Kryesore

Çfarë shteti do bëjmë?

               Publikuar në : 09:49 - 19/09/20 liberale

Klementin Mile

Sloganet politike që synojnë t’i thonë publikut se “ne do bëjmë shtet” janë të përhapura gjerësisht dhe jo vetëm në Shqipëri. Megjithatë, para se të vlerësojmë meritat e këtyre iniciativave, duhet të dimë se për çfarë shteti bëhet fjalë. Mbi të gjitha, duhet të dimë se çfarë kuptohet me termin “shtet”.

Koncepti i shtetit

Teoricieni gjerman Luman arrin në një përkufizim të shtetit, pasi ka eleminuar keqkuptimet e zakonshme për të. Shteti, thotë ai, nuk është nënsistem i sistemit politik. Ai nuk është burokracia publike. Shteti nuk është as vetëm trillimi ligjor i një personi kolektiv të cilit i atribuohen vendimet. Shteti është sistemi politik i rifutur brenda vetë sistemit politik si pikë reference për veprimin politik. Pra shteti është një formulë semantike nëpërmjet të cilës sistemi politik përshkruan vetveten në mënyrë më të thjeshtëzuar; në fakt, në atë mënyrë që redukton kompleksitetin e jashtëzakonshëm të sistemit politik, kompleksitet që do e pamundësonte ndërmarrjen e veprimit politik.

Kjo perspektivë lejon vëzhgimin e evoluimit semantik të sistemit politik, që prej shtetit absolutist, te ai konstitucionalist e deri te shteti i mirëqënies sociale – formula semantike që sistemet politike moderne të diferencuara funksionalisht përdorin sot për t’u vetëpërshkruar. Problemet semantike janë të rëndësishme për t’u trajtuar sepse zhvillimet semantike kanë efekt mbi zhvillimet strukturore të sistemit. Sipas Lumanit, zakonisht janë zhvillimet strukturore ato që paraprijnë dhe pastaj semantika përshtatet për t’i reflektuar. Është e qartë që politikja dhe shteti nuk duhen barazuar siç bën psh Karl Shmiti, por duke e mbajtur parasysh dallimin në kompleksitet mes tyre duhet shtruar pyetja: Nga pikëpamja e funksionalitetit, cili koncept i shtetit duhet përdorur për vetëpërshkrimin e sistemit politik?

Pluralizmi fals dhe pluralizmi i vërtetë

Formula semantike thjeshtëzuese e shtetit, e cila fillimisht e ndihmoi sistemin politik të diferencohet në shoqëri, shndërrohet në problem për sistemin politik dhe sjell një keqpërfaqësim të përgjithshëm të funksionit dhe kufijve të politikës. Siç shprehet Luman, problemi kryesor i sistemeve politike moderne nuk lidhet me çështjet e jashtme specifike që pritet të adresojnë, por me konceptimet e stërmëdha që shtetet moderne kanë zhvilluar për veten. Ky problem shfaqet sidomos në kushtet e shtetit të mirëqënies sociale, ku vihet re një mbitaksim i shtetit nga politika. Në shtetin e mirëqënies sociale forma e kufizuar e shtetit deformohet nga supozimi se shteti është qendra e shoqërisë dhe prandaj duhet të merret me të gjitha problemet e saj. Në këtë mënyrë, probleme të shoqërisë që mund të zgjidheshin shumë më mirë në sistemet e tjera, i adresohen sistemit politik.

Pluralizmi është problem i sistemit politik atëherë kur nuk bëhet qartë dallimi ndërmjet pluralizmit fals dhe pluralizmit të vërtetë. Nga këndvështrimi i nevojave të politikës, pluralizmi nuk bëhet problem për shkak se kërcënon kohezionin social apo se minon integritetin e rendit politik, sic shprehen neo-konservatorët. Në fakt qëndrimet bashkëkohore si pro  ashtu dhe kundër pluralizmit nuk e kapin thelbin e cështjes. Konservatorizmi etatist argumenton që sistemi politik përfaqëson një kulm në hierarkinë e autoritetit dhe prej aty kontrollon gjithë shoqërinë. Nga ana tjetër, aktivizmi anti-etatist i lëvizjeve sociale mbështetet te besimi se shoqëria mund të organizohet vetë si një forum opozitar i bashkuar kundër ngjarjeve që ndodhin në sistemin politik. Sipas Lumanit, si konservatorizmi ashtu dhe liberalizmi radikal i bazojnë perspektivat e tyre në një teori shoqërie të reduktuar skematikisht, duke supozuar gabimisht që shoqëria e gjen unitetin e vet në një hierarki ose një dualizëm. Rrjedhimisht, pluralizmi që kundërshtojnë konservatorët dhe përkrahin liberalët radikalë është fals. Në të vërtetë shoqëria moderne (e cila është e diferencuar funksionalisht, jo hierarkisht apo sipas modelit qendër/periferi) është e pamundur pa pluralizëm. Shoqëria moderne është pluralizëm: një shoqëri pa kulm dhe pa qendër. Pluralizmi i vërtetë i kësaj shoqërie është sistemik. Për shembull jashtë sistemit politik operojnë sisteme të tjera me logjika, funksione dhe programe të shumëllojta, ndërkohë që edhe brenda sistemit politik janë zhvilluar nënsistemet e politikës, administratës dhe publikut, të cilat gjithashtu ndjekin imperativa krejt të ndryshme prej njëri-tjetrit. Është esenciale për fatet e sistemit politik që vetëpërshkrimi i tij si shtet të furnizohet nga konceptet, simbolet dhe imazhet e pluralizmit të vërtetë të shoqërisë moderne.

Iluzioni i vendimeve përfundimtare

Në vetëpërshkrimin e sistemit politik modern është gjithmonë i pranishëm iluzioni i vendimeve përfundimtare. Sigurisht, sistemi politik mund ta përdorë pushtetin për të marrë vendime nga më të ndryshmet, psh mund të marrë vendime për ndryshimin e klimës në botë. Por kjo nuk do të thotë që klima në botë do të ndryshojë në drejtimin e shenjuar nga këto vendime. Nëse sistemi politik do të ishte i aftë të merrte vendime përfundimtare, paradoksalisht ai do të shkatërronte funksionin e tij në shoqëri. Në rast se një vendim politik do të ishte përfundimtar, nuk do kishte më nevojë për vendime politike të tjera dhe rrjedhimisht politika do të bëhej e panevojshme. Vendimarrja përfundimtare do të ishte fundi i politikës. Kjo nuk do të thotë që sistemi politik është tërësisht i pafuqishëm apo tërësisht jo vendimarrës, por ama pushtetet dhe vendimet e tij nuk zënë ndonjë vend të privilegjuar në shoqëri dhe në botë.

Kufizimi i përgjegjësive praktike të shtetit

Sistemi politik modern që vetëpërshkruhet si shtet i mirëqënies sociale priret të penetrojë në të gjitha aspektet e shoqërisë dhe të ofrohet si rregullator i problemeve nga më të ndryshme. Por në fakt numri i problemeve që mund të zgjidhen nga shteti është shumë i kufizuar.  Kur shteti përpiqet të zgjidhë probleme që nuk mund të rregullohen politikisht, ai thjesht krijon probleme të tjera për veten dhe për sistemet ku ndërhyn. Prandaj është e rëndësishme që krahas konceptimit të kufizimeve të sistemit politik, të kufizohen edhe përgjegjësitë praktike të tij.

Fenomeni tipik që merret si shenjë e pluralizmit në shoqëri dhe në sistemin politik është ekzistenca e shoqërisë civile. Sa më aktive dhe e suksesshme shoqëria civile, aq më pluraliste politika. Veçse pluralizmi i mbështetur te shoqëria civile është fals. Kjo pasi vetë nocioni i shoqërisë civile qëndron mbi dy besime të gabuara: e para, që sistemi politik merr formën e një rendi hierarkik drejtpërsëdrejti kundër shoqërisë; dhe e dyta, që shoqëria si e tërë (ose shoqëria civile) posedon burime me të cilat menjëherë mund të miratojë ose kundërshtojë vendimet e marra në sistemin politik.

Kur sistemi politik vetëpërshkruhet si demokraci pjesëmarrëse, pritet që përfaqësuesit e popullit të zgjedhur në parlament të japin llogari para popullit. Kjo është njëra nga arsyet e transmetimit të rregullt dhe në kohë reale të seancave të gjata parlamentare. Por në fakt edhe kjo mënyrë për arritjen e përfaqësimit pluralist të interesave dhe vlerave është false. Sado i rëndësishëm të jetë parlamenti (ose në përgjithësi dhoma e zyrtarëve të zgjedhur), nuk mund të mendohet që një institucion i vetëm i sistemit politik arrin të marrë vendime pa përfshirjen dhe ndërveprimin kompleks me institucionet e tjera të sistemit. Legjislatura të tilla kanë për detyrë të mbajnë gjallë trillimin se i japin direkt llogari grupeve të agjentëve jashtë sistemit politik (publikut) dhe janë gjithmonë të detyruara të reflektojnë disa motive më të larta racionale, etike ose humane për të shpjeguar vendimet e tyre. /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back