Kryesore

Çmimi Kadare, 10 veprat e përzgjedhura për të vazhduar garën

               Publikuar në : 09:43 - 22/02/21 liberale

 Arbër Ahmetaj

Ballsor Hoxha

Behar Jacaj

Dionis Prifti

Fatmira Aliaj

Fluranc Ilia

Gani Mehmetaj

Kujtim Lapa

Marcel Hila

Miço Mone

Këto janë 10 autorët e shpallur nga juria si kandidatë për të vazhduar garën për Çmimin “Kadare” 2021, mes 30 autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, që u përfshinë në këtë konkurs me dorëshkrime të veprave të tyre në prozë.

10 autorët e përzgjedhur tashmë kanë dorëzuar dorëshkrimet e plota të veprës së tyre.  Në 26 shkurt 2021, juria do të shpallë 5 emrat finalistë në fazën e dytë të konkurimit, të cilët do të vijojnë garën për Çmimin e madh. Fituesi i Çmimit “Kadare” 2021 do të shpallet më 28 shkurt, ora 12.00 gjatë aktivitetit Anuarët e Filozofisë pranë Universitetit Europian të Tiranës, duke përzgjedhur kështu autorin shqiptar fitues në gjininë e prozës, në edicionin e gjashtë të këtij konkursi.

Ju njohim me një sinops të shkurtër të 10 veprave të përzgjedhura.

Arbër Ahmetaj  me romanin Koha e thertores“ 

Personazhi, Hetuesi L, gjatë vizitës në një fshat të humbur, në fëmijërinë e tij, gjen në tavanin e shtëpisë së tezes, qindra qelqe negativash, foto që dëshmojnë historinë e vendit tij. Por, s’duhet t’ia tregojë kujt këtë zbulim, pasi ato i janë lënë në besë të zotit të kullës, nga frika se do t’ia shkatërronin Shqipërisë atë thesar dokumentar. Ngjarjet zhvillohen në kohë…Shqipëria zien. Shenjat e luftës në Kosovë, nuk vonojnë të bëhen të lexueshme. Qyteti ku janë të vendosura ngjarjet është në kufi… Fati i Shqipërisë, si ai i xhamave të negativave të historisë së saj, vjen përmes dinamikës së zhvillimit të secilit personazh. Në emigracion, hetuesi, përpiqet të deshifrojë sëmundjet e qytetit, nisur prej barnave!  Vite më vonë, ia bën dhuratë të birit regjistrin e vjetër në formë libri. Të gjithë personazhet kryesore të këtij libri largohen nga Shqipëria. Atdheu u thërrmohet nëpër duar.  Përpiqen të rikrijohen jashtë tij, si shprehje e ripohimit të vetes: atdheun në supe, në shpirt. Këto janë dhimbjet e personazhit, kjo është nyja e rrëfimit!

Ballsor Hoxha me romanin “Pajtimi i dhunës”

Tema e romanit është ekspozimi i jetës personale në rrjete sociale, dhe në përgjithësi personalizimit dhe të “përfilmimit” të jetës në përgjithësi në mundësitë bashkëkohore të jetës. Derisa njeriu sot është mbi të gjitha nën presion dhe konfuzion të jetësimit të vetes dhe të vetë perceptimit të jetës.

Ngjarja e romanit është e thurur duke nisur nga aktualja e kohës reale të romanit, e cila pastaj shkëputet dhe kalon në të kaluarën dhe ndërthuret me të tri shtresat e ngjarjes së narracionit: atë kur ndodh ngjarja traumatike që lidh dy nga personazhet kryesore të romanit; jetës pas traumës, dhe jetës derisa rikthehet trauma si përsëritje e dhunës dhe si shtjellim i motivit se “dhuna prodhon dhunë”.

Romani “Pajtimi i dhunës” është një ndërthurje e skizofrenisë, konfuzionit nga përjetimi i një traume të rëndë, dhe të ankthit të ekzistencës pas traumës.

Behar Jacaj  me përmbledhjen me tregime Rrëfimi i tredhjes

 Paçka se me përmbajtje dhe personazhe të ndryshme, thuajse të gjitha tregimet e përmbledhjes “Rrëfimi i tredhjes”, i bashkon konflikti që ka njeriu me shoqërinë, me kohën, me vdekjen dhe mbi të gjitha konflikti që ka ai me veten.

Në konfliktin me shoqërinë dy fate e presin individin: ose të fitojë ose të tredhet. Të tredhet psikologjikisht. Konflikti me kohën të interrnon në harrim. Të shndërron në një hije nëse nuk je i zoti t’a mbarsësh. T’i lësh një gjurmë. Tek konflikti  me vdekjen njeriu nuk kërkon asgjë më shumë sesa një kapitullim të paqtë. Lufta e luftrave është lufta me veten. Ajo nuk bën amnisti as kur njeriu është në gjumë. Mizoria e kësaj lufte qëndron tek fakti se as nuk mund ikësh, as nuk mund të rrish. Paqja është më e zorshmja për t’u arritur me të.  Pjesa më intriguese e një konflikti mund të duket fati që merr përballja, kush humb, kush fiton dhe me çfarë kostoje vijnë humbja dhe fitorja. Ky libër intrigohet nga vuajtja dhe dhimbja që shoqërojnë gjatë gjithë kohës konfliket. Jo pa shkak, asnjë tregim në këtë përmbledhje  nuk merret me shoqërinë, por me individin, me ato skuta ku rrinë të fshehura plagët dhe dhimbjet e tij.

Dionis Prifti me përmbledhjen me tregime “Pyetjet e fundit poshtë Bar Sahara”

Në këtë përmbledhje me 22 tregime të shkurtra, subjekti ndërtohet sipas impresionit të ndjesisë, jo duke i qëndruar besnik narrativës. Kalimi i pashmangshëm i kohës, mëkati e rebelimi ndaj tij, kujtimet e shija e tyre, pamundësia për të reaguar a ndryshuar realitetin, e ardhmja dhe pasiguria ndaj saj, vaniteti në funksion të kënaqësisë – këto janë disa nga temat e trajtuara, herë në vijë të parë e herë në prapaskenë. Lexuesi do të udhëtojë në shkretëtirë, në savanë, në planetë të huaj, do të ngecë në një kuti të vogël kartoni, do të endet në një qytet gati në apokalips, do të përjetojë vite të tëra pritjeje në ca shkallë universiteti, do të përgjumet e do të zgjohet në një autostradë me peshq e gomerë. Personazhet rrallë kanë emra. Vendi e koha, shpesh mbeten të papërcaktuar. Kjo zgjedhje, më shumë spontane sesa e qëllimshme, kontribuon në krijimin e disa tregimeve universale, jo vetëm në aspektin gjeografik, por në faktin që vendos në krye thelbin njerëzor, para se ai të ndotet me ndikime të jashtme.

Fatmira Aliaj me romanin  Dyzet letra dashurie

Romani “Dyzet letra dashurie” nuk është thjesht një rrëfim dashurie, por trajton disa aspekte të marrëdhënieve njerëzore dhe në mënyrë të veçantë raportet e këtyre marrëdhënieve në një familje. Personazhi kryesor është Eva, një soprano e talentuar, e cila në një përvojë punë jashtë vendit, bie në dashuri me një tenor italian. Jeta merr rrjedhën e saj për të mbërritur në ditët e pandemisë. Ai po vdes pa e mësuar kurrë se ajo e kishte dashur gjithë jetën. Në roman jepet vazhdimisht lufta e brendshme e saj, situatat e vështira, përplasja midis dashurive të njerëzve që do më shumë; nga një anë është vajza dhe djali, familja, nga ana tjetër është Giorgio, që nuk mundi ta largonte nga vetja, me gjithë përpjekjet, pasi kuptoi se ishte dashuria e jetës së saj. A e mbajnë dot letrat peshën e një dashurie? Një roman për dashurinë, rrëfyer në dyzet letra.

Fluranc Alia me përmbledhjen me tregime  “Lojë e çuditshme

“Lojë e çuditshme” përbëhet nga dhjetë tregime të cilat ndahen në dy profile të ndryshme. Njëri profil i përket tregimit të shkurtër, ku spikat rrëfenja konçize për të prodhuar fortësinë e zgjimit të duhur të Fjalës me sa më pakë fjalë në syrin e lexuesit. Profili i dytë i përket tregimit klasik ku ndërthuret proza e shtruar me përmasën poetike të gjuhës. Kapërcimet pindarike i japin frymë vëllimit, që pak e nga pak fillon e shpalos ndjesinë se këto tregime jo vetëm janë ushqyer nga tregimtaria e autorëve më të mirë shqiptarë ndër vite ; jo vetëm mundohen të rigjallërojnë gjuhën si qelë të mendimit, por edhe mbartin dëshirën për ta shtytur tregimin si formë dhe gjini, një shkallë më lartë. Tregimet janë shkruar përgjatë dekadës së fundit. Kanë kaluar një kohë të gjatë nën dihatjen e dorëshkrimit, dhe janë përfunduar përgjatë pandemisë të vitit 2020, ku edhe morën trajtën përfundimtare brenda një libri të vetëm. «Lojë e çuditshme» mundet të shihet edhe si një “libër i shkruar në karantinë”, një karantinë e gjatë si vet profili i punës vetmitare të çdo shkrimtari. Apo si një totem i tokës âmë, kur je pranë dhe larg saj fizikisht, por jo gjuhësisht.

Gani Mehmetaj me romanin Zogjtë e qyqes

Romani “Zogjtë e qyqes” është qasje e veçantë, me personazhe të veçantë,  në ambiente të pazakonshme e ekzotike. Janë tre breza kolonësh nga gjyshi të nipi, secili më ëndrrat dhe zhgënjimet e veta.

Romani “Zogjtë  e qyqes” është kujtesë dyzetvjeçare e një koloni serb. Dragani, protagonisti i kronikës, rrëfen në vetën e parë për gjyshin, ish-xhandar i Kralit, babanë milic i Titos, ai inxhinier- vrojtues pasiv dhe kronist i ngjarjeve, dhe së fundi për të birin ushtarak, që kthehet shumë vjet më vonë.

Dashuria në mes të serbit e shqiptares (Draganit e Vjollcës) është nëntema tjetër, ashtu si janë edhe martesat e përziera, në një mjedis të përzierë.

Dëshpërimi i protagonistit të paanshëm, nis, kur sheh se janë mu si zogjtë e qyqes që i kanë hedhur në çerdhen e huaj, ndërsa ata s’dinë si të sillen.

Kujtim Lapa  me përmbledhjen  me novela dhe tregime   “O verter, o asgjë “

Aktualiteti , njeriu i ndodhur nën trysnin e  dramës së tranzicionit, problemet e mprehta  sociale që ata  mbartin në të gjithë dinamikën  dhe psiqikën e  kohës, si dhe ankthet  ekzisteciale që ata  përjetojnë   përmes situatave  dramatike, sa absurde aq dhe groteske,  janë disa nga mezashet artistike që   përcjellin për lexuesin, tregimet e këtij vëllimi rreth 200 faqe. Një narativë  që na  përqas në kujtesë , stilin surrealist të Pirandelos ; një qen që rëfen ne vetë të parë dramën e ankthit ekzistencial të  një  njeriu  të vetmuar ; historia sureale e një njeriu , që rastësisht gjenë në zyrën e tij ‘Imobilare ‘ një fëmijë të porsalindur, mbëshjellë  në një  pako, haruar nga dikush; një tallje infernale në pallatin e drejtësisë me njeriun e varfër, që merr guximin për të kërkuar të drejtat e tij atje ku askush s’e dëgjon ; një romacë lirke dashurie , një  rrugëtim i gjëtë  drejt fatit e lirisë.  Të gjitha këto shtigje gjetjesh letrare mvishen me lëndë teksti në këtë përmledhje.

Marçel Hila  me përmbledhjen me tregime “Vëllazëri Ujqërish”

Tregimet marrin subjekte nga realiteti i afërt dhe bashkëkohor shqiptar – domethënë i kohës së komunizmit apo edhe i aktualitetit problematik të sotëm – ndonëse, tek këto rrëfenja subjekti nuk është një element aq i rëndësishëm. Me një narrativë të rrjedhshme shpërfaqen galeria e personazheve të këtyre tregimeve, duke mbajtur gjallë kuriozitetin e lexuesit për t’i shkuar rrëfimit deri në fund. Personazhet komunikojnë intensivisht me njëri-tjetrin, duke i lënë pak hapësirë narratorit për të orientuar lexuesin. Tregime ku ndjehen teknikat e romanit, por duke ruajtur pavarësinë e gjinisë tregimtare. Tregimet janë të shkëputur nga njëri-tjetri, në një pavarësi të plotë. Lënda jetësore ku mbruhen këto tregime dominon rrëfimin, duke e mbajtur atë larg moralizimeve. E vërteta e shkrimtarit mëton të vijë si kategori estetike.

Miço Mone me romanin “Prushi pellazg – Dhimitër Pilikës”

Dhimitër Pilika është figurë poliedrike dhe për të tillë nuk e prezantoi kush, por nuk u desh kohë të konfirmohej idhull i të gjithëve, shkruan autori i këtij romani biografik kushtuar Pilikës.

“Hapat e para në tokën aq bujare e mikpritëse të Divjakës, kur po ndiqnim rastësisht fluturimin e një skifteri, në betejën e tij me një zog që manovra në pikjadë e bëri të përfundojë në një ferrë për t’u mbrojtur, skifteri e arriti, por u ngatërrua në ferra duke rrezikuar. Pilika nuk mund të përgjigjej ndryshe: “Skifteri ka lindur të luftojë në ajër, në kuota të larta “. Si të fliste për veten e tij, që ai nuk do ti braktiste kurrë as lartësinë dhe as betejën e tij për origjinën e mohuar të shqiptarëve, qoftë edhe i vetëm do t’i jepte jetë.

Ajo që për të gjithë është drama e tij, vetëm nëse do të përjetonin për pak këtë pasion dhe përkushtim, do t’i bënte të preknin një botë që ka të gjitha ngjyrat dhe shkëlqimin e një jete e ndjenje nobile, më madhorja që eksiston. Kjo e bënte Dhimitër Pilikën të shquhej ndër të mëdhenjtë, të vlerësohej nga studiuesit e vërtetë, të adhurohej nga masa e thjeshtë dhe të goditej nga injorantë varrmihës që kishin pushtetin. Vetëm ai diti ta kthejë këtë dramë në një poezi që do ta recitojë krenaria e një kombi, rrëfen autori.

***

Ndërsa, për shkak të kushteve të pandemisë ndryshoi kalendari kohor i mbajtjes së këtij aktiviteti, procedura u ruajt e njëjta, si edhe qëllimi i tij për nxitjen e lëvrimit të prozës shqipe nga autorët shqiptarë brenda dhe jashtë kufirit. Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, ka në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarin Loer Kume, shkrimtarin Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi.

Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back