Aktualitet

Çmimi i naftës rënie rekord në tregjet globale, bie vetëm me dy lekë në atë shqiptar

Shkruar nga Liberale
Çmimi i naftës rënie rekord në tregjet globale, bie

Bordi i Transparencës e ka ulur sot çmimin e naftës për tregun shqiptar nga 240 lekë/ litri në 238 lekë/ litri. Një ditë më parë çmimi nuk ndryshoi. Bëhet fjalë për një ulje me vetëm 2 lekë/ litri për naftën.

Ashtu siç pritej, apo ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, kur rritet çmimi në tregjet ndërkombëtare rritet edhe në Shqipëri, por kur ulet në tregjet e huaja, kjo nuk reflektohet në tregun shqiptar.

Sa i përket benzinës, Bordi ka vendosur që të shitet me 218 lekë/ litri ose 5 lekë më pak krahasuar me vendimin e fundit. Benzina ka pësuar uljen më të madhe gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që nafta, karburanti më i përdorur në treg duket sikur është fiksuar në rreth 240 lekë/ litri.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz do të  jetë 81 lekë/litër.

Çmimet e fundit të caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 15 Korrik ora 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Mjafton një krahasim me tregjet ndërkombëtare për të kuptuar se çfarë ndodh me çmimet e karburanteve në tregun shqiptar.

Çmimet e naftës kanë rënë nën 95 dollarë për fuçi për herë të parë në tregjet ndërkombëtare që kur Rusia pushtoi Ukrainën, pasi frika e një recesioni të afërt global ka tronditur tregjet e mallrave.

Nafta e papërpunuar ra më shumë se 5 dollarë për fuçi të enjten, ose më shumë se 5 për qind, duke shtuar rënien më të madhe gjatë gjashtë javëve të fundit.

Çmimi i Brent, standardi ndërkombëtar, ra deri në 94.50 dollarë për fuçi, nga 96,84 dollarë që ishte më 23 shkurt, një ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën. Marka amerikane “West Texas Intermediate” ra në 90,56 dollarë, nga 92,10 dollarësh përpara luftës.

Pushtimi i Ukrainës shkaktoi rritje të çmimeve në fillim të këtij viti, me Brent dhe WTI që e tregtuan për pak kohë naftën mbi 130 dollarë, ndërsa vendet perëndimore u hakmorën duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë.

Por shqetësimet e recesionit të mundshëm në SHBA dhe Europë, detyruan vendet e zhvilluara të ndalonin rritjen e mëtejshme të çmimit. Çmimet e naftës së papërpunuar kanë rënë me rreth një të pestën që nga mesi i qershorit, ndërsa tregtarët po përgatiten për një rënie të mprehtë të konsumit.

Çmimet e larta të naftës gjatë muajve të fundit kanë ngritur presion mbi administratën e presidentit amerikan Joe Biden. Anketat e fundit tregojnë se janë shtuar pakënaqësitë ndaj tij, pasi shoferët u përballën kohët e fundit me çmime gati rekord të tregtimit të karburanteve.

Pas uljes së ditëve të fundit Biden do të vizitojë Riadin të premten për takimin e tij të parë me princin saudit Mohammed bin Salman, ku ai do të mbështetet në mbretërinë saudite për të importuar më shumë naftë dhe për të ulur akoma edhe më tej çmimet. /Liberale.al/ 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH