Sociale

Ç'po zjen?

Shkruar nga Liberale
Ç'po zjen?

Mustafa Kruja

Kur armiku i jashtëm i kërcënohet Atdheut, pasionet reshtin dhe kombi shqiptar paraqitet i bashkuar në një trup.

(Deklaratë me rëndësí e zotit Mustafa Kruja)

Ka disa muaj që po flitet me të ngulun kâmbë se Serbët i janë përveshun nji aventure të ré kundër Shqipnís. Dhe thonë se ksi shtegu kukulla qi do të veshë maskën e kryekomandarit të fuqivet revolucjonare(!) (këndo mercenare) ka me qênë Gani beg Kryeziu, i zoti me mbledhun rreth vetit me fuqín e arit, të cilin Beligradi kurrë s’e ka kursye për mos me lânë të mëkâmbet e të marrë frymë Shteti shqiptar, gjithsa elementa të çoroditun, të hunit e të litarit, qi mund të nxjerrë fara e jonë në njânën anë e në tjetrën të kufînit. Âsht krejt nji punë e sigurtë e e dokumentueme qi Gani begu këta elementa ka fillue t’i ndjellë e t’i kojë qyshë të nesërmen qi kapërceu kufînin e Shqipnís, në prendverën e këtij vjeti, e duel në tokën jugosllave, n’atdhenë e vet të vërtetë. Gjenerali sërb Kataniqi, komandar i patundshëm i Prizrendit e mâ i madhi specialist për organizimin e bandavet mercenare kundra Vêndit t’onë, âsht, mbas kurtinet, auktori i vërtetë i tragjikomedís qi përgatitet.

Ç’âsht në kët rasë qëllimi i Dorës së Bardhë qi sod sundon zyrtarisht mbretnín jugosllave me Kral Aleksandrin në krye? S’âsht aspak nevoja qi t’a lodhim mênden me hipoteza të kota dhe të thata për t’i ramë në tê. Historija e ksokohshme dhe faktet e gjalla të jetueme prej brezit të sodshëm flasin açik.

Plot nji shekull para këndej Mustafa Pashë Bushatlija, veziri i Shkodrës, tund e mënderon Stambollin me pesëdhjetmijë shqiptarë kryengritës prej të tâna visevet të Shqipnís s’epër e sidomos prej Kosove, qi mbërrîjnë deri n’Edrenè, dhe vetëm mungesa e nji shpirti të fortë në tê lên pa u themelue qysh at herë nji mbretní shqiptare të pavarme me kufîjt ethnikë. Ku ishin Sërbët aso kohe e ç’bâjshin? Aty, me Princ Milosh Obrenoviqin në krye, tue i shtrimë dorën Sulltanit nga Beligradi e tue e sigurue se janë “rajë besnike” të tij  dhe të gatshëm me u mbëshue shqiptarvet mbas krahve! Pse? Se duhej pritun me çdo mjet e mënyrë themelimi i nji Shteti shqiptar. Kjo âsht tradita e politikës sërbe qi vijon deri në ditët t’ona e qi ndiqet sistematikisht  prej Beligradit.

Lufta turko-ballkanike krijoi nji gjymsë Shqipnije të pavarme tue lânë nën sundim të fituesvet, sidomos të Sërbvet, mâ se gjymsën e vllazënvet t’onë. Por Sërbvet u duhej toka pjellore e këtyne, vetëm. Se kush flet gjuhën shqipe âsht për ta gjarpni në gjî, nji anmik qi duhet zhbîmë. Dhe kështu bânë. U përpoqën me mish e me shpirt qi t’a dlirin vêndin Shqiptarësh. E vërtetë se s’âsht punë e lehtë me shue popullata kompakte. Por ata, për hesap të tyne, s’lanë kusur për t’i a mbërrîmë këtij qëllimi. E deri diku edhe i a kanë mrrîjtun. Sod në Kosovë, mbrênda nji kohe gjashtëmbëdhetë vjeç, kemi mângut dyqindmijë Shqiptarë, të zhdukun, apo të shpërngulun andej e këndej për të shpëtuem nderin e jetën. Se mâ për pasuní të tyne nuk bâhet fjalë.

Shteti shqiptar âsht i vogël, i vorfën, i ri foshnje, ka nevojë të zânë rrânjë e themel, të përparojë në lâmë të kulturës, t’ekonomís, të qytetnís. Por për Sërbët edhe ky bân hije. Âsht mâ mirë mos të jetë aspak, a nemose të rrojë gjithmonën’agoní, n’alem të shpirtit, në konvulsjone të padame. Pse? Se u duhet i gjithë bregu linduer i Adriatikut, a së paku deri në Vjosë. Dhe se, mandej, nji Shqipní e lirë e e lumtun , sado e vogël qi të jetë, do të bâhet Meka, Jerusalemi i Shqiptarvet të mbetun robën përtej kufînit politik. Mund të bâhet, me kohë, nji Pjemont i vogël, por i rrezikshëm. E atë herë na nji varg trazimesh, t’organizueme me paret e armët, me ushtarë dhe oficera të Sërbís.

Shqiptarët s’kanë lânë asnji rasë me kalue pa u mundue me u a mbushun mênden shovinvet e imperjalistavet të çëmendun të Beligradit se s’kërkojnë kurrgjâ mâ tepër e mâ mirë se me jetue në paqe e në harmoní, e bile në miqsí me ta jo mâ pak se me çdo fqî tjetër. Ç’mund  të dëshirojë tjetër nji popull i vogël si i yni, i cili, posë qi âsht i vogël, ka nevojë me fillue rishtas gjithça i duhet për jetën e ré qi posa e ka fillue? Të tâna qeverít qi kanë ardhun e shkue, gati të gjithë politikanët t’onë i kanë bâmë këto prova dhe s’kanë pasun veçse çândrrimet mâ të dëshprueshme. Po atëherë  a ka vênd me u çuditun fqîjt t’anë të Veriut sepse deri miqt e tyne mâ të provuem, prej Shqiptarvet, u kthejnë shpinën dhe pështeten në fuqí tjera? Un kujtoj se jo vetëm nuk duhet të çuditen, por mâ tepër duhet edhe të mësojnë diça prej këtyne ndodhive. Ata lypset të kuptojnë, se kombi shqiptar nuk sakrifikon asnji qime të pavarsís së vet në favor të të cilitdo të hueji, derisa mos të ndîej prej tyne rrezikun e humbjes së krejt Shtetit, rrezikun e nji jete të padurueshme prej turbullinash qi s’po prâjnë tue na përtrimë ata në vênd t’onë. Në qoftë se patriotat shqiptarë tolerojnë sakrifica, qofshin edhe të vogla e të tërthorta, prej pavarsís së Vêndit të tyne, kjo rrjedh vetëm e vetëm prej tmerrit qi na kanë futun Sërbët, prej bindjes qi na kanë ngulun në shpirt ata se s’mund të jetojmë në paqë e në qetí pa nji pështetje të fortë qi të na sigurojë nga rreziqet e ardhuna prej sish.

Nuk dihet a ka për t’a vue në zbatim Beligradi planin e ngrehun jashtë me Gani Kryeziun. Bota gjindet në nji fazë tepër delikate të jetës ndërkombëtare për me u lejue trazimtarvet të përjetshëm të Ballkanit edhe nji aventurë  gjaku të ré. Por sido qi të jetë âsht mirë, bile e nevojshme, qi t’a dijë si populli shqiptar si edhe kushdo qi interesohet në punët t’ona, se lëvizja e pregatitun s’ka të bâjë në kurrnji mënyrë me çâshtjet t’ona të mbrêndshme, me kundrështime mêndimesh e personash ndërmjet Shqiptarvet. Mue, si për vete ashtu edhe n’emën të nji tok refugjatësh qi janë të nji mêndimi e ndjekin po nji drejtim politik me mue, më përkitte detyra me e shpallë kët të vërtetë sheshit. Nji tjetër grup refugjatësh edhe e ka shpallë para meje për hesap të tij me organin e vet zyrtar. Âsht për t’u gzuem fort qi deri dhe ay grup politik, i cili siç duket, s’i ka premë èdhe të tâna shpresat nga sinqeriteti i miqsís së Sërbvet kundrejt Shqipnís, grupi i refugjatvet të mbledhun nën emnin “Bashkimi Kombtar”, ka ndenjun dorjashtë n’aventurën e Gani Kryeziut

Zara, 3 Shën André 929

Marrë nga gazeta “Shqipëria e Re” e Konstancës , Rumani, 8 dhjetor 1929

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH