Globi

Çlirimi i Kosovës, krerët e shtetit nderojnë të rënët e NATO-s

Shkruar nga Liberale
Çlirimi i Kosovës, krerët e shtetit nderojnë të

Krerët e shtetit të Kosovës u bënë bashkë me rastin e 22-vjetorit të Ditës së Çlirimit. Presidentja, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, vendosën kurorë me lule te Pllaka Përkujtimore e Ushtarëve të rënë të NATO-s.

Ata vlerësuan kontributin e jashtëzakonshëm, të ushtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilët i sollën Kosovës lirinë dhe çlirimin përfundimtar nga Serbia.

"Në Ligjin për festat zyrtare kjo ditë njihet si Dita e Paqes, në mesin e qytetarëve tanë njihet si Dita e Çlirimit dhe Dita e lirisë, në fakt që të tri këto epitete i përshtaten kësaj dite, sepse 12 qershori, hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e UÇK-së i sollën Republikës së Kosovës pas një sakrifice të jashtëzakonshme mbi njerëzore edhe lirinë edhe çlirimin, por edhe paqen pas shumë e shumë vuajtjeve e sakrificave të popullit tonë”, u shpreh Osmani.

“Me vetë faktin që aleanca më e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës, u mobilizua struktura më e madhe ushtarake demokratike në botë e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo e ushtroj mbi popullin e Kosovës, kjo flet mbi të gjitha që kauza jonë ishte shumë e drejtë, që liria jonë ishte shumë e shenjtë. Prandaj, duhet ta mbrojmë e ta ruajmë atë me çdo kusht”, shtoi Konjufca.

“Në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë, por me 12 qershor këmbësoria NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviqit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndërkombëtarët ofruan siguri për Kosovën në të kaluarën, po të njëjtën gjë e premtojnë edhe për të ardhmen.

“Së pari dua të them se është nder të jem këtu dhe gjithashtu është kënaqësi për mua si zëvendëskomandant i KFOR-it të jem prezent në këtë ceremoni dhe të theksojë se KFOR-i do të qëndrojë këtu aq gjatë sa do të jetë e nevojshme për të siguruar paqe për të gjitha grupet etnike në Kosovë”, tha Gunter Schopf, zëvendëskomandati i KFOR.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH