Analizë

REFLEKSIONE nga Erl Kodra/ Cila do të ishte rruga e duhur për të hapur Dosjet e Sigurimit të Shtetit

Shkruar nga Liberale
REFLEKSIONE nga Erl Kodra/ Cila do të ishte rruga e duhur për të

Nga Erl Kodra

Sigurimi i Shtetit (më poshtë Sigurimi) ishte një organizatë terroriste, themeluar dhe e organizuar nga Enver Hoxha. Objekti dhe veprimtaria e Sigurimit ishte lufta kundër të djathtës shqiptare dhe të gjithë atyre që konsideroheshin armiq të partisë dhe Enver Hoxhës. Rezultati i kësaj lufte të paprinciptë ishin mbi 5000 të vrarë, dhjetëra mijëra të burgosur politik dhe qindra mijëra të përndjekur. Të gjithë të vrarët nga regjimi terrorist ishin plotësisht të pafajshëm, dhe asnjëri prej tyre nuk e meritonte të vritej pa kryer asnjë faj.

Bilanci tragjik i kësaj lufte është vepër ekskluzive e Sigurimit, në bashkëpunim të ngushtë me struktura dhe organizata të tjera shtetërore, si Hetuesia e Përgjithshme, Prokuroria, Policia e Shtetit, Gjykatat, Sistemi i Burgjeve, Organizatat e PPSH-së, Frontit Demokratik, Komitetet e Partisë në rrethe, Komitetit Qendror të PPSH-së, Byrosë Politike, Qeverisë Shqiptare, dhe personalisht Enver Hoxhës. Të gjitha këto struktura, në bashkëpunim të ngushtë me njëra tjetrën kanë kryer veprimtari të qartë kriminale kundër jetës së qytetarëve shqiptar, duke vrarë pafaj rreth 5000 prej tyre dhe duke sakatuar, gjymtuar dhe shkatërruar jetët e dhjetëra mijëra të tjerëve. Në këtë kuptim, produkti kriminal i veprimtarisë së Sigurimit ishin trupa shqiptarësh të pafajshëm, të varrosur natën në vende të panjohura, pa nder dhe dinjitet. Sipas të gjitha standardeve të njohura ndërkombëtare, këto akte kriminale cilësohen si mizori dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë personat që kanë marrë pjesë në këto krime përkufizohen si kriminelë dhe sipas të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare, këta individë duhet të përgjigjen për krimet e kryera, sipas shkallës së përgjegjësisë.

Si asnjë institucion tjetër i shtetit terrorist, veprimtaria e Sigurimit është e dokumentuar saktë, në disa forma përmes dosjeve të hartuara dhe përpiluara nga vet oficerët e Sigurimit dhe Drejtoritë përkatëse. Kartoteka gjigande e Sigurimit përmban miliona fletë me të dhëna të sakta; emrin, mbiemrin dhe pozitën e oficerit të Sigurimit, veprimtarinë e kryer, aktet e përpiluara, planin e punës, ngjarjet e ndodhura, marrjen në pyetje dhe përpunimin e materialeve, direktivat, urdhrat dhe krimet e kryera prej tyre. Ironikisht, regjimi e konsideronte veten të përjetshëm, prandaj krimet e kryera prej tyre janë të dokumentuara më së miri. Mali me prova gjendet në ato arkiva, pavarësisht se një pjesë e tyre thuhet se është asgjësuar pas rënies së regjimit.

Cila do të ishte rruga normale ligjore, së pari për t’u njohur me këtë veprimtari kriminale, dhe së dyti për të vendosur në vend nderin dhe dinjitetin (pas vdekjes) e viktimave të komunizmit?

Së pari, me një Ligj të Posaçëm duhej të ngrihej një Komitet Kombëtar i përbërë prej së paku 18 juristësh, penalistë dhe avokatë të drejtave të njeriut, njohës të së drejtës ndërkombëtare, me integritet moral dhe profesional. Pranë këtij Komiteti të ngriheshin grupe pune me profesionistë të fushave të ndryshme si historianë, entologë, gazetarë, shkrimtarë dhe klerikë, të cilët do të përpunonin materialin voluminoz të dokumentacionit, duke evidentuar krimet më flagrante të kryera nga Sigurimi. Mund të fillohej me klerikët e vrarë nga regjimi, me masakrat e Mirditës, Postribës, Qaf Barit etj. Ata 5000 njerëz nuk i vranë UFO-t, por u vranë dhe u masakruan nga njerëz të veshur me pushtet absolut. Vetëm kështu do të evidentoheshin qartë kriminelët dhe shkalla e përgjegjësisë së secilit zyrtarë - qoftë oficer Sigurimi, Prokuror, Hetues apo Gjykatës. Rast pas rasti, individët e gjetur të implikuar në një vrasje të caktuar do t’i paraqitej Komitetit, i cili do të dilte me vendim nëse dhe për cilët individ duhet të ngrihet akuza penale.

Vetëm në këtë mënyrë mund të zbardheshin krimet e komunizmit, Sigurimit të Shtetit, qeverisë shqiptare dhe regjimit në tërësi. Vetëm kështu mund të bëhej drejtësia e munguar për 32 vjet me radhë. Vetëm kështu do të largoheshin njëherë e mirë nga politika dhe jeta publike xhelatët e komunizmit.

Të vrarët e regjimit kanë emra dhe mbiemra, kanë qenë bijtë e këtij vendi, ata ishin djemtë e dikujt, baballarët, vëllezërit dhe motrat e këtij populli. Ata nuk ishin viça që të thereshin për mish, ata nuk i meritonin vuajtjet dhe mizoritë që kaluan. Disa dhjetëra mijëra të burgosur politik, qindra mijëra të internuar dhe të përndjekur politik duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se kush ishte krimineli i tyre i vërtetë.

Hapja e dosjeve të Sigurimit në këtë formë është anti-humane dhe antiligjore, që do të pjellë kaos, linçim publik dhe përdhosje të kujtimit - së pari të atyre që ikën nga kjo botë krejtësisht të pafajshëm, së dyti të trashëgimisë së ndritur të tyre, dhe së fundi, ky është poshtërimi i fundit i pasardhësve të tyre.

Do të ishte në nderin e çdokujt që të kërkonte drejtësi dhe përgjegjës për krimet e kryera nga regjimi terrorist i Enver Hoxhës. Gjaku i derdhur nuk ishte i tepërt, as gjak bastardësh, por i bijve dhe bijave më të mira të këtij vendi. Mbi të gjitha ishte gjak i pafajshëm.

Dhe kriminelët nuk mund dhe nuk duhet t’ia hedhin paq.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH