Aktualitet

COVID apo Ekonomia, cili vret më shumë?

Shkruar nga Liberale
COVID apo Ekonomia, cili vret më shumë?

Ajo që ekspertët e kanë etiketuar si pandemia ekonomike, pritet të jetë po aq, në mos edhe më vrastare se ajo e shkaktuar nga Covid-19. Amerika përllogarit  30 milionë të papunë, ndërsa ekonomitë e vendeve të BE-së parashikojnë tkurrje të paprecedente. Në Shqipëri, në fund të krizës parashikohet shtimi i të papunëve me 100 mijë, ndërsa Banka Botërore flet për një skenar të zymtë me një rënie deri në minus 7 për qind të ekonomisë

Kjo është rënia më e rëndë globale, qysh prej Depresionit të Madh të viteve ’30. Kështu e ka përshkruar Fondi Ndërkombëtar Monetar duke përllogaritur një tkurrje të ekonomisë  botërore me 3 përqind. Duke precipituar  me hapin më të shpejtë në dekada, thuhet se pandemia e ka zhytur botën në një krizë të pashoqe.

Kjo panoramë e zymtë i ka çuar ekonomistët në të gjithë botën të ngrenë shqetësimin se kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia,  mund të vrasë më shumë se vetë virusi.

Ndërsa në ShBA papunësia kapi shifrën prej 4.4 përqind, me 30 milionë amerikanë që kanë aplikuar për pagesën e papunësisë, sipas Eurostat në vendet e Europës papunësia u rrit në mars duke shënuar shifrën 7.4 përqind.

Në Shqipëri, në dy muajt e izolimit llogariten 60 mijë të papunë, ndërsa ekspertët parashikojnë që në fund të krizës të jenë rreth 100 mijë të papunë.

Zv/ministrja e Financave Dajna Sorensen do të deklaronte se  pandemia ka sjellë një rritje të numrit të të papunëve, megjithëse sipas saj javët e fundit po shihet një tendencë e bizneseve për të rikthyer në punë punonjësit e hequr apo pezulluar. Sipas Ministrisë së Financave, përfituesit e pagës së luftës nuk mund të përfitojnë, edhe pagën e luftës edhe shumën e pagesës së papunësisë.

Edhe raporti i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor nuk ishte më optimist, ku gjashtë vendet e rajonit pritet të bien në recesion për shkak të pandemisë Covid -19, me Shqipërinë që mund të ketë një rritje ekonomike nga minus pesë në minus shtatë përqind, me pasoja edhe për shkak të tërmetit të nëntorit.

Edhe nëse ekonomia do të hapet gradualisht në fillim të verës, rritja vjetore e ekonomisë së Shqipërisë sërish do të jetë me -5 për qind.

Në kuadër të nismave për lehtësimin e pasojave të krizës së koronavirusit, qeveria shqiptare prezantoi dy paketat financiare që do t’u vijnë në ndihmë individëve dhe bizneseve, ku sipas shifrave zyrtare të prezantuara nga qeveria janë 300 mijë shqiptarë që përfitojnë të ashtuquajturën “pagë lufte”, ndërsa për bizneset e mëdha janë rreth 150 milionë dollarë të vendosura si garanci sovrane për kreditë.  Paketa e dytë, sipas kryeministrit Rama përfshinte 220 milionë dollarë në total, ndërsa e para bashkë me faljen e kamatëvonesave dhe riskedulimin e tatim fitimit, 300 milionë euro.

Paketa të cilat opozita i cilësoi si gjysmake dhe që nuk krahasoheshin as me masat financiare të marra nga Kosova.

Si pjesë e disa pikave të planit për daljen nga kriza e koronavirusit, opozita i ka bërë thirrje qeverisë për anulimin e koncesioneve qindra milionë eurosh.

Në një intervistë televizive të dy netëve më parë, kreu i PD-së kritikoi qeverinë për keqmenaxhim të krizës.

“Nëse qeveria do të kishte pasur një plan, nëse qeveria do të kishte treguar transparencë dhe mirëmenaxhim për krizën, sot Shqipëria do të ishte shumë më e hapur, do të ishte në një stad shumë të përparuar të hapjes dhe nuk do të kishim këtë gjendje”, do të shprehej Basha duke e quajtur krizën pandemi ekonomike, edhe më të rrezikshme se ajo shëndetësore.

Ekspertët e ekonomisë llogarisin se kjo krizë, që i pa bizneset të mbyllur për dy muaj dhe me gjithë hapjen e ngadaltë ende një pjesë e mirë  nuk janë në funksion, do t’i kushtojë Shqipërisë deri në 2 miliard euro humbje, ndërsa për një ristart të ekonomisë nevojiten mbi 500 milionë euro.

Recesioni dhe masat mbështetëse ekonomike parashikohet të zgjerojnë deficitin fiskal dhe të rritin borxhin e qeverisë deri në 75.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Shqipëria hyri në periudhën e krizës me pak hapësirë për të vepruar me politika fiskale dhe monetare. Borxhi publik në fund të 2019-s arriti në 68 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është ende i lartë. Po ashtu të larta janë dhe detyrimet potenciale dhe rreziqet fiskale nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Në javën e fundit të marsit, me anë të një akti normativ qeveria miratoi huamarrje të re për buxhetin e këtij viti për të kompensuar pasojat e krizës së pritshme ekonomike të shkaktuar nga Pandemia COVID-19, duke e shtuar borxhin me 312 milionë euro, ndërsa në javën e parë të prillit miratoi borxhin në vlerën 100 milion eur, në tregjet e brendshme në formën e obligacionit dhe me një jetëgjatësi 2 vjeçare

Qeveria po kërkon edhe rreth 600 milionë euro për të financuar borxhin me anë të emetimit të një eurobondi të ri.

Kryedemokrati Basha do të shprehej se përpara se qeveria të nisë të flasë për borxhin, do të duhet të tregojë çfarë rezervash ka.

BE pak kohë më parë u shpreh se do të japë 180 milionë euro kredi Shqipërisë për përballimin e krizë.

Në një prej daljet e tij, kryeministri Rama do të argumentonte masat e rrepta të qeverisë për izolimin, duke u shprehur se ekonomia mund të ringrihej, por të vdekurit nuk mund të ngjalleshin. Nëse pandemia ngadalësohet dhe masat kufizuese hiqen në fund të qershorit, ekonomia mund ta marrë veten gjysmën e dytë të vitit.

Por nëse pandemia zgjat dhe e shtyn heqjen e masave kufizuese deri në fund të gushtit, atëherë rimëkëmbja e ekonomisë do të shihet në tremujorin e fundit të këtij viti.

Sipas Bankës Botërore, recesioni i Ballkanit Perëndimor që mund të kapë shifrat nga minus tre deri minus 5.6 përqind, do të varet nga shkalla  e recesionit të Europës.

Ekonomia europiane u tkurr me  3.8 përqind në katër mujorin e parë, më e madhja qysh se kanë nisur të regjistrohen të dhënat.

Shifrat nga Franca dhe Italia tregojnë se të dy vendet kanë rënë në recesion, të përkufizuar nga dy katërmujorë radhazi të tkurrjes ekonomike.

Ekonomia franceze u tkurr me  5.8%,  më e madhja prej 1949, kur agjencia e statistikave nisi të regjistrojë të dhënat, ndërsa Spanja pësoi  tkurrje prej 5.1% dhe ekonomia e Italisë u tkurr me 4.7%.  Kjo rënie e fqinjëve e prek drejtpërdrejt ekonominë shqiptare, ku gjysma e eksporteve kombëtare bëhen me Italinë dhe 95 përqind të eksporteve me vendet e BE-së.

Edhe Gjermania parashikon recesion këtë vit, ndërsa ministri i Ekonomisë , Altmaier ka parashikuar një rënie me minus 6,3 përqind, të papërjetuar deri më tani nga ekonomia gjermane.

Sipas ekspertëve papunësia në ekonominë më të madhe të Europës do të rritet me 5.9 përqind, këtë vit, ndërsa Gjermania përjetoi në mars rënien më të madhe të shitjeve me pakicë, qysh prej vitit 2007.

Deri tani janë afro tre milionë njerëz që punojnë me orar të reduktuar dhe për vitin aktual pritet që numri i të punësuarve në Gjermani të zvogëlohet me 370 mijë.

Banka Qendrore Europiane po  hedh hapat në përpjekjet për të  mbrojtur ekonominë përballë rënies së madhe, të një përmase  dhe shpejtësie - siç do thoshte presidentja e bankës  Christine Lagarde -, të paprecedente në kohë paqeje.

Autoriteti monetar për 19 shtetet që përdorin monedhën euro e ulën normën e interesit  për kredi të lira dhe afatgjate për bankat.  Ideja është e mbështetjes së bankave që të mund të japin kredi për bizneset, duke mbështetur kështu ekonominë, e tkurrur me një rekord prej 3.8 përqind të tre muajt e parë të katërmujorit, sipas shifrave zyrtare. Kjo rënie është më e madhja qysh prej atyre të shënuara më 1995-n  dhe më e rëndë se rënia e 2009-s gjatë Recesionit të Madh, që erdhi pas falimentimit të bankës amerikane të investimeve, Lehman Bros.  Masat e reja të bankës qendrore arritën majat të përpjekjeve për stimul me 825 miliard dollarë,  në blerje bondesh.

Samiti i BE-së  miratoi paketën prej 540 miliardë euro për mbështetje për kredi për punëtorët që punojnë me orë të reduktuara, kompanitë që kanë marrë kredi dhe për shtetet që kanë borxhe. "Ne mendojmë se kemi në dorë një instrument të rëndësishëm për të ndihmuar shpejt dhe në mënyrë efektive," do të shprehej pas takimit kancelarja Angela Merkel.

Me më shumë se  30 milionë amerikanë që  kanë aplikuar për pagesën e papunësisë në gjashtë javë dhe 3.8 milionë në vetëm një javë, shifra që përfaqësojnë 1 në pesë punëtorë amerikanë,

ekonomistët vlerësojnë se papunësia në rang kombëtar shkon nga 15 deri  në 20 përqind, krahasuar me rreth 25 përqind në pikun e Depresionit të Madh. Rënia për ekonominë amerikane llogaritet me minus 6 përqind, ndërsa Organizata Botërore e Tregtisë parashikon se thuajse të gjithë shtetet e botës do të vuajnë rënie dy shifrore në tregti këtë vit, me eksportuesit e Amerikës së Veriut dhe Azisë ndër më të goditurit.

Basha: Pandemia ekonomike edhe më e rrezikshme se pandemia e virusit

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, kreu i PD-së ka folur për rrezikun e madh që vjen nga kriza ekonomike e prodhuar prej izolimit që solli pandemia e Covid-19 dhe sugjerimet e opozitës për mbështetjen financiare.

“Gjëja e parë që do të bëja, do të krijoja një hapësirë financiare për likuiditet, për të injektuar likuiditet në ekonomi”, është shprehur  Basha.

Pyetje: Si bëhet kjo?

Lulzim Basha: Kjo bëhet, në radhë të parë, duke anuluar ato akte të qeverisë që e kanë thithur likuiditetin, me fjalë të tjera që i kanë marrë paratë e shqiptarëve dhe i kanë çuar në një dhomë ku janë 10 oligarkë dhe Edi Rama. Koncensionet, të paktën 100 milionë euro nga investimet publike, të paktën 40 milionë euro nga shpenzimet operative do të ishte hapi i parë. Së dyti, do të kisha bërë prej kohësh por meqë po thoni së fundmi, do të hapja një konsultë të drejtpërdrejtë me biznesin, do të hapja një konsultë të drejtpërdrejtë me punëdhënësit, do të hapja një konsultë të drejtpërdrejt me përfaqësues të biznesit të vogël që janë 70%, 70 -100 mijë njësi ekonomike në Shqipëri janë të vetëpunësuar, biznes i vogël, me fermerët, me biznesin prodhues, me fasonët, me turizmin. Shikoni se çfarë ndodh në paketën e dytë. Thotë se do të mbështes 10 mijë punonjës të turizmit. Dalin operatorët dhe thonë se ne kemi 100 mijë punonjës, si do të mbështesë vetëm 10 mijë punonjës, çfarë do të bëjnë këta të tjerët?

Pyetje: Po se kaq janë të regjistruar.

Lulzim Basha: Kjo nuk ka lidhje janë apo jo të regjistruar. Kjo ka lidhje vetëm me mungesën totale të planit, kjo ka lidhje me mungesën e strategjisë dhe kjo ka lidhje që edhe në kohë krize paratë e buxhetit që janë paratë e shqiptarëve të mos i çojë tek shqiptarët por të vazhdojë t’i  trajtojë si paratë e veta dhe të 4-5 oligarkëve. Ky është problemi. Tani të kthehemi tek pyetja, në konsultë me ta do të vendosim se cila do të ishte mënyra që këto para t’i vendosnim sa më shpejt dhe sa më mirë në funksion të ekonomisë. Sepse sot nuk ka kërcënim më të madh për ekonominë shqiptare sesa rritja galopante e papunësisë, e varfërisë, rënia në pikiatë e konsumit dhe të treja këto të kombinuara futen në një krizë pasojat e së cilës do të jenë të parikupuerueshme në një periudhë afatshkurtër.

Pyetje:  Po ku do ti gjejë paratë kjo qeveri, z.Basha? Sepse është kollaj të thuash jepi këtij, jepi atij, jepu këtyre. Paketë për turizmin, paketë për fasonët, paketë për fermerët, paketë për familjet në nevojë, po ku t’i gjejë paratë?

Lulzim Basha: Përgjigja është shumë e thjeshtë se e kam dëgjuar këtë pyetje edhe nga ju. Aty ku i gjen Kosova, aty ku i gjen një qeveri që nuk vë para 10 oligarkët se shqiiptarëve. Aty ku i gjen një qeveri që nuk u merr bizneseve mbi 800 milionë euro, ta dish, borxhe përmes kontratave të papaguara, TVSH-së të parimbursuar. Dhe ndërkohë që vetë qeveria është borxhlie tek bizneset, iu thotë hajdeni tani shkoni merrni kredi ju. Pra, qeveria është ajo që po e thith likuiditetin dhe qeveria në këtë kohë krize duhet të jetë ajo që ta injektojë likuiditetin dhe këto do të ishin masat e para që duhet të ndërmerreshin.

Pyetje: Qeveria duket se do të rrisë borxhin z.Basha, jeni dakord për rritjen e borxhit? Kjo do të thotë se fëmijët tanë, ose një pjesë e të rinjve do të detyrohen të lajnë për një kohë afatgjatë borxhet që merren për 2 muaj mbyllje apo 3 muaj mbyllje.

Lulzim Basha: Pyetja që shtrohet është, pse po e rrit borxhin qeveria? Ose më mirë të themi ku do të shkojnë paratë e borxhit të shtuar?

Pyetje: Për të paguar personat që nuk janë në punë, për të ndihmuar kategoritë në nevojë.

Lulzim Basha: Pse nuk paguhen këto persona me paratë që u shkojnë sot oligarkëve, kontratave sekrete dhe kontratave të tjera të panevojshme në kohë pandemie?! Pra, pyetja shtrohet ndryshe. Mund të vijë një moment dhe unë e kam shprehur këtë edhe në nivel institucional, edhe në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që mund të konsiderohet nevoja për borxh-marrje, se ne nuk e dimë realisht se çfarë do të sjellë vjeshta, qoftë edhe vera, se nuk e dimë realisht se si do të sillet virusi edhe në raport me vendet që I marrin masat jo më në një vend që ka shtet prej letre dhe një qeveri tërësisht të dështuar para pandemisë dhe gjatë pandemisë vetëm sa është treguar sa e dështuar është. Por para se të flasim për borxhin duhet të tregojmë se çfarë rezervash kemi.

Pyetje: A mendoni se ka ardhur koha të lehtësohen masat e izolimit?

Lulzim Basha: Nëse qeveria do të kishte pasur një plan, nëse qeveria do të kishte treguar transparencë dhe mirëmenaxhim për krizën, sot Shqipëria do të ishte shumë më e hapur, do të ishte në një stad shumë të përparuar të hapjes dhe nuk do të kishim këtë gjendje, ku pandemisë së virusit tani i bën konkurrencë, madje është bërë po aq e rrezikshme, për të mos thënë më e rrezikshme, pandemia ekonomike.

Eurozona tkurrje rekord nga kriza e koronavirusit. Franca dhe Spanja më të goditurat

Ekonomia e eurozonës u tkurr në rekord në tremujorin e parë ndërsa pandemia e Covid-19 i detyroi vendet të mbyllen.Një vlerësim i parë i PBB-së midis janarit dhe marsit tregoi një tkurrje prej 3.8%, më keq sesa gjatë krizës financiare.Shifrat e veçanta zbuluan një rënie të madhe të aktivitetit ekonomik në Francë dhe Spanjë për të njëjtën periudhë.Në Gjermani papunësia është rritur megjithëse mbetet relativisht e ulët në krahasim me vendet e tjera.

‘Rënie e lirë’

Andreë Kenningham nga Capital Ekonomi e quajti lajmin evropian një fryrje të të dhënave depresionuese ekonomike që “konfirmon se ekonomia e eurozonës ishte në rënie të lirë”.

Në rastin e Francës, rënia prej 5.8% në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) ishte më e madhja që seria tremujore ka regjistruar që kur filloi në 1949.

Dy ekonomi të tjera të mëdha kanë publikuar vlerësimet e para: Spanja pati një tkurrje prej 5.1% ndërsa ekonomia e Italisë u tkurr me 4.7%.

Shifra për eurozonën në tërësi ishte më e moderuar, por është akoma me standard të rëndë posaçërisht për një tkurrje gjatë vetëm tre muajve.

Deri më tani, shumica e vendeve individuale evropiane nuk kanë publikuar vlerësime kombëtare. Kjo vlen për më të madhen prej tyre, Gjermaninë.

Por shifrat e reja për tregun gjerman të punës kanë filluar të tregojnë ndikimin e pandemisë, me rritjen e numrit të papunësisë me 373,000 në prill.

Sidoqoftë, ndikimi i plotë është zvogëluar nga sistemi i vendit për ndihmë financiare për njerëzit që kanë më shumë orë pune, i njohur si Kurzarbeit.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) Christine Lagarde tha se një rënie e mprehtë në aktivitetin ekonomik të eurozonës në prill “sugjeron që ndikimi [i pandemisë] ka të ngjarë të jetë edhe më i rëndë në tremujorin e dytë.”

Zonja Lagarde shtoi se Banka Qendrore Evropiane ishte plotësisht e përgatitur për të rritur masat e ndihmës urgjente për të lehtësuar barrën e pandemisë, për “aq sa të ishte e nevojshme dhe për aq kohë sa të ishte e nevojshme”. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH