Aktualitet

ANALIZË nga Preç Zogaj: Cilët politikanë po kërkojnë të kapin kreun e SPAK-ut?

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Preç Zogaj: Cilët politikanë po

Preç Zogaj

Një ditë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidatët për postin e kreut të ri të SPAK, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë zonja Juri Kim postoi në Twitter një reagim të pazakontë, për të mos thënë më shumë.

“Tani që janë konfirmuar kandidatët për kreun e ardhshëm të Prokurorisë së Posaçme është thelbësore që procesi të jetë transparent, në mënyrë që drejtuesi i ardhshëm, së pari, të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe rezultateve të arritura, dhe së dyti të jetë i aftë dhe i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkroi zonja Kim. Përzgjedhja, nënvizonte më tej ajo “duhet të jetë i pa manipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë me mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK-un, si dhe reforma në drejtësi, duhet të jetë për të ardhmen e Shqipërisë”.

Radioja “Zëri i Amerikës” i bëri jehonë të veçantë këtij postimi duke komentuar se ambasadorja Kim duket të ketë dyshime mbi procesin që pritet të çojë në zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK. Ndërkohë nuk ka pasur reagime publike as nga qeveria, as nga opozita në Tiranë.

Postimi i zonjës Kim është korrekt, i pritshëm. SHBA-të janë mbështetësit më të mëdhenj të reformës shqiptare në drejtësi. Sundimi i ligjit dhe çuarja para drejtësisë e të paprekshmëve të korruptuar në sferat e larta politike është një premtim i tyre për popullin shqiptar. Në linjë me politikën e Uashingtonit për Shqipërinë vetë mandati i ambasadores Kim është shënuar e vijon të shënohet nga angazhimi konstant i saj për çdo zhvillim dhe kundërzhvillim nga fronti i drejtësisë së re.

Formulimi i reagimit të saj në formën e kërkesave që duhet të përmbushë procesi dhe përzgjedhja e kreut të SPAK nuk lë shteg për spekulime. Por nga ana tjetër nuk është i karakterit rutinor. Në të kundërtën, në rreshta dhe midis rreshtave është qartazi një tekst që ngre alarmin kundër kapjes politike të kreut të SPAK-ut. Ajo nuk kërkon thjesht të lajë duart a të shpëtojë shpirtin, por t’i dalë përpara rrezikut të ri që kërcënon SPAK-un nga caktimi në krye të tij i dikujt pa kualifikimin, rezultatet dhe kurajon e duhur. Më keq akoma, një marionetë në duart e politikanëve. Nga kjo pikëpamje postimi është një kambanë alarmi për gjithë pjesën e shëndoshë të politikës që mbështet pavarësinë e drejtësisë.

Që bashkautorët e vendosjes së pandëshkueshmërisë shumëvjeçare në Shqipëri do të duan të kapin edhe drejtësinë e re, kjo nuk përbën ndonjë surprizë. Deri dje drejtësia e kapur i shkonte paketë kryeministrit të radhës. Që bëhej garanti i palës tjetër në opozitë. Dhe kështu pambarim. Reforma në drejtësi u ideua dhe u votua si një korporatë e pavarur, e vetërregulluar, e mbyllur për politikanët pikërisht për t’u hequr atyre nga dora kontrollin dhe kapjen e saj. Por, siç e kemi vënë në dukje me shembuj konkretë në disa shkrime të mëparshme, ata, politikanët, ia kanë gjetur anën të ndikojnë dhe të vendosin përsëri kë të lenë e kë të heqin, kë të venë e ke të mos venë në postet kyçe të drejtësisë së re. Duke tundur për sytë e publikut e partnerëve flamurin e drejtësisë së re dhe duke bërë nën rrogoz duanë e së vjetrës.

Produkti i SPAK këto tre vjet nuk është ngritur në lartësinë e pritshmërive të publikut, pavarësisht disa sukseseve. Nuk është rasti për të diskutuar a mos kanë qenë pritshmëritë dhe padurimi i publikut më i lartë se duhet në kuptimin e kohës që i duhet një reformë të madhe të japë frytet e saj, apo ka zhgënjyer SPAK. Postimi i zonjës Kim na paralajmëron se korporata e të paprekshmëve në sferat e larta, ata që duhet të ishin dhe janë subjekte të llogaridhënies dhe hetimeve penale, ata që duhej të kishin frikë nga SPAK, janë organizuar dhe po guxojnë të kapin kreun e tij. Do të thotë se po t’ja dalin, të keqen më të madhe e kemi përpara, drejtësia e re rrezikon të dështojë. Duke ruajtur nga e reja retorikën dhe nga e vjetra përmbajtjen.

Po kush po kërkon ta kapë kreun e SPAK? Pa dashur të bëjmë hipoteza, me arsyetim mund të themi se personi që ka më shumë mundësi se gjithë të tjerët të ndikojë vendosjen e një njeriu të preferuar prej tij në krye të SPAK është kryeministri Rama. Në mos qoftë vetë, Rama sigurisht i ka të gjitha mundësitë ta dijë çfarë po luhet në prapaskenë. Ai ka detyrën të denoncojë kapjen politike të kreut të SPAK nga ata që duan të bllokojnë drejtësinë e re. Ta bëjë këtë para ambasadores amerikane, njëherësh me të apo edhe pas saj. Në të kundërtën, do të kuptojmë se forca apo grupi që po provon ta kapë kreun e SPAK e bën për llogari të gjithë elitës politike që ka frikë nga hetimet e pavarura.

Ngushëllimi i vetëm këtu është se SHBA e dinë kush dhe duken të angazhuar për të mos e lejuar një kalë troje në kalanë e drejtësisë së re./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH