkrimtarë erdhën tek unë dhe më gjetën, ndërsa disa të tjerë jo? Përgjigja vjen natyrshëm për ata që zgjedhin të lexojnë letërsi të mirë.

Letërsia është një busull për t’u orientuar brenda botës së librit, një sistem i të kuptuarit relacional. Leximi kërkon përpjekje. Përpjekje për të kuptuar. Përpjekje për të konkluduar. Dhe, mbi të gjitha, përpjekje për të vizualizuar botën që po përshkruan shkrimtari.  Siç e dinë njerëzit e kultivuar (dhe, për fat të keq të tyre, njerëzit e pakultivuar nuk e dinë), kultura është mbi të gjitha çështje e orientimit. Të qenit i kultivuar nuk është çështje e mosleximit të ndonjë libri apo të disa autorëve në veçanti. Është çështje aftësimi që ta shohësh botën e librit si një sistem, brenda të cilit, çdo lexues gjen kushinetat e veta, të cilat e lëvizin pagabueshëm në destinacionin që i takon. Mbasi ke lëvizur dhe shëtitur nëpër këto kushineta ke kuptuar qartë një gjë shumë të rëndësishme se, shkrimtari komunikon me lexuesin në një frekuencë të caktuar e cila përputhet ose jo me frekuencën e mendimeve të lexuesit, duke zmadhuar dhe forcuar mesazhin. Ke kuptuar se, për shkrimtarin stili është gjyqi. Stili që respekton raportin e artë të harmonisë së formës me përmbajtjen, përndryshe dis-harmonia stilistike do e deformojë shijen estetike. Në këtë rast teksti thjesht sa “do provohet”.

Në mënyrë të ngjashme, ndonjëherë lexojmë një autor për të cilin të tjerët kanë folur me shumë entuziazëm, ndërsa ky libër na ka lënë të ftohtë. Ndoshta i është bërë shumë publicitet i pa merituar? Ndoshta lexuesi dhe shkrimtari nuk bëjnë jehonë te njëri-tjetri? Në një vështrim të ngushtë, ky nuk është as dështimi i lexuesit dhe as i shkrimtarit. Sepse çdonjëri lexues akordohet në frekuenca të ndryshme të kuptimit dhe të komunikimit. Shkrimtari i dobët gjen lexuesin korrespondues, e kështu sipas niveleve përkatëse gjetja reciproke. Njëlloj thuhet për njerëzit, temperamentet dhe karakteri i të cilëve “ngjit” në një miqësi të afërt. Miqësi të lidhura pa “tela”. Prandaj pyetet: pse ka zgjedhur të bëjë miqësi të ngushtë me filanin? Pse i akordohen telat me librat e filan autori? Për këtë  arsye mendoj se tingëllon krejt e pavërtetë shprehja e disave që thonë se, lexoj çdo gjë që më bie në dorë. Preferencat e argëtimit nuk përcaktohen ekskluzivisht nga mosha, gjinia apo niveli arsimor, por shumë më shumë nga prirjet psikologjike. Njeriu kërkon ato përmbushje kulturore që pasqyrojnë, e që tek e fundit përpara të tjerëve pa asnjë dyshim i zbulojnë deri në një farë mase, shkallën e inteligjencës dhe përforcojnë aspekte të personalitetit të tij. Megjithëse binomi letërsi-lexues ndjek një raport pëlqimi e selektiviteti krejtësisht individual, prapëseprapë në shkollë apo në ambient shoqëror njeriut i sugjerohet që të lexojë autorët klasikë, letërsia e të cilëve konsiderohet niveli më i lartë i kënaqësisë së leximit.

Përballë kësaj mund të pyetet: Pse vazhdon fama e madhe dhe universale e autorëve klasikë? Përgjigja është se fama e autorëve të mëdhenj është plotësisht e pavarur nga shumica e njerëzve. A mendoni se nëse fama e Shekspirit do të varej nga njeriu në rrugë, ajo do të mbijetonte 3-4 javë? Një klasik nuk mbijeton për asnjë arsye etike. Fama e autorëve klasikë, fillimisht është bërë dhe ruhet nga disa pasionantë. Shumica mund të bëjë një reputacion, por është shumë e pakujdesshme për ta ruajtur atë. Edhe kur një autor i klasit të parë ka gëzuar sukses të jashtëzakonshëm gjatë jetës së tij, shumica kurrë nuk e kanë vlerësuar atë aq sinqerisht sa kanë vlerësuar krijuesit e klasit të dytë. Dhe është nga pak pasiononte, që fama e gjeniut mbahet gjallë nga njëri brez në tjetrin, gjithmonë duke rizbuluar gjeniun. Pa atë udhëtim të vazhdueshëm të kujtesës, reputacioni do të binte shpejt në harresë.  Një klasik është një vepër që i jep kënaqësi pakicës, e cila interesohet intensivisht dhe përgjithmonë për letërsinë. Jeton për shkak se pakica, e etur për të ripërtërirë ndjesinë e kënaqësisë, është përjetësisht kurioze dhe për këtë arsye është e angazhuar në një proces të përjetshëm të rizbulimit. Ata kënaqen me letërsinë ashtu si disa burra i gëzohen pijeve të mira në shoqëri të cigareve të zgjedhura, ashtu si femrat adhurojnë pa pushim bizhutë e parfumet e tyre të preferuara. Përsëritja e kësaj kënaqësie natyrshëm e mban shumë të gjallë interesin e tyre për letërsinë. Një klasik është një i tillë, sepse i ka qëndruar provës proverbiale të kohës dhe për ta bërë atë, ka thënë  diçka të thellë për jetën, që na ndihmon të kuptojmë disa të vërteta themelore për njerëzit dhe botën tonë.

Arti, siç të gjithë mendohet se e dinë, është një biznes domosdoshmërisht subjektiv. Qëndrimi estetik ndaj së bukurës i bën njerëzit të veçantë nga njëri tjetri. Bukuria në gjërat, ekziston në mendjen që i sodit ato. Kur mendojmë pse diçka është e bukur, kemi bërë tentativën për të kuptuar filozofikisht të bukurën dhe shijen mbi të.

Në letërsi ajo që konsiderohet arritje për dikë, mund të jetë mesatare për dikë tjetër, ndërsa ajo që duket se dikë e ka mbërthyer mund të mos lexohet prej të tjerëve. Letërsia është një det i gjerë dhe i pafund krijimi, popullariteti dhe emocionesh shumë të fuqishme, diku shumë i thellë, diku më i cekët, diku me stuhi e rryma të forta e diku me gjire qetësisht të mrekullueshëm. Një person mund të lundrojë në këtë det me një varkë të vogël prej druri, ndërsa të tjerët preferojnë një jaht apo një bark me vela; disa mund të preferojnë të humbasin dhe të shohin se ku përfundojnë, ose disa mund të kenë një destinacion të caktuar. Interesante është se çdo njeri pavarësisht nga rreziqet, zgjedh të lundrojë në hapësirën që i plotëson kënaqësitë korresponduese në përputhje me pasionet, shijet vetjake, në harmoni me personalitetin vetjak, gjenetikisht “të programuar”. Madje mund të them, askush më saktë se çdokush tjetër. Çdonjëri në të drejtën e vet. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH