Aktualitet

«Çfarë spektakli!»

Shkruar nga Liberale
«Çfarë spektakli!»

Arben Idrizi

Qëndrimet ndaj krimeve, në botën moderne, janë të ndryshme. Autorët e atyre krimeve, të ndihur  (kur i kanë) nga aleatët e tyre, në përgjithësi priren t’i mohojnë ato, para opinionit botëror. Para opinionit të vet, varësisht nga rrethanat, kur e do puna (më rrallë) i minimizojnë, e kur e do më shumë puna, çka ndodh zakonisht, i glorifikojnë dhe i përdorin si armë për t’i arritur qëllimet e caktuara.

Ka krime monstruoze që mohohen nga shtete të ndryshme. Ndër to, gjenocidi armen i kryer dhe mohuar nga Turqia, apo masakra e Nankinit e kryer dhe mohuar nga Japonia.

Asgjë nga kjo nuk ndodh rastësisht. Krimi nuk ndodh rastësisht, mohimi as glorifikimi nuk ndodhin rastësisht. Çdoherë dhe patjetër e gjitha bëhet me vetëdije të plotë. Krimi nuk e neverit atë që e kryen; përkundrazi, që të vetëkënaqet deri në marrëzi, kasaphana duhet të jetë sa më e paanë që të jetë e mundur. Seneka (De ira, II, 5, 4) thotë se kur Hanibali i kishte parë një gropë të thellë plot me gjak ushtarësh të kasapitur, kishte klithur: «Çfarë spektakli!». Ama, kjo nuk është klithja e vetme në histori. Adhuruesit e filmave nuk kanë si të mos e kujtojnë gjeneralin Patton kur hyn në skenën e masakrës dhe, duke rrotulluar kokën përreth trupave të dergjur, klith: «Çfarë spektakli!».

Tani, mund t’i paramendoni gjeneralët serbë pas masakrave në luftën e fundit në vendin tonë. Tani, mund ta paramendoni drejtuesin e operacionit, apo të akuzuarin Zoran Stajonevic, në Reçak, që përfundoi me masakrimin e përbindshëm të pesëmbëdhjetë civilëve. I vetmi përshkrim që më bie ndërmend të mund ta ketë pasur është pikërisht ajo shprehje makabre: «Çfarë spektakli!». E «Çfarë spektakli!» do të ketë klithur Dikoviqi pas masakrave të shumta në Drenicë. E gjeneralë e komandantë të tjerë, kudo nëpër Kosovë, pas masakrash a vrasjesh individuale.

Ama, ne e dimë, ne e dimë shumë mirë edhe kur nuk duam ta dimë shumë mirë, se këtë shprehje makabre do ta kenë përdorur edhe autorët e krimit në Grackë të Lipjanit, pas vrasjes së katërmbëdhjetë bujqve serbë: «Çfarë spektakli!». E «Çfarë spektakli!» do të kenë klithur komandantë e ushtarë a kushdo qoftë tjetër pas vrasjeve të civilëve serbë, rom dhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të armikut.

E «Çfarë spektakli!» do të kenë klithur me qindra e qindra zjarrvënës dhe qytetarë tanë pas djegies së kishave dhe pronave të qytetarëve serbë, plot pesë vjet pas luftës.

Kur Ivica Daçiqi i konsideron të poshtër serbët që tregojnë ku gjenden varrezat masive të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, e ka në mendjen imazhin e atyre masakrave tronditëse për të cilat ka vetëm një shprehje, të përhershme: «Çfarë spektakli!».

Kur Aleksander Vulini përdor për ne një term keqësues, i ka në mendje imazhet e gjithë ato keqtrajtimeve, vrasjeve, masakrave (të cilat në publik i mohon), për të cilat ka vetëm një shprehje, të përhershme: «Çfarë spektakli!».

Ama, kur të gjithë zotërinjtë që i mëshojnë avazit  të përbindshëm se ne kemi bërë luftë të pastër, duke e injoruar faktin se janë qindra civile serbë, rom dhe shqiptarë të vrarë, e kanë në mendje imazhin e atyre vrasjeve tronditëse për të cilat kanë vetëm një shprehje, të përhershme: «Çfarë spektakli!».

Të kthehemi edhe një herë te Seneca. Te Letra Lucilit (XV, 95, 30-32) ka shprehur një habi fundamentale. Si vallë, nëse dikush kryen një vrasje ose bën ndonjë masakër në kohë paqeje, ai dënohet dhe përçmohet në vend, por nëse dikush (dua të shtoj unë, nëse i njëjti) kryen një vrasje a masakër në kohë lufte, ndaj të tjerëve, ai lavdërohet dhe shpërblehet?! Për më tepër, pastaj, këto krime ndaj të tjerëve nuk kryhen rastësisht, siç e thamë, por këmbëngul Seneca, me dëshirën dhe urdhrin e senatorëve dhe popullit. Krimi ndaj tjetrit i ekzalton edhe ato qenie që në kohë paqeje i konsiderojmë të buta dhe të dhimbshme.

Këtë habi do të duhej t’ia shprehte secili vetvetes. Si mund ta arsyetojmë vrasjen e një civili në luftë, kur atë vrasje s’do ta arsyetonim kurrë në paqe? Si mund të konsiderojmë hero një tip që ka vrarë një civil në ditën e fundit të luftës, por kriminel për vrasjen e një civili ditën e parë të pasluftës? A nuk është krimi ndaj civilëve krim, në cilëndo kohë dhe në cilëndo rrethanë?

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH