Kryesore

Ç’po ndodh në Gjermani? Përhapja e koronavirusit kërcënon…

               Publikuar në : 13:38 - 23/06/20 liberale

Në Gjermani ka pasur rritje të madhe të numrit të rasteve me COVID-19 në mesin e disa punëtorëve rumunë dhe bullgarë.

Shpërthimi masiv i sëmundjes që e shkakton koronavirusi në një thertore që punëson së paku 6,500 punonjës në landin Nordhajn Vestfalen, ka bërë që shkalla e riprodhimit të koronavirusit në Gjermani të rritet ndjeshëm, javën e kaluar.

Kjo ka bërë që Instituti Robert Koch (RKI) për shëndetin publik të ngrejë edhe alarmin pandemik.

Ai ka bërë të ditur më 21 qershor se niveli i përgjithshëm i riprodhimit të koronavirusit në Gjermani është rritur nga 1.79 në 2.88 brenda 24 orëve të mëparshme.

Kjo sugjeron se çdo 100 vetë që kontraktojnë virusin në Gjermani, mund të infektojnë edhe 288 persona të tjerë.

Gjermania vendos masa të izolimit në nivel lokal

Për të mbajtur nën kontroll pandeminë në një afat më të gjatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se niveli i riprodhimit duhet të mbahet nën 1.0.

OBSH-ja ka paralajmëruar po ashtu më 21 qershor për shpërthime të reja të sëmundjes në të gjithë botën, të cilat, sipas saj, mund të detyrojnë izolime të reja, apo masa të ashpra kontrolli.

Deri më tani, Qeveria gjermane i ka qëndruar besnike politikës së saj për rihapjen e ekonomisë, duke bërë përpjekje që në të njëjtën kohë të shuajë edhe vatrat lokale të shpërthimeve.

Por, thertorja Toennies në qytetin Reda Videnbryk ngre mundësinë për masa të reja kufizuese në Gjermani – vendin që është parë si i suksesshëm në frenimin e përhapjes së koronavirusit dhe në mbajtjen e numrit të viktimave relativisht të ulët.

Deri më 22 qershor, Gjermania ka raportuar mbi 191,000 raste të konfirmuara me koronavirus, përfshirë rreth 8,900 viktima – shifra këto që shihen si relativisht të ulëta për një vend me rreth 83 milionë banorë. /REL

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back