Aktualitet

Ç’ka pas derës së mbyllur?

Shkruar nga Liberale
Ç’ka pas derës së mbyllur?

Destabilizim në Ballkan, zgjedhje të parakohshme, joshje nga fuqi të huaja, bashkime etnike, intensifikim të krizave të brendshme apo edhe  marrëveshje mes dy kampeve , janë  disa nga skenarët që mund të prodhojë refuzimi i BE-së për dy vendet kandidate për çeljen e negociatave. Por kryeministri Rama  pohoi dje se e vetmja alternativë është vijimi i rrugës së integrimit dhe çuarja përpara e reformave. Edhe kreu i PD-së  foli për vullnet të opozitës në miratimin e Reformës Zgjedhore dhe përkrahje të reformës në drejtësi, si kushte të Bundestagut, që zgjidhin krizën politike dhe janë garanci për çelje të negociatave

Suadela Balliu

Kryeministri maqedonas e paralajmëroi para vendimit të djeshëm, se nëse vendit të tij nuk i çelen negociatat, atëherë qeveria Zaev bie dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Kjo do të ishte turbulenca e parë që krijon refuzimi i krerëve të BE-së për të hapur bisedimet për anëtarësim me dy kandidatët ballkanikë. Edhe pse gjatë ditës së djeshme nuk pati një qëndrim zyrtar nga Zoran Zaev, presioni i opozitës për dorëheqjen e tij është i madh dhe është bërë e ditur se  qeveria po i shqyrton të gjitha alternativat.

Në Tiranë, kryeministri Rama as para e as pas përgjigjes së Brukselit nuk e sheh zgjidhjen tek dorëheqja e tij dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. Madje as kreu i opozitës, që megjithëse e cilëson dështim personal të qeverisë Rama “Jo”-në e Bashkimit Europian, nuk pret që kryeministri të japë dorëheqjen, edhe pse prej shkurtit opozita e bashkuar jashtëparlamentare e ka në prioritetet e kushteve, bashkë me qeverinë tranzitore.

Ndërsa në shtetin fqinj zhgënjimi pas pritshmërive, është i madh dhe marrëveshja e ndërrimit të emrit u bë falë premtimit që kryeministri mori për çelje të negociatave, kartë me të  cilën bindi palët politike për arritjen e dakordësisë me Greqinë, Shqipëria duket se e ka pritur më gjakftohtë refuzimin. Kryeministri  Rama u përpoq dje në deklaratën për median, të shuante çdo lloj skenari që mund të aplikohej si “mëri” ndaj Europës, që i mbylli dyert edhe njëherë, edhe pse dje motivi i artikuluar ishte ai i reformimit të brendshëm të unionit dhe vetë procesit të zgjerimit.

“Kemi marrë një refuzim për çeljen e negociatave mbrëmë, por asgjë më shumë se  kaq. Rruga jonë është e njëjta nga ato që i kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për vendin tonë”, u shpreh dje kryeministri Rama, ndërsa u zotua se do të vijojë me plotësimin e parakushteve të vendosur në votën “Po” të Bundestagut, që nis me Reformën Zgjedhore.

Duke e ndarë edhe njëherë me dy faza, kryeministri Rama tha se deri në dhjetor do të votohen në Kuvend rekomandimet e OSBE/ODIHR e më pas do të vijohet me kërkesat  e partive politike. “...dhe do ta kemi shënuar si të kryer një kërkesë të Bundestagut,  që prapë i vlen Shqipërisë, sistemit tonë zgjedhor, sepse nuk do të ketë më komision me parti politike”, do të vijonte kryeministri, ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha në daljen e tij për mediat, një orë pas shefit të qeverisë shprehu gatishmërinë e opozitës për përmbushjen e kushteve, që çojnë drejt rrugës së negociatave, duke u ndalur tek Reforma Zgjedhore.

Kryedemokrati sqaroi dje për mediat se kërkesa e opozitës për një strukturë ndërkombëtare për Reformën Zgjedhore, që do të vinin jo si drejtues por për ekspertizë e për të dëshmuar vullnetin e palëve në çuarjen përpara të procesit. Megjithëse nuk e mohoi se aksioni opozitar do të shtrihet tek protestat, gjuha e kreut të opozitës ishte më konstruktive, edhe pse do të theksonte se nuk do të kishte dialog apo kompromis me kryeministrin. Por skenari i intensifikimit të protestave, pas dështimit të çeljes së negociatave -ndërsa lideri i PD-së e kishte bërë të qartë në disa raste se deri më 18 tetor nuk do të kishte protesta-, duket se është zëvendësuar me atë të tryezave dhe mekanizmave për miratimin e Reformës Zgjedhore, e kthyer tashmë në objektiv kyç të negociatave nga Gjermania, edhe pse kancelarja Merkel nuk mundi ta bindë presidentin Macron për të mos vënë dje veton kundër mirëpritjes së dy kandidatëve në rrugëtimin e gjatë të anëtarësimit dhe cceljes së të 35 kapitujve.

“Nuk ka negociata me shumicën për Reformën zgjedhore, pasi nuk ka mekanizëm, pasi është pa përgjigje dhe pula pa kokë. Jo thjeshtë reformë zgjedhore me dy pika të tjerë, merr Oerdin dhe atë tjetrin që është një nga kushtet e Bundestagut. Prandaj Reforma Zgjedhore është më shumë se ndryshimet ligjore. Pjesa e parë thotë miratoni sipas rekomandimeve sipas OSBE-së, pjesa e dytë është zbatimi”, do të shprehej Basha, i sapokthyer nga vizita e tij në Berlin. Basha shprehu hapur mbështetjen edhe për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, që është edhe kërkesa e parë e parlamentit gjerman e po ashtu edhe SPAK-ut. Qëndrimi i kreut të PD-së është i ndryshëm nga ai i akuzave ndaj komprometimit të Reformës në Drejtësi, duke hedhur hapa të para të besimit në të, siç është krijimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që do t’i japë fund pandëshkueshmërisë. Rezultatet e punës së SPAK priten edhe nga parlamenti gjerman, në nëntë pikat e tij. Basha shkoi deri aty sa tha që Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i saj ka një qëllim t’i trajtojë të gjithë njëlloj.

Pika që edhe kryeministri Rama vijon t’i mbajë si objektiva, pavarësisht refuzimit të djeshëm.

Kryeministri Rama do t’i  cilësonte humbje kohe zgjedhjet e parakohshme, ndërsa Basha u shpreh dje se opozita ishte gati për to. Edhe nesër.

“Opozita ka një vit që lufton për zgjedhje të parakohshme, padyshim që lufton dhe është e gatshme që të shkojë që nesër, por parakushti është që të kenë standardet minimale, që të jenë për njerëzit dhe jo zgjedhjet e Vangjushit, Tomës dhe Kajmakut”, u shpreh Basha, ndërsa rezolutën e deputetëve gjermanë për çeljen e negociatave, Basha e sheh si udhërrëfyes për daljen nga kriza. Nuk presim propozim nga ata, e ka bërë Bundestagu. Tani ka dy zgjedhje; ta zbatojnë,  t’i binden verdiktit të sovranit dhe kërkesave të Europës,  ose të hapin krahun”, theksoi Basha, ndërsa Rama do të përgjigjej “Përsa i përket votëbesimit për të plotësuar një nga pikat për të kënaqur ata, unë mendoj që ne e kemi absolutisht shumë gjëra për të bërë dhe nuk kemi kohë për të humbur, kemi plot punë për të bërë dhe as nuk bëhet fjalë për cilindo që nuk ka punë.  Flas  për ata që merren me politikë dhe thonë kemi çuar platformën dhe thonë zbatojeni ose hapni krahun, nuk bëhet fjalë”, do të shprehej kryeministri, duke iu referuar paketës antikrizë, të cilën kreu i opozitës pak ditë më parë tha se ia kishte dorëzuar edhe zyrës së kryeministrit.

Në emër të opozitës, Basha foli për hapa konkretë të  PD-së dhe aleatëve, që nisin me miratimin e Reformës Zgjedhore.

“Reformë zgjedhore, zgjedhje të lira, zbatimi i reformës në drejtësi, para drejtësisë çdokush që ka abuzuar.  Nëntë kushtet e Bundestagut janë rruga e PD-së”, do të shprehej Basha.

Mosmbajtja e premtimit, për të cilën u ndje e keqardhur kancelarja Merkel dje, ndërsa pika e fortë e Gjermanisë ishte të mos cenohej besueshmëria tek BE-ja, u pa nga shumë aktorë të vetë unionit si gabim historik apo rrezik për destabilitetin e rajonit. Zaev, pak ditë më parë do të thoshte se nëse Maqedonisë së  Veriut nuk do t’i cceleshin negociatat, BE të mos priste që Kosova dhe Serbia të arrinin një marrëveshje, ku vendi i tij dhe Greqia theksoheshin si shembulli i mirë në rajon.  Për zvarritjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri Rama më herët kishte kërcënuar me një bashkim të mundshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë e bashkë me presidentin Thaçi kanë folur në disa raste për hapje kufijsh.

Por dje, Rama theksoi se e vetmja rrugë e Shqipërisë është anëtarësimi në BE. Asnjë alternativë tjetër paralele.

“Do të ishte gabimi më i madh që këtë moment  kur do merrnim një “PO”,  të vëmë në pikëpyetje Europën dhe t’i referohemi adresave të gabuara  të  së shkuarës. Rrugëtimi ynë drejt Europës është testament”, do të shprehej kreu i qeverisë, i cili përpara se të flirtonte me një bashkim të mundshëm mes dy vendeve, fliste për bashkim të shqiptarëve në BE.

 

Bashkimin me Kosovën, e shihte  më shumë sesa dëshirë të tij,  si  alternativë  e mundshme ndaj derës së mbyllur të BE-së. Kështu do të deklaronte dy vjet më parë kryeministri Rama, ndërsa insinuatat për bashkim vinin nga zhgënjimet që krijonte qasja e BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Deklarata e djeshme ishte krejt e kundërt me qëndrimet e tij të  mëhershme.

“Europa ka një moment të komplikuar por është i vetmi destinacion. Forma është dytësore me përkatësinë ndaj kësaj familje. Kjo nuk ka të bëjë me Merkel, Macron apo emra të përveçëm,  por me Shqipërinë. Ankorimi i shqiptarëve në këtë organizëm politik të BE është destinacion strategjik.  I  vetmi plan,  jo një nga planet. E vetmja hapësirë,  ku shqiptarët të  jetonin të lirë dhe të sigurt”.

Kryeministri zbuloi se do të takohet me fituesin e zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti,  i cili pritet të formojë qeverinë e re për të diskutuar mbi forcimin e  marrëdhënieve  dypalëshe. Përveçse hodhi idenë e caktimit të dy ministrave të shtetit, nga të dy anët e kufirit, si një pikë referimi institucional, kryeministri Rama foli edhe për Shengenin Ballkanik, duke ftuar edhe Kosovën, në takimin e 10 nëntorit në Ohër. Rreth mini-shengenit, kryeministri shqiptar ka folur edhe më herët, ndërsa takimi i Novi Sadit, ku pati një dakordësim dhe konferencë të përbashkët, për garantimin e lirive të lëvizjes së lirë si në BE, u komentua edhe si alternativë ballkanase përballë derës së mbyllur të Europës ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, me dy kandidatë që sapo u refuzuan sërish dhe dy të tjerë që kanë ngecur në mes të kapitujve të bisedimit për anëtarësim.

Fokusi drejt integrimit Europian i kryeministrit Rama, por edhe i krye opozitarit Basha që është angazhuar pas vizitës në Berlin me plotësimin e kushteve të Bundestagut, duket se davarit edhe frikën e artikuluar nga ministri i jashtëm gjerman Micheal Roth se vakumin e krijuar nga BE-ja në Ballkan mund ta zënë fuqi të tjera si Rusia, Kina apo Turqia.

Pas vendimit të BE-së, ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke shprehur zhgënjimin për mosnjohjen e përpjekjeve të të dy vendeve në rajon. “Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik”, është shprehur Morgan Ortagus, zëdhënës i DASH, duke vijuar se ShBA mbështet përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. ShBA konfirmon rolin si partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar, gjë që lë pak vend qasjes së dy vendeve nga fuqi të tjera, përtej BE-së dhe ShBA-së.

“Kjo është një përplasje mes të mëdhenjve dhe një 'lojë' qasjesh dhe interesash. Askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e përjashton perspektivën e integrimit tonë si rajon dhe vende në BE. Në fund të fundit e kam thënë gjithmonë, procesi i integrimit është proces i transformimit të brendshëm, jo për t'u pëlqyer të tjerëve”, do të shprehej kryeministri, që edhe dje ia faturoi të gjithë përgjegjësinë e refuzimit politikës së brendshme të BE-së dhe qasjes së presidentit Macron për reformim.

Mes ndasive, për të cilat fliste kancelarja Merkel që pamundësuan vendimin unanim, kishte nga ata që propozuan ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa kjo e fundit duket se ka pasur dritën jeshile nga më shumë vende, edhe nga ata shtete që janë treguar kategorikë me Shqipërinë si Holanda apo Danimarka. Kryeministri Rama muaj para datës së çeljes së negociatave, do ta cilësonte ndarjen e dy vendeve si të padrejtë dhe rrezik për destabilizim në rajon, por dje tha se Maqedonia e Veriut nuk është sakrifikuar për Shqipërinë.

“Ne kemi bërë gjithçka që Macron dhe gjithë të tjerët të thoshin “PO” për të hapur negociatat dhe nëse nuk e thanë,  nuk ka të bëjë me ne. Edhe kundërshtia e tij ndaj disa vendeve që në një moment të caktuar kanë menduar se hajde mos e çajmë këtë punë duke i ndarë, nuk është një qëndrim i rastësisht, por koherent me konceptin e tij që duhet të ndryshojë Europa”, do të thoshte Rama, ndërsa edhe Macron megjithëse në kahje të kundër me kancelaren Merkel, ka qenë i mendimit se vendet nuk duhet të ndahen për të mos përçuar mesazhe të gabuara në Ballkan.

“Predikimi që Maqedonia e Veriut e paska pësuar nga Shqipëria është predikim i lodhur nga ata që bëjnë çmos për ta sakatuar Shqipërinë në sytë e tjerëve që në mënyrë të përciptë kapen pas këtyre argumenteve”, vijoi kryeministri, ndërsa Zoran Zaev pak kohë më parë do të deklaronte se liderët e BE-së i trembeshin deklaratave të Ramës për bashkim me Kosovën dhe druhej se Maqedonia e Veriut do të refuzohej bashkë me Shqipërinë, për shkak të qëndrimeve të kryeministrit shqiptar.

Kryeministri Rama tha dje se vendi rrezikoi fort ndarjen nga Maqedonia e Veriut, për çelje të bisedimeve, gjatë qershorit për shkak të protestave të opozitës, ndërsa Basha foli dje për përsëritje të zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas një Kodi të Ri. Megjithëse një nga kushtet e Bundestagut është zbatimi i Reformës Zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme si edhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale, theksohet se vetëm nëse gjykata vendos për përsëritjen e tyre, ato do të duhet të bëhen përmes ligjit të ri, që do duhet të ketë miratim gjithëpërfshirës.

Sipas kryeministrit Rama, dje të liderët e BE-së, që nga Presidenti i Këshillit, i Komisionit, Komisioneri për Zgjerimin, e thanë qartë që kjo që ndodhi është mosarritje konsensusi me vendet anëtare për arsyet e tyre. Pretendimet nga kryeministra si ai i Holandës se Shqipëria nuk kishte bërë mjaftueshëm, Rama i cilësoi bishta.

“Nëse e konsiderojmë progresin në lidhje me gatishmërinë për t'u bërë pjesë e BE-së është i pamjaftueshëm, por nëse krahasojmë me çfarë na është kërkuar dhe çfarë kemi bërë është shumë”.

Kreu i PD-së, do të deklaronte dje se Komisioni Europian i ka zbukuruar raportet për Shqipërinë duke mos treguar të vërtetën e asaj që po ndodhte në Shqipëri.  Basha tha se ka mosbesim të vendeve anëtare ndaj raporteve të KE-së.

“Këtë tha edhe Holanda kur u shpreh se në rast e Maqedonisë ishin dakord, për Shqipërinë, krimi, korrupsioni dhe ndarja e pushtetit i ndalonin për hapjen e negociatave, në raport të qartë me raportin e zbukuruar të KE-së. Franca shikon çdo ditë problemin e azilkërkuesve”.

Rama ka folur edhe njëherë për azilkërkuesit, duke marrë shembuj lëvizjet e qytetarëve të vendeve të BE-së, të cilët kërkojnë punë në vende si Gjermania. “Shqiptarët kanë lëvizur gjithmonë, i mbylli Enver Hoxha 50 vjet, kanë ikur do të vijnë...problemi është se nuk jemi në tregun e përbashkët”, u shpreh Rama, ndërsa problemin me emigracionin veç Macron-it, në deklaratën për mediat, e theksoi edhe kancelarja Merkel.

Me refuzimin, presidenti francez u ka vënë dy krerëve të Ballkanit të tjera punë për të kryer e reforma më të thella.

“Edhe Macron duhet të bëjë më shumë, edhe ai vetë  thotë “ dua të bëj më shumë”. Në këtë pozicion të jemi, të gjithë duhet të bëjmë më shumë”, do të përgjigjej Rama, i cili e pa qëndrimin e presidentit të Francës brutalisht të hapur.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ndërsa tha se nuk ishte faji i dy vendeve për mosarritjen e unanimitetit për negociatat, tha dje se çështjes do t’i rikthehen sërish në majin e 2020-s. Po ashtu, edhe kancelarja Merkel, e cila ndërsa vlerësoi Reformën në Drejtësi, të cilën do duhet ta kryejnë  edhe vende të tjera të rajonit, tha se do t’i rikthehen temës në samitin e Zagrebit.

Kryeministri shqiptar përsëriti edhe njëherë bindjen e tij se me kushtet dhe kriteret e sotme, asnjë vend aktual i BE-së nëse do të ishte kandidat nuk do të merrte dot një “Po”. Por, siç tha ai dje se  “ajo që na mbetet është të vijojmë se nuk ka asnjë alternativë tjetër”. E vetmja rrugë është Shqipëria europiane, edhe pse me pengesa dhe e largët...

Macron: Shqipëria ka bërë progres, por ka probleme me emigrimin!

Pas vetos së djeshme për mos hapjen e negociatave, presidenti francez ka njohur punën e dy vendeve, por tha se duhet bërë ende.

“Patëm një diskutim të gjatë sa i përket zgjerimit të BE. Duhet të besoj për një Europë të përgjegjshme. Shqipëria po kalon në disa reforma të mëdha. Ne në fakt e pranojmë se është progres, por i gjithë progresi i duhur nuk është bërë ende. Ka probleme me emigrimin. Diskutimi im ishte i dobishëm mbi të gjitha për vizionin e Europës. Në fakt BE ka disa probleme të brendshme, dhe përpara se të nisë zgjerimi ka nevojë për reformim të brendshëm. Në fakt dihet se nuk i hapim dyert nuk do ketë më përpjekje, por kjo nuk mjafton. Duhet të finalizojmë reformat tona. Ne nuk mund të hapim dyert dhe ata të futen brenda. Duhet parë se ku janë këto vende që duan të futen në BE. Duhet t'i shohim këto vende që janë në proces. Ne duhet të shohim në hapat e mëtejshëm se çfarë mund të bëjmë. Procesi duhet parë i gjithi. Në momentin kur do hapim dyert mund të na fajësojnë edhe ne lidhur me këtë. Duhet të reformojmë Europën Na duhet strategji. Këto janë komentet që doja të ndaja me ju. Këtë mëngjes bashkë me Angela Merkel patëm një sesion pune, diskutuam për komision të ri. Është i rëndësishëm zbatimi i kësaj axhende. Patjetër që Zaev dhe Rama kanë bërë punën e tyre, të mos e gënjejmë veten, kemi nevojë për progres në vendet tona pastaj të bëjmë përpjekjet për zgjerim. Le të mos gabojmë, momenti që hapen negociatat ka një sërë çështjesh të tjera që duhen plotësuar”, u shpreh Macron.

I pyetur se çfarë mesazhi ka për shqiptarët, presidenti francez u përgjigj duke përsëritur një qëndrim të tijin se nuk ka sesi t'i shpjegojë popullit të tij që Shqipëria, me numrin e lartë të azilkërkuesve, edhe pse është vend i sigurt, do të futet në BE.

“Është e vështirë t'i shpjegojmë francezëve që do t'i hapim negociatat Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE, sepse Shqipëria konsiderohet si një vend i siguritë dhe numrin e azilkërkuesve nuk mund ta shpjegojmë. Kemi probleme me azilkërkuesit, nuk mund të bëjmë gjëra që është e pamundur që francezët t'i kuptojnë. Çështja e emigrimit nuk është vetëm në Shqipëri, por në disa vende të tjera, nuk është se lidhet vetëm me Shqipërinë, janë probleme që duhen rregulluar", tha Macron. Më herët tha ai, BE-ja duhet të reformohet dhe nuk është momenti i duhur për zgjerim të mëtejshëm. “Na duhen më shumë muskuj, më shumë solidaritet, më shumë koherencë, në mënyrë që të jemi në të njëjtin nivel, ndaj dhe unë kam shprehur ato për të cilat nuk bie dakord. Duhet të jemi të hapur ndaj disa diskutimeve, ndoshta edhe lidhur me zgjerimin, por fillimisht na duhet një reformim i procesit në mënyrë që të ketë diferenca me vitet e mëparshme”.

DASH:  Shpresojmë në një vendim pozitiv të KE-së për dy vendet,  para verës tjetër

Në një komunikatë të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi konkluzionet e Këshillit Europian për  Zgjerimin, zëdhënësi Morgan Ortagus, theksonte mbështetjen e ShBA ndaj përkushtimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, si edhe zhgënjimin që BE nuk i njohur përpjekjet e dy vendeve.

Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Maj

Shqipëria merr rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave pa kushte për anëtarësim në  BE.

Qershor

BE shtyn çeljen e negociatave në tetor, për shkak të zgjedhjeve të parlamentit Europian.

Shtator

Bundestagu gjerman jep “po” me nëntë  kushte  që Shqipërisë t’i ccelen negociatat.  /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH