Aktualitet

COVID-19/ Rusia viktima e radhës, Moska mbyllet e gjitha në karantinë

               Publikuar në : 16:13 - 14/04/20 liberale

Nga Prof.Kristo Muzaka

Ashtu si shumica e shteteve të tjera, edhe Rusia ka shpallur karantinën për të gjithë qytetarët e saj, si pasojë e pandemisë së koronavirusit që është përhapur me shpejtësi në çdo cep të globit. Rreth dy të tretat e 11.917 infeksioneve të COVID-19 janë të përqëndruara në Moskë.

Unë mund t’ju them me siguri se ende nuk ka arritur kulmin” tha kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, në një intervistë me agjencinë e lajmeve RIA të Rusisë, botuar të Premten. Nënkryetarja e bashkisë Anastasiya Rakova shtoi se në Moskë, fluksi i pacientëve tashmë po i shtyn spitalet dhe ambulancat drejt limitit të tyre.

“I gjithë sistemi rus i kujdesit shëndetësor po përballet me një mungesë të mjeteve mbrojtëse dhe ventilatorëve për shkak të stresit nga epidemia”, tha Ministri i Shëndetësisë Mikhail Murashko në një intervistë për Rossiya 24 të Premten.

Kur lexon këto lajme që vijnë nga Rusia, të vjen në mëndje pompoziteti me të cilin Kremlini reklamonte, pak javë më parë, ndihmën që po u jepte shteteve perëndimore, të cilët ndodheshin në vështirësi në përballimin e gjëndjes së jashtëzakonshme.

Makineria propagandistike arriti kulmin, kur Rusia dergoi rreth 100 mjek ushtarak, në Itali dhe paisje të tjera mjekësore duke e përkufizuar këtë si një gjest “humanitar” për një shtet mik.

Përveç faktit se shumë analist i interpretuan gjestet humanitare për vendet e tjera si propagandë me anë të së cilës Rusia kërkonte të arrinte qëllime gjeopolitike, kur dëgjon ministrin e shëndetësisë ruse për mungesën e mjeteve mbrojtëse e bën sa qesharake aq edhe të papërgjegjshme të gjithë aktivitetin e administratës ruse.

Po aq e vështirë është për Kremlinin që t’u shpjegoj qytetarëve të saj se si ka mundësi që bënte dhurime mjetesh mbrojtëse për vendet e tjera duke pasur mungesa të tillë për vet popullin rus??.

Dhe në fakt, pas bombardimit me lajme të madhështisë së Rusisë dukë dhuruar ndihma, televizionet ruse kanë filluar ti eliminojnë nga programet e tyre këto informacione, për të mos shkaktuar zemërimin qytetar ndaj një politike të papërgjegjshme që sakrifikon shëndetin e qytetarëve saj në këmbim të disa titujve të gazetave dhe televizioneve ndërkombëtare.

Zemërimin e tij ndaj kësaj politike e shfaqi hapur të hënën, në emisionin popullor rus të “60 Minuta”, ligjvënësi Aleksey Zhuravlyov, zv. Kryetar i Dumës ruse. Kur drejtuesi i emisionit, Evgeny Popov, kujtoi “ndihmën humanitare” të Rusisë ndaj shteteve të tjera, Zhuravlyov nuk e mbajti më dhe shpërtheu në akuza ndaj drejtuesit dhe ndaj ndihmave humanitare duke kujtuar se mjekët rusë nuk kanë mjetet e mjaftueshme mbrojtëse ndërkohë që Kremlini u dërgon të tjerëve ndihma humanitare.

Sipas statistikave zyrtare Rusia regjistroi shumë më pak raste të koronavirusit të ri sesa shumë vende të Evropës Perëndimore në fazat e hershme të pandemisë. Zyrtarët deri në fund të muajit të kaluar po mburreshin se situata ishte nën kontroll dhe se nuk kishte asnjë epidemi.

Kjo ndoshta i shtyu ata ta shfrytëzojnë situatën e krijuar në perëndim për përfitime gjeopolitike duke dhuruar ato pak rezerva të pajisjeve mjekësore për shfaqjen e radhës.

A ia vlen të rrezikosh jetën e qytetarëve tënd vetëm për të rritur interesa të ngushta gjeopolitike  në Evropë e Ballkan?

Populli rus duhet të dijë, populli rus kërkon me forcë të mesojë se ku janë mjekët ekspertë dhe ku janë ndihmat  për rusët e  prekur nga COVID 19???

Por rastet e të prekurve filluan të rritet ndjeshëm këtë muaj dhe autoritet shtetërore janë gjendur në vështirësi për tu shpjeguar qytetarë të tyre se pse ka mungesa të pajisjeve mjekësore kur pak javë më parë ata bëheshin spektatorë të akteve të dhurimit të tyre për shtetet e tjera nga ana e Rusisë.

“Mund të them vetëm se një provë serioze qëndron para nesh dhe duhet të jemi të përgatitur,” tha kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, duke konfirmuar se Rusia me shumë gjasa do ndjeke të njëjtën kurbe infeksionesh me koronavirus si shtetet e tjera.

Kjo i ka bërë të dëshpëruar autoritetet e pushtetit qendror për ta fshirë nga memoria qytetare se si ata shpërdoruan ato pak pajisje mjekësore për fushatë propagandistike dhe për disa lavdërime të kota në arenën ndërkombëtare, dukë vënë në rrezik jetën e qytetarëve të tyre.

Prandaj dhe është e vështire tani të gjesh ndonjë lajm në mediat ruse për ndihmën që ajo ka dhënë për vendet e tjera. Lajmi duhet fshehur me qëllim eliminimin e mundësisë së orientimit të zemërimit qytetar ndaj vet Kremlinit dhe veçanërisht presidentit Putin, i cili po përgatit referendumin për ndryshimin e kushtetutës, me qëllim zgjatjen e mandatit të tij.

Por gjendja e emergjencës me të cilën po përballet sot populli rus dhe e gjithë bota nuk e ka ndalur Presidentin Putin të kërkojë me forcë aprovimin dhe miratimin nga Institucionet e larta të ndryshimeve kushtetuese për të qëndruar në pushtet përtej 2026.

Ajo çka duket e qartë është se COVID 19 nuk njeh kufij dhe nuk kursen askënd, as despotë e as diktatorë, as të varfër e as të pasur. Një qeveri e mirë është ajo qeveri që mbron qytetarët e saj në fillim dhe më pas fqinjët por kur pushteti të errëson sytë jetët e njerëzve janë thjesht gurë për të arritur qëllimet e paracaktuara.

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back