Kryesore

Cilës NATO i referohet kryeministri për ndihmë?

               Publikuar në : 08:45 - 14/01/20 Blendi Lami

Blendi Lami

Kryeministri Rama deklaroi se “çdo sulm mbi ne, është një sulm ndaj NATO-s”. Me këto fjalë, z. Rama i referohet parimit të mbrojtjes kolektive të traktatit themelues të NATO-s. Ky parim reflektohet në nenin pesë të traktatit të Uashingtonit, në të cilit thuhet se “një sulm kundër një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve”. Duhet theksuar se ky nen është zbatuar vetëm një herë në historinë e Aleancës pas sulmeve të 11 Shtatorit kundër SHBA-ve. Ishte koha kur NATO ndërhyri në Afganistan.

Ky parim u theksua sërish në deklaratën përfundimtare të samitit të NATO-s, të zhvilluar në Londër në dhjetor 2019, megjithëse kohët e fundit mes anëtarëve të NATO-s janë shfaqur shumë ndasi.

Pas një tronditjeje të thellë që pësoi Aleanca, kur presidenti Trump deklaroi se NATO ishte “vjetruar” dhe anëtarët e saj nuk paguanin përqindjet e kërkuara për funksionimin e saj, para pak samitit të Londrës presidenti Macron e shtoi dozën e skepticizmit për NATO-n, duke e sfiduar homologun amerikan për deklarata pompoze: ai tha se NATO kishte pësuar “vdekje klinike”. Sidoqoftë, ky samit përfundoi me një deklaratë pozitive politike të paparashikuar, në një kohë kur sfidat e përcaktuara ishin: a) përballja dhe përcaktimi i terrorizmit; b) forma e përballjes me Rusinë; dhe c) funksionimi i mbrojtjes kolektive. Mirëpo, liderët kryesorë të vendeve aleate paraqitën pikëpamje të ndryshme për tre çështjet e mësipërme, pikëpamje që kanë shkaktuar plasaritje brenda organizatës.

Pavarësisht se pika e dytë e prioriteteve ka në plan të parë Rusinë, të tre çështjet nënvizojnë rrezik të drejtpërdrejtë që i shkaktohet Shqipërisë në kontekstin e përplasjes SHBA – Iran. Në këtë situatë, që gjendet NATO, ku nuk ka një frymë të përbashkët, a do të aktivizohet sërish neni 5, në rast agresioni të një vendi aleat?

Situata në NATO – një aleancë politike dhe ushtarake – është një lloj amullie, ku dimensioni politik nuk po përputhet me atë ushtarak. Gjendet në një situatë të ngjashme me Bashkimin Evropian, ku ana teknike përplaset shpesh me atë politike (siç ndodhi, për shembull, në rastin e moshapjes së negociatave me vendin tonë, kur Komisioni dha dritën jeshilen për hapjen e negociatave, ndërsa segmente të fuqishme politike – i.e. disa vende anëtare – e kundërshtuan Komisionin që e kanë miratuar vetë). Në këtë lloj paradoksi të vendimmarrjes, e sheh veten sërish Shqipëria edhe në rast të një konflikti të mundshëm me Iranin.

Shqipëria, në vizionin e saj për NATO-n, projekton dy NATO: makinerinë ushtarake që planifikon mbrojtjen kolektive në Evropë dhe aleancën politike që luhatet në varësi të axhendave të liderëve të vendeve anëtare.

NATO e parë duket se funksion mirë. Deklarata e Londrës duket optimiste në këtë drejtim, pasi vendet anëtarë u angazhuan: “ të garantojnë territorin, lirinë dhe vlerat që ndajmë, ndërkohë që solidariteti, uniteti dhe kohezioni janë parimet themelore të Aleancës. Solidariteti, uniteti dhe kohezioni janë parime themelore të Aleancës sonë. Ndërsa punojmë së bashku për të parandaluar konfliktin dhe për të ruajtur paqen, NATO mbetet themeli për mbrojtjen tonë kolektive . . . Riafirmojmë lidhjen e qëndrueshme transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, respektimin tonë ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe përkushtimin tonë solemn siç është parashikuar në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit, sipas të cilit një sulm kundër një Aleati do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve” (pjesë nga Deklarata e Londrës në samitin e 3 – 4 dhjetorit).

NATO e dytë (ajo politike) është në telashe. Pikësëpari, duhet theksuar se Aleanca ka një problem të thellë të brendshëm. Katërshja (e ashtuquajtura Quad – SHBA, Britani, Francë dhe Gjermani), e cila ka përcaktuar orientimin e Perëndimit në dekadat e fundit, nuk funksionon që prej fillimit të presidencës Trump. Përveç dimensionit unilateralist të Trump-it, shpesh SHBA ka shpërfillur aleatët në shumë vendime që ka marrë (i fundit, tërheqja e trupave nga zona kurde në veri të Sirisë). Për t’i përmbledhur, ndër “anomalitë” e tjera të shumta që ka NATO e dytë janë: Turqia dhe Franca nuk bien dakord për formën e përballjes me kërcënimin terrorist; Turqia refuzon planin e NATO-s për instalime raketore në rajonin e Balltikut, për mbrojtjen e Evropës nga Rusia; aleatët kërkojnë që SHBA të konsultohet me ta për tërheqjen nga Siria; Turqia shpërfill aleatët në lidhje me konfliktin me kurdët; Polonia dhe shtetet balltike kanë qasje të ndryshme ndaj kërcënimit rus; për Macron, siguria e Evropës varet nga marrëdhënia e mirë me Rusinë; Gjermania është ambige, teksa, nga një anë e konsideron Rusinë kërcënim të madh, nga ana tjetër bashkëpunon me të për gazsjellësin “Nord Stream”; pas Brexit, Britania kërkon të imponohet, duke u shfaqur si flamurtare e forcimit të marrëdhënieve transatlantike dhe sigurisë evropiane, dhe të mos bëhet një “lojtar i nivelit të dytë”, siç e ka cilësuar Donald Tusk; Macron ka propozuar një ushtri evropiane si alternativë ndaj NATO-s etj etj).

A është problemi i NATO-s më i thellë sesa këto diagnoza? Përveç të qenit  “e vjetruar” dhe në një “vdekje klinike”, strategjisti George Friedman e konsideron NATO-n anakronike për aktualitetin. Shtrohet çështja nëse, në kontekstin aktual (me dy NATO), Aleanca do të jetë në gjendje të përballojë një krizë të madhe. Sipas Friedman, “struktura e vjetruar e NATO-s nuk do të ndryshojë për momentin . . . Qëllimi i NATO-s – mbrojtja e sigurinë së botës euro-atlantike – nuk do të zhbëhet. Duhet të evoluojë instrumenti i sigurisë”. Në këtë kuadër, theksohet misioni i themelimit të NATO-s: parandalimi i ekspansionit sovjetik, i cili sot manifestohet me ndalimin e influencës ruse. Friedman argumenton se “NATO u projektua për situata të jashtëzakonshme, në një kohë kur lufta e tretë botërore ishte e mundshme”. Prandaj, NATO do të funksiononte vetëm në një Evropë të bashkuar në një “njësi të vetme gjeopolitike, një angazhim të vetëm politik dhe një strukturë të vetme ushtarake”. Nëse një nga këto dimensione nuk funksionon, atëherë Evropa bie në kaos dhe NATO nuk do të arrijë ta stabilizojë. Por, duket qartë se nuk po dëshmojmë një angazhim të vetëm politik. Prandaj, është e spikatur thënia e Friedman-it se “NATO është një anakronizëm që ka mbijetuar më shumë sesa misioni i saj”.

Po në rast të një agresioni iranian ndaj Shqipërisë, një krizë reale aktuale, do të ndërhynte Franca dhe Gjermania kundër Iranit? Cili do të ishte qëndrimi i Hungarisë, vend aleat i NATO-s, tashmë në marrëdhënie shumë të mira me Rusinë? Po Turqia do të ruajë neutralitetin, siç mund të mendohet? A mund të parashikohet që Greqia të destabilizohet për hir të Shqipërisë?

Këto pyetje e të tjera gjejnë përgjigje tek ndasitë e përmendura më sipër dhe, për pasojë, duket se NATO e dytë, ajo politike, do të marrë vendimin ndaj NATO-s së parë, asaj ushtarake.

Kryeministri Rama vepron politikisht korrekt, teksa i referohet NATO-s në deklaratën e mësipërme, por në kokë ka vetëm një shtet të NATO-s.

Por ky shtet mik i Shqipërisë ka problemet e veta të thella. Dhe lidershipi ynë duhet t’i ketë seriozisht në konsideratë. Fareed Zakaria, në një artikull të fundit në “Post”, paralajmëron se SHBA – për shkak të vendimeve të Trump-it – nuk ka më një politikë të qartë të jashtme. “Për të renditur vetëm disa shembuj, Trump nënçmoi përfshirjen në Lindjen e Mesme, vrau gjeneralin e lartë të Iranit dhe u tërhoq nga Siria vetëm për të mbajtur trupat atje për të ruajtur naftën . . . Ai shfaq një seri impulsesh – izolacionizëm, unilateralizëm, armiqësi – disa prej tyre kontradiktore”. Pavarësisht këtyre gabimeve, Zakaria është i mendimit se SHBA shquhet për besueshmëri dhe planifikim të kujdesshëm, por “ky reputacion po shpërdorohet në të gjithë globin”. /Gazeta Liberale

*Pedagog, UET

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back