Kryesore

Çmimi te vepra e Friedman

               Publikuar në : 11:04 - 11/05/19 Selami Xhepa

Selami Xhepa

Kontributi themelor në fushën e teorisë së tij mbi çmimin është pasurimi i teorisë së paraardhësve të shkollës neoklasike, më specifikisht të Marshallit. Alfred Marshall është një nga ekonomistët dominues të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe libri i tij “Parimet e Ekonomisë” (1890) kishte qenë teksti mësimor akademik në fushën e teorisë ekonomike, me të cilin kishin mësuar të gjithë ekonomistët e mëdhenj që nga kjo periudhë e deri në botimin e “Ekonomiks: Një Analizë Hyrëse të Samuelsonit” në vitin 1948. Si një matematikan profesionist, Marshall i kishte dhënë ekonomiksit rigorozitetin e duhur shkencor, megjithëse përdorimi i matematikës në botimet e tij gjendej kryesisht në footnotes apo në apendikse, në mënyrë që të mos e ndërlikonte studimin e ekonomisë nga ata që nuk kishin njohuri në shkencat abstrakte të matematikës. Me vdekjen e William Jevons në vitin 1882, Marshall ishte ekonomisti më i madh britanik dhe mbeti i tillë deri sa vdiq, në vitin 1922, duke ia kaluar stafetën ekonomistëve të tjerë të shquar të Cambridge ku ai kishte udhëhequr, Arthur Pigu dhe J. M. Keynes.

Kur Friedman filloi të jepte mësim, ai përdorte këtë tekst dhe në vitin 1940 do të thoshte se “Parimet e Marshall ishte akoma libri më i mirë në teorinë ekonomike”. Lënda që do të zhvillonte gjatë viteve të para në Çikago ishte Teoria e Çmimit, që fillimisht do të bazohej te “Parimet” e Marshall, si dhe disa pjesë nga “Përdorimi i dijes në shoqëri” të Hayek-ut dhe “Teoria e konkurrencës monopolistike” të Edward Chamberlain. Mbi bazën e leksioneve që do të zhvillonte me studentë, ai do të formulonte Teorinë e tij të Çmimeve, që do të botohej fillimisht në “Journal of Political Economy” në vitin 1949 dhe në formën e librit në vitin 1962, që do të rishikohej në vitin 1972. Më pas mësimdhënia do të fokusohej në lëndët e parasë dhe bankave, duke kaluar kështu nga mikroekonomia, ku klasifikohej teoria e çmimeve, te makroekonomia, ku bën pjesë teoria e parasë dhe politika monetare.

Profesor Gery Becker që do të bëhej nobelist në ekonomi në vitin 1992, kujton se Friedman ishte një mësues i shkëlqyer, “ai që më ka influencuar më shumë se gjithkush tjetër nga ata me të cilët kam punuar”. Midis emrave të mëdhenj që do të ndiqnin leksionet e tij bëjnë pjesë dhe nobelistët: Robert Lucas, Harry Markovitz, Myron Scholes, James Heckman. Edhe Robert Mundell kishte ndjekur ndonjë leksion të tij dhe madje kishte “guxuar” të bënte edhe shaka me “kohën permanente” dhe “kohën tranzitore”, koncepte që Friedman i përdorte për konceptin e të ardhurave.

Duke qenë se konceptet e vlerës dhe të çmimit (si shprehje e saj) janë qendrore në teorinë ekonomike, një shqyrtim i hollësishëm në paraqitjen që Milton i bën kësaj teorie do të ishte i dobishëm për të kuptuar më tej kalimin e natyrshëm të tij drejt parasë dhe teorisë monetare, si një teori qendrore në stabilizimin e nivelit të përgjithshëm të çmimeve.

Në artikullin “Kurba Marshalliane e Kërkesës” që botohet në kapitullin e dytë të “Ese”, Friedman fokusohet në plotësimin e teorisë që Marshall kishte prezantuar te “Parimet”, kryesisht duke shtjelluar më në detaje elementet përmbajtësore të kurbës së kërkesës, saktësisht kriterin ceteris paribus, dhe duke shkuar përtej marrëdhënies funksionale të çmimit me sasinë, që gjendet qartësisht te të gjithë paraardhësit e tij. Deri sa të botonte librin e plotë, Teoria e Çmimit që botohet në vitin 1962, ai do të gjente edhe mjaft elemente të tjera që i kishin munguar ciklit të leksioneve të tij, të cilat në fakt ishin dhe baza që Milton përdori në shkrimin e këtij libri. Që në parathënie, ai shkruan se kishin qenë dy studentët e tij në Çikago, David I. Fand dhe Warren J. Gustus, që kishin grumbulluar leksionet e tij të dhëna në vitin 1946, mbi të cilat ai kishte punuar, duke plotësuar boshllëqet e reja që kishte evidentuar në këto leksione. Më specifikisht, boshllëqet ekzistonin në (1) teorinë e ndarjes së të ardhurave midis konsumit korrent dhe akumulimit të pasurisë; (2) organizimit industrial, me referencë të posaçme te problemet ekonomike të firmave individuale; (3) faktet dhe teorinë rreth madhësisë së shpërndarjes së të ardhurave; (4) teorinë e fitimeve; (5) teorinë e kapitalit … dhe (6) teorinë e ekuilibrit të përgjithshëm.

“… nuk mund të mos përmend kënaqësinë e madhe personale që më ka dhënë mësimdhënia e teorisë së çmimit një gjenerate të tërë studentësh të aftë dhe entuziast. Struktura formale e Teorisë së Çmimit ka një cilësi estetike që gjithnjë më kujton vargjet e fundit të “Ode mbi një Urnë Greke” të Keats:

“Bukuria është e vërteta, e vërteta është bukuri, – kjo është e gjitha

që dini mbi tokë; dhe ajo që duhet të dini”

Ky citim i Friedman në parathënie është marrë nga poeti i madh romantik anglez John Keats, “Odet e Mëdha të 1819-s”, të cilën kritikët e konsiderojnë si një nga odat më të spikatura në gjuhën angleze. Trajtimin e kategorisë së çmimit, ai e sheh në të njëjtin frymëzim poetik që Keats kishte shkruar mbi shpirtin, përjetësinë, natyrën dhe artet. Çmimi është ai që bën të mundur funksionimin normal të “dorës së padukshme”, që realizon shpërndarjen e burimeve ekonomike në mënyrë eficiente dhe arrin perfeksionin dhe harmoninë e tregjeve.

Marshall nuk kishte dhënë një përkufizim të plotë të kurbës së kërkesës, dhe në supozimet që ai përfshinte në “ceteris paribus”, ishin (1) shijet dhe preferencat e konsumatorëve; (2) të ardhurat monetare të tyre; dhe (3) çmimet e mallrave të tjerë. Friedman propozon se në vend të të ardhurave monetare, supozimi duhet modifikuar me termin e “të ardhurave reale”, dhe “çmimet e mallrave të tjera” me “çmimet e mallrave të ngjashme”, pasi në kushtet e çmimeve të ulëta të tyre, të ardhurat reale rriten dhe konsumatori mund të blejë më shumë nga një mall, pa ulur blerjet për mallrat e tjerë.

Në këtë vepër, Friedman analizon tri gjërat që lidhen me çmimin: ato transmetojnë informacion, krijojnë nxitje te përdoruesit e burimeve bazuar në informacionin që përcjellin, krijojnë simetrikisht nxitje dhe te zotëruesit e këtyre burimeve. Libri i Friedman është një libër klasik për të kuptuar bazat teorike të çmimit. Këndvështrimi i librit nuk është thjesht ndërveprimi në nivele individuale të aktorëve ekonomik bazuar në sinjalet që përcjell çmimi, si një kategori abstrakte, por e sheh atë në një këndvështrim me përgjithësues, se si ajo ndihmon në mënyrën si shoqëria i zgjidh problemet e saj ekonomike./ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *