Editorial

Copëza dëshmie nga një lagje e Jerusalemit…

Shkruar nga Liberale
Copëza dëshmie nga një lagje e Jerusalemit…

Lucy Garbett

Shejh Jarrah sot mban erë çorapesh të pista dhe mishi të kalbur.

Automjetet e policisë izraelite kanë spërkatur shtëpitë palestineze, dyqanet, restorantet, hapësirat publike dhe institucionet kulturore me ujë të ndenjur nën presion të lartë.

Uji ka shkaktuar të vjella, dhimbje stomaku dhe irritim të lëkurës. Ai u krijua fillimisht nga një kompani izraelite për të sprapsur protestuesit.

Erë e keqe, që kundërmon dhe që nuk shqitet nga rrobat, lëkura dhe shtëpia, aq sa palestinezët mes tyre thonë se Jerusalemi tanimë mban një erë…

Protestuesit po dënohen edhe me forma të tjera.

Ata po dhunohen brutalisht, po arrestohen nga policia, e cila i sulmon me shkopa gome.

Këto forma të ndëshkimit kolektiv synojnë të ndalojnë lëvizjen në rritje për të shpëtuar Shejh Jarrah dhe të ndalojnë shpronësimin e 27 familjeve.

Familja ime ka jetuar në Jerusalem për disa breza, që nga koha kur ata u larguan nga gjenocidi armen në 1915-ën.

Në 1948, gjatë Nakba-s (Katastrofa), ata u dëbuan nga shtëpia e tyre në Jerusalemin Perëndimor dhe gjetën strehë në pjesën lindore të qytetit.

Tani ne jetojmë në Sheik Jarrah dhe fqinjët e mi janë gati të dëbohen nga shtëpitë e tyre.

Çdo ditë, gjatë muajit të Ramazanit, palestinezët nga të gjitha shtresat shoqërore janë grumbulluar në lagje për të çelur iftar-in, jashtë shtëpive që janë nën kërcënim.

Ata qeshnin dhe bënin shaka, së bashku, pavarësisht nga situata e nderë.

Ndërsa këngët pasonin njëra-tjetrën dhe lutjet vijonin, Izraeli filloi mësymjen e policisë.

Tani lagjja është shndërruar në një zonë ushtarake. Pikat e kontrollit lejojnë qarkullimin e banorëve vetëm në zonë, duke na bllokuar nga bota.

Ne duhet ta durojmë këtë ngacmim nga policia thjesht që të kemi mundësi të jetojmë në shtëpitë tona.

Ndërsa Shejh Jarrah mbizotëron në titujt e gazetave kryesore, ky lloj ngacmimi dhe dhune mbi ne nuk është i ri.

Shtatorin e kaluar, në ditën që gjyshja ime ndërroi jetë, makina ime ishte mbishkruar me “Arabët janë jashtëqitje”.

Vetëm dy javë më parë, për të festuar Pashkën Ortodokse, u përpoqa të merrja pjesë në paradën vjetore të mbajtur nga bashkësitë siriane dhe armene, në të cilat unë jam pjesë.

Së bashku me palestinezët e tjerë, unë u sulmova nga oficerët e policisë dhe u pengova të hyja në Qytetin e Vjetër.

Disa javë më vonë, adhuruesit u sulmuan brutalisht, ndërsa luteshin në xhaminë al-Aksa.

Si palestinezë, ne ndiejmë se çdo shprehje e identitetit tonë po fshihet dhe po margjinalizohet.

Politikat diskriminuese të Izraelit në Jerusalem, përfshirë zhvendosjen e planifikuar, janë konstante dhe të vazhdueshme.

Ne cilësohemi si një “bombë demografike” nga planifikuesit dhe zyrtarët izraelitë.

Në këtë qytet, ideja e një “ekuilibri demografik” midis arabëve dhe hebrenjve mbështet planifikimin komunal dhe veprimet e shtetit.

Që nga okupimi i paligjshëm i Jerusalemit Lindor në 1967-ën, politika izraelite është përqendruar në mbajtjen e një raporti 70 me 30 të hebrenjve ndaj arabëve në qytet – rregulluar më vonë në një raport 60 me 40 kur autoritetet thanë se kjo “nuk ishte e arritshme”.

Që nga viti 1967, rreth 14 mijë e 500 palestinezë janë hequr nga statusi i qëndrimit.

Në mënyrë që të marrin karta identiteti, palestinezët në Jerusalem duhet të provojnë vazhdimisht se Jerusalemi vazhdon të jetë “qendra e tyre” e jetës, përmes provave të marrëveshjeve të qirasë dhe faturave në emrin e tyre.

Nëse palestinezët largohen nga vendi ose banojnë në Bregun Perëndimor, statusi i tyre i qëndrimit anulohet, duke i lënë ata pa dokumente zyrtare dhe të paaftë të kthehen në shtëpi.

Çdo pesë vjet duhet të paraqitem në Ministrinë e Brendshme të Izraelit me prova të qëndrimit tim në Jerusalem dhe të siguroj transkriptime të çdo kursi që kam marrë gjatë studimeve universitare në Mbretërinë e Bashkuar.

Në çdo vizitë, ne jemi subjekt i pyetjeve poshtëruese dhe pushtuese, dhe çdo herë që shqetësohemi se ata mund të na heqin mënyrën e vetme për të qëndruar.

Ka pasur shumë përpjekje për t’i portretizuar rastet e shpronësimit në Jerusalem, dhe Shejh Jarrah posaçërisht, si incidente të izoluara, individuale, duke i cilësuar ato si “mosmarrëveshje të pasurive të patundshme” që zvarriten me vite në gjykatë.

Por për palestinezët, Sheikh Jarrah është thjesht një mikrokozmos i jetës në Jerusalem. Ai simbolizon pastrimin e vazhdueshëm etnik të tokës dhe shtëpive tona.

Palestinezët po durojnë dëbimin, margjinalizimin dhe atyre u ndalohet e drejta themelore e kthimit në shtëpitë e pronat e origjinës.

Një pronar i një dyqani ushqimesh në Sheik Jarrah më tha së fundmi se “E gjithë jeta jonë ka qenë vetëm kjo… shtypje, shtypje, shtypje. Ata nuk do të na lënë të jetojmë”.

Tani, palestinezët janë duke kërkuar të drejtën që iu takon për një jetë të lirë dhe dinjitoze në atdheun e tyre.

Shejh Jarrah është beteja për Jerusalemin.

Dhe ndërsa bombat bien në Gaza e demonstratat shpërthejnë në të gjithë vendin, turmat izraelite me bashkëpunim policor marshojnë në rrugë duke brohoritur “vdekje për arabët”.

Palestinezët, pa marrë parasysh se ku banojmë, po ngrihen së bashku.

Opsioni ynë i vetëm është të jetojmë të lirë, dhe që të ndodhë kjo, pandëshkueshmëria e Izraelit duhet të marrë fund.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH